Mendime Shtjelluese Mateu 16
Ungjilli sipas Mateut kapitulli 16
nga J. C. Ryle
Mateu 16:1-12
Në këto vargje zbulojmë që Zoti ynë u sulmua nga armiqesia e palodhur e Farisenjve dhe Saducenjve. Në përgjithësi këto dy sekte ishin në armiqësi mes tyre. Megjithatë, përndjekja e Krishtit u bë kauza e tyre e përbashkët. Kjo me të vërtetë ishte një aleancë e mëkatshme! Megjithatë, sa shpesh e shohim të njëjtën gjë në kohën e tashme. Njerëzit që kanë opinion dhe zakone krejt të kundërta bien dakord në mospëlqimin e Ungjillit, dhe madje punojnë bashkë për ta kundërshtuar përparimin e tij. “Nuk ka asnjë gjë të re nën diell.” (Predikuesi 1:9).
Pika e parë në këtë pjesë e cila meriton vëmendje të veçantë, është përsëritja që Zoti ynë u bën fjalëve që Ai kishte përdorur në një rast tjetër. Ai thotë, “Një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por nuk do t’i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona.” Nëse i kthehemi kapitullit të dymbëdhjetë të këtij Ungjilli dhe vargut 39 do të shohim që Jezusi kishte thënë të njëjtën gjë edhe një herë më parë.
Përsëritja mund të duket si e diçka e rastësishme dhe e parëndësishme në sytë e disave. Por nuk është e tillë në realitet. Këto fjalë hedhin dritë mbi një temë e cila i ka bërë konfuze mendjet e shumë prej atyre që e duan me sinqeritet Biblën dhe si rrjedhim duhet të vëzhgohen në mënyrë të veçantë.
Përsëritja na tregon që Zoti ynë e kishte zakon të thoshte të njëjtën gjë herë pas here. Ai nuk kënaqej duke e thënë diçka një herë dhe të mos e përsëriste më pas. Është e dukshme që zakoni i Tij ishte që t’i shpallte herë pas here disa të vërteta të caktuara dhe në këtë mënyrë i nguliste ato edhe më thellë në mendjen e dishepujve të Tij. Ai e njihte dobësinë e kujtesës tonë në gjërat frymërore. Ai e dinte që atë të cilën e dëgjojmë dy herë e mbajmë mend më mirë se atë që e dëgjojmë një herë. Prandaj, nga thesari i Tij Ai nxorri si gjëra të vjetra ashtu edhe të reja.
Çfarë na mëson e gjitha kjo? Na mëson që nuk ka nevojë të jemi aq në ankth për të harmonizuar tregimet që lexojmë në katër Ungjijtë, sikurse janë të prirur të jenë shumë të tjerë. Nuk është e thënë që thëniet e Zotit tonë, të cilat i gjejmë njëlloj tek Mateu dhe Lluka, u përdorën gjithmonë në të njëjtën kohë, apo që ndodhitë me të cilat janë të lidhur a duhet me domosdoshmëri të jenë të njëjta. Mateu mund të jetë duke përshkruar një ndodhi në jetën e Zotit tonë. Lluka mund të jetë duke përshkruar një tjetër. E megjithatë, fjalët e Zotit tonë në të dyja rastet mund të kenë qenë saktësisht të njëjta. Përpjekja për të zbuluar që të dyja ndodhitë ishin e njëjtë gjë, për shkak të fjalëve të njëjta që janë përdorur shpesh i ka çuar studentët e Biblës në vështirësi të mëdha. Është gjë shumë më e sigurt që të mbajmë pikëpamjen e prezantuar këtu që në raste të ndryshme shpesh Zoti ynë përdori të njëjtat fjalë.
Pika e dytë e cila meriton vëmendje të veçantë në këto vargje është, paralajmërimi solemn të cilin Zoti shfrytëzon rastin që t’iua japë dishepujve të Tij. Është e qartë që mendja e Tij vuante nga doktrinat e rreme që Ai shikonte mes Judenjve, dhe nga ndikimi shkatërrimtar që ushtronin ato. Ai e shfrytëzoi mundësinë që të jepte një paralajmërim.
“Kini kujdes dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve!” Le të shohim mirë se çfarë përmbajnë ato fjalë.
Kujt iu drejtua ky paralajmërim? Dymbëdhjetë apostujve – shërbëtorëve të parë të kishës së Krishtit – atyre burrave që kishin braktisur gjithçka për hir të Ungjillit! Edhe ata u paralajmëruan! Edhe njerëzit më të mirë janë thjesht njerëz, dhe në çdo moment mund të bien në tundim. “Ai që mendon se qëndron le të ketë kujdes që të mos bjerë.” Nëse e duam jetën, dhe duam të shohim ditë të mira, le të mos mendojmë kurrë që nuk kemi nevojë për këtë paralajmërim, “kini kujdes, hapni sytë.”
Kundër çfarë gjëje i paralajmëroi Zoti ynë dishepujt e Tij? Kundër “doktrinës” së Farisenjve dhe Saducenjve. Në Ungjill na thuhet shpesh që Farisenjtë ishin formalistë të vetë-drejtë. Kurse Saducenjtë ishin skeptikë, mendimtarë të lirë dhe gjysmë jobesimtarë. Megjithatë, edhe Pjetri, Jakobi dhe Gjoni duhet të kenë kujdes nga doktrinat e tyre! Me të vërtetë që edhe besimtarët më të mirë dhe më të shenjtë duhet të tregohen vigjilentë!
Me çfarë figure i krahason Zoti ynë doktrinat e rreme për të cilat i paralajmëroi dishepujt e Tij? Ai i quan ato maja. Sikurse majaja, ato mund të duken gjë e vogël në krahasim me gjithë depozitën e të vërtetës. Sikurse majaja, aspo të pranohen ato do të veprojnë në fshehtësi dhe pa zhurmë. Sikurse majaja, në mënyrë graduale ato do ta ndryshojnë gjithë karakterin e fesë me të cilën përzihen. Sa shumë kuptim që ka shpesh një fjalë e vetme! Nuk ishte thjesht rreziku flagrant i herezisë, por ishte “majaja” nga e cila duhej të ruheshin apostujt.
Në të gjithën këtë ka shumë gjëra që na bëjnë thirrje të ngutshme për vëmendjen e qëllimshme të të gjithë atyre që rrëfejnë se janë të krishterë. Paralajmërimi i Zotit në këtë pjesë është neglizhuar në mënyrë të turpshme. Do kishte qenë mirë për kishën e Krishtit nëse paralajmërimet e Ungjillit të studioheshin po aq shumë sa dhe premtimet e tij.
Prandaj, le të kujtojmë që kjo thënie e Zotit tonë për “majanë e Farisenjve dhe Saducenjve” u dha për të gjitha kohërat. Nuk u dha vetëm për brezin në të cilin u shqiptua. U dha për të mirën e përhershme të kishës së Krishtit. Ai që e tha këtë gjë e pa historinë e ardhshme të krishterimit me sytë e Tij profetikë. Doktori i Madh e dinte shumë mirë që doktrinat e Farisenjve dhe Saducenjve do të ishin një sëmundje që do ta pllakoste Kishën e Tij deri në fund të botës. Ai dëshiron të dimë që gjithmonë do të ketë Farisenj dhe Saducenj mes radhëve të të krishterëve. Vazhdimësia e tyre nuk do të dështojë kurrë. Brezi i tyre nuk do të zhduket kurrë. Emri i tyre mund të ndryshojë, por fryma e tyre do të vazhdojë gjithmonë. Prandaj, Ai na paralajmëron, “kini kujdes dhe hapni sytë.”
Së fundi, le të bëjmë një zbatim personal të këtij paralajmërimi, duke ruajtur një xhelozi të shenjtë për shpirtrat tanë. Le të kujtojmë, që jetojmë në një botë kur Fariseizmi dhe Saduceizmi janë duke u përpjekur vazhdimisht që ta zotërojnë kishën e Krishtit. Disa duan t’i SHTOJNË Ungjillit dhe disa duan t’i HEQIN atij. Disa duan ta groposin dhe disa duan ta reduktojnë në një hiç. Disa dëshirojnë t’ia marrin frymën duke grumbulluar shtesa dhe disa dëshirojnë ta përgjakin për vdekje duke ia hequr të vërtetat e tij. Të dyja grupet bien dakord për një gjë. Që të dy dëshirojnë ta vrasin dhe shkatërrojnë jetën e krishterimit, nëse ia dalin të bëjnë atë që duan. Le të lutemi dhe rrimë syhapur kundër të dyja këtyre gabimeve duke mos u lëkundur nga pozita jonë. Le të mos i shtojmë asgjë Ungjillit, për t’i pëlqyer fariseut të Kishës Katolike Romake. Le të mos i heqim asgjë Ungjillit, për t’i pëlqyer Saduceut Neolog. Le të jetë parimi ynë “e vërteta, e gjithë e vërteta dhe asgjë përveçse e vërteta,” të mos i shtojmë asgjë dhe të mos heqim asgjë prej saj.
Mateu 16:13-20
Në këtë pjesë ka fjalë të cilat kanë shkaktuar qëndrime dhe ndarje të dhimbshme mes të krishterëve. Njerëzit janë përleshur dhe kanë debatuar për kuptimin e tyre derisa kanë humbur çdo lloj qartësie e megjithatë kanë dështuar të sjellin bindje në mendjen e njëri-tjetrit. Le të na mjaftojë që t’u hedhim një shikim të shpejtë këtyre fjalëve të debatueshme, dhe pastaj të kalojmë në mësime edhe më praktike.
Prandaj, çfarë duhet të kuptojmë kur lexojmë atë thënie të jashtëzakonshme të Zotit tonë, “ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time?” A do të thotë kjo që vetë apostulli Pjetër do të bëhej themeli mbi të cilin do të ndërtohej kisha e Krishtit? Më e pakta që mund të themi për një interpretim të tillë është që duket jashtëzakonisht i papërshtatshëm. Të flasësh për një bir dobët dhe të gabueshëm të Adamit si themeli i tempullit frymëror është shumë e ndryshme nga gjuha e zakonshme e Shkrimit. Mbi të gjitha, nuk mund të jepet asnjë arsye pse Zoti yntë të mos kishte thënë, “Unë do të ngre kishën time mbi ty,” – nëse ky do të kishte qenë kuptimi i fjalëve të Tij në vend që të thoshte, “mbi këtë shkëmb unë do të ngre kishën time.”
Kuptimi i vërtetë i “shkëmbit” në këtë pjesë duket që është e vërteta e hyjnisë dhe rolit Mesianik të Zotit tonë gjë të cilën Pjetri sapo e kishte rrëfyer. Është sikur Zoti ynë të kishte thënë, “Me të drejtë je quajtur Pjetër, apo gur, sepse ti ke rëfyer atë të vërtetë të pushtetshme, mbi të cilën, sikurse mbi një shkëmb, unë do të ngre kishën time.”
Por çfarë duhet të kuptojmë kur lexojmë premtimin që Zoti ynë i bëri Pjetrit, “Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve?” A do të thonë këto fjalë që e drejta e pranimit të shpirtrave në qiell do të vendosej në duart e Pjetrit? Kjo ide është absurde. Një ofiq i tillë është e drejta e veçantë e vetë Krishtit (Zbulesa 1:18). A duan të thonë këto fjalë që Pjetri do të kishte një parësi apo superioritet mbi apostujt e tjerë? Nuk gjejmë as provën më të vogël që një kuptim i tillë duhet t’u bashkëngjitet fjalëve në kohën e Dhiatës së Re, apo që Pjetri të kishte ndonjë rang apo dinjitet mbi pjesën tjetër të dymëdhjetëshes.
Kuptimi i vërtetë i premtimit që ju bë Pjetrit duket se është, që ai do të kishte privilegjin e veçantë për ta hapur i pari derën e shpëtimit, si për Judenjtë ashtu dhe për Johebrenjtë. Kjo u përmbush me përpikmëri, kur ai u predikoi Judenjve në ditën e Pentekostit dhe kur vizitoi Johebreun Kornel në shtëpinë e tij. Në secilin arst ai përdori “çelësat” dhe e hapi derën e shpëtimit. Për këtë gjë ai duket që ishte i vetëdijshëm, ai thotë, “Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë.” (Veprat 15:7).
Së fundi, çfarë duhet të kuptojmë kur lexojmë fjalët, “gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej?” A do të thotë kjo që apostulli Pjetër do të kishte pushtet për faljen e mëkateve, dhe për t’i shfajësuar mëkatarët? Një ide e tillë e nënçmon ofiqin e veçantë të Krishtit si Krye Prifti i Madh. Ky është një pushtet të cilin nuk shohim kurrë që të ushtrohet nga Pjetri apo nga ndonjëri prej apostujve. Ata gjithmonë i drejtojnë njerëzit tek Krishti.
Kuptimi i vërtetë i këtij premtimi duket se është, që Pjetri dhe vëllezërit e tij, apostujt, do të caktoheshin në mënyrë të veçantë për të mësuar me autoritet udhën e shpëtimit. Sikurse prifti në Dhiatën e Vjetër shpallte me autoritet se kush ishte pastruar nga lebra, kështu edhe apostujt ishin caktuar që të “deklaronin dhe të shpallnin” me autoritet se kujt i ishin falur mëkatet. Përveç kësaj, ata do të frymëzoheshin në mënyrë të veçantë për të themeluar rregulla dhe udhëzime për drejtimin e kishës në çështjet e dabatueshme. Disa gjëra duhej t’i “lidhnin” ose ndalonin, kurse të tjerat duhej t’i “zgjidhnin” apo lejonin. Vendimi i këshillit të Jerusalemit, që Johebrenjtë nuk kanë nevojë të rrethpriten, ishte një shembull për ushtrimin e këtij pushteti (Veprat 15:19). Por ky ishte një autorizim që në mënyrë të veçantë kufizohej vetëm tek apostujt. Pasi ata e kryen këtë gjë nuk lanë pasues. Filloi me ta dhe me ta përfundoi.
Do t’i lëmë këtu këto fjalë të debatuara. Ndoshta është thënë mjaftueshëm rreth tyre për ndërtimin tonë personal. Vetëm le të mbajmë mend që në çfarëdo kuptimi që t’i marrin njerëzit këto fjalë, ato nuk kanë asnjë lidhje me Kishën e Romës. Tani le ta kthejmë vëmendjen tonë tek ato pika që kanë të bëjnë më tepër me shpirtrat tanë.
Së pari, le të admirojmë rrëfimin fisnik që apostulli Pjetër bëri në këtë pjesë.
Duke u përgjigjur ndaj pyetjes së Zotit tonë “Po ju, kush thoni se jam unë?”, Pjetri thotë, “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.” Në pamje të parë një lexues i shkujdesur mund të mos shohë asgjë tepër të jashtëzakonshme në këto fjalë të apostullit. Në fakt, e jashtëzakonshme mund t’i duket përgëzimi kaq i fortë që Zoti i dha atij. Por mendime të tilla dalin nga padituria dhe mos konsiderimi. Njerëzit harrojnë që është gjë krejtësisht e ndryshme të besosh në misionin hyjnor të Krishtit kur gjendemi në mes të atyre që e rrëfejnë veten të krishterë dhe të besosh në këtë gjë kur banon mes Judenjve të ngurtësuar dhe jobesimtarë. Lavdia e rrëfimit të Pjetrit qëndron në këtë gjë, që ai e bëri këtë rrëfim kur pak njerëz ishin me Krishtin dhe shumë ishin kundër Tij. Ai e bëri këtë rrëfim kur sundimtarët e kombit të tij, Skribët, Priftërinjtë dhe Farisenjtë që të gjithë ishin kundër Zotit të tij. E bëri këtë rrëfim kur Zoti ishte në “trajtë shërbëtori”, pa pasuri, pa dinjitet mbretëror, pa ndonjë shenjë të dukshme si Mbret. Të bëje një rrëfim të tillë në një kohë si kjo kërkonte një besim të madh dhe një vendim të madh të karakterit. Vetë rrëfimi sikurse thotë edhe Brentiusi, “ishte mishërimi i gjithë Krishterimit, dhe një përmbledhje e doktrinës së vërtetë rreth fesë.” Për këtë arsye Zoti ynë i tha, “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas.”
Do bënim mirë që ta imitonim atë zell dhe dashuri të gëzueshme që shfaq Pjetri në këtë rast. Ndoshta jemi tepër të prirur që ta nënvlerësojmë këtë burrë të shenjtë, për shkak të pa qëndrushmërisë së tij me raste, dhe për shkak të mohimit të tij të trefishtë të Zotit. Ky është gabim i madh. Pavarësisht gjithë mangësive të tij, Pjetri ishte një shërbëtor i Krishtit me zemër të vërtetë, i zjarrtë, dhe i fokusuar. Pavarësisht gjithë pa përsosmërive të tij Pjetri na ka dhënë një model të cilin shumë të krishterë do tregoheshin të urtë nëse do ta ndiqnin. Zelli si ky i Pjetrit mund të ketë uljet dhe ngritjet e veta dhe nganjëherë t’i mungojë pa lëkundshmëria e qëllimit. Një zell i tillë mund të jetë drejtuar keq, dhe nganjëherë të bëjë gabime për të ardhur keq. Por një zell si i tij nuk duhet përbuzur. Ky zell i zgjon ata që flenë. I trazon të plogështit. I nxit të tjerët të përpiqen. Gjithçka është më e mirë se plogështia, vaktësia dhe apatia në kishën e Krishtit. Sa mirë do të kishte qenë për kishën sikur të kishte patur më tepër të krishterë si Pjetri dhe Martin Luteri dhe më pak si Erazmi.
Së dyti, le të tregohemi të kujdesshëm që të kuptojmë se çfarë do të thotë Zoti ynë kur flet për kishën e Tij.
Kisha që Jezusi premtoi se do të ndërtojë mbi këtë shkëmb është “bashkësia e bekuar e gjithë besimtarëve.” Nuk është kisha e dukshme e një kombi, vendi apo lokaliteti. Është gjithë trupi i besimtarëve të çdo epoke, gjuhe dhe populli. Është një kishë e përbërë nga të gjithë ata që janë larë në gjakn e Krishtit, që janë veshur me drejtësinë e Krishtit, që janë ripërtërirë nga Fryma e Krishtit, që i janë bashkuar Kishës me anë të besimit, dhe që janë letra të Krishtit në këtë jetë. Është një kishë në të cilën çdo anëtar është pagëzuar me Frymën e Shenjtë dhe është realisht dhe me të vërtetë i shenjtë. Është një kishë e cila është një trup. Të gjithë ata që i përkasin asaj kanë një zemër dhe një mendje, mbajnë të njëjtat të vërteta, dhe besojnë të njëjtat doktrina të domosdoshme për shpëtim. Kjo është një kishë që ka vetëm një Krye. Kreu i saj është Vetë Jezu Krishti. “Ai është kreu i trupit.” (Kolosianëve 1:18).
Le të kemi kujdes nga gabimet rreth kësaj teme. Të pakta janë fjalët që janë keqkuptuar më tepër se fjala “kishë.” Të pakët janë gabimet që e kanë lënduar aq shumë kauzën e fesë së pastër. Padituria në këtë pikë ka qenë një burim i madh urrjetjeje, sektarizmi dhe përndjekjeje. Njerëzit janë grindur dhe përleshur për kishat Episkopale, Presbiteriane dhe të Pavarura, sikur të ishte e domosdoshme për shpëtim që t’i përkisje një grupimi të caktuar dhe sikur të përkiturit në atë grup sigurisht që do të thotë se i përket Krishtit. Gjatë gjithë kësaj kohe e kanë humbur tablonë e kishës së vetme të vërtetë, jashtë të cilës nuk ka fare shpëtim. Ditën e fundit nuk ka për të pasur fare rëndësi se ku kemi adhuruar, nëse nuk do të jemi gjymtyrë të kishës së vërtetë të të zgjedhurve të Perëndisë.
Së fundi, le të vështrojmë premtimet e lavdishme që Zoti ynë ia bën kishës së Tij. Ai thotë, “dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.”
Kuptimi i këtij premtimi është që fuqia e Satanit nuk ka për ta shkatërruar dot kurrë popullin e Krishtit. Ai që solli mëkatin dhe vdekjen në krijimin e parë, duke tunduar Evën, nuk ka për të sjellë më kurrë shkatërrim në krijimin e ri, duke rrëzuar besimtarët. Trupi mistik i Krishtit nuk do të humbasë dhe as do të prishet kurrë. Edhe pse shpesh do të përndiqet, lëndohet, shtypet poshtërohet, nuk ka për t’i ardhur fundi kurrë. Kisha ka për t’i mbijetuar tërbimit të Faraonëve dhe Perandorëve Romakë. Kishave të dukshme si ajo e Efesit mund t’u vijë fundi. Por kisha e vërtetë nuk vdes kurrë. Sikurse shkurrja që pa Moisiu, ajo mund të digjet, por nuk do të konsumohet kurrë. Çdo anëtar i saj do të sillet i sigurt në lavdi, pavarësisht rrëzimeve, dështimeve dhe mangësive, pavarësisht botës, mishit dhe djallit, asnjë anëtar i Kishës së vërtetë nuk do të hidhet ndonjëherë jashtë. (Gjoni 10:28).
Mateu 16:21-23
Në fillim të këtyre vargjeve shohim që Zoti ynë u zbulon dishepujve të Tij një të vërtetë të madhe dhe tronditëse.
Kjo e vërtetë ishte vdekja e Tij në kryq e cila po afronte. Për herë të parë Ai vendos para mendjeve të tyre lajmërimin tronditës, që “Ai duhet të shkojë në Jerusalem, të vuajë dhe të vritet.” Ai nuk kishte ardhur në tokë të merrte një mbretëri por që të vdiste. Ai nuk kishte ardhur për të mbretëruar por për të shërbyer dhe për të derdhur gjakun e Tij si flijim, dhe për të dhënë jetën e Tij si shpengim për shumë vetë.
Është pothuaj e pamundur që ne të konceptojmë sa të habitshme dhe të pakuptueshme duhet t’u jenë dukur këto lajme dishepujve të Tij. Sikurse shumica e Judenjve, ata nuk mund të konceptonin dot një ide për një Mesia që vuan. Ata nuk e kuptuan që kapitulli i pesëdhjetë e tre i Isaias duhej të përbushej në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ata nuk e kuptuan që flijimet e ligjit kishin të gjitha për qëllim që t’i drejtonin tek vdekja e Qengjit të vërtetë të Perëndisë. Ata nuk menduan për asnjë gjë tjetër përveç ardhjes së dytë dhe të lavdishme të Mesias e cila pritet të ndodhë në fund të botës. Ata menduan aq shumë për kurorën e Mesias saqë kryqi iu humbi nga shikimi. Do bënim mirë që ta kujtonim këtë gjë. Një kuptim i drejtë i kësaj çështjeje hedh shumë dritë mbi mësimet që përmbahen në këtë pjesë.
Së pari, nga këto vargje ne mësojmë që mund të ketë shumë padituri frymërore edhe në një dishepull të vërtetë të Krishtit.
Nuk mund të gjejmë dot një provë më të qartë për këtë gjë sesa sjellja e apostullit Pjetër në këtë pjesë. Ai u përpoq që ta largonte Zotin tonë nga vuatja në kryq. “O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë.” Ai nuk e dalloi qëllimin e plotë të ardhjes së Zotit tonë në botë. Sytë e tij ishin verbuar ndaj domosdoshmërisë së vdekjes së Zotit tonë. Ai në fakt bëri atë që mundi për ta parandaluar atë vdekje që të ndodhte! E megjithatë ne e dimë që Pjetri ishte i konvertuar. Ai vërtet besonte që Jezusi ishte Mesia. Zemra e tij ishte e drejtë para Perëndisë.
Këto gjëra kanë për qëllim të na mësojnë që edhe ne të mos i konsiderojmë njerëzit e shpëtuar si të pagabueshëm, për shkak të faktit që janë të shpëtuar, dhe as të mos supozojmë që nuk kanë hir, për shkak se hiri i tyre është i dobët dhe i vogël. Një vëlla mund të zotërojë dhunti të veçanta, dhe të jetë një dritë e fortë dhe e shkëlqyer në kishën e Krishtit. Por le të mos harrojmë që ai është njeri, dhe si njeri është i rrezikuar që të bëjë gabime të mëdha. Njohuria e një vëllai tjetër mund të jetë e pakët. Ai mund të dështojë që të gjykojë si duhet për shumë pika të doktrinës. Ai mund të gabojë si në fjalë ashtu dhe në vepër. Por a ka ai besim dhe dashuri për Krishtin? A beson ai tek Kreu? Nëse po, le ta trajtojmë me durim. Atë të cilën ai nuk e sheh tani mund ta shohë më vonë. Sikurse Pjetri, tani mund të jetë në errësirë e megjithatë sikurse ai një ditë të shijojë dritën e plotë të Ungjillit.
Së dyti, le të mësojmë nga këto vargje që nuk ka asnjë doktrinë më të rëndësishme të Shkrimit sesa doktrina e vdekjes shlyese të Krishtit.
Nuk mund të kemi një provë më të qartë për këtë sesa gjuha e përdorur nga Zoti ynë në qortimin e Pjetrit. Ai i drejtohet Pjetrit me emrin e tmerrshëm “Satan,” sikur ai të ishte një armik, dhe të ishte duke bërë punën e djallit në përpjekjen e tij për ta ndaluar vdekjen e Jezusit. Atij të cilin deri tani e kishte quajtur “të lum,”Jezusi i thotë, “’Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s’ke ndër mënd punët e Perëndisë, por punët e njerëzve.” Nga buzët e Zotit tonë nuk dolën kurrë fjalë më të forta se këto. Gabimi i cili e shtyu një Shpëtimtar kaq të dashur që t’i jepte një qortim kaq të ashpër një dishepulli të vërtetë, duket të ketë qenë vërtet gabim i madh.
E vërteta është që Zoti ynë dëshiron që ta konsiderojmë kryqëzimin e Tij si të vërtetën qendrore të Krishterimit. Pikëpamjet e duhura rreth vdekjes së Tij zëvendësuese dhe përfitimet që rrjedhin prej saj, gjenden në vetë themelin e besimit sipas Biblës. Le të mos e harrojmë kurrë këtë gjë. Kur bie fjala për çështjet e qeverisjes së kishës, për format e adhurimit, njerëzit mund të kenë qëndrime të ndryshme, e megjithatë të arrijnë të sigurt në qiell. Kur bëhet fjalë për vdekjen shlyese të Krishtit, si udha e paqes, ka vetëm një të vërtetë. Nëse këtu e kemi gabim, jemi të humbur përjetë. Gabimi në shumë pika të tjera është thjesht si sëmundjet e lëkurës. Gabimi rreth vdekjes së Krishtit është sëmundje e zemrës. Këtu le të qëndrojmë. Asnjë gjë le të mos na lëkundë nga kjo pozitë. Përmbledhja e të gjitha shpresave tona duhet të jetë që “Krishti vdiq për ne.” (1 Thesalonikasve 5:10). Nëse heqim dorë prej kësaj doktrine nuk nga mbetet më asnjë shpresë e palëkundshme.
Mateu 16:24-28
Në mënyrë që të shohim lidhjen e këtyre vargjeve, duhet të mbajmë mend përshtypjet e gabuara të dishepujve të Zotit tonë në lidhje me ardhjen e Tij në botë. Sikurse Pjetri, ata nuk mund ta pranonin dot idenë e kryqëzimit. Ata mendonin që Jezusi kishte ardhur të themelonte një mbretëri tokësore. Ata nuk e dalluan që Ai duhej të vuante dhe të vdiste. Ata ëndërronin për nderime tokësore dhe për shpërblime të përkohshme në shërbim të Zotërisë së tyre. Ata nuk e kuptuan që të krishterët e vërtetë, ashtu si Krishti, duhet të përsosen përmes vuajtjes. Zoti ynë i korrigjon këto keqkuptime me fjalë tepër solemne, të cilat do bënim mirë t’i merrnim në zemrën tonë.
Së pari, le të mësojmë nga këto vagje që njerëzit duhet ta ndajnë mendjen për vështirësi dhe vetëmohim nëse e ndjekin Krishtin.
Zoti ynë i prish ëndrrat e bukura të dishepujve të tij, duke ju thënë atyre që ndjekësit e Tij duhet “të marrin kryqin.” Mbretëria e lavdishme që ata po prisnin, nuk do të themelohej menjëherë. Ata duhet ta ndajnë mendjen në lidhje me përndjekjen dhe mundimin, nëse kishin për qëllim të ishin shërbëtorët e Tij. Ata duhet të jenë të kënaqur ta “humbasin jetën e tyre,” nëse duan që shpirti i tyre të shpëtohet.
Është gjë e mirë që të gjithë ne ta shohim qartë këtë pikë. Nuk duhet t’ia fshehim vetes që krishterimi i vërtetë fillon me një kryq të përditshëm në këtë jetë, edhe pse në jetën e ardhshme na ofron kurorën e jetës. Mishi duhet të kryqëzohet çdo ditë. Çdo ditë duhet t’a kundërshtojmë djallin. Bota duhet të mundet përditë. Ka një luftë që duhet luftuar, dhe një betejë çdo ditë. E gjitha kjo është e pandashme nga feja e vërtetë. Pa këto qielli nuk mund të fitohet. Nuk ka pasur kurrë një fjalë më të vërtetë sesa thënia e lashtë, “Nëse nuk ka kryq nuk ka as kurorë!” Nëse nuk e kemi zbuluar kurrë këtë gjë me përjetimin tonë shpirti ynë është në një gjendje të dobët.
Së dyti, le të mësojmë nga këto vargje që nuk ka asgjë më të çmuar se shpirti i njeriut.
Zoti ynë na e mëson këtë mësim duke bërë një prej pyetjeve më solemne që gjejmë në Dhiatën e Re. Kjo është një pyetje shumë e njohur, dhe e përsëritur kaq shpesh, saqë njerëzit shpesh nuk e dallojnë karakterin e saj zhbirues. Por ajo ama është një pyetje që duhet të tingëllojë në veshët tanë si një bori, kurdoherë që jemi të tunduar t’i neglizhojmë përgjegjësitë tona të përjetshme – “Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet?”
Për këtë pyetje mund të ketë vetëm një përgjigje. Nuk ka asgjë mbi tokë, apo nën tokë, e cila mund të na dëmshpërblejë për humbjen e shpirtit tonë. Nuk ka asgjë të cilën paraja mund ta blejë, apo të cilën të na e japin njerëzit, e cila mund të krahasohet me shpirtin tonë. Bota dhe gjithë sa ajo përmban është e përkohshme. Gjithçka po fishket, po humbet dhe po kalon tej. Shpirti është i përjetshëm. Ajo fjalë e vetme është çelësi i gjithë kësaj pyetjeje. Le të ngulitet kjo gjë thellë në zemrat tona. A jemi duke u lëkundur në fenë tonë? A kemi frikë nga kryqi? A na duket udha tepër e ngushtë? Le të tingëllojnë fjalët e Zotit tonë në veshët tanë, “Ç’përfitim ka njeriu?” dhe të mos dyshojmë më.
Së fundi, le të mësojë që ardhja e dytë e Krishtit është koha kur njerëzit e Tij do të marrin shpërblimin e tyre. “Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij.”
Ka një urtësi të thellë në këtë thënie të Zotit tonë kur e shohim në lidhje me vargjet pararendëse. Ai e njeh zemrën e njeriut. Ai e di se sa shpejt jemi gati që të rrëzohemi, dhe sikurse Izraeli në lashtësi të “dekurajohemi nga vështirësitë gjatë udhës.” Prandaj, Ai na ofron një premtim bujar. Ai na kujton që Ai do të vijë një herë të dytë me po atë siguri që erdhi edhe herën e parë. Ai na thotë që ky është momenti kur dishepujt e Tij do të marrin gjërat e tyre të mira. Një ditë më në fund do të ketë lavdi, nder dhe shpërblim të bollshëm për të gjithë ata që i kanë shërbyer dhe e kanë dashur Jezusin. Por kjo do të ndodhë në momentin e ardhjes së dytë dhe jo në ardhjen e parë. E hidhura duhet të vijë përpara të ëmblës, kryqi duhet të vijë përpara kurorës. Ardhja e parë ishte epoka e kryqëzimit. Ardhja e dytë është epoka e mbretërisë. Ne duhet të pranojmë që të marrim pjesë me Zotin tonë në përulësinë e Tij, nëse dëshirojmë që një ditë të marrim pjesë në lavdinë e Tij.
Dhe tani, le të mos largohemi nga këto vargje pa një vetë-shqyrtim serioz në lidhje me çështjet që ato përmbajnë. Kemi dëgjuar për domosdoshmërinë e marrjes së kryqit dhe për mohimin e vetes. A e kemi marrë kryqin, dhe a po e mbartim atë çdo ditë? Kemi dëgjuar për vlerën e shpirtit. A jetojmë sikura vërtet e besojmë këtë gjë? Kemi dëgjuar për ardhjen e dytë të Krishtit. A po e presim atë me shpresë dhe gëzim? Lum njeriu që mund të japë një përgjigje të kënaqshme për këto pyetje.
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!