Mendime Shtjelluese Mateu 23

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 23

nga J. C. Ryle

Mateu 23:1-12

Tani jemi duke nisur një kapitull i cili në një aspekt është më i jashtëzakonshmi në të katër Ungjijtë. Ky kapitull përmban fjalët e fundit që Zoti Jezus tha brenda murreve të tempullit. Ato fjalë të fundit konsistojnë në një demaskim të fortë të Skribëve dhe Farisenjve, dhe në një qortim të ashpër të doktrinave dhe praktikave të tyre. Duke e ditur shumë mirë që kohës së Tij mbi tokë po i vinte fundi, Zoti ynë nuk e mbajti më të fshehur opinionin e Tij rreth mësuesve kryesorë të Judenjve. Duke e ditur që së shpejti do t’i linte vetëm ndjekësit e Tij, sikurse delet mes ujqërve, Ai i paralajmëron hapur kundër barinjve të rremë, nga të cilët ishin të rrethuar.

I gjithë ky kapitull është një shembull i guximit dhe besnikërisë për të denoncuar gabimin. Është një provë tronditëse që është e mundur që edhe zemra më e dashur të përdorën gjuhën e qortimit të ashpër. Mbi të gjitha kjo është një provë e frikshme për fajin e mësuesve jo besnikë. Për sa të jetë bota, ky kapitull duhet të jetë një paralajmërim ndaj të gjithë shërbyesve të fesë. Asnjë mëkat nuk është aq i mëkatshëm sa mëkati i tyre përpara Krishtit.

Në dymbëdhjetë vargjet që hapin këtë kapitull shohim së pari, detyrën e dallimit mes ofiqit të një mësuesi të rremë dhe shembullit të tij. “Skribët dhe Farisenjtë ulen në katedrën e Moisiut.” Me apo pa të drejtë ata kishin pozitën e mësuesve kryesorë publikë të fesë mes Judenjve. Pavarësisht se në ç’mënyrë të padenjë që e plotësonin këtë pozitë autoriteti, ofiqi i tyre meritonte respekt. Por ndërsa ofiqi i tyre respektohej, jetët e tyre të liga nuk duhej të imitoheshin. Edhe pse mësimi i tyre duhej të respektohej, për aq kohë sa ishte në përputhje me Shkrimin, ai nuk duhej të respektohej kur binte ndesh me Fjalën e Perëndisë. Nëse përdorim fjalët e Berntiusit, “Ata duhej të dëgjoheshin kur jepnin mësim atë që Moisiu mësonte,” dhe aspak më tepër. Fakti që ky ishte kuptimi i Zotit tonë është i qartë nga gjithë theksi i kapitullit që po lexojmë. Aty denoncohet doktrina e gabuar sikurse edhe praktika e gabuar.

Detyra që paraqitet përpara nesh është e një rëndësie shumë të madhe. Ka një prirje konstante në mendjen njerëzore për të shkuar drejt pozitave ekstreme. Nëse nuk e respektojmë ofiqin e shërbyesve me droje idhujtare jemi të prirur që ta trajtojmë atë me një përçmim të papërshtatshëm. Kemi nevojë që të ruhemi kundër të dyja këtyre ekstremeve. Pavarësisht sa shumë mund të mos biem dakord me praktikën e një shërbyesi, apo të mos na pëlqejë mësimi i tij, nuk duhet të harrojmë kurrë që ta respektojmë ofiqin e tij. Duhet të tregojmë që mund ta nderojmë thirrjen pavarësisht se çfarë mund të mendojmë për ata që i mbajnë këto ofiqe. Shembulli i Palit në raste të caktuara ia vlen që të konsiderohet, ‘Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: “Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tënd”’ (Veprat 23:5).

Së dyti, në këtë vargje shohim që mospërputhja, salltanetet, dhe dashuria për të qenë i pari mes rrëfyesve të fesë janë në mënyrë të veçantë të papëlqyera për Krishtin. Për sa i përket MOSPËRPUTHJES është e jashtëzakonshme që gjëja e parë që Zoti ynë thotë për Farisenjtë është “ata thonë, por nuk e bëjnë.” Ata u kërkojnë të tjerëve atë që nuk e praktikojnë vetë. Për sa u përket SALLTANETEVE, Zoti ynë deklaron që ata i bënë të gjitha veprat e tyre “që të shihen nga njerëzit.” Ata kishin filakteritë e tyre, apo rripat e pergamenave, me tekstin e shkruar mbi to, të cilat shumë Judenj i mbanin në veshjet e tyre dhe që kishin një madhësi tepër të madhe. Ata kishin “cepat” apo thekët e rrobave të tyre, të cilat Moisu i udhëzoi Izraelitët t’i mbanin si kujtim për Perëndinë, dhe të cilat i kishin zgjatur së tepërmi. (Numrat 15:38). E gjithë kjo ishte bërë për të tërhequr vëmendjen, dhe për t’i bërë njerëzit të mendonin që ata ishin tepër të shenjtë. Për sa i përkiste DASHURISË PËR TË QENË TË PARËT, Zoti ynë thotë që Farisenjtë dëshironin të kishin “vendet e para” në organizimet publike dhe që njerëzit t’iu drejtoheshin me tituj lajkatues. Që të gjitha këto gjëra Zoti ynë i refuzoi. Ai dëshiron që ne të ruhemi dhe të lutemi kundër të gjitha këtyre. Këto janë mëkate shpirt shkatërruese. “Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?” (Gjoni 5:44). Sa mirë do kishte qenë për kishën e Krishtit nëse kjo pjesë do të mendohej më thellë dhe t’i bindej në mënyrë edhe më të qartë frymës së saj. Farisenjtë nuk janë njerëzit e vetëm që kanë ushtruar ashpërsi ndaj të tjerëve, që kanë shfaqur një shenjtëri thjesht të jashtme dhe që kanë dashur fort lavdërimet e njerëzve. Kronikat e historisë së kishës tregojnë që shumë të krishterë kanë ecur në hapat e tyre. E kujtofshim këtë gjë dhe u tregofshim të urtë! Është përsosmërisht e mundur që një Anglez i pagëzuar të jetë në frymë tërësisht Farise.

Së treti, në këto vargje shohim që të krishterët nuk duhet t’i japin kurrë ndonjë njeriu tituj dhe ndere të cilat i takojnë vetëm Perëndisë dhe Krishtit të Tij. Ne nuk duhet “të quajmë At askënd mbi tokë.”
Rregulli i parashtruar këtu duhet të interpretohet me cilësimet e duhura Shkrimore. Nuk jemi ndaluar që t’i vlerësojmë shërbyesit shumë lart në dashuri për hir të punës së tyre. (1 Thesalonikasve 5:13). Edhe Pali, një prej shenjtorëve më të përulur, e quajti Titin “birin e tij në besim,” dhe u thotë Korintasve, “Unë ju kam dhënë jetë me anë të ungjillit.” (1 Korintasve 4:15). Por ende duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm që gradualisht të mos u japim shërbyesve një vend dhe një nder që nuk iu përket atyre. Nuk duhet të lejojmë kurrë që ata të vijnë mes nesh dhe Krishtit. Edhe më të mirët nuk janë të pagabueshëm. Ata nuk janë priftërinj që mund të bëjnë shlyerjen për ne. Ata nuk janë ndërmjetës që mund të marrin për sipër të qeverisin punët e shpirtit tonë me Perëndinë. Ata janë njerëz me të njëjtat pasione sikurse edhe ne, që kanë nevojë për të njëjtin gjak pastrues, për të njëjtin Frymë ripërtëritës, që janë veçuar për një thirrje të lartë dhe të shenjtë por ende, në fund të fundit janë thjesht njerëz. Le të mos i harrojmë kurrë këto gjëra. Paralajmërime të tilla janë gjithmonë të dobishme. Natyra njerëzore gjithmonë mbështetet më tepër tek një shërbyes i dukshëm sesa tek një Krisht i padukshëm.

Së fundi, shohim që nuk ka hir tjetër që duhet ta karakterizojë të krishterin më tepër se përulësia. Ai që dëshiron të jetë i madh në sytë e Krishtit duhet të synojë të jetë krejtësisht ndryshe nga Farisenjtë. Synimi i tij duhet të jetë, jo aq shumë për të sunduar sa duhet të jetë për t’i shërbyer kishës. Mirë thotë Baksteri, “madhështia në kishë konsiston në të qenit tepër i dobishëm për shërbim.” Dëshira e Farisenjve ishte të merrnin nder dhe të quheshin “mësues.” Dëshira e të krishterit duhet të jetë që të bëjë mirë, të japë veten, dhe gjithë sa ka në shërbim ndaj të tjerëve. Ky me të vërtetë që është standard i lartë, por nuk duhet të kënaqemi kurrë me një tjetër më të ulët se ky. Shembulli i Zotit tonë të bekuar dhe urdhri i drejtpërdrejtë i Letrave apostolike, që të dyja kërkojnë që të “vishemi me përulësi.” (1 Pjetri 5:5). Le ta kërkojmë atë hir të bekuar ditë pas dite. Asnjë hir nuk është aq i bukur pavarësisht se përbuzet së tepërmi prej botës. Asnjë hir tjetër nuk shërben si dëshmi e besimit shpëtues, dhe kthimit të vërtetë tek Perëndia. Asnjë hir tjetër nuk urdhërohet kaq shpesh prej Zotit tonë. Nga të gjitha thëniet e Tij, zor se mund të gjejmë një tjetër që përsëritet aq shpesh sa ajo që e përmbyll këtë pjesë që kemi lexuar tani, “kush do të përulë veten, do të lartësohet.”

Mateu 23:13-33

Në këto vargje gjejmë akuzat e Zotit tonë kundër mësuesve Judenj të radhitura në tetë kategori. Duke qëndruar në mes të tempullit me turmën rreth Tij që e dëgjonte, në mënyrë publike Ai denoncoi gabimet kryesore të Skribëve dhe Farisenjve me fjalë të pakursyera. Tetë herë Ai përdori shprehjen solemne “mjerë ju.” Shtatë herë i quajti “hipokritë.” Dy herë foli për ta si “udhëheqës të verbër” – dy herë si “të marrë dhe të verbër” – një herë “gjarpërinj dhe pjellë nepërkash.” Le t’i kushtojmë vëmendje të madhe gjuhës. Ajo na jep një mësim solemn. Tregon se sa krejtësisht e neveritshme është fryma e Farisenjve përpara Perëndisë pavarësisht formës në të cilën shfaqet.

Le t’i hedhim një sy shkurtimisht tetë akuzave që Zoti ynë ngriti kundër tyre dhe pastaj të përpiqemi të nxjerrim disa udhëzime të përgjithshme nga kjo pjesë.
“Mjerimi” i parë në këtë listë drejtohet ndaj kundërshtimit sistematik të Skribëve dhe Farisenjve ndaj përparimit të Ungjillit. Ata e “mbyllin mbretërinë e qiejve.” Ata vetë nuk hyjnë, dhe as nuk i lejojnë të tjerët të hyjnë. Ata e refuzuan zërin paralajmërues të Gjon Pagëzorit. Ata refuzuan ta pranonin Jezusin kur Ai u shfaq mes tyre, si Mesia. U përpoqën t’i mbanin larg kërkuesit Judenj. Nuk e besuan vetë Ungjillin, dhe bënë gjithë sa ishte në pushtetin e tyre që t’i pengonin edhe të tjerët të besonin. Ky ishte mëkat i madh.

“Mjerimi” i dytë drejtohet kundër lakmisë dhe frymës vetë lartësuese të Skribëve dhe Farisenjve. Ata “gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata.” Ata shfrytëzonin naivitetin e grave të dobëta dhe të pambrojtura, përmes ndjenjës së një devotshmërie të madhe, derisa t’i konsideronin drejtuesit e tyre të mëdhenj frymërorë. Ata nuk nguruan as të abuzonin me ndikimin që e kishin arritur në mënyrë kaq të padrejtë për përfitimin e tyre të përkohshëm dhe me pak fjalë që të fitonin para përmes fesë së tyre. Edhe ky ishte një mëkat i madh.

“Mjerimi” i tretë në këtë listë drejtohet kundër zellit të Skribëve dhe Farisenjve për të bërë prozelitë. Ata “përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë.” Ata punonin pa pushim që t’i bënin njerëzit t’i bashkoheshin grupimit të tyre dhe të përqafonin opinionet e tyre. Ata e bënë këtë gjë jo të shtyrë nga dëshira për t’u sjellë dobi shpirtrave të njerëzve apo për t’i sjellë tek Perëndia. Ata e bënë vetëm për të shtuar radhët e sektit të tyre, për të rritur numrin e ndjekësve të tyre dhe për rëndësinë e tyre. Zelli i tyre fetar nxitej prej sektarizmit të tyre dhe jo prej dashurisë për Perëndinë. Edhe ky ishte një mëkat i madh.

“Mjerimi” i tretë në listë drejtohet kundër doktrinave të Skribëve dhe Farisenjve për sa u përkiste betimeve. Ata bënin dallime të hollësishme mes një betimi dhe një tjetri. Ata jepnin mësim parimin jezuit që disa betime ishin detyruese për njerëzit kurse të tjerat nuk ishin. Ata u jepnin rëndësi të më madhe betimeve që bëheshin “për arin” e ofruar në tempull, sesa betimeve të bëra “për vetë tempullin.” Duke e bërë këtë gjë ata e shfuqizuan urdhërimin e tretë – dhe duke i bërë njerëzit që të mbi theksonin vlerën e lëmoshave dhe ofertave çonin përpara interesat e tyre. Edhe ky ishte një mëkat i madh.

“Mjerimi” i pestë në listë drejtohet kundër praktikës së Skribëve dhe Farisenjve, për të lartësuar vogëlsirat në fe përmbi gjërat serioze, për të vendosur gjërat e fundit si të parat dhe të parat në fund. Ata bënin shumë zhurmë për dhënien e të dhjetës së “mendrës,” dhe barishteve të tjera të kopshtit, sepse nuk mund të ishin tepër strikt në bindjen e tyre ndaj ligjit të Perëndisë. E megjithatë në të njëjtën kohë ata neglizhuan detyrat e mëdha dhe të qarta si drejtësia, dashuria dhe ndershmëria. Edhe ky ishte një mëkat i madh.

“Mjerimi” i gjashtë dhe i shtatë në listë janë aq të ngjashëm sa nuk ka kuptim t’i ndajmë. Ato janë drejtuar kundër një karakteristike të përgjithshme të fesë së Skribëve. Ata vendosën hijeshinë e jashtme përmbi shenjtërimin e brendshëm dhe pastërtinë e zemrës. Ata e bënë detyrë fetare pastrimin e të anës së “jashtme” të kupave dhe pjatave, por neglizhuan njeriun e tyre të brendshëm. Ata ishin si varre të lyera me gëlqere, të pastër dhe të bukur nga jashtë, por plot me prishje përbrenda. “Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.” Edhe ky ishte një mëkat i madh.

“Mjerimi” i fundit në listë drejtohet kundër përnderimit të madh të Skribëve dhe Farisenjve ndaj kujtimit të shenjtorëve të vdekur. Ata ndërtonin “varret e profetëve,” dhe “zbukuronin monumentet e të drejtëve.” E megjithatë, vetë jetët e tyre vërtetonin që ishin në një mendje me ata që “i vranë profetët.” Sjellja e tyre ishte provë e përditshme që ata pëlqenin më tepër shenjtorët e vdekur sesa të gjallët. Vetë ata që shtireshin se i nderonin profetët e vdekur nuk mund të dallonin dot asgjë të bukur tek Krishti i gjallë. Edhe ky ishte një mëkat i madh.

E tillë është tabloja e trishtueshme që Zoti ynë jep për mësuesit Judenj. Le ta lëmë meditimin për këtë temë me trishtim dhe përulësi. Kjo është një shpalosje e frikshme e anatomisë së zymtë të natyrës njerëzore. Është një tablo e cila fatkeqësisht është riprodhuar herë pas here në historinë e kishës së Krishtit. Nuk ka asnjë tipar të karakterit të Skribëve dhe Farisenjve tek e cila të mos tregohet lehtësisht se ata që e quajnë veten të krishterë shpesh kanë ecur në gjurmët e tyre.

Nga e gjithë kjo pjesë le të mësojmë sa e mjerueshme ishte gjendja e kombit Jude kur Zoti ynë ishte mbi tokë. Nëse mësuesit ishin të tillë, si duhej të kishte qenë errësira e mjerueshme e atyre që mësoheshin prej tyre! Me të vërtetë paudhësia e Izraelit kishte arritur kulmin. Ishte me të vërtetë momenti i duhur që Dielli i Drejtësisë të lindte dhe të predikohej Ungjilli.

Nga e gjithë kjo pjesë le të mësojmë sa e neveritshme është hipokrizia në sytë e Perëndisë. Këta Skribë dhe Farisenj nuk u akuzuan si hajdutë apo vrasës, por u akuzuan që ishin hipokritë deri në palcë. Çfarëdo që të jemi në fenë tonë, le të vendosim që të mos mbulohemi kurrë me një petk. Le të jemi me çdo mënyrë të sinqertë dhe realë.

Le të mësojmë nga e gjithë kjo pjesë sa tmerrësisht e rrezikshme është pozita e një shërbyesi jo besnik. Është gjë mjaft e keqe që të jemi vetë të verbër. Por është një mijë herë më e keqe të jemi udhëheqës të verbër. Nga të gjithë njerëzit asnjë nuk është më fajtor për ligësi sesa një shërbyes i pa konvertuar, dhe asnjë nuk do të gjykohet më ashpër se ata. Për një të tillë ka një thënie tepër solemne që thotë, “Ai i ngjan një timonieri të paaftë – ai nuk humbet i vetëm.

Së fundi, le të kemi kujdes që të mos supozojmë nga kjo pjesë që shtegu më i sigurt në fe është që të mos bëjmë asnjë rrëfim. Kjo do të thotë që të shkosh në një ekstrem të rrezikshëm. Për shkak se disa njerëz janë hipokritë kjo nuk do të thotë që nuk ekziston feja e vërtetë. Për shkak se ka shumë para fallco nuk do të thotë që e gjithë paraja është e keqe. Le të mos na pengojnë hipokritët që të rrëfejmë Krishtin, apo të na lëkundin nga qëndrueshmëria jonë nëse e kemi rrëfyer Atë. Le të këmbëngulim, duke parë drejt Jezusit, duke u prehur në Të, duke u lutur çdo ditë që të mbrohemi prej gabimit dhe të themi bashkë me Davidin, “Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua.” (Psalmi 119:80).

Mateu 23:34-39

Është mirë që t’i kushtojmë vëmendje këtij mësimi. Ne jemi tepër të prirur të mendojmë që “ajo që ka shkuar ka shkuar,” dhe që gjërat që për ne janë të shkuara, të mbyllura, të vjetra nuk do të dalin sërish. Por ne harrojmë që me Perëndinë “një ditë është si një mijë vjet” dhe që ndodhitë e një mijë viteve më parë janë po aq të freskëta para Tij sa dhe ndodhitë e kësaj ore. Perëndia “kërkon atë që ka kaluar,” dhe mbi të gjitha, Perëndia do të kërkojë llogari për mënyrën sesi u trajtuan shenjtorët e Tij. Gjaku i të krishterëve të parë që u derdh nga Perandorët Romakë – gjaku i Valdensëve dhe Albigensëve, dhe viktimat e masakrës së Bartolomeut – gjaku i martirëve që u dogjën në kohën e Reformimit dhe të atyre që u vranë nga inkuizicioni – për të gjithë do të jepet llogari. Një thënie e vjetër thotë “pllakat e mokrës së drejtësisë së Perëndisë bluajnë ngadalë por bluajnë shumë hollë.” Bota do ta shohë që “ka një Perëndi i cili e gjykon tokën.” (Psalmi 58:11).

Ata që e përndjekin popullin e Perëndisë në kohën e tashme të hapin sytë se çfarë po bëjnë. Le ta dinë se të gjithë ata që lëndojnë, tallin, përqeshin, apo shpifin ndaj të tjerëve për shkak të fesë së tyre janë duke kryer një mëkat të madh. Le ta dinë që Krishti e sheh këdo që e përndjek fqinjin e vet për shkak se është më i mirë se ai, apo për shkak se lutet, lexon Biblën dhe interesohet për shpirtin e vet. Jeton Ai që tha, “ai që ju prek prek beben e syrit të tij.” (Zakaria 2:8). Dita e gjyqit do të vërtetojë që Mbreti i mbretërve do t’i lajë hesapet me të gjithë ata që poshtërojnë shërbëtorët e Tij.

Së fundi, nga këto vargje mësojmë që ata që humbasin përgjithmonë humbasin për shkak të fajit të tyre. Fjalët e Zotit tonë Jezu Krisht janë shumë të jashtëzakonshme. Ai thotë, “Unë do t’i kisha mbledhur bijtë e tu së bashku – por JU nuk deshët.”

Ka diçka në këtë shprehje që meriton një vëmendje të veçantë. Kjo hedh dritë mbi një temë të mistershme, e cila shpesh errësohet nga shpjegimet njerëzore. Kjo tregon që Krishti ka ndjenja keqardhjeje dhe mëshire për shumë që nuk janë të shpëtuar, dhe që sekreti i madh i shkatërrimit të njeriut është që atij i mungon vullneti. I pafuqishëm sikurse është njeriu nga natyra, duke mos qenë në gjendje të mendojë një mendim të mirë nga vetja, pa pasur fuqi për ta kthyer veten në besim dhe për t’i thirrur Perëndisë, ai ende duket që ka një aftësi të pushtetshme për ta shkatërruar shpirtin e tij. Pavarësisht se është i pafuqishëm për të bërë të mirën, ai është ende i pushtetshëm për të bërë të ligën. Me të drejtë themi që një njeri nuk mund të bëjë asgjë nga vetja, por ne gjithmonë duhet të kujtojmë që froni i pafuqisë është VULLNETI i tij. Asnjë njeri nuk mund t’i japë vetes një vullnet për t’u penduar dhe për të besuar, por vullnetin për ta refuzuar Krishtin dhe për të bërë si i pëlqen vete çdo njeri e zotëron prej natyrës dhe nëse në fund nuk shpëtohet, ky vullnet do të vërtetojë që ishte shkatërrimi i tij. Krishti thotë “Ju nuk doni të vini tek Unë që të keni jetën.” (Gjoni 5:40)

Le të largohemi nga kjo temë me reflektimin inkurajues që me Krishtin asgjë nuk është e pamundur. Edhe zemra më e ngurtë mund të bëhet e vullnetshme në ditën e pushtetit të Tij. Nuk ka dyshim, Hiri është i pa rezistueshëm. Por le të mos harrojmë kurrë që Bibla flet për njeriun si një qenie e përgjegjshme dhe që për disa thotë, “ju gjithmonë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë.” (Veprat 7:51). Le të kuptojmë që rrënimi i atyre që janë të humbur nuk është për shkak se Krishti nuk ishte i vullnetshëm që t’i shpëtonte – dhe as sepse ata donin të shpëtoheshin por nuk mundeshin -por për shkak se nuk donin të vinin tek Krishti. Le të jetë qëndrimi ynë gjithmonë ai i pjesës që po konsiderojmë – Krishti dëshiron t’i mbledhë njerëzit, por ata nuk dëshirojnë që të mblidhen; Krishti dëshiron t’i shpëtojë njerëzit, por ata nuk duan të shpëtohen. Qoftë parim i mirë themeluar në fenë tonë që shpëtimi i njerëzve, nëse shpëtohen është krejtësisht nga Perëndia; dhe që shkatërrimi i njeriut, nëse humbet është krejtësisht prej tij. Ligësia që gjendet tek të gjithë ne është krejtësisht e jona. E mira, nëse kemi disi, është krejtësisht prej Perëndisë. Të shpëtuarit në botën e ardhshme do t’ia japin gjithë lavdinë Perëndisë. Të humburit në botën e ardhshme do të zbulojnë që ata kanë shkatërruar veten. (Osea 13:9).


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*