Zgjidhja e vetme për verbërinë frymërore

nga Pastor John Piper

“Përshëndetje Pastor John, mua më quajnë Jakob, dhe jam në vitin e fundit në universitet. Jam duke lexuar librin tuaj Një Lavdi e Veçantë (A Peculiar Glory) dhe mezi po pres botimin e librit tuaj Leximi i Biblës në Mënyrë të Mbinatyrshme (Reading the Bible Supernaturally). Pyetja ime vjen nga kapitulli 12 i Një Lavdi e Veçantë. Nëse është e vërtetë që Perëndia është Ai që shkëlqen dritën në errësirë, si është e mundur që ne si qenie njerëzore të jemi përgjegjës për njohjen e Perëndisë? Mund ta kem keq interpretuar diçka por kjo më duket pyetje me vend nën dritën e Romakëve 1:18-32.”

Jakobi ka plotësisht të drejtë që në librin tim Një Lavdi e Veçantë unë argumentoj që të gjitha qeniet njerëzore janë frymërisht të verbër ndaj vlerës supreme të lavdisë së Perëndisë. Kjo do të thotë që nëse lihemi në veten tonë do ta shohim ungjillin, do ta shohim Krishtin, do ta shohim Shkrimin por nuk do t’i shohim me të vërtetë, apo t’i shohim sikurse janë në realitet; domethënë, si realitetin më të bukur dhe më të çmuar në gjithësi.

“Shpresa jonë e vetme për shpëtim është që Perëndia në mënyrë të mrekullueshme të shkëlqejë në zemrat tona me dritën e lavdisë së Tij.”

Ne mund të shohim por ka diçka që nuk shkon me aftësitë tona frymërore për të dalluar bukurinë dhe vlerën e asaj që shohim prandaj gjithmonë përfundojmë duke preferuar gjëra të tjera në vend të Perëndisë. Tek Mateu 13:13 Jezusi tha “duke parë nuk shohin.” Ky është thelbi i mëkatit, dhe kjo është fatkeqësia e çdo qenieje njerëzore dhe jo thjesht e disave. Prandaj, e vetmja shpresë – sikurse vuri në pah Jakobi unë po argumentoja rreth shpëtimit, për të dalluar se kush është Krishti dhe cila është fjala e Tij – e vetmja shpresë për këtë shpëtim është që Perëndia në mënyrë të mrekullueshme të shkëlqejë në zemrat tona me dritën e lavdisë së Perëndisë.

Mendoj që në tekstin për të cilin është duke folur, dhe ky është teksti tek i cili shkoj unë është 2 Korintasve 4:4-6, në të cilin përshkruhet shumë bukur verbëria jonë dhe ndërhyrja e mbinatyrshme e Perëndisë. Më lejoni ta lexoj: “perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë,” – kjo shpjegon paaftësinë tonë për ta parë të vërtetën, bukurinë dhe vlerën e Krishtit në ungjill. Ne jemi të verbër. Në vargun 6 gjejmë zgjidhjen “sepse Perëndia që tha: ‘Le të ndriçojë drita në errësirë’, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.” Këtu shohim problemin: ne jemi të verbër. Këtu shohim zgjidhjen: shikim i lavdisë i dhënë në mënyrë të mbinatyrshme prej Perëndisë.

Kësaj i referohet Jakobi në pyetjen e tij. Ne jemi të verbër dhe të paaftë për të parë bukurinë dhe vlerën e Krishtit në ungjill, prandaj kërkohet një mrekulli për të na shpëtuar për të cilën 2 Korintasve 4:6 thotë që vetëm Perëndia mund të na e japë duke shkëlqyer në zemrat tona. Jakobi pyet, “Epo, atëherë, si mund të jemi përgjegjës dhe nën gjykimin e Perëndisë nëse jemi të verëbër dhe mund të shpëtohemi prej verbërisë tonë vetëm nga Perëndia?” Çelësi i përgjigjes pse njerëzit frymërisht të vdekur, frymërisht të verbër të cilët mund të shpëtohen vetëm përmes një mrekullie hyjnore është që të shohim se kjo verbëri dhe kjo vdekje është e vullnetshme. Kjo është e rrënjosur në atë që preferojmë. Shpjegohet nga dëshirat tona për errësirën, dëshira këto që janë më të forta se dëshirat për dritën. Ne jemi përgjegjës për preferencat tona morale: dëshirat tona për errësirën dhe dëshirat tona për dritën.

Edhe pse djalli ka gisht në mbajtjen tonë në verbëri, sikurse kam lexuar 2 Korintasve 4:4, verbëria jonë e ka fillesën nga brendësia jonë. Ajo është për shkak të asaj që duam. Nuk është diçka e cila na është dhënë me forcë kundër asaj që dëshirojmë. Ja cili është teksti kyç për ta kuptuar këtë gjë. Ja se çfarë tha Jezusi tek Gjoni 3:19-21. Aty thuhet:

“Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij; por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë.”

Ky është përshkrimi i verbërisë dhe vdekjes për të gjitha qeniet njerëzore në këtë botë që refuzojnë të vijnë tek drita. Dritën që Perëndia zbulon për veten në natyrë ata refuzojnë që ta pranojnë. Dritën që Ai zbulon në Krishtin, në ungjillin, dritën që Ai zbulon nga Vetja në Shkrim, arsyeja pse njerëzit nuk vijnë nuk është që u mungon drita por sepse duan errësirën. Ata nuk mbahen larg dritës kundër vullnetit të tyre. Janë vetë preferencat e tyre kokëforta për errësirën ato që i mbajnë njerëzit larg dritës.

Prandaj, verbëria dhe vdekja jonë është një dëshirë, një dashuri, një preferencë reale dhe e dënueshme për errësirën në vend të dritës. Ne jemi vërtet përgjegjës për këto dëshira, këto dashuri dhe këto preferenca që kemi. Ato janë vetë thelbi i asaj që është e ligë brenda nesh. Oh, sa mirënjohës duhet të jemi që Perëndia thjesht nuk na lë të gjithëve në rebelimin tonë, por përkundrazi ndërhyn me dritë në mënyrë që të shohim, të shijojmë dhe të përqafojmë lavdinë e Krishtit si thesarin tonë suprem.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*