Si munden krijesat e fundme të adhurojnë një Perëndi të pafundmë?
nga pastor John Piper
Sara Nelson, një dëgjuese nga Tallahasi na shkruan dhe thotë: “Pastor John, kam qenë duke lexuar librin e Joe Rigney The Things of Earth [Gjërat e Tokës] dhe kam reflektuar mbi lidhjen mes kufizimeve tona si krijesa dhe dashurisë tonë për Perëndinë. Duke parë që ne nuk jemi në gjendje ta duam një Perëndi të pafundmë si krijesa të fundme, Rigney flet për mundësinë e të dashurit të Perëndisë në mënyrë supreme, të plotë dhe gjithnjë e më të gjerë. Si do ta përshkruanit apo përkufizonit ju ndryshimet praktike mes këtyre dy kategorive? Si ta di nëse jam duke ndjerë një faj të rremë në përpjekjen për të dashuri Perëndinë në mënyrë të pamasë gjë e cila shkon kundër qenies time si krijesë, në dallime me fajin e drejtë që vjen nga të mos dashurit e Perëndisë në mënyrë të plotë dhe supreme?
Mendoj që do të them diçka e cila në fillim do jetë shkurajuese për Sarën prandaj më vjen keq. Bëj durim. Nëse e kuptoj mirë atë me të cilën po përleshet Sara, ka të ngjarë që kështu do të ndodhë. E megjithatë, mendoj se ajo që do të them në fund ka për të qenë jashtëzakonisht inkurajuese për të dhe për ne të tjerët që përjetojmë të njëjtën përleshje. Prandaj, tregohuni të duruar. Le të qartësojmë se me çfarë po përleshet Sara. Ajo që sapo thatë kaloi shumë shpejt dhe për disa mund të jetë tepër e ndërlikuar që ta kapin dallimin që po bën ajo.
Ajo vë në dukje që njeriu i fundëm nuk mund ta dojë dot në një mënyrë cilësore të pafundme – them “cilësore” sepse dashuria jonë do të jetë e pafundme. Domethënë, do të zgjatë përgjithmonë. Nuk do të ketë fund. Por dashuria jonë për Perëndinë nuk ka për të korresponduar kurrë me dashurinë e Perëndisë në aspektin e të qenurit e pafundme në cilësi apo lloj dhe prandaj ajo me të drejtë vë në dukje që nuk duhet të ndihemi fajtorë që nuk e arrijmë dot pafundësinë kur në realitet Perëndia na ka krijuar të jemi të fundmë. Kjo është me vend. Është pikë e mirë.
Nga ana tjetër, ajo thotë që Perëndia na ka thirrur ta duam atë në mënyrë supreme, gjë të cilën e marr me kuptimin më tepër nga sa duam çfarëdo gjëje tjetër, apo këdo tjetër, dhe kjo sigurisht që është e vërtetë. Jezusi thotë, “Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua” (Mateu 10:37), dhe pastaj ajo pyet sesi mund ta dijë nëse një ndjenjë e caktuar faji që ka rreth mos dashjes së Perëndisë është faj i rremë nga dështimi për të bërë atë që ajo nuk ishte krijuar kurrë që ta bënte, apo nga faji i cili vjen nga dështimi për të bërë saktësisht atë për të cilën ishte krijuar të bënte; domethënë për ta dashur Perëndinë në mënyrë supreme.
Para se të përgjigjem, më lejoni ta përkeqësoj edhe më tepër problemin, dhe këtu mund të vijë shkurajimi. Jezusi nuk është se thjesht nga urdhëroi ta duam Perëndinë në mënyrë supreme – më tepër nga sa duam ndonjë gjë tjetër. Ai na urdhëroi ta duam Perëndinë në mënyrë totale, gjithëpërfshirëse; domethënë, me gjithë zemrën tonë. Ta duam Atë, jo thjesht me më tepër nga zemra jonë nga sa duam ndonjë gjë tjetër, por ta duam Perëndinë me gjithë zemrën tonë. “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.” (Mateu 22:37-39).
Prandaj, Sara tani duhet t’i shtojë edhe këtë përleshjes së saj me fajin. Ajo nuk do dojë të dijë nëse ka dështuar ta dojë Perëndinë në mënyrë supreme. Ajo do duhet të dijë gjithashtu nëse po dështon në të dashurit e Perëndisë në mënyrë gjithëpërfshirëse apo totalisht – me gjithë zemrën e saj. Jo vetëm 95% të zemrës së saj ndërsa do gjërat e tjera në botë me 5% gjë e cila mund t’i jepte një farë ngushëllimi. Por tani nuk ka për të ndodhur sepse 95% nuk është gjithë zemra e saj, dhe Jezusi thotë ju duhet ta doni Perëndinë me gjithë zemrën tuaj. Saktësisht ka një vështirësi, të paktën për mua, në matjen e dashurisë tonë për Perëndinë në këtë mënyrë dhe kjo përcakton sesi do t’i përgjigjem pyetjes së Sarës dhe ta ndihmoj me përleshjen e saj, sepse kjo është edhe përleshja ime.
Sinqerisht, nuk e di sesi t’i dalloj se cilat aspekte të dështimit tim për ta dashur Perëndinë janë faj i rremë dhe cilat janë faj i drejtë. Bibla më mëson që zemra njerëzore, zemra ime është jashtëzakonisht e sëmurë. Kush mund ta njohë? Kjo thuhet tek Jeremia 17:9, “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” Prandaj, mua më duket që Bibla vetë nuk na ofron shumë shpresë që mund ta njohim veten në mënyrë të saktë në këto nivele të thella dhe të ndërlikuara ndaj të cilës Sara mund të thotë, “Epo kjo nuk qenka inkurajuese! Atë duhet atëherë që të jetoj me një ndjesi të vazhdueshme pasigurie dhe ndjenjash faji dhe të mos e shijoj paqen e Perëndisë?”
Dhe përgjigja për këtë është: Jo – nuk je e dënuar të jetosh kështu. Perëndia nuk dëshiron që të jetosh pa paqe. Ai dëshiron që të shijosh një kënaqësi të ëmbël dhe një ndjesi të thellë sigurie që Ai të do, të fal dhe që në fund do të të pranojë. Shtegu – kjo ka të bëjë me thelbin e përgjigjes time – shtegu që Ai na jep drejt asaj paqeje nuk është duke të dhënë ty apo mua, një kapacitet të pagabueshëm për të dalluar gabimet tona, por një ungjill që na pastron aq thellë saqë trajton edhe mëkatet të cilat nuk ke mundësi as t’i shohësh apo ndjesh. Për shembull, Psalmi 19:12, “Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.”
A nuk është ky qëllimi i Psalmit 19:12, që nuk do të kemi kurrë mundësi t’ia gjejmë fundin mëkatit apo fajit tonë për ta njohur mjaft mirë në mënyrë që të dallojmë gjithë fajin e rremë dhe gjithë fajin e drejtë dhe ta rrëfejmë sikurse duhet? E gjithë kjo përqasje është e pashpresë. Kështu është të paktën për mua, pasi kam kaluar 70 vite. Prandaj, zgjidhja që ai thotë nuk qëndron në atë lloj dallimi. Zgjidhja qëndron në deklaratën e Perëndisë që ne jemi të pafajshëm edhe nga ato masa faji të cilat as që mund t’i dallojmë dot – dhe gjithmonë ka të tilla. Ti nuk e njeh zemrën tënde. Askush nuk i njeh thellësitë e mëkatshmërisë së vet. “Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.” Këtë bën oferta e ungjillit në Krishtin: na shpall të pafajshëm nga të gjitha fajet, duke përfshirë edhe ato të cilat nuk mund t’i shohim.
Ja sesi e thotë Pali tek 1 Korintasve 4:4, “Sepse nuk jam i vetëdijshëm për asnjë faj, por për këtë nuk jam justifikuar, por ai që më gjykon është Zoti.” Ai nuk e humbi sigurinë e tij kur e tha këtë gjë, sepse e di se mbi farë baze do ta gjykojë Zoti. A nuk është një nga synimet e të thënit që dija ime apo mosdija ime për fajet e mia nuk është vendimtare në faktin nëse do të shpëtohem? Zoti do ta vendosë këtë gjë dhe Ai na ka dhënë ungjillin që Krishti vdiq për mëkatet tona – edhe për ato të cilat nuk mund t’i shohim – në mënyrë që ne të mund të falemi dhe të drejtësohemi.
Ja sesi e thotë Pali në mënyrë pozitive dhe me një lavdi të jashtëzakonshme. Këtë varg e dua shumë. Veprat 13:38-39, “Le ta dini, pra, o vëllezër,” – dhe motra – “se nëpërmjet tij – Jezusit – ju është shpallur falja e mëkateve, dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajësohej me anë të ligjit të Moisiut.” Nga të gjitha gjërat. Ai që beson në Jezusin është shfajësuar nga gjithçka – nëse beson në Jezusin.
Prandaj, mendoj që kuptimi praktik i kësaj gjëje për shoqen tonë është që çdo ditë duhet ta përvetësojmë ungjillin e gjakut të Jezusit për ta pastruar ndërgjegjen tonë dhe për të na dhënë paqe me Perëndinë dhe pastaj, nga ajo pozitë plot me shpresë, duhet të qëndrojmë vigjilentë. Nëse dallojmë që dashuria jonë për ndonjë person apo gjë të krijuar ngrihet për të konkurruar me dashurinë tonë për Perëndinë duhet të pendohemi, të kërkojmë të falur dhe të turemi drejt Jezusit për të kërkuar ndihmë që ta shohim Perëndinë më qartë dhe ta duam më fort.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!