Hir i mjaftueshëm – John MacDuff
“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”
“Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.” (2 Korintasve 12:9)
‘Mendimet’ e apostullit ishin mendime mendime dekurajuese – kur Perëndia i pëshpëriti në vesh këtë mendim të çmuar ngushëllimi. Një gjemb në mish – një lajmëtar i Satanit – ishte dërguar për ta qëlluar me grushte! Nuk e dimë se çfarë mund të ketë qenë ky gjemb. Perëndia qëllimisht e lë të paidentifikuar, në mënyrë që secili prej nesh të mund të bëjë një zbatim personal në rastin dhe rrethanat e veta të veçanta.
Kush është ai person që në përjetimin e vet të larmishëm dhe të veçanta nuk ka mundësi të tregojë për një sprovë të ngjashme? Pak a shumë si disa miza të ngordhura në parfumin aromatik të jetës – disa pikëllime të cilat hedhin një hije errësire mbi një shteg që në raste të tjera do të ishte i ndriçuar! Shëndeti i dobët; humbjet e botës; problemet në familje; humbja e të dashurve; përmbushja e punës së lodhshme dhe të dhimbshme; mashtrimi miqve të besuar dhe të sprovuar; thumbi i krenarisë së lënduar apo ambicia e zhgënjyer; përleshja e zjarrtë me prishjen e brendshme dhe mëkatin që nuk është ekzekutuar me vdekje; shigjeta si ajo e akrepit për shkak të ndërgjegjes së lënduar dhe akuzuese! Dhe bota gjatë gjithë kohës, ndoshta duke mos e njohur apo ëndërruar konfliktin e brendshëm, sprovën gjatë gjithë jetës, burimin e lotëve, edhe pse “një burim i mbyllur.”
Sikurse u përgjëruar apostulli me zell që gjembi i tij të mund të hiqej – po kështu edhe ju lexues i dashur, jeni lutur gjithashtu me zjarr dhe për shumë kohë – që sprova juaj të mund të evitohet, pikëllimi juaj të mund të lehtësohet, apo madje të largohet! Nuk ka dyshim që ju imagjinoni që do të jetë shumë herë më mirë – nëse ky lajmëtar i Satanit, kjo frymë ligësie, të mund të nxirret jashtë dhe të dëbohet!
Cila ishte përgjigja ndaj përgjërimit të zellshëm të apostullit, kur “iu përgjërua Zotit tri herë që ta largonte?” Nuk ishte që t’ia largonte sprovën – por ishte edhe më mirë. Ishte premtimi i hirit për ta duruar. “Por ai më tha: ”Hiri im të mjafton!” Kjo mjaftonte dhe ai nuk kërkoi gjë tjetër. Në fillim mund të kishte nguruar ta pranonte këtë përgjigje të çuditshme – e cila ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo që priste, shumë e ndryshme nga ajo që dëshironte. Por shumë shpejt ai u udhëhoq jo vetëm që ta pranonte me gëzim – por që ta pranonte me gjithë zemër urtësinë më të lartë dhe më të mirë të procedurës Hyjnore, “Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë.”
Kjo mund të jetë mënyra sesi Perëndia mund të të trajtojë edhe ty. Shpesh mund të ketë ndodhur që i ke marrë pikëllimet e tua të fshehta – sekretet e rënda të zemrës tënde – dhe i ke sjellë përpara fronit të mëshirës, dhe me lotët këmbëngulës je përgjëruar që këto gjëra të mund të largohen prej teje! Megjithatë pikëllimi vazhdon të jetë i pranishëm! Por, megjithatë, kujto që lutja nuk është lënë pa përgjigje. Ajo ka marrë përgjigje – ndoshta jo sipas mendimeve apo dëshirave të tua – por sipas mendimeve dhe qëllimeve më të mira të Atit tënd qiellor!
Gjembi është lënë ende në mënyrë që të shpojë dhe gërvishtë – por është dhënë forcë për ta duruar! Sprova, çfarëdo qoftë ajo, të ka mësuar sikurse e mësoi edhe Palin, mësimin e dobësisë tënde – dhe të varësisë tënde ndaj ndihmës Hyjnore. Kjo ka qenë një pengesë e nevojshme për rrotat e karrocës tënde – një prerje e nevojshme e flatrave të tua – në mënyrë që, ashtu si apostulli i madh, të mos ndodhte që “të mos mbahesh me të madh.” Kush mund të ankohet për pikëllimet më të rënda – nëse ato kanë qenë mjetet për të na zbuluar dobësinë tonë dhe për të na e bërë edhe më të dashur hirin e gjithë mjaftueshëm të një Perëndie Shpëtimtar?
Siguri e bekuar dhe ngushëlluese: “në çdo moment të nevojës tonë,” Perëndia do të dërgojë hirin e nevojshëm. I ulur përkrah nesh si një doktor i mirë, duke mbajtur dorën tek pulsi ynë – Ai do ta kontrollojë dobësinë tonë dhe do të sjellë furnizimin hyjnor – për nevojat dhe rrethanat tona të larmishme. Ai nuk do ta lejojë gjembin të shpojë më thellë se duhet – Ai nuk do ta lejojë tundimin të shkojë përtej asaj që jemi në gjendje të durojmë. “Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit.” “Si të jetë dita jote – ashtu do të jetë edhe forca jote.”
Hiri “i mjaftueshëm” do të të jepet – i mjaftueshëm për çdo urgjencë. Krahët e Tij të përjetshëm janë gjithmonë më poshtë se mundimet tona! Do të shkoj përpara duke mbajtur kryqin tim, i përforcuar nga siguria dhe duke shqiptuar lutjen, “Sille pushtetin tënd o Perëndi. Shfaqe fuqinë tënde o Perëndi sikurse ke bërë në të shkuarën!” “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime!”
“Thoughts of God” by John MacDuff
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!