Çfarë është bashkimi me Krishtin?

nga Pastor John Piper

Charles Spurgeon një herë tha, “Nuk ka gëzim tjetër në këtë botë si gëzimi i bashkimit me Krishtin. Sa më tepër ta ndiejmë këtë gjë aq më të lumtur do të jemi.” Bashkimi me Krishtin është qendra e shpëtimit tonë, qendra e shenjtërimit tonë si dhe për të gjitha gëzimet më të thella në këtë jetë. Ka shumë tekste të Dhiatës së Re të cilat e vërtetojnë mbizotërimin e kësaj teme. Pyetja është si mund t’i kuptojmë të gjitha ato tekste në mënyrë që ta ndiejmë këtë bashkim ashtu sikurse duhet? Ja cila është pyetja e sotme.

“Përshëndetje Pastor John! Mua më quajnë Taylor, jam një student 21 vjeçar në Institutin Biblik Moody në Chicago. Faleminderit për mësimin dhe predikimin tënd përgjatë dekadave. Pyetja ime është kjo: Çfarë është bashkimi me Krishtin? Sa më tepër që lexoj dhe studioj, në mënyrë të veçantë teologët e vjetër dhe etërit e kishës, aq më tepër shoh se flitet për këtë koncept, por për mua nuk ka kuptim.. Nuk dëgjoj shumë pastorë që të flasin shumë për këtë gjë sot. A mund të më ndihmosh? Çfarë do të thotë të jesh i bashkuar me Krishtin, dhe cilat janë disa nga rrjedhojat më domethënëse të kësaj gjëje?”

Fuqia e një konkordance
Mendoj se gjëja më e rëndësishme që mund të bëj për Taylor është t’i jap një konkordancë në mënyrë që ai t’i përgjigjet kësaj pyetjeje për vete me konkordancën e tij. Ai mund t’i përgjigjet në një mënyrë që ka për t’i sjellë më tepër siguri, më tepër depërtim, më tepër fuqi transformuese, më tepër ëmbëlsi personale, dhe më tepër zbatim jete nga sa do të ndodhte po të lexonte dhjetë libra rreth doktrinës së bashkimit me Krishtin.

Sugjerimi im i fortë për Taylor dhe këdo tjetër, është që nëse do t’ju duhet të zgjidhni – dhe nuk ka pse ta bëni – por le të themi që duhet të zgjidhni të lexoni një libër rreth bashkimit me Krishtin (dhe ka disa që janë shumë të mirë) apo të studioni Biblën tuaj në lidhje me bashkimin me Krishtin, atëherë veçoni kohën që do ta kishit kaluar për të lexuar librin dhe përdorni një konkordancë apo opsionin e kërkimit në programin tuaj të Biblës në kompjuterin tuaj.

Mund të shkruani në Krishtin dhe do të gjeni 89 përdorime (apo diçka të përafërt). Pastaj shtypni në Jezusin. Do të gjeni vetëm disa, pothuaj 9 raste. Pastaj shtypni në të. Shumë nga këto duhet t’i lini mënjanë sepse jo të gjitha i referohen Krishtit, por disa dhjetra prej tyre i referohen atij. Pastaj shkruani frazën në të cilin dhe kështu do të keni edhe disa referenca të tjera.

Pastaj, lexojini të gjitha, pavarësisht se sa ditë apo javë mund t’u nevojiten, duke shkruar gjithë sa dalloni rreth natyrës së asaj se çfarë do të thotë të jeni në Krishtin. Si hyjmë në të? Cila është natyra e këtij bashkimi? Si është të qenit në Krishtin? Cilat janë efektet e kësaj gjëje? Çfarë prodhohet kur je në Krishtin?

Guxoj të them që kur të keni mbaruar do të keni një kuptim më të mirë të lavdive të kësaj të vërtete biblike nga sa do të kishit po të lexonit shumë libra, edhe pse po të mundeni, lexojini edhe ata. Nuk do të shihni gjithë sa keni nevojë të shihni.

Më lejoni t’ju jap një shije të asaj se çfarë do te zbuloni nëse e bëni këtë gjë.

Më tepër se një kuptim
Përkufizimin tim për bashkimin me Krishtin, gjë për të cilën më pyeti Taylor, po e lë për në fund. Kjo varet së tepërmi nga kuptimi që ka fjala “në” tek fraza “në Krishtin.”
Nuk do të kishim krejtësisht asnjë bazë për të menduar se ideja e të qenit në Krishtin është përdorur në të njëjtin kuptim në çdo rast. Për shembull, Pali thotë, “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin” (1 Korintasve 15:22).

Pra, “në Krishtin” është si “në Adamin.” Çfarë lloj “në” është kjo? A është ky i njëjti kuptim sikurse në rastin e shermendeve që janë në hardhinë tek Gjoni 15? E dyshoj. Mendoj se Gjoni ka një konceptim tjetër për atë që ai po flet ndërsa mendon për mënyrën sesi limfa rrjedh nga hardhia tek shermendet. Kjo ndryshon nga ideja e besëlidhjes të cilën Pali e ka në mendje me frazat “në Adamin” dhe “në Krishtin.”

Prandaj, ideja është që nuk ka thjesht një kuptim për bashkimin me Krishtin.

Më lejoni që këtu të ndaloj dhe të hap një kllapë. Jam i shqetësuar me studentët e seminareve teologjike, dhe me studentët e Biblës në përgjithësi, të cilat kapen pas një fjale apo fraze teologjike, si bashkimi me Krishtin dhe që kanë këtë ide, “Mirë, ky është një realitet. Duhet të shkoj në Bibël dhe të zbuloj se çfarë është ky realitet” – kur në fakt kjo e kufizon kuptimin e tyre të realitetit për shkak se ata tashmë e kanë paketuar në një konceptim të vetëm. Por, për shembull, mund të ketë pesë apo gjashtë mënyra përmes të cilave bashkimi me Krishtin konceptohet në Bibël.

Ja se çfarë do të shihni nëse thjesht e hapni Biblën tuaj. Ka thjesht dy shije.

Të zgjedhur, të drejtësuar, të vulosur
Efesianëve 1:4 thotë që Perëndia na zgjodhi në Krishtin qysh para themelimit të botës. Në Krishtin, në lidhje me Krishtin, Perëndia na sheh para se të ekzistonim në një mënyrë të tillë që zgjedhja jonë varet tek fakti i të qenit disi të lidhur me Jezusin qysh para se të ekzistonim.

Efesianëve 1:6 thotë që kemi marrë hir në të Dashurin, Krishtin. E vetmja mënyrë sesi hiri rrjedh tek një mëkatar është disi në lidhjen tonë me, në bashkimin me, në marrëdhënie me Krishtin. E di që të gjitha këto terma për momentin po i lë të pa përkufizuara.

Efesianëve 1:7 thotë që kemi shpengimin në Krishtin. Fakti që Perëndia na ka blerë nga skllavëria e mëkatit, Satanit dhe vdekjes bëhet real dhe i efektshëm për ne në lidhje me Krishtin. Pa këta marrëdhënie, pa këtë lidhje – mund të thuash bashkim – me Krishtin, jemi të vdekur. Nuk ka shpengim.

Efesianëve 1:13 shpall që në Krishtin ne jemi vulosur me Frymën e Shenjtë. Kjo është interesante sepse tani keni Frymën e Shenjtë, i cili është agjenti aktiv, dhe Ai e bën këtë gjë në Krishtin. Për këtë ia vlen të meditosh dhe lutesh për një apo dy orë. Lidhja me Krishtin është ajo që e bën të mundur që Fryma të na sigurojë përjetë.

Filipianëve 3:9 thotë që drejtësinë për të cilë kemi nevojë për të qëndruar përpara Perëndisë, e kemi në lidhje me Krishtin: “…që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin.”

E njëjta gjë thuhet edhe tek 2 Korintasve 5:21. “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.”

Romakëve 8:1 thotë, “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu.” Ne qëndrojmë të drejtë dhe të paënuar përpara Perëndisë vetëm për shkak të lidhjes tonë me Krishtin – për shkak se jemi në Krishtin.

Pali e shpjegon pse është kështu tek 1 Korintasve 1:30, “Ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim.” Me fjalë të tjera, në lidhje me Krishtin ne kemi një drejtësi që nuk është jona por e tij. Ai bëhet drejtësia jonë. Ai u bë urtësia jonë. Ai u bë shpengimi dhe shenjtërimi ynë, dhe gjithçka varet prej tij.

Nga Perëndia, Përmes besimit
Cili është shkaku i të qenit në Krishtin Jezus? Si hymë në këtë lidhje? Atje tek 1 Korintasve 1:30, lashë pa përmendur një frazë. Vargu thotë, “Por prej tij [Perëndisë] ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim.” Me fjalë të tjera, përmes veprimit të Perëndisë. Kjo ndodh përmes lindjes së re, dhe këtë mund ta shihni tek 1 Gjoni 3:6 dhe 3:9, ku të qëndruarit në Krishtin vjen nga të qenit i lindur prej Perëndisë.

Një mënyrë për ta para lidhjen, marrëdhënien, ose bashkimin që shkaktohet është përmes farës së Perëndisë në lindjen e re e cila hyn në ne dhe tani kemi një natyrë të re, një farë të re, një ADN të re nga Perëndia, dhe në këtë kuptim ne jemi të bashkuar me Krishtin.

Si e përjetojmë këtë gjë ditë pas dite? Pali thotë, “me anë të besimit”: “të varrosur bashkë në të në pagëzim, ju edhe u ringjallët bashkë në të, me anë të besimit.” (Kolosianëve 2:12). Ju pra identifikoheni me të, dhe vdisni me të, dhe ringjalleni me të me anë të besimit.

Nëse kjo është mënyra sesi e përjetojmë identitetin tonë parësor me Krishtin, si vazhdojmë ta jetojmë këtë gjë? Galatasve 2:20 na e jep përgjigjen, “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua.”

Nëse thua, “Çfarë do të thotë të zgjohesh në mëngjes dhe të përjetosh bashkimin me Krishtin?” Do të thotë që mbështeteni totalisht tek Ai për ta jetuar jetën tuaj.

Asnjë të mirë përveç Atij
Gjëja e fundit që do them është që në përgjithësi, unë do ta përkufizoja bashkimin me Krishtin në këtë mënyrë: Është realiteti i të gjitha mënyrave në të cilat Bibla e përshkruan lidhjen tonë njerëzore me Krishtin, lidhje në të cilën Ai është i pazëvendësueshëm për çdo të mirë që gëzojmë ne.

Asnjë e mirë shpëtuese, asnjë e mirë e përjetshme, asnjë e mirë që lartëson Perëndinë, asnjë e mirë që kënaq shpirtin nuk vjen tek ne përveçse përmes lidhjes tonë me Krishtin.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*