2 Janar – Octavius Winslow
2 Janar
“Por ai e njeh rrugën që unë kam marrë.” Jobi 23:10
Edhe pse e ardhmja mund të jetë e paprovuar, e pashkelur dhe e panjohur, çdo hap është planifikuar, është rregulluar dhe është siguruar në besëlidhjen e përjetshme dhe të pandryshueshme të Perëndisë. Për atë që na udhëheq, që na pranon në Birin e tij të dashur, që e di fundin nga fillimi, e ardhmja nuk është e re, e pasigurt apo e fshehur. E falënderojmë atë që ndërsa me urtësi dhe mirësi e mbulon gjithë të ardhmen me një vel nga sytë tanë, e gjithë ajo e ardhme – edhe ndodhia e saj më e vogël – është po aq transparente dhe e dukshme për Të sa edhe e shkuara. Bariu ynë i njeh shtigjet gjarpëruese përmes të cilave e udhëheq kopenë e tij me zotësi, butësi dhe siguri. Ai ka udhëtuar vetë përgjatë atyre shtigjeve dhe ka lënë gjurmët e pranisë së tij në atë udhë. Dhe ndërsa çdo ndjekës shkon përpara – në shtegun e ri që shfaqet pas çdo hapi – mund të thotë me ngazëllim, “E shoh gjurmën e Zotit tim; këtu kaloi Mësuesi im, Udhëheqësi im, Kapiteni im, dhe më la një shëmbull që të ndjek hapat e tij.” Oh çfarë mendimi plot me ngushëllim të fortë dhe i mirëmenduar për të na bërë gati për këtë vit të ri – Zoti e njeh dhe e ka caktuar çdo hap në shtegun e pashkelur në të cilin jam duke hyrë.
Një reflektim tjetër. Mendimi parashikues, urtësia dhe mirësia e pafundme që karakterizojnë çdo detaj të shtegut tonë të ri janë siguruar gjithashtu për nevojën e tij. Çdo urgjencë në historinë e këtij viti të ri është paraprirë. Çdo nevojë do të takohet me sigurimin e vet të përshtatshëm dhe të mjaftueshëm – çdo ndërdyshje do të ketë udhëzimin e vet – çdo trishtim do ketë ngushëllimin e vet – për çdo tundim do ketë një mburojë të caktuar – çdo re do ketë dritën e vet. Çdo mundim do të na përcjellë një mësim – çdo korrigjim do të na japë mësimin e vet – çdo mëshirë do të na përcjellë mesazhin e vet të dashurisë. Premtimi do të përmbushet me hollësi, “Sikurse dita jote do të jetë edhe forca jote.”
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!