11 Mars – Octavius Winslow

11 Mars

“Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur.” 1 Thesalonikasve 4:14

A nuk do t’i shtohet asgjë lavdisë së asaj ngjarjeje, dhe lumturisë së atij momenti, kur Biri i Perëndisë të zbresë dhe duke i dhënë fund dremitjes së ëmbël të shenjtorëve të vdekur, do t’a ringjallë çdo trup me banorin e tij të dikurshëm, atëherë do t’i njohim në mënyrë të përsosur ata që i njohëm dhe i deshëm, dhe do ta ripërtërijë përbashkësinë e ëmbël, e cila më parë ishte e paplotë dhe e papërsosur, por tani do të jetë e plotë dhe e përjetshme? Prandaj, fshijini lotët dhe mos vazhdoni të vajtoni ju shenjtorë të Perëndisë. Ata “nuk kanë humbur, por kanë shkuar para nesh.” Shpirtrat e tyre jetojnë me Jezusin. Dhe kur Ai të vijë do t’i sjellë me vete dhe ju do t’i shihni dhe do t’i njihni me një shikim të qartë dhe me njohuri të përsosur. Vetë sytë që dikur iu buzëqeshën me ëmbëlsi – vetë gjuha që ju foli me aq ngushëllim – vetë duart që ju shërbyen me aq zotësi – vetë këmbët që udhëtuan përkrah jush me aq besnikëri – vetë prehri që të mbajti me aq butësi – do t’i takosh sërish. “Ardhja e Zotit po afrohet,” dhe ata “që flenë në Jezusin Perëndia do t’i sjellë bashkë me të.” Le ta “ngushëllojmë njëri-tjetrin me këto fjalë.”

A nuk do të ketë më tepër gëzim të takohemi dhe të njohim ata shërbëtorë të shquar të Zotit historitë dhe shkrimet e të cilëve na nxitën, na udhëzuan dhe na inkurajuan, ato që hodhën dritë dhe gëzim në shtegun tonë? Abrahamin, besimi i të cilit na inkurajoi – Davidin, psalmet e përjetimit të tij na ngushëlluan – Isaian, vizionet e të të cilit për Jezusin na ngazëlluan – Palin, letrat doktrinore të të cilit na udhëzuan – Gjonin, letra e të cilit rreth dashurisë na nënshtruan; të soditim “Magdalenën” të ulur tek këmbët e Jezusit – të shohim “lypësin” e mbështetur në gji të Abrahamit – “hajdutin” me Krishtin në Parajsë – oh, a nuk do të na e shtojnë këto pamje lumturinë e qiellit? A nuk ka për të qenë gëzim, lumturi dhe lavdi? Sigurisht që do të jetë! Në ardhjen e Krishtit, a nuk do ta njohin njëri-tjetrin dhe a nuk do të ngazëllohen edhe shërbenjësit e Tij, ata mundimet e të cilëve ishin të dobishme? A nuk do të ketë një ribashkim të sigurt, të përhershëm, të ëmbël, të dashur dhe të shenjtë mes bariut dhe tufës së tij? Mos vallë bashkësia e tyre në Krishtin këtu poshtë do t’ja kalojë në bukuri dhe ëmbëlsi, ribashkimit të tyre në Kishën në qiell? Këtu është domosdoshmërisht e përzierë me shumë gjëra të papërsosura. Ka shumë gjëra të fshehtë të përziera me mundin e tyre të përbashkët në vreshtin e Krishtit. Ata që shkojnë duke qarë, mbartin farën e çmuar, dhe shpesh thirren të shkojnë në prehjen e tyre para se të shohin frytin e lutjeve, lotëve dhe mundit të tyre. Këtu përballen shpesh me stinë sëmundjesh dhe ndarjeje të cilat e mbështjellin shpirtin me zymtësi dhe që e shtypin zemrën me ankth. Pastaj, më në fund, vetë vdekja e shkëput lidhjen e butë, e rrëzon flamurtarin, dhe e lë tufën e dashur të soditë me sytë që u rrjedhin lot shpirtin e dobësuar të bariut të tyre ndërsa ngjitet dhe lartësohet larg në lavdi. Por ardhja e Jezusit, me të gjithë shenjtorët e Tij, do ta ripërtërijë bashkimin e tyre të lumtur, do t’i japë një lavdi të re dhe më të madhe dhe do ta vendosë mbi një bazë të përhershme dhe të përjetshme.

“Cila në fakt është shpresa jonë, a gëzimi, a kurora e lavdisë? A nuk jeni pikërisht ju, përpara Zotit tonë Jezu Krisht në ardhjen e tij? Ju jeni në fakt lavdia dhe gëzimi jonë.” Po, o të dashur, do të njohim njëri-tjetrin sërish, edhe pse do të jemi të ndryshuar dhe të përlëvduar.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*