22 Qershor – Octavius Winslow

“Dhe Perëndia e paqes, që e ngriti nga të vdekurit, me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar, Bariun e madh të dhenve, Perëndinë tonë Jezu Krisht.” Hebrenjve‬ ‭13:20

Sa bukur i lidh apostulli të dyja këto bekime! Ai tani është me të vërtetë “Perëndia i paqes” – Perëndia i pajtuar, Ati i pajtuar; dhe prova e kësaj është fakti që Ai e ringjalli Birin e Tij prej së vdekuri. Shihni çfarë pamje të shndritshme të Perëndisë që hap kjo e vërtetë para syve tanë! Kur mbyllemi brenda vetes shohim pamje shumë të errëta, dhe ndjenja shqetësuese ndaj Tij. Por kur besimi udhëton te varri i Jezusit, dhe e shohim atë bosh, kemi një provë të jashtëzakonshme të pajtimit të përsosur të Perëndisë, për mendimet e Tij të paqes ndaj nesh, në atë moment besimi triumfon, dhe të gjitha frikërat tona drithëruese dhe të zymta rreth karakterit të Tij zhduken plotësisht. Ai është “Perëndia i paqes,’ për shkak se Jezusi është Shpëtimtari i ringjallur.
Në atë masë që ju e pranoni me besim jetën e ringjallur të Krishtit, në të njëjtën masë do të keni atë kolonë për t’u mbështetur, mbi të cilën qëndron gjithë struktura e shpëtimit. Paqja e Perëndisë do ta mbushë zemrën tënde ndërsa e njeh nga përjetimi fuqinë e ringjalljes së Zotit në shpirtin tënd. Në fakt, fuqia e ringjalljes së Krishtit qëndron mbi ndjesinë e mëkatit të falur, në kuptimin tonë të drejtësimit të plotë, në shpresën e gjallë të lavdisë së përjetshme. Jezusi i shpëton plotësisht të gjithë ata që vijnë te Perëndia përmes Tij, për shkak se Ai është një Shpëtimtar i ringjallur dhe i gjallë, dhe jeton përjetë për të ndërmjetësuar për llogari të gjithë njerëzve të Tij.

Jeto me besim në Krishtin e ringjallur! E njëjta fuqi ringjalljeje që e solli sërish në jetë Kreun e Kishës ushtrohet për të shkaktuar vetë ringjalljen frymërore të Kishës. Besimtari i vërtetë është tashmë i ringjallur. Ai ishte dikur i vdekur në mëkat, dhe i mbyllur në varrin e paudhësive të tij. Por një fuqi – e njëjta fuqi që e zgjoi Llazarin nga dremitja e vdekjes – ka shpërthyer nga varri i Jezusit dhe e ka ringjallur Atë në një jetë të re dhe të pavdekshme. Oh, sikur ta gjurmonim më tepër në mënyrë të drejtpërdrejtë energjinë e pushtetshme të Frymës së Përjetshëm në shpirtrat tanë, që na ngre nga krahina e vdekjes në jetë dhe pavdekësi, tek ai fakt i jashtëzakonshëm i shpengimit – te ringjallja e Krishtit prej së vdekuri – si do ta lartësonte kjo pikëpamjen tonë rreth rëndësisë së saj, dhe si do ta mbushte shpirtin tonë me lavdinë e saj!

Cila duhet të jetë fuqia e ringjalljes së Zotit tonë, e cila edhe tani mund t’i zgjojë mëkatarët edhe nga gjumi më i thellë i vdekjes frymërore! Kur Fryma i Perëndisë ushtron hirin e Tij për ta ringjallur një shpirt nga varri i mëkatit, mos harroni që kjo është nga vyrtyti i Shpëtimtarit të ringjallur dhe të gjallë. Mos u dëshpëroni për jetën frymërore të ndokujt, edhe pse mund të kenë qenë shtrirë në varr për një kohë të gjatë sa të ketë humbur çdo shpresë konvertimi, përderisa Krishti është ringjallur prej së vdekuri, dhe është i gjallë për të dhënë jetë në përgjigje të lutjes së besimit. “Adami i dytë është Frymë që jep jetë.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*