23 Shtator – Octavius Winslow

23 Shtator

“Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.” Romakëve 8:18

Bota në të cilën nuk gjejmë as edhe një pjesë të saj e cila të mos jetë e goditur nga mallkimi duhet të jetë një botë vuajtjeje. Bota në të cilën mëkati ushtron perandorinë e tij universale, duke njollosur çdo objekt dhe duke errësuar çdo skenë duhet të jetë një botë mëkati. Bota ku shpirti lëndohet, bota në të cilën zemra thyhet, atje ku arsyeja është hequr nga froni dhe shpresa lëngon, atje ku sytë lotojnë dhe nervat dridhen, ku sëmundja mundon dhe ku vdekja mbretëron, kjo botë e tillë duhet të jetë botë vuajtjeje.

Krishterimi nuk i përjashton besimtarët nga forma të tilla mjerimi. Por me këtë të vërtetë nga ana tjetër qetëson dhe pajton – këto janë vuajtjet e kohës së tanishme. Ato janë thjesht kalimtare, shumë shpejt do të marrin fund përgjithmonë. Ne jetojmë në një botë që po vdes – një botë që po kalon tej. Koha është e shkurtër, ajo gjithmonë është duke fluturuar; edhe ne jemi mbi krahët e kohës dhe përmes pendëve të saj po çohemi gjithnjë e më pranë shtëpisë së Atit; për banorët e të cilës thuhet, “Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; nuk do të ketë më vdekje, as brengë, as të qara, nuk do të ketë më dhimbje: sepse gjërat e shkuara nuk janë më.”

Oh sa e butë është nxitja – “Çohu dhe nisu; kjo nuk është prehja jote: sepse ky është vend i ndotur”! Pastaj vjen lavdia, “lavdia që do të zbulohet në ne.” Cila fjalë mund ta shprehë në mënyrë më të përshtatshme gjendjen e ardhshme të shenjtorëve? Bota e përdor titullin por nuk e ka fare idenë për realitetin. Çfarë është lavdia e shencës, e të nxënit, e rangut, e pasurisë, veçse një zbukurim i kotë, një meteor që shkëlqen për një çast, dhe pastaj zhduket në natën e përjetshme? Por lavdia që e pret të krishterin është reale, është një lavdi thelbësore. Në të tashmen kjo lavdi është e mbuluar. Bota nuk e sheh; besimtari e sheh vetëm përmes teleskopit të besimit. Por dita e zbulimit të plotë dhe të qartë të saj na pret. Ajo ditë po afrohet. Ajo do të jetë një lavdi që do të zbulohet në ne.

Kjo e vërtetë mund t’i habitë disa. “Çfarë!” thonë ata, “një lavdi që do të zbulohet në mua! Në mua, që mezi reflektoj qoftë dhe një reze të vetme drite! Në mua, që jam kaq i errët dhe mëkatar, që jetoj kaq larg bashkësisë me Atin e dritave! A mundet vallë që kjo lavdi të zbulohet në mua?” Këtë gjë na vërteton fjala e Perëndisë tonë. Nëse je një fëmijë i dritës mund të jesh duke banuar nën hijen e botës dhe shpesh të bëhet thirrje të ecësh në errësirë, por një ditë do të shkëlqesh më fort se kupa qiellore dhe yjet për jetë të jetëve.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*