Si dhe pse na krijoi Perëndia?
Pyetja 4
Si dhe pse na krijoi Perëndia?
Perëndia na krijoi mashkull dhe femër simbas shëmbëlltyrës së vet, për ta njohur, për ta dashur, për të jetuar me Të dhe për ta lavdëruar. Është e drejtë që ne që u krijuam prej Perëndisë të jetojmë për lavdinë e Tij.
Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.
Zanafilla 1:27
Komentim
Lavdia e Perëndisë është gjëja e parë që duhet të dëshirojnë bijtë e Perëndisë. Kjo është tema e një prej lutjeve të Zotit tonë: “O At, përlëvdo emrin tënd.” (Gjoni 12:28). Ky është qëllimi për të cilin u krijua bota. Ky është synimi për të cilin u thirrën dhe u konvertuan shenjtorët. Kjo është gjëja kryesore që duhet të kërkojmë, që, “në gjithçka të përlëvdohet Perëndia.” (1 Pjetri 4:11). Vetëm Ai meriton të marrë gjithë lavdinë… ne i japim Atij gjithë nderimin dhe lavdërimin dhe ngazëllohemi që Ai është Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve… Ku janë fokusuar zemrat tona? Çfarë duam më tepër? Mos vallë ndjenjat tona më të larta janë për gjërat tokësore apo për ato që janë në qiell?
Të pasurit e një qëllimi të vetëm është sekreti i madh i begatisë frymërore. Nëse sytë tanë nuk shohin qartë, nuk mund të ecim pa u penguar dhe pa u rrëzuar. Nëse përpiqemi t’u shërbejmë dy zotërinjve të ndryshëm të jemi të sigurt që nuk do të kënaqim asnjërin. E njëjta gjë vlen edhe për shpirtin tonë. Nuk mund t’i shërbejmë Perëndisë dhe botës në të njëjtën kohë. Është e kotë që ta provojmë. Kjo gjë nuk mund të bëhet. Perëndia duhet të jetë mbreti i zemrave tona. Ligji i Tij, vullneti i Tij, porositë e Tij duhet të kenë vëmendjen tonë parësore.
Ne të gjithë kemi talenta përpara Perëndisë. Gjithçka me të cilën mund ta përlëvdojmë Perëndinë është një talent; dhuntitë tona, intelekti ynë, kujtesa jonë, ndjenjat tona, privilegjet tona si pjestarë të Kishës së Krishtit, avantazhet tona si zotërues të Biblës, që të gjitha këto janë talenta. Prej nga erdhën këto gjëra? Çfarë dore na i dhuroi? Pse jemi këta që jemi? Pse nuk jemi krimba që zvarriten në tokë? Ka vetëm një përgjigje për këto pyetje. Gjithë sa kemi na është dhënë hua prej Perëndisë. Ne jemi administratorë të Perëndisë. Ne jemi borxhinj karshi Perëndisë. Lëreni këtë mendim të zërë vend thellë në zemrat tuaja.
John Charles Ryle (1816–1900). Peshkopi i parë Anglikan i Liverpulit. Caktimi i Rajlit në këtë detyrë u bë me rekomandimin e Kryeministrit Benjamin Disraeli. Përveçse ishte pastor dhe shkrimtar Rajl ishte edhe sportist për lundrim me rema si dhe luajti kriket për Universitetin e Oksfordit. Ai ishte përgjegjës për ndërtimin e më shumë se dyzetë kishave.
From Expository Thoughts on the Gospels: St. Matthew (New York: Robert Carter & Brothers, 1870), 51–56, 336–337.
Lutje
O Perëndi, të lutem për hir të Krishtit, të më pranosh tani si zotërim të plotë të Tij dhe të më trajtosh në këtë mënyrë, më lëndoftë apo më begatoftë, çfarëdo që t’i pëlqejë të bëjë me mua – unë i përkas Atij. Sot e tutje, nuk do të veproj në asnjë mënyrë sikur i përkas vetes – nëse e përdor ndonjë prej fuqive të mia për çfarëdo gjëje që nuk është për lëvdim të Perëndisë dhe nëse nuk e bëj përlëvdimin e Tij gjithë punën time të plotë.
Jonathan Edwards (1703–1758). Predikues Amerikan i epokës koloniale, teolog dhe filozof. Eduards u bë pastor i kishës së tij në Northampton, Masaçusets në vitin 1726. Ai është bërë i famshëm për predikimin e tij “Mëkatarë në duart e një Perëndie të zemëruar” si dhe për librat e tij Qëllimi për të Cilin Perëndia e Krijoi Botën dhe Trajtim i Ndjenjave Fetare. Eduards vdiq nga vaksinimi kundër lisë pak pasi kishte marrë presidencën e Kolegjit të Nju Xhersit (që më vonë u bë Universiteti Princton).
From “Memoirs of Jonathan Edwards” in The Works of Jonathan Edwards, Volume 1 (London: William Ball, 1840), lxvii.
New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.