A është Reformimi ende i rëndësishëm edhe pas 500 vjetësh?

nga Pastor John Piper

“Përshëndetje Pastor John! Në fund të muajit Tetor përkujtojmë Reformimin Protestant. Cila nga pesë solat gjendet në zemër të Reformimit? Cila prej tyre është më e rëndësishmja? Sola Scriptura (vetëm Shkrimi), sola fide (vetëm besimi), sola gratia (vetëm hiri), solus Christus (vetëm Krishti), apo sole Deo gloria (lavdia vetëm Perëndisë)?”

Kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjem dot ashtu sikurse nuk mund t’i përgjigjem dot pyetjes, Cili nga krahët e aeroplanit është më i rëndësishëm? Apo, çfarë është më e rëndësishme, krahët apo motori i avionit? Nëse njëri nga krahët prishet avioni rrëzohet. Nëse hiqet njëra nga solat atëherë shpëtimi shkatërrohet.

Kjo mendoj unë është arsyeja pse Reformimi ishte dhe vazhdon të jetë një çështje tepër e rëndësishme. Nuk është se një person mund të zgjedhë pjesë të caktuara të planit të Perëndisë për shpëtimin e mëkatarëve ndërsa neglizhon apo i shtrembëron të tjerat dhe ende të shpresojë që t’i shohë mëkatarët të shpëtohen. Mendoj se gjëja më e dobishme për t’u bërë do ishte të shpjegonim pse këto sola janë të nevojshme, çfarë janë, dhe pse janë aq të lidhura me njëra-tjetrën saqë nëse heqim njërën prej tyre katër të tjerat nuk mund të shpëtojnë.

Problemi
Arsyeja pse ato janë aq të nevojshme është çështja e shpëtimit. Të gjitha qeniet njerëzore janë mëkatarë (Romakëve 3:23). Kjo do të thotë se ka dy gjëra tek secili prej nesh të cilat nuk mund t’i rregullojmë dot me iniciativën tonë.

Së pari, ne jemi frymërisht të vdekur në shkeljet tona (Efesianëve 2:1-3). Kemi nevojë për jetë frymërore, dhe nuk mund ta krijojmë dot atë jetë. Ne jemi të vdekur. Duhet të lindim sërish.

Së dyti, ne jemi nën zemërimin e Perëndisë (Gjoni 3:36). Perëndia është i drejtë dhe e urren mëkatin, dhe në drejtësinë e tij, ai synon t’i trajtojë mëkatarët me drejtësi dhe të na ndëshkojë. Prandaj, e para, kemi nevojë për jetë, të cilën nuk mund ta krijojmë dot vetë, dhe e dyta, kemi nevojë që zemërimi i Perëndisë të largohet prej nesh. Kemi nevojë që Ai të jetë njëqind për qind për ne dhe jo kundër nesh, dhe në fajin tonë, nuk mund të bëjmë dot që kjo të ndodhë.

Ky është problemi i dyfishtë të cilin Perëndia vetë e ka zgjidhur përmes ungjillit. Reformimi kishte të bënte me rizbulimin sesi Perëndia i zgjidh këto dy probleme. Pesë solat shpjegojnë sesi shpëtohemi. Përgjigja e Reformimit Protestant është kjo: fakti që jemi bërë të gjallë në Krishtin dhe që Perëndia është përgjithmonë njëqind për qind për ne është vetëm përmes hirit të Perëndisë; bazuar vetëm në Krishtin; gjë e cila pranohet vetëm me anë të besimit; në mënyrë që të gjitha gjërat në fund të fundit të jenë vetëm për lavdinë e Perëndisë; duke pasur vetëm Shkrimin si autoritetin e vetëm dhe përfundimtar për të dalluar, mësuar dhe mbrojtur ato të vërteta. Kështu përputhen bashkë këto pesë vetëm.

Zgjidhja
Fjala hir nënkupton dhuratën falas – jo të fituar, jo të merituar, jo të arritur – gjë e cila do të thotë se lindja jonë e re, fakti që na është dhënë jetë, ishte vepra e lirë e Perëndisë, ishte dhuratë. Nuk e bëmë ne të ndodhte. Ne ishim të vdekur. Jeta jonë e re, dëshira jonë, aftësia jonë për të besuar dhe dashur, të gjitha këto janë prej hirit, dhe kjo është saktësisht ajo që Pali thotë tek Efesianëve 2:5 – domethënë që Ai na dha jetë me anë të hirit. Ju jeni shpëtuar.

E njëjta gjë vlen edhe për largimin e zemërimit të Perëndisë. Ai thotë tek Romakëve 3:24, “por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen” (Romakëve 3:24-25). Kjo ndodh përmes largimit të zemërimit me anë të gjakut të tij, prandaj Perëndia vetë, pa ndonjë veprim nga ana jonë, e pagoi plotësisht borxhin tonë në kryq.

Ai e solli atë çlirim për ne. Ai e largoi zemërimin e tij përmes hirit të tij si dhuratë. Ne nuk shtuam asnjë gjë tek ky transaksion që ndodhi në kryq. Ishte krejtësisht hir. Jo hir plus merita jonë, apo plus meritat e shenjtorëve, ose plus meritat e Marisë. Ishte vetëm Krishti dhe hiri.

Ky është çelësi. Atë që nuk nuk mund ta bëja dot (nuk mund të kontribuoja as edhe një gjë) e bëri Perëndia, duke paguar për mëkatet e mia, duke e pajtuar zemërimin e tij në kryq, dhe pastaj duke më ngritur prej së vdekuri. E gjitha ishte vetëm prej hirit, që do të thotë se dhuratës falas nuk mund t’i shtohet asnjë meritë apo përpjekje nga ana ime apo nga ana e dikujt tjetër.

Qëndrojnë ose bien së bashku
Ja cila është arsyeja pse të gjitha këto sola qëndrojnë ose bien bashkë. Është e mahnitshme sesi Bibla na jep përgjigje të qartë për këtë, prandaj më lejoni t’i shohim shpejt e shpejt.

Së pari, vetëm hiri dhe vetëm Krishti. Galatasve 2:21 thotë, “Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë sepse, në qoftë se drejtësia vjen me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur më kot.” Prandaj, sikurse thotë dhe Galatasve 5:2, “në qoftë se rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju bëjë dobi aspak.” Me fjalë të tjera, vetëm Krishti është baza e faktit që Perëndia është njëqind për qind për ne, jo Krishti plus rrethprerja, apo ndonjë meritë apo veprim tjetër njerëzor. Nëse i shton diçka Krishtit si baza e faktit që Perëndia është njëqind për qind për ty, Pali thotë që kështu hidhet poshtë hiri. Prandaj, në mendjen e Palit, vetëm Krishti dhe vetëm hiri qëndrojnë ose bien së bashku.

Së dyti, vetëm hiri dhe vetëm besimi. Romakëve 4:14 thotë, “Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet” – i kotë, ashtu sikurse bëhej i kotë edhe hiri – “dhe premtimi anulohet.” Ja cili është çelësi, “trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit” (Romakëve 4:16). Me fjalë të tjera, nëse bekimet e Perëndisë për një jetë të re dhe pa zemërim janë dhurata falas të hirit, e vetmja mënyrë sesi një njeri mund t’i gëzojë ato është duke e pranuar dhuratën, jo duke bërë diçka. Çelësi është besimi dhe jo zbatimi i ligjit. Nëse i shton besimit tënd diçka si mjet për të marrë lindjen e re dhe shfajësimin, atëherë je duke e hedhur poshtë hirin. Pali thotë tek Romakëve 4:16 që vetëm besimi dhe vetëm hiri qëndrojnë ose bien së bashku.

Së treti, vetëm hiri dhe lavdia vetëm Perëndisë. Efesianëve 1:5-6 thotë që i gjithë plani i shpëtimit prej hirit, që para themelimit të botës, ishte që “lavdia e hirit” të përlëvdohej, “duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, për lëvdim të lavdisë së hirit të tij.” Me fjalë të tjera, nëse i shtojmë diçka Krishtit si baza e faktit që Perëndia është njëqind për qind për ne hedhim poshtë hirin, dhe nëse i shtojmë diçka besimit si mjeti për të shijuar dhuratën e Perëndisë që është njëqind për qind për ne e bëjmë hirin të kotë, atëherë synimi i madh i të gjitha këtyre – përlëvdimi i lavdisë së atij hiri – do të anulohet gjithashtu.

Arsyeja pse Perëndia jep jetë dhe drejtëson në këtë mënyrë – vetëm me anë të hirit, vetëm në bazë të Krishtit, vetëm nëpërmjet besimit – është për shkak se Ai synon që lavdia përfundimtare e gjithë kësaj t’i shkojë vetëm Atij. Këtë thotë Pali tek Romakëve 11:36, “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!” E gjithë kjo mund të njihet, të besohet, të shijohet dhe të mësohet me një autoritet final dhe të plotë vetëm nga Shkrimet.

Ja konkluzioni im. Prandaj, për hir të ungjillit të jetës së re dhe drejtësimit – vetëm me anë të hirit të Perëndisë, vetëm në bazë të Krishtit, gjë e cila merret vetëm me anë të besimit, në mënyrë që të gjitha gjërat më në fund të çojnë vetëm tek lavdia e Perëndisë – ne qëndrojmë me bindje dhe gëzim vetëm mbi autoritetin final dhe vendimtar të Shkrimeve. Të gjitha solat qëndrojnë ose bien së bashku.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*