A kemi vullnet të lirë për të zgjedhur Krishtin?

nga Pastor John Piper

Pastor John, ja një pyetje e madhe të cilën na e bëjnë shpesh dëgjuesit tanë, ajo vjen e formuluar në mënyra të ndryshm, por thelbi i pyetjes është ky: A ekziston diçka e tillë si “vullneti i lirë”?

Më lejoni ta bëj pyetjen në mënyrë shumë specifike që të mos jetë aq e gjerë, por mendoj që do të shkojnë drejt e në thelb të çështjes. A kemi ne vullnet të lirë për të zgjedhur Krishtin si Zotin, Shpëtimtarin dhe thesarin tonë? Mendoj që kjo është qendra e gjithë debatit. Pastaj njerëzit mund të përgjithësojnë përtej kësaj si për shembull për gjëra si a kemi vullnet të lirë për të ngrënë një banane. Unë do të flas thjesht për faktin nëse kemi vullent të lirë për të zgjedhur Krishtin si Shpëtimtarin, si Zotin dhe si thesarin tonë. Sigurisht që kjo varet nga përkufizimi i vullnetit të lirë.

Vetë-vendosja përfundimtare

Le të fillojmë me një përkufizim me të cilin besoj që do të bien dakord edhe ata që janë në këtë debat. E di që për shëmbull në debatet e mia me Greg Boyd, ai do përdorte këtë përkufizim për pozitën që mbron se njerëzit e kanë – dhe unë mendoj që nuk e kanë në këtë kuptim. Ja pra. Ju keni një vullnet të lirë. Ky është një përkufizim. Ju keni një vullnet të lirë kur keni vetë vendosje përfundimtare.

Me këtë përkufizim ju keni vullnet të lirë në zgjedhjen e Krishtit nëse shkaku përfundimtar i zgjedhjes është vetëvendosja juaj. Prandaj gjithçka vret nga fjala përfundimtare. Mund të ketë shumë faktorë që luajnë rol në përcaktimin e zgjedhjes tuaj të Krishtit. Por vetëm njëri prej këtyre faktorëve është përfundimtar apo final. Vullneti i lirë në këtë pikë këmbëngul që ju të jeni ai faktor dhe asnjë gjë tjetër përfshirë edhe Perëndinë. Perëndia nuk është faktori final dhe përfundimtar i zgjedhjes por jeni ju.

Ja një mënyrë tjetër për ta thënë. Ju keni vullnet të lirë kur vullneti juaj është shkaku vendimtar i zgjedhjes së Krishtit prej jush. Fjala vendimtare ka të njëjtin funksion si fjala përfundimtare. Mund të ketë shumë shkaqe që e ndikojnë zgjedhjen tuaj të Krishtit, por në mënyrë që të jeni të lirë, sipas këtij përkufizimi, shkak vendimtar, ai që më në fund vendos zgjedhjen tuaj duhet të jetë vullneti juaj, jo dikush tjetër përfshirë këtu edhe Perëndinë.

Prandaj, për këtë bëhet debati. Kur ju të shkoni në qiell nëse Perëndia ju pyet: Cila është arsyeja më e thellë dhe vendimtare që besove në Birin Tim? Cila ka për të qenë përgjigja juaj? A do të thoni: Arsyeja vendimtare për zgjedhjen time ishte hiri Yt? Apo do të thoni: Arsyeja vendimtare për zgjedhjen time isha unë?

Tani, sigurohuni që të vini re me kujdes që pyetja nuk është: A bëre një zgjedhje? Pyetja nuk është: A ishte vullneti ynë aktiv dhe i nevojshëm? Pyetja nuk ishte: A ishte reale zgjedhja jonë? Përgjigja për të gjitha ato pyetje është po. Ju bëtë një zgjedhje. Vullneti juaj ishte aktiv dhe i nevojshëm. Zgjedhja juaj ishte reale. Kjo nuk është pyetja që debatohet.

Pyetja është: Kur vullneti yt zgjodhi, çfarë ishte gjëja vendimtare që e shkaktoi atë zgjedhje të vullnetit? Cili ishte ndikimi apo shkaku vendimtar? Bibla na jep këtë përgjigje: hiri i Perëndisë. Dhe dikush tjetër thotë: ishte fuqia e vetëvendosjes tuaj. Prandaj, unë këtu po argumentoj që kur zgjedhim Krishtin nuk e kemi atë lloj vullneti të lirë, që zotëron vetëvendosje. Ja ku janë tri lloje tekstesh të cilat ua sugjeroj njerëzve që t’i mendojnë.

1. Të verbër dhe të prishur

E para, ne jemi aq të prishur nga ana morale saqë nuk mund të bëjmë dot të mirën. Nuk mund të besojmë. “Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontrolluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe. Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.” (Romakëve 8:6-7).

Mendja e mishit veçmas Krishtit nuk mund t’i nënshtrohet dot Perëndisë. Ose konsideroni 1 Korintasve 2:14, “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.” Prandaj, këto tekste në Bibël thonë që ne nuk mund të kuptojmë dhe t’i nënshtrohemi Perëndisë për shkak se jemi shumë të prishur.

2. Dhurata e besimit nga Perëndia

E dyta, ne nuk mund ta zgjedhim dot Krishtin. Kjo në fund të fundit është dhuratë e Perëndisë. Prandaj, 2 Timoteu 2:24 thotë, “Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen.”

Ose shihni Filipianëve 1:29, “Sepse juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të.” Prandaj, të besuarit në Krishtin është dhuratë. Ju është dhënë për shkak se nuk mund ta krijoni dot vetë. Prandaj Pali thotë, Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë.

3. Puna vendimtare e Perëndisë

Së treti, si është përjetimi ynë kur zgjedhim përmes fuqisë së një tjetri? 1 Korintasve 15:10, Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë që është me mua. Ja pra ku është tablloja që unë zgjedh, unë veproj. Unë mundohem. Por, jo, është Perëndia Ai që punon në mua. Ai është shkaku vendimtar dhe themelor që e bën të mundur këtë gjë. E njëjta gjë thuhet tek Filipianëve 2:12, Veproni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij. Prandaj, vullneti juaj shkaktohet prej vullnetit të Tij dhe veprimtaria juaj shkaktohet prej veprimit të Tij.

Ja konkluzioni im. Nëse lihemi në vullnetin tonë të lirë, domethënë në fuqinë tonë të vetëvendosjes përfundimtare të gjithë ne do ta përdorim atë për ta mohuar Krishtin. Ne jemi frymërisht shumë të vdekur, të pandjeshëm, të verbër dhe rebelë ndaj Krishtit, ne e duam aq shumë errësirën saqë nuk e kemi aftësinë morale të shohim, çmojmë dhe zgjedhim Krishtin mbi këtë botë.

Hiri sovran i Perëndisë depërton në jetët tona, e mposht rrebelimin tonë, e mund verbërinë dhe vdekjen tonë dhe na bën të aftë të shohim Krishtin si bindës dhe të bukur dhe kështu e zgjedhim lirshëm Krishtin, gjë e cila sigurisht lë pa përgjigje pyetjen: Epo, atëherë, si mund të jemi përgjegjës dhe të na kërkohet llogari? Në këtë episod dëshiroj të them: Jo. Ne nuk kemi vullnet të lirë në zgjedhjen e Krishtit nëse vullnetin e lirë e përkufizojmë si vetëvendosje përfundimtare.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*