A surprizohet ndonjëherë Perëndia?

nga pastor John Piper

Romela kërkon një konfirmim rreth diçkaje që ajo ka nisur të dallojë në Bibël. Ajo pyet, “Përshëndetje Pastor John! A është e vërtetë që asnjë gjë nuk e suprizon ndonjëherë Perëndinë?

Po, kjo është e vërtetë. Perëndia nuk surprizohet kurrë. Të surprizohesh do të thotë që duhet të jesh i pasigurt për atë që do të ndodhë. Duhet të jesh i paditur. Perëndia nuk është kurrë i paditur rreth të ardhmes apo ndonjë gjëje tjetër. Ai nuk është kurrë i pasigurt për atë që do të ndodhë.

Këtë mund ta dimë nga të paktën dy arsye. Njëra është që Bibla na tregon që njohja e të ardhmes, madje edhe të ardhmen e vendimeve njerëzor, është pjesë e asaj se çfarë do të thotë të jesh Perëndi. Dhe tjetra është që Bibla na tregon se paranjohja e Perëndisë nuk është thjesht njohuria e diçkaje të ndryshme nga plani dhe vullneti i Tij, por se Ai e njeh të ardhmen për shkak se e planifikon atë.

Prandaj, le t’i shohim këto të dyja njëra pas tjetrës së bashku me pjesët e Shkrimit që i mbështesin ato.

1. Isaia 41:22–23, Perëndia iu bën thirrje idhujve që të japin llogari. Ai i sfidon ata të tregojnë se janë perëndi. Si e bën Ai këtë gjë? Kështu: Na tregoni se çfarë do të ndodhë! “Na njoftoni ç’ka për të ndodhur në të ardhmen, dhe kështu do të mësojmë se jeni perëndi.” Çfarë do të thotë kjo? Me fjalë të tjera, në mendjen e Perëndisë, kapaciteti për të parashikuar të ardhmen i përket Perëndisë si Perëndi. Ishte pjesë e hyjnisë së Tij të ishte në gjendje të shpallte gjërat që do të vijnë më pas.

Ai thekson të njëjtën gjë tek Isaia 42:8-9. Ai e lidh pushtetin për të paranjohur me lavdinë hyjnore. “Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura. Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, dhe tani po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë.” Prandaj ju e shihni lidhjen. Unë jam Jahve dhe kjo është pjesë e lavdisë time hyjnore. Para se ato të mbijnë unë jua bëj të njohura. Ai thotë, paranjohja, njohja e të ardhmes, është pjesë e lavdisë time.

Ja tek është sërish tek Isaia 45:12. Perëndia paraqet sfidën nëse ka ndonjë tjetër perëndi përveç Tij. Dhe Ai e bën duke pyetur për pushtetin e tyre për të shpallur të ardhmen. “Shpalleni dhe paraqitni arsyetimet tuaja, po, le të këshillohen edhe bashkë. Kush e ka shpallur këtë që në kohët e lashta dhe e ka parashikuar prej një kohe të gjatë? Vallë, nuk jam unë, Zoti? Nuk ka Perëndi tjetër veç meje, një Perëndi i drejtë, një Shpëtimtar; nuk ka asnjë veç meje.” Ja pra tek është sërish. Perëndia thotë se ajo për të cilën bëhet fjalë në aftësinë e Tij për të shpallur ndodhitë e ardhshme të njerëzve dhe kombeve – dhe kjo përfshin shumë vendime njerëzore – ajo për të cilën bëhet fjalë është hyjnia e Tij, mirësia e Tij: Unë, Zoti. Nuk ka asnjë perëndi tjetër përveç meje. Këtë gjë jam duke treguar kur e parashikoj të ardhmen.

Mendoj që kjo është vërtetë e rëndësishme në qartësimin e kësaj çështjeje. Më pas shohim Jezusin që bën të njëjtën gjë si Perëndi. Ai e lidh paranjohjen e Tij – madje e paranjohjen e Tij të veprimeve mëktare të Judës dhe Pjetrit për ta mohuar atë – ai e lidh këtë paranjohje me hyjninë e Tij (njëlloj sikurse bëri Isaia me hyjninë e Perëndisë) tek Gjoni 13:19 ku thotë në Darkën e Fundit, “Po ju them që tani, para se të ndodhë,” – Ai po i referohet tradhtisë së Judës – “që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam” [Versioni së Bashku] – pikë.

Shumica e versioneve Anglisht thonë, “që unë jam ai,” [versioni ABS thotë “që unë jam Krishti”], sepse tingëllon e çuditshme të thuash “që ju të besoni se unë jam.” Por këtë thotë teksti në Greqisht. Dhe ne e dimë se nga vjen fraza “Unë jam.” Kjo është një referencë ndaj emrit të Perëndisë nga Eksodi 3:14-15, “Unë jam ai që jam”…. “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: “Unë jam më ka dërguar tek ju.” Jezusi po pretendon të jetë Perëndi dhe baza e këtij pretendimi është: E di që Juda do të më tradhtojë. Kjo është shumë gjë e madhe.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe për mohimin e Pjetrit. Jezusi e di saktësisht se kush do ta mohojë. Ai e di se sa herë do ta mohojë. Ai e di se në cilin moment të mëngjesit do ta mohojë. E njëjta gjë edhe me Judën. Kur, ku, si. Ai e dinte këtë gjë për Judën që nga fillimi. Këtë e dimë nga Gjoni 6:44. Kur Jezusi e zgjodhi Judën e dinte se çfarë do të bënte ai.

2. Ja ku është teksti që bën lidhjen mes parashikimit të Perëndisë dhe planifikimit apo përmbushjes së Perëndisë: Isaia 46:9-10, “Unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua” – kjo është paranjohja – “që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen [apo qëllimin tim]”.

Tani na hapet një dritare për mënyrën sesi e dimë që Perëndia e njeh të ardhmen. Ai e njeh atë për shkak se e planifikon dhe e realizon. Ai e njeh për shkak se e planifikon dhe e përmbush. Në mënyrë të ngjashme tek Jeremia 1:12 Zoti thotë, “unë vigjëloj mbi fjalën time që të ketë efekt.” Perëndia jo vetëm parashikon; Ai realizon atë që parashikon. Apo Ezekieli 12:25, “Sepse unë, Zoti, do të flas, dhe fjala që do shqiptoj do të kryhet pa asnjë mëdyshje… unë do të shqiptoj një fjalë dhe do ta realizoj, thotë Zoti, Zoti.”

Me fjalë të tjera, Perëndia e njeh të ardhmen për shkak se Ai e përmbush të ardhmen. Ai nuk suprizohet kurrë, për shkak se nuk suprizohet nga vepra e Tij. Paranjohja nuk është një vetëdije e asaj që do të ndodhë për shkak të fatit. Paranjohja nuk është një vetëdije rreth asaj që do të sjellë shansi i rastësishëm. Paranjohja nuk është një vetëdije e asaj që do të prodhojë autonomia përfundimtare njerëzore. Nuk ka fat. Nuk ka shans rastësor. Nuk ka autonomi përfundimtare njerëzore.

Ajo të cilën Perëndia e njeh është ajo që Perëndia do të bëjë. E ardhmja nuk është një lloj realiteti i pavarur nga vullneti i Perëndisë të cilin Ai përpiqet ta kuptojë dhe përshtatë. Ai e njeh të ardhmen për shkak se Ai planifikon të ardhmen dhe Ai nuk surprizohet kurrë nga ajo që Ai planifikon.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*