Afroju Shpëtimtarit

3 Dhjetor

Afroju Shpëtimtarit

prej John Piper

Dhe Perëndia e paqes, që e ngriti nga të vdekurit, me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar, Bariun e madh të dhënve, Perëndinë tonë Jezu Krisht, ju bëftë të përsosur për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij, duke punuar te ju atë që është e pëlqyer përpara tij, me anë të Jezu Krishtit, të cilit i qoftë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

Hebrenjve 13:20–21

Një nga gjërat e pëlqyeshme në sytë e Perëndisë është që populli i Tij të vazhdojë t’i afrohet Atij përgjithmonë. Prandaj Ai është duke e bërë këtë gjë brenda nesh.

Hebrenjve 13:21 thotë që Ai është duke e bërë këtë gjë “me anë të Jezu Krishtit,” gjë e cila më të paktën do të thotë që Jezusi e ka blerë këtë hir për ne përmes vdekjes së tij dhe që ai i lutet dhe ia kërkon Atit këtë gjë në bazë të vdekjes së tij.

Me fjalë të tjera, kur shkrimtari i Hebrenjve na thotë që të afruarit tek Perëndia është është ajo që na kualifikon për veprën e përjetshme shpëtuese të Kryepriftit tonë, ai nuk do të thotë që Kryeprifti ynë na braktis në prirjen tonë mëkatare dhe në rezistencën tonë të natyrshme, sikur të kishim mundësi t’i afroheshim vetë Perëndisë. Përkundrazi, Kryeprifti ynë ndërhyn për ne dhe i kërkon Atit që të bëjë ekzaktësisht atë që Hebrenjve 13:21 thotë se do të bëjë – ai do të punojë në ne atë që është e pëlqyeshme përpara tij – “me anë të Jezu Krishtit.”

Më lejoni t’jua ilustroj këtë gjë ashtu si dukej kur Kryeprifti ynë ishte mbi tokë. Tek Luka 22:31-32 Jezusi i thotë Pjetrit, “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri. Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu.” Prandaj Jezusi tashmë ishte duke ndërmjetësuar për të vetët qysh kur ishte ende mbi tokë. Ai po lutej që besimi i Pjetrit – besimi i tij – besimi ynë – të mos mpaket.

Për më tepër, ai ishte aq i sigurt në lutjen e tij për Pjetrin saqë i tha, “kur të jesh kthyer,” dhe jo “nëse kthehesh.” Edhe pse Pjetri u rrëzua dhe e mohoi Krishtin, besimi i tij nuk dështoi plotësisht. Zoti ynë bën të njëjtën lutje edhe për ne. Kjo është një copëz tjetër e sigurisë dhe shpresës tonë të madhe në këtë letër sigurie.

A nuk është gjë e mrekullueshme që këtë stinë Adventi të dimë se Perëndia na thërret të vijmë tek Ai? A nuk është e mrekullueshme të dimë që ky Perëndi i madh i drejtësisë dhe zemërimit thotë, “M’u afro përmes Birit tim, dhe Kryepriftit tënd. M’u afro Mua. M’u afro Mua”?

Kjo është ftesa e tij në këto lexime ditore për Adventin: “M’u afro Mua përmes Kryepriftit tënd. M’u afro mua në rrëfim, lutje, meditim, besim dhe lavdërim. Eja. Unë nuk do të të përzë.” Kjo për shkak se Krishti “mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.” (Hebrenjve 7:25).

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*