Baba Patoku

Jan Hus
1369–1415

nga Greg Morse

Më 17 Dhjetor 1999, ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur ndonjëherë, papa shpalli ekuivalenten ceremoniale të një apologjie moderne: “Bëmë faj”.

Gjon Pali II iu drejtua një turme në Republikën Çeke, duke shprehur “keqardhje të thellë për vdekjen mizore” që iu shkaktua heroit të tyre. Mirëpo, “keqardhja e thellë” ishin gjëja më e pakët që Kisha Katolike mund të bënte në këtë rast.

Vulosur me Gjak

I mashtruar për të shkuar në Koncilin e Konstancës nën yshtjen e premtimit të sigurisë personale, Jan Husi sapo vuri këmbë atje u fut në burg për gjashtë muaj, iu bë një gjyq qesharak dhe u urdhërua të hidhte poshtë mësimet e tij – gjë të cilën ai nuk pranoi ta bënte. Në korrik të vitit 1415, e zhveshën lakuriq, i vendosën në kokë n jë kësulë në të cilën ishin pikturuar djaj dhe ku shkruhej “Kryeheretiku” – dhe e gjithë kjo ndodhi ndërsa ai ishte duke u lutur për armiqtë e tij.

Pastaj e çuan tek një kapicë prej të tijve libra, të cilëve u kishin vënë zjarrin dhe e lidhën pas turrës së druve. Si përgjigje ndaj faktit që e lidhën me zinxhirë sikur të ishte një qen, ai tha: “Zoti im Jezu Krisht për mua u lidh me një zinxhir edhe më të fortë se ky, ndaj pse të turpërohem prej këtij zinxhiri të ndryshkur?” I kërkuan edhe një herë që të mohonte mësimet e tij, por ai refuzoi duke shpallur: “Atë që e dhashë mësim me buzët e mia tani do ta vulos me gjakun tim”. Pikërisht këtë edhe bëri.

Teksa flakët merrnin hov ai vazhdonte të këndonte. Sekretari i koncilit shpalli: “O Judë i mallkuar, për shkak se ke braktisur shtigjet e paqes dhe je këshilluar me Judenjtë ne po të heqim kupën e shpengimit.” Fatmirësisht, Kisha Katolike atë ditë nuk e kishte autoritetin për tëhequr tej kupën e shpengimit.

Pas vdekjes së tij, i gjithë populli i Bohemisë u ngrit në këmbë kundër kësaj padrejtësie. Në të tijin emër, plasi një kryengritje kundër Romës e cila zgjati për më tepër se një dekadë. Jan Husi ishte predikues, figurë politike, proto-Reformator dhe martir i kategorisësë parë.

Kampioni i Uiklifit

Rreth vitit 1369, në vendin e patave lindi një patok. Jan Husi (që në gjuhën Çeke ka kuptimin patë) lindi në Husinek (në gjuhën Çeke vendi i patave) në Mbretërinë e Bohemisë. Lindur në një familje të varfër, patoku braktisi tufën për t’u bërë prift në kërkim të një jete më të mirë dhe pozite më të lartë. Ai u bë predikues i famshëm në Kapelën e Betlehemit, por pjesën më të madhe të kohës së vet e kaloi duke shërbyer në fushën akademike si dekani i fakultetit të filozofisë të Pragës. Duke jetuar në një kohë trazirash sociale mes qytetarëve gjermanisht-folës dhe atyre që flisnin çekisht, Husi u bë një figurë kyçe për nacionalizmin çek.

Husi jetoi në një periudhë kur imoraliteti kishte prekur thellë klerin e Kishës Katolike. Shumë shpejt filloi të predikonte “predikime të dhunshme” kundër paudhësisë flagrante të klerit derisa e spiunuan tek kryepeshkopi dhe e ndaluan të predikonte. Teksa lexonte Shkrimin dhe shihte papët e kohës së tij që abuzonin me pushtetin e tyre, Husi arriti në konkluzionin që autoriteti i papës nuk ishte autoriteti përfundimtar. Ai kishte nevojë për një themel më të qëndrueshëm sesa themeli i ndërtuar nga kashta dhe shkarpat e opinioneve të njerëzve – pavarësisht se sa të famshëm që mund të ishin këta. Ai e ndërtoi jetën dhe shërbesën e tij mbi themelin e fjalës së Perëndisë.

Pikëpamja e tij rreth autoritetit përfundimtar të Shkrimit u përflak ndërsa nisi të lexonte veprat e mallkuara të Gjon Uiklifit. Uiklifi gjeti një dishepull besnik tek Husi. Husi i mbrojti veprat e tij me aq guxim saqë një historian e quajti Husin “Kampioni i Uiklifit” (The Unquenchable Flame [Flaka e Pashueshme], fq. 30). Ai ofroi argumente të forta kundër indulgjencave, kërkoi që si buka ashtu dhe vera të shërbeheshin gjatë Darkës së Zotit, si dhe predikoi në gjuhën e popullit (për dallim nga Latinishtja e papërkthyer të kohës).

Edhe pse ende binte dakord me Kishën Katolike sa i përket çështjeve të tilla si për shembull mesha, besnikëria e tij ndaj mësimeve të Uiklifit solli shkishërimin e tij, gjyqin për herezi dhe djegien në turrën e druve.

Patat nuk reshtën gagaritjet

Pasi Husi më në fund u dënua me vdekje, ai shpalli: “Ju mund ta piqni patën, por pas njëqind vitesh do të ngrihet një mjellmë, këngën e të cilës nuk do jeni në gjendje ta ndaloni”. Saktësisht 102 vjet më vonë, një murg mendjekthjellët gozhdoi nëntëdhjetë e pesë teza në derën e kishës së Vitenbergut.

Edhe ai duke parë mospërputhjet mes doktrinës së Kishës së Romës dhe Shkrimit, u përpoq ta reformonte kishën katolike. Edhe ai doli ta sfidonte papën. Edhe ai u dënua si heretik. Gjatë Debatit në Lajpcig, Luteri u tall me përbuzje si “Husit”. Ai e mohoi sakaq këtë emërtim, por kaloi kohë duke lexuar veprat e tij gjatë një pushimi, u kthye dhe i lavdëroi mësimet e të dënuarit Hus. Luteri ishte mjellma e Husit dhe më vonë do ta pranonte hapur këtë krahasim. Edhe në ditët e sotme e shohim shpesh të pikturuar rrethuar me mjellma.

Patoku, një pararendës i rëndësishëm i Reformatorëve, qëndroi i palëkundur dhe u martirizua. Mjellma erdhi pas Patokut dhe Roma nuk ka mundur ende ta pushojë këngën e saj.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*