Çfarë do të thotë të ‘Qëndrosh në Krishtin’?

nga Pastor John Piper

Pyetja e sotme vjen prej Kejsit nga Oregoni. “I dashur Pastor John, unë kam qenë e krishterë, studente e Biblës dhe mësuese e saj për shumë vite. Por nganjëherë ndihem shumë e ngatërruar dhe po të tregohem e sinqertë edhe paksa e trazuar nga mësimmi i Gjonit rreth ‘qëndrimit’. Në mënyrë të veçantë po mendoj për fillimin e Gjoni 15 dhe shumë nga materiali që gjendet tek 1 Gjoni. Kjo më shkakton shumë pyetje. Për shembull: Si lidhet kjo me doktrinën e këmbënguljes? A do të thotë kjo që në një farë kuptimi, është në dorën TIME që të qëndroj në familjen e Perëndisë? A mund të më japësh një përmbledhje të shkurtër rreth teologjisë së Gjonit rreth qëndrimit në Krishtin?”

Kjo është gjë e madhe. Domethënë, sfida për të dhënë një teologji të qëndrimit në Krishtin brenda dhjetë minutave. Le të shohim se çfarë mund të bëjmë. Do të përmbledh Gjonin 15. Le të shkojmë atje dhe të trajtojmë gjashtë pika.

“Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt. Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova. Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua.” (Gjoni 15:1-4)

Hiri i ardhshëm
Së pari, mendoj që kuptimi thelbësor për qëndrimin tonë aktiv është akti i pranimit dhe të besuarit të gjithë sa Perëndia ka për ne në Krishtin. Nëse një degë qëndron e lidhur me hardhinë në një mënyrë të tillë sa të marrë gjithë sa hardhia ka për t’i dhënë, atëherë kjo është një tablo e asaj se çfarë do të thotë Gjoni kur flet t’i besuar apo zënë besë Jezusit. Tek Gjoni 1:12 ai thotë, “por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij.”

Të besuarit është pranimi i Krishtit në shpirt, mikpritja e Tij, të zënit besë Atij, sikur të pinim, hanim apo ta shijonim Atë. Këtë thotë Ai tek Gjoni 6:35, “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.”

Të besuarit është të kapurit pas – ardhja tek – Jezusit, dhe pranim nga Jezusi. Është të besuarit në Jezusin, të qëndruarit në bashkësi me Jezusin, të lidhurit me Jezusin në mënyrë që gjithë sa Perëndia ka për ne në Të rrjedh si një limfë jetë-dhënëse në jetën tonë. Kjo është e para: të qëndruarit është besim, të zënët besë, shijim, prehje dhe pranim.

Çmuarja e fjalëve të Tij
Së dyti, Jezusi tregohet tepër specifik për atë që rrjedh mes hardhisë dhe shermendit. Ai përmend fjalët – fjalët e Tij – dashurinë e Tij dhe gëzimin e Tij. Gjoni 15:7 thotë, “Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Tek Gjoni 15:9 thuhet, “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.” Gjithashtu, Gjoni 15:11 thotë, “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.”

Të qëndrosh në hardhinë do të thotë të marrësh, të besosh dhe t’u zësh besë fjalëve të Jezusit. Do të thotë të marrësh dashurinë e Jezusit për Atin dhe për njerëzit e Tij, të marrësh gëzimin që Jezusi ka në Atin dhe në ne. Do të thotë të marrim pjesë në gëzimin, dashurinë dhe fjalët e Jezusit. Kjo është shumë e ngjashme me atë që Pali thotë tek Galatasve 3 dhe 5 kur thotë që fryti i Frymës është dashuria dhe gëzimi ndërsa ne dëgjojmë dhe u besojmë premtimeve të Krishtit (Galatasve 3:2, 5:22-23).

Vlerë e përjetshme
Së treti, asnjë gjë me vlerë frymërore dhe të përjetshme nuk është e mundur veçmas këtij qëndrimi në hardhinë. Jezusit thotë, “kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.” (Gjoni 15:5).

Me fjalë të tjera, këtu nuk po trajtojmë diçka të parëndësishme apo fakultative. Nëse nuk jemi të bashkuar me hardhinë në mënyrë që jeta e Krishtit të rrjedhë në ne, atëherë fjalët e Tij, dashuria e Tij, gëzimi i Tij do të jenë krejtësisht shterpë dhe të pafrytshme. Nga ne nuk do të dalë asnjë gjë me vlerë të përjetshme.

Fryti ynë na konfirmon
Së katërti, qëndrimi vërteton nëse lidhja me hardhinë është një lidhje jetësore apo thjesht një lidhje artificiale dhe e jashtme. Ja se çfarë thotë Gjoni 15:8, “Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.” Të qëndruarit në mënyrë të frytshme me jetë, dashuri, gëzim që rrjedhin në ne përmes lidhjes që ekziston mes nesh dhe hardhisë vërteton që ne jemi dishepuj (Gjoni 15:7-8). Domethënë, të qëndruarit dhe prodhimi i frytit na konfirmojnë.

Edhe ana negative është e vërtetë gjithashtu. Gjoni 15:6 thotë, “Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen.” Më herët (tek Gjoni 15:1-2), Jezusi thotë që nëse dikush nuk jep frut Ati e heq.

A mund ta humbasim shpëtimin tonë?
Kjo është ajo që e provokon pyetjen e Kejsit rreth këmbënguljes apo sigurisë së përjetshme. A mund të lindim prej Perëndisë – a mund të jemi me të vërtetë të bashkuar me Krishtin në një mënyrë jetësore, të jemi të krishterë të vërtetë – dhe ta humbasim shpëtimin tonë? Tani, në kuptimin që Gjoni ka për të qëndruarit, përgjigja është jo. Jo nuk mund të humbasim. E them këtë për dy arsye.

Së pari, tek Gjoni 10:28-29 duke cituar Jezusin, Gjoni thotë, “unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim.” Ai po bën gjithçka është e mundur për të thënë që, “Kur unë zgjedh dikë për veten time dhe kur ata e dëgjojnë zërin tim dhe i marr si delet e mia dhe fëmijët e mi, kjo gjë nuk ndryshon kurrë.”

Ja arsyeja e dytë pse mendoj që Gjoni po thotë këtë, dhe është përgjigja rreth asaj që po ndodh me degët që po hiqen. Mendoj që 1 Gjoni 2:19 është përshkrim në kishë për atë se çfarë do të thotë që degë të caktuara janë këputur. Atje thuhet, “Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar” – ja tek flet Gjoni për qëndrimin – “me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët.”

Mendoj se Gjoni na siguron një kategori për të kuptuar një lidhje sipërfaqësore dhe të jashtme me Jezusin e cila nuk është lidhje shpëtuese. Kjo mund të rezultojë në një jetë bosh dhe të pafrytshme ku nuk rrjedh limfa e hardhisë, dhe këto degë këputen – domethënë, largohen nga kisha – por ata nuk ishin kurrë nga tanët.

Krasitja
Së pesti, degët kanë kujdesin e brendshëm përmes jetës së Krishtit që rrjedh në ne dhe atë të jashtëm përmes Vreshtarit që na krasit. Kjo është e mahnitshme. Këtë nuk e dallova deri para disa vitesh kur predikova nga ky tekst në një konferencë. Jezusi thotë tek Gjoni 15:1-2, “Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.”

Tani, krasitje do të thotë prerje. Për degët po tregohet kujdes (për t’i bërë ato maksimalisht të frytshme) si nga brenda përmes jetës që rrjedh në ne nga hardhia ashtu dhe nga jashtë përmes vreshtarit i cili me gërshërët dhe sharrën e tij të dhimbshme na pret dhe na lëndon, në mënyrë që përmes këtyre provanive të dhimbshme në jetë të mund të përjetojmë ndikimin më të plotë të mundshëm të jetës së brendshme të Krishtit.

Ne po përjetojmë kujdes të brendshëm përmes jetës së Krishtit që rrjedh në ne me anë të Frymës dhe nga jashtë përmes provanive të një Ati të dashur i cili e di sesi t’i disiplinojë fëmijët e Tij për t’i bërë ata shumë, shumë të shenjtë.

Lavdia e Perëndisë
Përfundimisht, synimi i të qëndruarit në Krishtin është lavdia e Perëndisë. Gjoni 15:8 thotë, “Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.” Vetë fakti që nuk jemi krijuar të jemi hardhia, por që të jemi shermende të shartuar dhe krejtësisht të varur prej hardhisë është që t’i japim lavdi Perëndisë.

I gjithë qëllimi i të qenit i varur tek vreshtari për të qeverisur formën e jashtme të strukturës së hardhisë dhe të strukturës së shermendit është që Perëndia të mund të marrë lavdinë për krijimin e saj. Ideja bazë është që orë pas ore, le të marrim dhe të prehemi, të besojmë, të shijojmë dhe të kënaqemi me fjalët, dashurinë dhe gëzimin e Krishtit ndërsa nga jashtë u nënshtrohemi nga jashtë provanive të mëshirshme të Perëndisë.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*