Si mund të jetë Perëndia sovran dhe i mirë dhe ta lejojë vuajtjen?
nga Pastor John Piper
Si mund të jetë Perëndia i mirë dhe sovran mbi të gjitha gjërat dhe gjithashtu të lejojë vuajtje intensive personale në jetët tona? Kjo është një pyetje e rëndësishme dhe qendrore për ne në shërbesën Desiring God. Kjo është një pyetje që na ka ardhur nga një djalë i ri.
“Përshëndetje, Pastor John! E dashura ime studion të bëhet terapiste për frymëmarrjen, dhe që nga fillimi i trajnimit të saj ka ndërvepruar me shumë pacientë të cilëve nuk iu funksionon truri dhe nuk kanë kontroll mbi trupat e tyre. Ajo ka pyetje serioze për faktin se ku është Perëndia në gjithë këtë vuajtje personale. Nëse Perëndia është sovran, si mund të jetë Ai i mirë duke lejuar që njerëz të caktuar të vuajnë në këtë mënyrë? Cilit qëllimi i shërbejnë ata duke qenë në këtë gjëndje? Kam folur me të dashurën time për këto gjëra, dhe jam përpjekur t’u përgjigjem pyetjeve të saj (dhe do të vazhdoj ta bëj). Dëshiroj që ajo të shohë karakterin e Zotit. Por gjithashtu doja që t’iu pyesja ju për udhëzim në përgjigjen e këtyre pyetjeve. Cilat janë vargjet e Shkrimit që duhet t’i tregoj? Cila është përqasja më e mirë për ta bërë këtë gjë?”
Arsye mikro dhe makro
Mua më është dukur e dobishme të bëj dallimin mes atyre që unë i quaj mikro arsye për fakin pse njerëzit vuajnë dhe makro arsyeve për faktin pse ka vuajtje në botë. Kur bie fjala për mikro arsyet, zakonisht nuk kemi përgjigje. Pse kjo lloj vuajtjeje? Pse tek ky person i caktuar? Pse në këtë kohë të caktuar? Pse me këtë intensitet të caktuar? Pse me këto komplikime të caktuara? Pse në gjithë këto marrëdhënie të caktuara? Pse me këtë kohëzgjatje të caktuar? Kur flasim për ato mikro arsye, zakonisht nuk e dimë saktësisht pse.
Bibla nuk e trajton situatën e veçantë të çdo personi. Ky është momenti kur shumë njerëz ndalojnë dhe thonë, “Oh, nuk e dimë pse. Vuajtja është mister total,” në vend që të thonë, “Jo, jo. Duhet të vazhdoj ta lexoj Biblën.”
Kur bie fjala për makro arsyet për faktin pse ka vuajtje në botë, Bibla është plot me të dhëna të dobishme. Ajo është dhënë me qëllim të qartë që të jetë e dobishme për ne në nivelin makro.
Nuk kam kohë që t’i trajtoj të gjitha. Nëse njerëzit duan të shohin se çfarë dua të them me këtë dhe se cilat janë ato arsye, mund të vizitoni faqen e Desiring God dhe të bëni një kërkim për, “Five Purposes for Suffering.” Do të gjeni një përmbledhje të shkurtër se çfarë dua të them unë me makro arsye.
Vuajtja për të tjerët
Prandaj ajo që mendoj të bëj këtu është thjesht të jap një perspektivë për të cilën shoku ynë dhe e dashura e tij mund të mos kenë menduar shumë. Kjo ndoshta mund të ide e re në trajtimin e njerëzve që nuk iu funksionon truri apo që janë krejtësisht të paaftë për ta ndihmuar veten e tyre.
Ne zakonisht kërkojmë qëllimet e vuajtjes në efektin që ajo ka tek vuajtësi. Për shembull, Pali thotë, “Lidhur me këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë. Por ai më tha: ‘Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi’.” (2 Korintasve 12:8-9).
Pali del në konkluzionin , “Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë.” (2 Korintasve 12:9) Pali si vuajtës e ktheu dhimbjen e tij në një përjetim që lartëson Krishtin duke treguar gjithë mjaftueshmërinë e Krishtit në dobësitë e tij.
Kjo është arsyeja pse zakonisht mendoj rreth përpjekjes për të kuptuar pse unë apo dikush tjetër mund të jetë duke vuajtur. Por ajo që zakonisht nuk e shohim është qëllimi i Perëndisë për dobësitë tona në jetët e të tjerëve. Me fjalë të tjera, a është e mundur që dobësitë apo vuajtja jonë të jetë caktuar nga Perëndia që të shkaktojë tek të tjerët diçka të cilën ata nuk do ishin në gjendje ta përjetonin ndryshe në lidhje me Krishtin?
Ne nuk e konsiderojmë shpesh faktin që ekziston një spektër i tërë vuajtjesh, nga bezdisjet e vogla të personalitetit, të cilat mund të kërkojnë durim nga bashkëshorti, bashkëshortja apo miqtë, deri tek të jetuarit me një tru jofunksional apo të qenit krejtësisht i varur nga mirësia e të tjerëve.
Dobësia nxjerr në pah hirin
Le të mendojmë për këtë gjë për një moment. Kjo është shumë e dobishme që ta bëj. Ndërsa po mendoja për këtë pyetje dallova gjëra të cilat nuk i kisha dalluar më parë.
Tek 1 Thesalonikasve 5:14 Pali thotë, “Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t’i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë”. Tani mendoni për këtë: në sovranitetin e Tij Perëndia mund të bëjë që shenjtorët e plogësht të tregohen të do zellshëm. Ai mund të bëjë që shenjtorët zemërlëshuar të tregohen zemërluanë. Ai mund të bëjë që shenjtorët e dobët të jenë të fortë.
Por, në vend të kësaj ai u thotë udhëheqësve të kishës që këta njerëz janë një rast i mirë për durimin e tyre, të paktën në afat të shkurtër. Ai nuk vepron sikur ata do të largohen. Disa njerëz thjesht do jenë të tillë. Dobësia e tyre nxjerr në pah tek të tjerët provat e hirit të Perëndisë.
Ata janë këtu për ju
Tani konsideroni faktin që të qenit krejtësisht i paaftë për të ushqyer veten, apo për t’u kujdesur për veten, apo madje për të mos komunikuar dot gjenden në pikën ekstreme të spektrit të paaftësive të cilave kishës i është bërë thirrje të shërbejë. Shumë kisha po zgjohen jo vetëm ndaj përgjegjësisë së shërbimit ndaj atyre me aftësi të kufizuara, por edhe ndaj privilegjit të shërbimit ndaj tyre.
Një tekst kyç i cili mund të jetë i dobishëm në lidhje me ata që gjenden në pikën ekstreme të paaftësisë – si ata truri i të cilëve nuk funksionon – është 1 Korintasve 12:21-26:
Dhe syri nuk mund t’i thotë dorës: ”Unë nuk kam nevojë për ty”; dhe po ashtu koka nuk mund t’u thotë këmbëve: ”Unë nuk kam nevojë për ju”. Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat; dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim; dhe të pahijshmet tona kanë më tepër hijë. Por gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që e kishte mangut, që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën. Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.
Kjo është e mahnitshme kur e mendoni. Pali nuk thotë që dobësitë dhe mungesa e nderimit të këtyre njerëzve ekziston që t’u mësojë atyre ndonjë gjë – ashtu sikurse gjembi i tij në mish kishte për qëllim t’i mësonte atij diçka (që ta ruante të mos mbahej me të madh).
Ai thotë, “Këta njerëz të dobët dhe në dukje të panderuar, të cilët bota ka të ngjarë që do t’i përbuzë apo hedhë tej, janë këtu për ju. Ata ekzistojnë për ju. Ju jeni të fortë. Ata janë këtu që ju t’i nderoni, që ju t’u shërbeni, që ju të kujdeseni për ta dhe t’u tregoni hir.” Ky është një shërbim i cili nuk mund të shpaguhet dot kurrë në këtë botë. Vuajtja e tyre nuk ka të bëjë me shenjtërimin e tyre. Ajo vuajtje ka të bëjë me shenjtërimin tuaj.
Jezusi tha, “Por, kur të bësh një gosti, thirr lypësit, sakatët, të çalët, të verbërit; dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve” (Lluka 14:13-14).
Si do të ta shpërblejë një person të cilit truri nuk i funksionon? Me asgjë. Por ju do të shpërbleheni në ringjalljen e të drejtëve.
Jo shumë ishin të fuqishëm
Ja një mendim i jashtëzakonshëm për ata që duken të paaftë për të dhënë ndonjë kontribut. Për këtë gjë nuk kisha menduar kurrë më parë. Po jua ofroj që ta konsideroni edhe ju. Ja çfarë thotë 1 Korintasve 1:26-28:
“Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë.”
Po jua ofroj këtë gjë që ta mendoni seriozisht. A mendoni që edhe “gjërat që nuk janë” – të cilat Perëndia i zgjodhi për të turpëruar gjërat që janë, për t’i bërë të fortët të kuptojnë që edhe ata kanë një nevojë – a mendoni që njerëz kaq të ulët, kaq të përbuzur që edhe mund të mos ishin të pranishëm, mund të kenë një farë domethënieje në lidhje me ata që nuk iu funksionon truri?
Udhët e Perëndisë
Teksti ynë i fundit rreth të dobëtëve mbi të cilin duhet të reflektojmë – Veprat 20:35, “Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët…” Me fjalë të tjera puna jonë duhet të sigurojë atë që ata nuk mund ta sigurojnë dot. Ky është qëllimi. Pastaj ai vazhdon dhe thotë: “… dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: ‘Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!'”
Me fjalë të tjera, ekzistenca e të dobëtëve, për të cilët duhet të punojmë në mënyra që ata nuk munden, përshkruhet nga Pali si një rast që ne të bekohemi edhe më tepër sepse “ka më shumë lumturi të japësh” – është më tepër bekim të punosh për të dobëtit sesa thjesht të punojmë për veten tonë.
Udhët e Perëndisë nuk janë udhët tona. Ai ka qëllime me dobësitë tona, madje edhe me ato paaftësi të mëdha që na lënë në gjendje ku nuk kemi mundësi të bëjmë asnjë gjë për veten. Kjo nuk ka të bëjë me shenjtërimin e të dobëtëve në këtë botë. Ka të bëjë me shenjtërimin e të fortëve. Ky është gjithë qëllimi i këtyre teksteve. Në të vërtetë, Pali shkon aq larg sa të thotë që kjo ka të bëjë me gëzimin e tyre, jo thjesht me durimin e tyre, për shkak se është më tepër lumturi të japësh sesa të marrësh, edhe ndërsa e lëmë jetën tonë për më të dobëtit e të dobëtëve.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!