Çfarë dobie ka për ne ngjitja e Krishtit në qiell?

Pyetja 51

Çfarë dobie ka për ne ngjitja e Krishtit në qiell?

Krishti u ngjit fizikisht në qiell për ne, ashtu si erdhi fizikisht në tokë për llogarinë tonë, tani ai është avokati ynë në praninë e Atit të tij, po përgatit një vend për ne dhe gjithashtu na dërgon ne Frymën e tij.

Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.

Romakëve 8:34

Komentim

Oh çfarë dite kur Ai u ngjit
Prej syve tanë Ai u rrëmbye!
Dhënë t’jetoj mes vdekatarëve
Krishti sërish në qiell ngjitet!

Triumf madh’shtor atje e pret
“Ngrini kokat o porta të përjetshme
Kat më kat hapuni ju
Le të hyjë Mbreti i Lavdisë!”

I rrethuar nga t’pushtetshmit engjëj
I tyre dhe i yni Zot triumfues,
Fitimtar mbi vdekjen dhe mëkatin
Le të hyjë Mbreti i Lavdisë.

Ai që hyn në qiejt lart,
Ende tokën shumë e do;
Edhe pse mbi fron qëndron
Njerëzimin për vete e kërkon.

Ja tek i ngre duart lart!
Ja tek shoh shenjat e dashurisë!
Dëgjo si buzët e tij plot hir
Derdhin bekim mbi kishën e tij!

Për ne ende lutet ai
Këmbëngulës në ndërmjetësim;
Pran’ vetes vendin tonë gatit
Pararendësi i njerëzisë.

Zotëri gjithmonë do themi
Ti që kreu ynë sot je
Shihi shërbëtorët e tu
Që drejt Teje po vështrojnë.

Edhe pse me sy s’të shohim
Atje lart mbi qiellin blu
Bëj përherë që zemrat tona
Vazhdimisht drejt Teje të vijnë.

Bëj gjithmonë që lart të vijmë
Sipër krahëve të dashurisë;
Që ta presim ardhjen Tënde
me dëshirë edhe me zjarr.

Me Ty atje do të qëndrojmë
Bashkë me Ty të mbretërojmë
Fytyrën Tënde kur të shikojmë
Qiellin tonë do t’gjejm’ në Ty!

Xhon Uesli (John Wesley 1703–1791). Predikues dhe teolog Anglez. Ueslit dhe vëllait të tij i dedikohet themelimi i lëvizjes Metodiste Angleze. Në përgjithësi ai udhëtonte me kalë, predikonte dy apo tri herë në ditë dhe thuhet që ka dhënë më tepër se 40,000 predikime. Ai gjithashtu ishte një shkrimtar i njohur himnesh të krishtera.

Lutje

Ne të lavdërojmë dhe të përlëvdojmë Ty Perëndinë tonë të mëshirshëm dhe Shpëtimtarin tonë të hirshëm! Shpirti ynë tani ka gjetur një strehë nga zemërimi yt hakmarrës. Premtimi Yt është i sigurt; Satani, bota dhe vdekja janë mundur; Zoti ynë është ringjallur; ai është ringjallur dhe ne do të ringjallemi prej tij. O vdekje! Ku është gjëmba jote? O varr! Ku është fitorja jote? Shpëtimtari ynë është ngjitur tek Ati i tij dhe Ati ynë, tek Perëndia i tij dhe tek Perëndia ynë, kështu do të ngjitemi edhe ne! Shpirtin tonë mund ta dorëzojmë në duart e tij! Kreu ynë është përlëvduar, qëllimi dhe vullneti i tij është që ne të jemi me të atje ku është Ai që të shohim lavdinë e tij. Ai na ka vulosur me Frymën e Tij. Ne ishim të vdekur në mëkati dhe ai na dha jetë. Ne ishim në errësirën e padijes dhe mosbesimit dhe ai na ka ndriçuar. Ishim të pashenjtë dhe mishorë, të shitur mëkatit dhe ai e ka shenjtëruar vullnetin tonë. Ne lëvdojmë dhe përlëvdojmë Frymën e jetës bashkë me Atin dhe Birin prej të cilit ai është dërguar për të qenë jetë, dritë dhe dashuri për shpirtin tonë të vdekur, të errët dhe të pakënaqur. Ne u krijuam, u shpenguam dhe u shenjtëruam për dashurinë, lëvdimin dhe shërbimin tënd të shenjtë. Qofshin këto gjëra vetë natyra e shpirtit tonë, qëllimi dhe kënaqësia e jetës tonë! Përsosi cilësitë e Tua në ne, bëj që dashuria dhe lëvdimi ynë të jenë e dhe më të përsosura! Na afro më pranë Teje në besim dhe dashuri, në mënyrë që të jemi më të përshtatshëm për veprën qiellore të lëvdimit Tënd! Na përgatit të gjithë ne për atë botë paqeje ku harmonia e dashurisë dhe lëvdimit universal nuk do të të ndërpritet kurrë prej mëkateve, brengave, frikrave, apo shqetësimeve por do të jetë përjetësisht e përsosur për gëzimin tonë dhe për lavdinë Tënde. Amen.

Richard Baxter (1615–1691). Një prej puritanëve Anglezë. Baksteri shërbeu si kapelan në ushtrinë e Oliver Kromuellit dhe si pastor në Kiderminster. Kur Jakobi II u hoq nga pushteti, ai u persekutua dhe u burgos për 18 muaj. Ai vazhdoi të predikonte dhe në atë kohë shkroi: “Predikova sikur të isha i sigurt që nuk do predikoja më, predikova si një njeri që po vdiste para atyre që po vdisnin.” Përveç veprave të tij teologjike ai ishte edhe poet dhe shkrimtar himnesh të krishtera. Ai shkroi gjithashtu Katekizmën e Familjes së tij.

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.

You may also like...