Çfarë shprese na jep jeta e përjetshme?
Pyetja 52
Çfarë shprese na jep jeta e përjetshme?
Ajo na kujton që kjo botë e tashme e prishur nuk është gjithë sa ekziston; shumë shpejt do të jetojmë me Perëndinë dhe do të kënaqemi me Të në qytetin e ri, në qiellin e ri dhe tokën e re, ku do të jemi plotësisht dhe përjetë të çliruar nga çdo mëkat duke jetuar në trupa të ringjallur dhe të ripërtërirë në një krijim të ri dhe të ripërtërirë.
Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më. Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ”Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.”
Zbulesa 21:1–4
Komentim
Shkrimi fillon me krijimin origjinal të universit dhe përfundon në kapitujt e tij të fundit me krijimin e një universi të ri. Ndërmjet perspektiva mbizotërohet prej këtij Alfa dhe Omega, këtij Fillimi dhe Mbarimi. Shprehja e parë e kësaj gjëje e shprehur qartë është fjala e Perëndisë tek Isaia 65, “Sepse ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re.” (v.17). Pastaj vetë Jezusi foli për palinglesia që fjalë për fjalë do të thotë “lindja e re” por që në Versionin e Ri Ndërkombëtar përkthehet “ripërtëritja e të gjitha gjërave” (Mateu 19:28). Në pjesën tjetër të Dhiatës së Re tre autorët kryesorë apostolikë (Pali, Pjetri dhe Gjoni) që të gjithë aludojnë për të njëjtën temë. Pali shkruan që i gjithë krijimi një ditë do të çlirohet prej skllavërisë së dhimbjes dhe prishjes (Romakëve 8:18-25). Pjetri profetizon që qiejt e tanishëm do të zëvendësohen me një qiell dhe një tokë të re në të cilat do të banojë drejtësia dhe paqja (2 Pjetri 3:7-13). Pastaj Gjoni shkruan që ai e pa të njëjtin zëvendësim, bashkë me Jerusalemin e Ri që po zbriste nga qielli prej Perëndisë (Zbulesa 21:1-2). Në të njëjtin kapitull Gjoni shkruan që mbretërit e dheut dhe kombet do të sjellin lavdinë e tyre në qytet, edhe pse “në të nuk do të hyjë asgjë e papastër” (Zbulesa 21:27). Kemi nevojë të jemi të kujdesshëm në interpretimin tonë të këtyre vargjeve, por ato duket sikur kanë kuptimin që kultura njerëzore nuk do të shkatërrohet e gjitha por pasi të jetë pastruar prej çdo njolle ligësie do të ruhet për të zbukuruar Jerusalemin e Ri. Për ta përmbledhur, ashtu si në ringjalljen e trupit, edhe në ripërtëritjen e universit, e vjetra nuk do të shkatërrohet e gjitha por do të transformohet. Kjo është shpresa jonë e gjallë përmes ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekuri.
Gjon Stot (John Stott, 1921–2011). Predikues Anglikan Anglez që për shumë vite shërbeu si rektori i All Souls Church në Londër. Stot ishte një prej ideatorëve kryesorë të Konventës së Lozanës (1974). Mes librave të tij të panumërt përfshihen edhe Bazat e Krishterimit si dhe disa komentarë nga seria Bibla Flet Sot të cilët janë të disponueshëm edhe në gjuhën Shqip.
Lutje
Dhe tani, Atij që e bleu kishën me gjakun e vet, atij që ecën në mes të shtatë shandanëve të artë dhe që ushtron një kujdes të butë për më të dobëtit dhe më të vegjlit e kopesë së tij, Atij dëshiroj t’ia kushtoj forcën, jetën dhe gjithë sa kam; që të përdoren ashtu si do ai dhe për aq kohë sa do ta caktojë dhe do të më drejtojë urtësia e tij e pagabueshme. O Zot, bëj që të gjej mëshirë për të dalë besnik. Dëshiroj që të gjendem në Të kur të bëhen llogaritë e fundit prandaj me përulësi shkoj përpara në emrin e tij. O Perëndia im, Shpengusi im i admirushëm, Thesari im i pafund dhe i përjetshëm! Qoftë shumë i çmuar shpirti im në sytë e Tu! Bëj që pasi të kemi treguar shumë zell, dashuri reciproke, pasi të kemi shijuar shumë ngushëllime frymërore në këto oborret e tua të ulëta më në fund të mbërrijmë në ato vise të shkëlqyera ku dashuria është e përsosur, gëzimi i përhershëm; ku himnet e mahnitjes së shenjtë dhe këngët e lëvdimit më të devotshëm do të jenë vepra jonë e pandërprerë dhe e përjetshme. Amen dhe Amen.
Abraham Buth (Abraham Booth, 1734–1806). Pastor Baptist Anglez. Ai shërbeu si pastor i Prescot Street Church in Whitechapel, Londër për 35 vjet si dhe themeloi atë që sot njihet si Regents Park College për trajnimin e pastorëve në Oksford. Abraham Buth njihet më tepër për veprën e tij Mbretërimi i Hirit (The Reign of Grace.)
New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.