Çfarë lloj Shpengimtari na nevojitet për të na kthyer tek Perëndia?
Pyetja 21
Çfarë lloj Shpengimtari na nevojitet për të na kthyer tek Perëndia?
Dikush që është vërtet njeri dhe vërtet Perëndi.
Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.
Isaia 9:6
Komentim
Krishti, Biri i vetëmlindur i Perëndisë, Dielli i vërtetë i Drejtësisë, shkëlqeu mbi tokë pa braktisur qiellin, qëndronte atje përjetësisht por erdhi këtu poshtë për një farë kohe; atje caktoi ditën e përjetshme, këtu duroi ditën e njerëzimit; atje jeton përjetësisht pa ndryshim kohe, këtu vdiq në kohë; atje vazhdon jetën pa fund, këtu e liroi jetën tonë nga shkatërrimi i vdekjes. Atje Perëndia është me Perëndinë; këtu Ai është Perëndi dhe Njeri. Atje është Dritë nga Drita; këtu është Drita që ndriçon çdo njeri.
Zoti mori trajtë shërbëtori në mënyrë që njerëzit të mund të kthehen tek Perëndia. Fjala e Atit, përmes të cilit u krijua gjithë koha, Ai u bë mish dhe lindi në kohë për ne. Ai, pa lejen hyjnore të të cilit nuk kalon asnjë ditë, dëshiroi të kishte një ditë për lindjen e Tij njerëzore. Ai ekzistonte në gjirin e të Et’ para gjithë epokave, Ai lindi prej një nëne tokësore. Krijuesi i njeriut u bë njeri që Ai, Buka, të kishte uri; që Ai, Burimi, të kishte etje, që Ai, Drita, të mund të flinte, që Ai, Udha, të lodhej prej udhëtimit; që Ai, e Vërteta, të akuzohej prej dëshmitarëve të rremë; që Ai, Gjykatësi i të gjallëve dhe të vdekurve, të nxirrej në gjyq nga një gjykatës i vdekshëm; që Ai, Drejtësia, të mund të dënohej prej të padrejtëve; që Ai, Disiplina, të mund të fshikullohej me kamxhik; që Ai, Themeli, të mund të varej mbi një kryq; që Guximi të mund të dobësohej; që Siguria të mund të lëndohej; që Jeta të vdiste.
Për të duruar për ne, krijesat e padenja, gjithë këto fyerje dhe të tjera të ngjashme me to, Ai që ekzistonte si Biri i Perëndisë para gjithë epokave, pa pasur një fillim, denjoi të bëhej Biri i Njeriut. Ai e bëri këtë gjë edhe pse Ai i cili iu nënshtrua ligësive kaq të mëdha për hirin tonë nuk kishte bërë asnjë ligësi, dhe ne që morëm një mirësi kaq të madhe prej duarve të Tij nuk kishim bërë asgjë për t’i merituar këto përfitime.
Augustini i Hipos (354-430). Augustini ishte peshkopi i Hipos, një koloni Romake në Afrikën e Veriut. Ai ishte filozof, teolog dhe konsiderohet shenjtor dhe Doktor i Kishës si nga Kisha Katolike ashtu dhe nga Bashkësia Anglikane. Ai shkroi një libër për kthimin e tij në besim të cilin e titulloi ‘Rrëfimet’. Kjo është vepra e tij më e njohur, por në të njëjtë kohë Augustini është një prej autorëve Latinë më të frytshëm për sa i përket veprave që i kanë mbijetuar kohës me qindra tituj të veçantë (vepra apologjetike, tekste për doktrinën e krishterë, dhe komentarë) dhe më shumë se 350 predikime të ruajtura deri më sot.
Lutje
Zot Jezus, Biri i përjetshëm i Perëndisë që u bëre njeri, Fjala e përjetshme e Perëndisë që u bëre mish, thyeji zemrat tona të ngurta rrëzë kryqit tënd, përuli zemrat tona krenarë rrëzë kryqit tënd. Bëj që të qëndrojmë atje në kohë dhe përjetësi, për hir të emrit Tënd. Amen.
Gjon Stot (John Stott, 1921–2011). Predikues Anglikan Anglez që për shumë vite shërbeu si rektori i All Souls Church në Londër. Stot ishte një prej ideatorëve kryesorë të Konventës së Lozanës (1974). Mes librave të tij të panumërt përfshihen edhe Bazat e Krishterimit si dhe disa komentarë nga seria Bibla Flet Sot të cilët janë të disponueshëm edhe në gjuhën Shqip.
New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.