Çfarë ndodh në lindjen e re? Pjesa 2
02 Dhjetor 2007 | prej Xhon Pajpër
Gjoni 3:1-10
1 Midis farisenjve ishte një njeri me emrin Nikodem, një krer i Judenjve. 2 Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: “Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të”. 3 Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë”. 4 Nikodemi i tha: “Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?”. 5 Jezusi u përgjigj: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. 6 Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë. 7 Mos u mrrekullo që të thashë: “Duhet të lindni përsëri”. 8 Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma”. 9 Nikodemi, duke u përgjigjur, i tha: “Si mund të ndodhin këto gjëra?”. 10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Ti je mësuesi i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra?
Sot do të plotësojmë mesazhin e javës së kaluar për atë që ndodh në lindjen e re. Jezusi i tha Nikodemit tek Gjoni 3:7, “Mos u mrekullo që të thashë: ‘Duhet të lindni përsëri’”. Dhe tek vargu 3, i tha Nikodemit dhe ne, që jeta jonë e përjetshme varet tek lindja sërish: “ Në të vërtetë, në të vërtetë po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.” Prandaj nuk po merremi me diçka anësore ose sipërfaqësore në jetën e Krishterë. Lindja e re nuk është si puna e makiazhit që angjensitë funerale u bëjnë kufomave në mënyrë që të duken më të gjallë. Lindja e re është krijimi i jetës frymërore dhe jo imitim i jetës.
Herën e kaluar filluam t’i përgjigjeshim pyetjes: Çfarë ndodh në lindjen e re?, me dy deklarata: 1) Ajo që ndodh në lindjen e re nuk është përqafimi i një feje të re por pranimi i një jete të re, dhe 2) Ajo që ndodh në lindjen e re nuk është thjesht afirmimi i së mbinatyrshmes në Jezusin por përjetimi i së mbinatyrshmes në veten tuaj.
Jetë e re përmes Frymës së Shenjtë
Nikodemi ishte Farise dhe ishte shumë fetar. Por ai nuk kishte jetë frymërore. Ai e dalloi punën e mbinatyrshme të Perëndisë në Jezusin, por nuk e përjetoi punën e mbinatyrshme të Perëndisë në veten e tij. Prandaj nëse i vëmë të dyja pikat e herës së shkuar së bashku, Jezusi tha, ajo që Nikodemi kishte nevojë, ishte një jetë e re frymërore e dhënë në mënyrë të mbinatyrshme prej Frymës së Shenjtë. Ajo që e bën jetën e re frymërore dhe të mbinatyrshme është që ajo është puna e Perëndisë Frymë. Është diçka sipër jetës natyrore të zemrës dhe trurit tonë fizik.
Në vargun 6 Jezusi thotë, “Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë.” Mishi ka një lloj jete. Çdo qënie njerëzore është mish i gjallë. Por jo çdo njeri është frymë e gjallë. Të jesh frymë e gjallë apo të kesh jetë frymërore, Jezusi thotë se, ne duhet të “lindim prej Frymës.” Mishi sjell një lloj jete. Fryma sjell një lloj tjetër jete. Nëse nuk e kemi këtë lloj të dytë jete, nuk do ta shohim mbretërinë e Perëndisë.
Përmes Frymës, në Jezusin
Ashtu si e mbyllëm herën e fundit, vumë re dy gjëra shumë të rëndësishme: marrëdhënia mes lindjes së re me Jezusin dhe me besimin. Jezusi tha, “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). Apostulli Gjon tha, “Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij. Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën.” (1 Gjoni 5:11-12). Prandaj nga njëra anë jeta e re që kemi nevojë është “në Birin” – Jezusi është jeta e re. Nëse e keni atë keni jetë të re frymërore dhe të përjetshme. Dhe nga ana tjetër, tek Gjoni 6:63, Jezusi thotë, “Është Fryma që jep jetë.” Dhe po të mos lindni prej Frymës, nuk mund të hyni në mbretërinë e Perëndisë (Gjoni 3:5).
Ne pra kemi jetë duke qenë të lidhur me Birin e Perëndisë që është jeta jonë, dhe këtë jetë e kemi përmes punës së Frymës. Prandaj edhe konkluduam, që puna e Frymës në ripërtëritje është të na japë jetë të re ne duke na bashkuar me Krishtin. Mënyra sesi Xhon Kalvin e thotë këtë është, “Fryma e Shenjtë është lidhja përmes të cilës Krishti na bashkon me veten e vet në mënyrë të efektshme” (Institutet, III, 1, 1).
Të bashkuar me Jezusin përmes besimit
Pastaj bëmë lidhjen me besimin në këtë mënyrë. Gjoni 20:31 thotë, “Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.” Dhe tek 1 Gjoni 5:4 thuhet, “Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën; dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë.” Të lindurit prej Perëndisë është çelësi i fitores. Besimi është çelësi i fitores. Për shkak se besimi është mënyra sesi përjetojmë lindjen prej Perëndisë. Prandaj e përmblodhëm të gjithë mesazhin e javës së kaluar kështu: Në lindjen e re, Fryma e Shenjtë në mënyrë të mbinatyrshme na jep jetë të re frymërore duke na lidhur me Jezu Krishtin përmes besimit.
Lindja e re: Krijim i ri, jo përmirësim i së vjetrës
Kjo na sjell tani tek mënyra e tretë për të përshkruar se çfarë ndodh në lindjen e re. Ajo që ndodh në lindjen e re nuk është përmirësimi i natyrës tuaj të vjetër njerëzore por krijimi i një natyre të re njerëzore – një natyrë që është vërtet ju, është falur dhe pastruar, dhe një natyrë që është vërtet e re, që po formohet në ju prej Frymës së Perëndisë që banon brenda jush.
Do t’ju kaloj përmes versionit të shkurtër të udhëtimit që mora unë për të arritur në këtë vëzhgim. Tek Gjoni 3:5, Jezusi i thotë Nikodemit, “ Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.” Çfarë do të thotë Jezusi me dy termat “nga uji dhe nga Fryma.” Disa denominacione besojnë që kjo është një referencë për pagëzimin me ujë si mënyra që Fryma na bashkon me Krishtin. Për shembull, një faqe interneti e shpjegon kështu:
Pagëzimi i shenjtë është baza e gjithë jetës së krishterë, porta drejt jetës në Frymë dhe ajo derë që të lejon të hysh në sakramentet e tjera. Përmes pagëzimit ne lirohemi prej mëkatit dhe rilindemi si bij të Perëndisë; bëhemi gjymtyrë të Krishtit, përfshihemi në kishë dhe bëhemi pjesëmarrës në misionin e saj: “Pagëzimi është sakramenti i ripërtëritjes përmes ujit në fjalë.”
Miliona njerëzve u është mësuar që pagëzimi i tyre bëri që të lindnin sërish. Nëse kjo nuk është e vërtetë, është një tragjedi e madhe dhe globale. Unë nuk besoj që është e vërtetë. Çfarë pra do të thotë Jezusi?
Pse “uji” nuk është referencë për pagëzimin tek Gjoni 3
Ja ku janë disa arsye pse mendoj që referenca ndaj ujit në këtë tekst nuk është rerefencë për pagëzimin e krishterë. Pastaj do të shohim ku na çon konteksti.
1) Në pjesën tjetër të kapitullit nuk përmendet pagëzimi
Së pari, nëse kjo do ishte një referencë për pagëzimin e krishterë gjë e cila do ishte kaq thelbësore për lindjen e re ashtu si thonë disa, duket e çuditshme që kjo nuk del fare në atë që Jezusi thotë në këtë kapitull për mënyrën sesi të kemi jetë të përjetëshme. Vargu 15, “që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” Vargu 16, “kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” Vargu 18, “Ai që beson në të nuk dënohet.” Do të dukej e çuditshme, nëse pagëzimi do të ishte aq thelbësor, të mos përmendej përkrah besimit.
2) Pagëzimi nuk përputhet me analogjinë e Erës
Së dyti, analogjia me erën në vargun 8 do të dukej e çuditshme nëse lindja sërish të ishte kaq ngushtë e lidhur me pagëzimin me ujë. Jezusi thotë, “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma.” Kjo duket se po thotë që Perëndia është aq i lirë sa dhe era në shkaktimin e rilindjes. Por nëse kjo do të ndodhte çdo herë që një bebe spërkatet me ujë, nuk do të dukej të ishte e vërtetë. Në atë rast era do ishte shumë e kufizuar prej sakramentit.
3) Pagëzimi nuk përputhet me qortimin e Nikodemit nga Jezusi
Së treti, nëse Jezusi po i referohet pagëzimit të krishterë, duket e çuditshme që ai t’i thoshte Nikodemit, Fariseut në vargun 10, “Ti je mësuesi i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra?” Kjo ka kuptim nëse Jezusi do t’i referohej diçkaje të mësuar në Dhjatën e Vjetër. Por nëse ai po i referohet një pagëzimi që do të vijë më vonë dhe do ta marrë kuptimin e vet nga jeta dhe vdekja e Jezusit, nuk duket sikur ai do ta kishte qortuar Nikodemin që një mësues në Izrael nuk po e kupton atë që ai po i thotë.
4) Uji dhe Fryma janë të lidhura në premtimet e Besëlidhjes së Re
Përfundimisht, e njëjta deklaratë që është në vargun 10 na kthen pas në Dhjatën e Vjetër për sfondin e vet, dhe ajo që zbulojmë është që uji dhe fryma janë të lidhura ngushtë në premtimet e Besëlidhjes së Re, në mënyrë të veçantë tek Ezekieli 36. Prandaj le të shkojmë atje së bashku. Ky tekst është baza për pjesën tjetër të këtij mesazhi.
Uji dhe Fryma tek Ezekieli 36
Ezekieli po profetizon atë që Perëndia do të bëjë për popullin e tij kur t’i kthejë nga mërgimi në Babiloni. Rrjedhojat janë shumë më të gjera se thjesht populli i Izraelit, për shkak se Jezusi pretendon ta sigurojë Besëlidhjen e Re përmes gjakut të tij për të gjithë ata që besojnë në të (Luka 22:20). Dhe ky është një version i premtimeve të Besëlidhjes së Re si ai tek Jeremia 31:31vazhdim. Le ta lexojmë së bashku. Ezekieli 36:24-28:
Do t’ju marr nga kombet, do t’ju grumbulloj nga tërë vendet dhe do t’ju çoj përsëri në vendin tuaj. Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t’ju pastroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj. Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi. Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia. Do të banoni në vendin që u dhashë etërve tuaj; ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj.
Mendoj që kjo është pjesa që u jep shkas fjalëve të Jezusit, “kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.” Kujt i thotë ai, “ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj” (v. 28)? Vargu 25, atyre që u thotë, “Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t’ju pastroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja.” Dhe vargu 26, atyre që u thotë, “Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri.” Me fjalë të tjera, ata që do të hyjnë në mbretëri janë ata që kanë një risi që përfshin një pastrim të së vjetrës dhe një krijim të së resë.
Prandaj konkludoj se “uji dhe Fryma” i referohen dy aspekteve të risisë sonë kur lindim sërish. Arsyeja pse të dyja janë të rëndësishme është kjo: Kur themi që na është dhënë një frymë e re apo një zemër e re, nuk duam të themi që pushojmë së qenuri ajo qënie njerëzore – vetja moralisht e përgjegjshme – që kemi qenë gjithmonë. Unë isha qënia njerëzore individuale Xhon Pajpër para se të lindja sërish, dhe jam ende qënia njerëzore individuale Xhon Pajpër pasi kam lindur sërish. Ka një vazhdimësi. Kjo është arsyeja përse duhet të ketë pastrim. Nëse ajo qënia e vjetër njerëzore Xhon Pajpër të shfarosej krejt, gjithë koncepti i faljes dhe pastrimit do të ishte pa vend. Nuk do kishte asnjë gjë nga e shkuara që të falej dhe pastrohej.
E dimë që Bibla na tregon se vetja jonë e vjetër u kryqëzua (Romakëve 6:6), dhe që kemi vdekur me Krishtin (Kolosianëve 3:3), që duhet ta “llogarisim veten të vdekur” (Romakëve 6:11), “të heqim tej njeriun e vjetër” (Efesianëve 4:22). Por asnjë prej këtyre nuk do të thotë që s’po flitet për të njëjtën qënie njerëzore gjithë jetën. Do të thotë që kishte një natyrë të vjetër, një karakter të vjetër, apo parim, ose prirje, të cilën duhet ta heqim qafe.
Prandaj mënyra për të menduar për zemrën tuaj të re, frymën tuaj të re, natyrën tuaj të re është që ajo është ende ju, prandaj ka nevojë të falet dhe pastrohet, kjo është ideja e referencës ndaj ujit. Faji im duhet të lahet tej. Pastrimi me ujë është një tabllo e kësaj. Jeremia 33:8 e thotë kështu, “Do t’i pastroj nga çdo paudhësi e tyre me të cilën kanë mëkatuar kundër meje dhe do t’ua fal të gjitha paudhësitë e tyre me të cilat kanë mëkatuar dhe me të cilat kanë ngritur krye kundër meje.” Prandaj personi që jemi – që vazhdon të ekzistojë – duhet të falet dhe faji të pastrohet.
Nevoja për të qenë të rinj
Por falja dhe pastrimi nuk mjaftojnë. Unë kam nevojë të jem i ri. Kam nevojë të transformohem. Kam nevojë për jetë. Kam nevojë për një mënyrë të re për të parë, menduar dhe vlerësuar. Kjo është arsyeja pse Ezekieli flet për një zemër të re dhe një frymë të re në vargjet 26-27, “Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi. Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia.”
Ja sesi i kuptoj unë këto vargje: Për të qenë të sigurt, zemra prej guri do të thotë zemra e vdekur që nuk ndjente dhe nuk reagonte ndaj realitetit frymëror, zemra që kishit para se të lindnit sërish mund të ndjente. Mund të reagonte me pasion dhe dëshirë ndaj shumë gjërave. Por ajo ishte gur karshi të vërtetës frymërore dhe bukurisë së Jezu Krishtit, ndaj lavdisë së Perëndisë dhe shtegut të shenjtërisë. Kjo duhet të ndryshojë nëse do të shohim mbretërinë e Perëndisë. Prandaj në lindjen e re, Perëndia heq zemrën prej guri dhe vendos një zemër prej mishi. Fjala mish nuk do të thotë “thjesht njerëzore” ashtu si tek Gjoni 3:6. Do të thotë e butë, e gjallë, reaguese dhe e ndjeshme në vend që të jetë një gur pa jetë. Në lindjen e re, mosinteresimi i ngurtë dhe i vdekur ndaj Krishtit zëvendësohet me një zemër që ndjen (ndjen nga ana frymërore) vlerën e Jezusit.
Pastaj kur Ezekieli thotë në vargjet 26-27, “do të shtie brenda jush një shpirt të ri… Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia.” Mendoj se ai do të thotë që në lindjen e re, Perëndia vendos një jetë të gjallë frymërore dhe të mbinatyrshme në zemrën tonë, dhe ajo jetë e re – ajo frymë e re – është puna e Frymës së Shenjtë që i jep formë dhe karakter zemrës sonë të re.
Tablloja që kam në mendje është që kjo zemër e re e ngrohtë, e gjallë, e prekshme dhe reaguese është si një grusht argjile e butë, dhe Fryma e Shenjtë e fut veten breda saj dhe i jep formë frymërore dhe morale sipas formës së tij. Duke qenë vetë brenda nesh, mendja dhe zemra jonë marrin karakterin e tij – frymën e tij (krahaso me Efesianëve 4:23).
Pranoje Atë si thesarin tënd
Prandaj tani le të tërhiqemi dhe të përmbledhim atë që kemi thënë dy javët e fundit. Çfarë ndodh në lindjen e re? Në lindjen e re, Fryma e Shenjtë në mënyrë të mbinatyrshme na jep jetë të re frymërore duke na lidhur me Jezu Krishtin përmes besimit. Ose për ta thënë në një mënyrë tjetër, Fryma na bashkon me Krishtin ku ka pastrim për mëkatet tona, dhe ai e zëvendëson zemrën tonë të ngurtë dhe joreaguese me një zemër të butë që e çmon Jezusin mbi gjithçka tjetër dhe po transformohet prej pranisë së Frymës në atë lloj zemre që kënaqet të zbatojë vullnetin e Perëndisë (Ezekielil 36:27).
Përderisa mënyra sesi e përjetoni të gjithën këtë është përmes besimit, po ju ftoj tani, në emër të Jezusit dhe përmes fuqisë së Frymës së tij, ta pranoni atë si Thesarin mëkat falës dhe transformues të jetës suaj.
Seria: Duhet të lindni sërish
Tema: Ripërtëritja/Lindja e Re
© Desiring God
Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.
By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org