Siguria e përjetshme është projekt komuniteti

8 Gusht 1996 | prej Xhon Pajpër

Hebrenjve 3:12-19

Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë, por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: “Sot”, që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit. Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit, kur thuhet: “SOT, NË QOFTË SE E DËGJONI ZËRIN E TIJ, MOS JINI ZEMËRGUR SI NË DITËN E KRYENGRITJES”. Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut? Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s’qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë? Dhe për cilët bëri be se nuk do të hynin në prehjen e tij, veç se për ata që qenë të pabindur? Ne shohim se ata nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit.

Dy “Nëse” të mëdha

Javën e kaluar u fokusuam në dy “nëse”-të e mëdha në vargjet 6 dhe 14. Le t’i kemi parasysh sërish dhe të fokusohemi tek mënyra si jeta jonë së bashku mund të na ndihmojë të plotësojmë këto “nëse” të mëdha. Vargu 6b “shtëpia [familja, populli] e vet [E Krishtit] jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës.” Vini re me kujdes, aty nuk thuhet që do të bëhemi shtëpia e Krishtit nëse mbahemi fort tek shpresa jonë. Thuhet, ne jemi shtëpia e tij nëse mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës. Me fjalë të tjera mbajtja fort e shpresës sonë është demonstrimi dhe prova që tani jemi shtëpia e tij.

Pastaj shihni vargun 14, “Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit”. Sërish, vini re me kujdes renditjen e fjalëve. Nuk thuhet, “Do të bëhemi pjestarë të Krishtit në të ardhmen nëse do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit.” Thuhet, “Sepse ne jemi bërë pjestarë [në të shkuarën] të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit.” Me fjalë të tjera, të mbajturit fort tek siguria jonë verifikon që na ka ndodhur diçka reale dhe e qëndrueshme, domethënë, u bëmë pjestarë të Krishtit. Vërtet lindëm sërish. U kthyem vërtet në besim. U bëmë vërtet pjesë e familjes së Krishtit.

Cili pra do të ishte konkluzioni nëse nuk mbahemi fort pas sigurisë tonë? Përgjigja nuk është që ju nuk jeni më pjestarë të Krishtit, por që nuk ishit bërë kurrë pjestar i Krishtit. Lexojeni me kujdes, “Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit.” Prandaj, “Nëse nuk e mbajmë fort rrëfimin tonë, atëherë nuk jemi bërë pjestarë të Krishtit.”

Letra e Hebrenjve mëson sigurinë e përjetshme

Në bazë të këtij teksti javën e kaluar thashë se ky libër mëson sigurinë e përjetshme. Kjo do të thotë, që mëson se nëse jeni bërë vërtet pjestarë të Krishtit, do të jeni gjithmonë të tillë. Ai do të punojë në ju për të këmbëngulur në besimin dhe shpresën tuaj. Një mënyrë tjetër për ta thënë këtë është që nëse jeni fëmijë i Perëndisë, nuk mund të pushoni të jeni të tillë. Por ne të gjithë e dimë që ka shumë njerëz që nisin jetën e Krishterë dhe pastaj largohen dhe harrojnë Zotin. Ky lloj personi është në mendjen e shkrimtarit. Ai e di që kjo ndodh prandaj e trajton në këtë tekst në mënyrë që ta pengojmë të ndodhë. Por kur ndodh, shpjegimi i tij nuk është që ky person në të vërtetë ishte pjestar i Krishtit, por që ai nuk u bë kurrë pjestar i Krishtit. Nëse mbahemi fort tek siguria jonë, jemi bërë pjestarë të Krishtit, nëse nuk e bëjmë, atëherë nuk jemi bërë pjestarë të Krishtit. Me fjalë të tjera këmbëngulja në shpresë dhe besim, të mbajturit fort tek siguria jonë në Perëndinë, nuk është një mënyrë për t’u ruajtur se mos humbisni pozitën tuaj në Krishtin, kjo është një mënyrë që tregon se keni një pozitë në Krishtin. Kjo pozitë nuk mund të humbet kurrë, për shkak se këtë e keni prej hirit falas të Perëndisë, dhe për shkak se Krishti ka premtuar me besëlidhje dhe betim (Hebrenjve 6:17-19) për t’i ruajtur ata që janë të tijët (Hebrenjve 13:5, 20-21). Me fjalë të tjera, siguria ime nuk është një vendim apo një lutje që më kujtohet se e kam bërë në të shkuarën, siguria ime është besnikëria dhe fuqia e Perëndisë që më mbajnë të shpresoj tek Ai në të ardhmen. Siguria ime është që “ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6)

Si mund të “braktisësh Perëndinë” nëse nuk ke qenë kurrë besimtar?

Kjo ngre shumë pyetje. Një është, Nëse dështimi ynë për t’u mbajtur fort pas shpresës dhe sigurisë do të thotë që asnjëherë nuk kemi qenë vërtet pjestarë të Krishtit, prej çfarë gjëje po largohemi në vargun 12?

Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë.

Në çfarë kuptimi mund të ketë një largim apo braktisje të Perëndisë nëse nuk i përkisnim kurrë me të vërtetë Perëndisë.

Një përgjigje e thjeshtë është që mund të ketë largim real dhe të dhimbshëm nga një e fejuar që nuk është si largimi nga bashkëshortja. Mendoj se mënyra që shkrimtari do të mendojmë për këtë jepet në shembullin e popullit të Izraelit në vargjet 7-11 (Psalmi 95). Ai vë në dukje në vargun 9 që populli “i kishin parë veprat e mia dyzet vjet.” dhe përsëri e ngurtësuan zemrën karshi Perëndisë (v.8) dhe gabuan me zemër (v.10). Me fjalë të tjera ata e kishin parë Perëndinë të hapte Detin e Kuq dhe t’u tregonte një mëshirë të madhe kur i shpëtoi nga Egjipti. Ata e kishin parë t’u nxirrte ujë nga shkëmbi, mana prej qiellit. Drejtim me kolonë zjarri dhe reje, çlirim nga armiqtë, ligje të mira me anë të të cilave të jetonin, durim ndaj rebelimeve të tyre. Por pavarësisht gjithë këtyre ata u ngurtësuan në zemër dhe ndaluan së shpresuari në Perëndinë. Ata dëshironin të ktheheshin në Egjipt, bënë idhuj dhe murmuritën. Kjo është ajo që shkrimtari do të thotë me fjalët “të largohesh nga Perëndia i gjallë.”

Ata ishin rrëmbyer në veprat e fuqishme të Perëndisë. Kishin shijuar fuqinë e tij dhe kishin përfituar prej Frymës dhe mirësisë së tij. Ishin ndriçuar prej zbulesës së Perëndisë më tepër se kushdo tjetër në botë. Dhe përsëri ishin larguar. Kështu ndodhi edhe me disa prej njerëzve në kohën e Dhjatës së Re. Kështu është edhe sot. Këta njerëz ishin rrëmbyer në shenjat dhe mrekullitë e përmendura tek Hebrenjve 3:4. Kishin shijuar pushtetin e epokës që do të vijë. Ishin përfshirë në një familje të dashur dhe kishin përjetuar një masë të punës së Frymës në mes tyre dhe në jetën e tyre. Kishin parë pakëz nga drita e ungjillit. Ishin pagëzuar dhe kishin marrë darkën e Zotit, kishin dëgjuar predikimet dhe ndoshta kishin bërë ca punë të mëdha vetë.

Por ashtu si Izraeli, zemrat e tyre u ngurtësuan, dhe kështu fitoi një zemër e ligë mosbesimi, nisën t’i vendosnin shpresat e tyre në gjëra të tjera përveç Krishtit, dhe me kalimin e kohës u larguan prej gjithë mirësisë me të cilën ishin rrethuar. Hebrenjve thotë që shpjegimi i kësaj është që ata “nuk ishin bërë pjestarë të Krishtit.” Ata kishin marrë pjesë në disa masa ndriçimi, fuqie dhe gëzimi, por (nëse përdorim fjalët e Jezusit) ajo bimë nuk kishte rrënjë dhe u tha, kurse të tjerat u mbytën prej shqetësimeve, pasurisë dhe kënaqësive të jetës (Lluka 8:13-14).

Me fjalë të tjera, ju mund të largoheni prej Perëndisë në atë masë që i jeni afruar punës së Perëndisë – dashurisë së popullit të tij, dritës së Fjalës së tij, privilegjit të lutjes, forcës morale të shembullit të tij, dhuntive dhe mrekullive të Frymës, bekimeve të sigurimit të tij dhe zbulesës së përditshme të diellit dhe shiut. Është e mundur që t’i shijojmë këto gjëra, të ndikohemi thellë prej tyre, dhe të humbasim në mosbesim, për shkak se vetë Jezu Krishti nuk është kënaqësia, shpresa, siguria dhe shpërblimi i zemrës suaj.

Jezusi i mësoi këto gjëra herë pas here për të na paralajmëruar nga siguria e rreme. Për shembull, ai tha tek Mateu 7:21-23,

Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”. Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi”.

Profetizimi, dëbimi i demonëve, dhe veprat e fuqishme në emrin e Jezusit nuk provojnë se Jezusi na ka “njohur”, apo që jemi pjestarë të Krishtit. Është e mundur që t’i bëjmë ato gjëra me një zemër të ngurtë dhe të pandryshuar. Prova e “njohjes” prej Jezusit është që Jezusi është shpresa jonë, siguria jonë, thesari ynë, shpërblimi ynë (Hebrenjve 10:24, 11:25-26). Ky është realiteti i brendshëm që e transformon jetën tonë.

Kjo është një pyetje: Si mund ta braktisësh Perëndinë nëse nuk ishe kurrë pjestar i Krishtit? Dhe përgjigja është: Ka shumë mënyra për të marrë pjesë në afërsinë me Perëndinë pa i besuar atij, pa e dashur atë dhe pa shpresuar në të. Prandaj ka shumë mënyra për t’u larguar prej Krishtit duke mos qenë kurrë pjestar i vetë Krishtit.

Si mund të sigurohemi për sigurinë tonë të përjetshme?

Prandaj pyetja e dytë është: Çfarë do të bëjmë? Si do ta dimë, si do të gëzohemi dhe sigurohemi për sigurinë tonë të përjetshme? Vargjet 12 dhe 13 na japin dy përgjigje, një më të përgjithshme dhe një më specifike.

Së pari përgjigja e përgjithshme në vargun 12: “Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë.” Përgjigja e përgjithshme është, “Kujdesuni!” apo “Kini kujdes!” Me fjalë të tjera, mos u tregoni të pakujdesshëm, të painteresuar apo të pavëmendshëm rreth gjendjes së zemrës suaj. Shikojeni. Ashtu si Pali thotë tek 2 Korintasve 13:5, provojeni veten për të parë nëse jeni në besim. Apo ashtu si Pjetri na thotë tek 2 Pjetri 1:10, “Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë.” Mos shkoni andej këtej dhe mos e merrni kollaj këmbënguljen tuaj në besim. Ka lloj-lloj dëshirash që luftojnë kundër shpirtit tuaj çdo ditë për t’jua vjedhur besimin dhe për ta zëvendësuar Krishtin me thesare të tjera. Kujdesu! Hap sytë! Ji i zellshëm. Ruaje zemrën tënde. Ashtu si thotë dhe Fjalët e Urta 4:23, “Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.” Kjo është përgjigja e vargut 12. Kini kujdes!

Dikush mund të pyesë, “Nëse jam një pjestar i vërtetë i Krishtit, ashtu si besoj që jam, përse më duhet të kem kujdes dhe të jem kaq vigjilent, kur ju keni thënë se jam përjetësisht i sigurt dhe nuk mund ta humbas pozitën time në Krishtin?” Mendoj që kjo pyetje hamendëson diçka për të cilën Dhjata e Re thotë që nuk është e vërtetë. Pyetja hamendëson se udha e Perëndisë që të zgjedhurit e tij të arrijnë në qiell është pa vigjilencë, kujdes, vetëvlerësim dhe përdorim të zellshëm të mjeteve që Perëndia na ka siguruar. Por në fakt Jezusi thotë tek Lluka 13:24, “Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden.” Pjetri thotë, “Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.” (1 Pjetri 5:8). E vërteta nuk është që të krishterët e vërtetë nuk ka pse të jenë vigjilentë dhe të kujdesen për zermat e tyre, por që ju mund ta dini se jeni i krishterë i vërtetë nëse jeni vigjilentë dhe e ruani zemrën tuaj.

Të krishterët me qëndrim kavalieri janë ata që duhet të shqetësohen për pozitën e tyre. Janë ata që u pagëzuan, dolën përpara apo bënë një lutje, që morën darkën e Zotit dhe erdhën në kishë, por që nuk e duan Jezusin apo ta konsiderojnë atë si thesarin e tyre më të çmuar, ta mbështesin shpresën e tyre tek ai dhe të presin që ta shohin atë dhe mund të thonë, “Për mua të jetuarit është Krishti dhe vdekja fitim.” Këta janë ata që kanë siguri tek vetja dhe që kanë nevojë të ndihen të pasigurt (Ligji i Përtërirë 29:19). Ata janë njerëz, shpesh në kishë, që shpesh e trajtojnë shpëtimin e tyre si një vaksinim. Ata e bënë vaksinën vite më parë dhe hamendësojnë që gjithçka është mirë pa i kushtuar asnjë mendim rreziqeve të mosbesimit përreth tyre. Ata thonë, “Jam vaksinuar kundër ferrit kur isha tetë vjeç, apo gjashtë vjeç.” Prandaj të shkoj në qiell nuk është punë vigjilence ndaj zemrës së tyre për të mos lejuar që të ngurtësohet apo të bëhet mosbesuese. Është thjesht çështje për t’u siguruar që ke bërë vaksinën. Këta janë ata që gjenden në një rrezik të jashtëzakonshëm.

Kjo është përgjigja e parë për mënyrën si qëndrojmë të siguruar për sigurinë tonë të përjetshme: Ruaje zemrën tënde. Ruaju prej mosbesimit. Kjo do të thotë, ji vigjilent për ta ruajtur besimin dhe shpresën në Krishtin kundër çdo thesari konkurues.

Përgjigja e dytë është më specifike në vargun 13, “por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: “Sot”, që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.” Përgjigja e dytë është që siguria e përjetshme është projekt komuniteti. Çfarë duhet të bëjmë në kishën tonë për të mënjanuar “një zemër të ligë mosbesimi” dhe të mos ngurtësohemi prej mashtrimit të mëkateve që na tundojnë çdo ditë për t’i patur ato si thesare më të çmuara se Jezusin?

Si na ndihmon kisha të mënjanojmë një “zemër të ligë mosbesimi”?

Përgjigja është që ne duhet të jemi kisha për njëri-tjetrin. Cila është gjëja kryesore që kisha bën për njëri-tjetrin? Ne flasim me njëri-tjetrin në mënyra që na ndihmojnë të mos mashtrohemi prej joshjeve të mëkatit. Apo për ta thënë në mënyrë pozitive, ne flasim me njëri-tjetrin në mënyra që na bëjnë të kemi zemra besimi në vlerën superiore të Krishtit mbi gjithçka tjetër. Ne luftojmë të ruajmë besimin e njëri-tjetrit, duke folur fjalë që i drejtojnë njerëzit tek e vërteta dhe vlera e Jezusit. Kështu ruhemi prej një zemre të ligë mosbesimi. Mosbesim do të thotë të dështosh të prehesh në Jezusin si thesari yt më i madh. Prandaj, ta ndihmojmë njëri-tjetrin të besojmë do të thotë t’u tregojmë njerëzve arsye pse Jezusi duhet dëshiruar, besuar dhe dashur më tepër se çdo gjë tjetër.

Këtu kemi një shembull pse Perëndia ka caktuar që jeta e Krishterë të jetë një jetë vigjilence individuale dhe komunteti, pse ai ka planifikuar që siguria e përjetshme të jetë një projekt komuniteti. Shpjegimi është që kjo mënyrë jetese e jetës së Krishterë e bën lavdinë e Krishtit qendrën e gjithë ndërveprimit tonë. Nëse siguria e përjetshme do të ishte si një vaksinë, atëherë Krishti mund të nderohet në ditën e marrjes së vaksinës, por pas kësaj mund të harroet, ashtu si harrojmë vaksinimin tonë. Por nuk është kështu nëse siguria e përjetshme përfshin një betejë të përditshme kundër mosbesimit ku armët e fitores janë nxitjet që ndërtojnë besimin tek besueshmëria e Krishtit, tek madhështia dhe vlera e Krishtit mbi gjithçka. Nëse duhet t’i flasim kështu njëri-tjetrit çdo ditë për t’u siguruar që të gjithë do vazhdojmë t’i besojmë atij, kështu ai madhërohet ditë pas dite. Për të flitet gjithmonë dhe është gjithmonë qendra e vëmendjes sonë. Prandaj Perëndia cakton që siguria e përjetshme të jetë projekt komuniteti për shkak se nuk dëshiron që Biri i tij të harroet ashtu si vaksinimi, por të kremtohet çdo ditë si thesari më i madh i universit.

Është e qartë nga vargjet 12 dhe 13 që këtu po flitet për diçka më tepër se predikimi. Këtë gjë përpiqem ta bëj në predikimin tim, t’ju nxis çdo javë që të mos keni një zemër të ligë mosbesimi. Por ky tekst thotë dy gjëra më tepër se kjo. Një (në vargun 13) është që kjo nxitje duhet të ndodhë “çdo ditë” dhe jo thjesht një herë në javë. Dhe tjetra është që kjo duhet bërë nga “njëri-tjetri” (v.13), që do të thotë se këtë duhet ta bëni për njëri-tjetrin, dhe jo thjesht ta merrni prej predikuesit.

Kjo bindje, që një shërbesë e tillë ndaj njëri-tjetrit është krejtësisht kritike për këmbënguljen tuaj në besim, dhe për shpëtimin tuaj, kjo bindje është arsyeja që pleqtë e kishës kanë vendosur të nisin shërbesën e grupeve të vogla këtë vjeshtë. Ne besojmë se nuk ka mënyrë më të mirë në një kishë të kësaj madhësie për të inkurajuar një lloj beteje të tillë të përbashkët për besimin sesa të sigurojmë hapësirë të mjaftueshme për grupet e vogla dhe të punojmë për një pjesëmarrje të madhe. Kjo është arsyeja pse duke filluar nga Shtatori, çdo e dielë mbrëma do veçohet për grupet e vogla dhe çdo e mërkurë do t’i kushtohet lidhjes njëri me tjetrin në mes të javës për një vakt së bashku, duke adhuruar së bashku si kishë, të tregojmë histori që ndërtojnë besim për atë që Perëndia po bën në grupet e vogla, t’u mësojmë Fjalën e Perëndisë fëmijëve tanë, të rinjve dhe të rriturve që asnjëri prej nesh të mos ketë një zemër mosbesimi që na bën të largohemi prej Perëndisë së gjallë.

Jam i ngazëlluar për potencialin e shërbesës për të dyja këto lëvizje, 1) organizimi i grupeve të vogla duke e bërë çdo të dielë mbrëma të disponueshme me shpresën që shumë grupe do të bëhen edhe më tepër si skuadra shërbese që e nxitin njëri-tjetrin çdo ditë, dhe gjithashtu 2) modeli i bashkësisë të mërkurave në mbrëmje, adhurimi, mësimi, dhe histori të fuqisë prezente të Perëndisë.

Ju nxit me gjithë zemrën time që ta merrni seriozisht këtë pjesë të Shkrimit ndërsa meditoni nëse jeta juaj përputhet me këtë model jete të krishterë. Mos vallë takimi i rregullt me një grup të vogël besimtarësh të përkushtuar për të luftuar për besimin e njëri-tjetrit, mund t’ju sjellë tek një përjetim i sigurisë përtej çdo gjëje që mund të keni njohur dhe t’ju çlirojë për një dëshmi guximtare dhe shërbesë në botë? Mendoj se kjo është ajo tek e cila Perëndia po na thërret.

Seria: Hebrenjve

Tema: Këmbëngulja e shenjtorëve

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

%d bloggers like this: