Dashuri ringjalljeje e jashtëzakonshme!
nga John Piper
“Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im ” (Gjoni 10:17-18)
Përse e thotë Jezusi këtë gjë? Përse e thekson gatishmërinë e Tij për të vdekur? Për shkak se po të mos ishte e vërtetë – nëse do ta kishin detyruar të vdiste, nëse nuk do ishte një zgjedhje e lirë, nëse nuk do ta bënte vërtet me gjithë zemër – atëherë mbi dashurinë e Tij për ne do të vendosej një pikëpyetje e madhe.
Thellësia e dashurisë së Tij duket në lirinë e saj. Nëse Ai nuk vdiq me vullnet për ne – nëse nuk e zgjodhi vuajtjen dhe ta përqafonte – atëherë sa e thëllë është dashuria e Tij në të vërtetë? Për këtë arsye Ai e thekson këtë gjë. Ai e bën të dukshme. Kjo gjë është prej meje, jo prej situatave, jo prej presionit, por prej asaj që vërtet dëshiroj të bëj.
Jezusi po na thekson faktin që dashuria e Tij për ne është e lirë. Duket sikur ai po dëgjon akuzat e armikut që thonë, “Jezusi nuk të do me të vërtetë. Ai është thjesht mercenar. Po e bën këtë gjë për një arsye tjetër dhe jo nga dashuria. Atë po e detyrojnë apo nuk ka nga ia mban. Ai nuk dëshiron me të vërtetë të vdesë për ty. Në një farë mënyrë iu fut kësaj pune dhe tani duhet t’u nënshtrohet forcave që e kontrollojnë.” Duket sikur Jezusi po dëgjonte diçka të tillë, apo të paktën priste ta dëgjonte. Prandaj Ai reagon, “Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri.” Prandaj po na e thekson edhe ne për të parë nëse do ta besojmë protestën e tij të dashurisë, apo do të besojmë të kundërtën – që Ai nuk e bëri këtë gjë me gjithë zemër.
Kushdo që bën një deklaratë të tillë ose ka rrjedhur mendsh, ose po gënjen, ose është Perëndi. Unë kam autoritet edhe kur jam i vdekur, që ta marr sërish jetën kur të dëshiroj.
Çfarë po thuhet këtu? Çfarë është më e vështirë të kontrollosh momentin e vdekjes apo t’i japësh vetes sërish jetë pasi ke vdekur? Çfarë është më e vështirë të thuhet, “Unë e lë vetë jetën time”? apo të thuash, “Do ta marr sërish jetën time pasi të kem vdekur”?
Përgjigja është e dukshme. Kjo është e gjithë ideja. Nëse Jezusi mundej – dhe këtë bëri – që e morri jetën sërish prej së vdekuri atëherë ai ishte me të vërtetë i lirë. Nëse kontrolloi momentin kur doli prej varrit, sigurisht që kontrolloi momentin kur hyri në të.
Prandaj ideja është kjo. Ringjallja e Jezusit na është dhënë si vërtetim apo provë që Ai në fakt ishte i lirë kur e dha jetën e Vet. Prandaj ringjallja është dëshmia e Krishtit për lirinë e dashurisë së Tij.
Kuptimi i Pashkës
Përveç gjithë gjërave të tjera madhështore Pashka ka gjithashtu këtë kuptim: ajo është një “E kam me të vërtetë!” e fuqishme pas vdekjes së Krishtit. E kam me të vërtetë! Isha i lirë. E shihni sa i lirë jam? E shihni sa shumë pushtet dhe autoritet që kam? Unë kisha mundësi ta mënjanoja. Kam pushtet ta marr jetën time sërish nga varri. A nuk mundesha pra Unë që t’i shkatërroja armiqtë e mi dhe të mënjanoja kryqin?
Ringjallja ime është një shpallje e dashurisë Time për delet e mia: Unë isha i lirë! Isha i lirë! E zgjodha vetë. E përqafova. Nuk më zunë. Nuk më vunë me shpatulla pas murit. Asgjë nuk mund të më shtrëngojë të bëj atë që nuk dua ta bëj. Kisha fuqi ta merrja sërish jetën time nga vdekja. E kam marrë jetën nga vdekja. Sa më tepër mund të kisha bërë për ta mbrojtur jetën time nga vdekja!
Jam i gjallë për t’ju treguar që me të vërtetë ju desha. Ju desha me dëshirë. Askush nuk më detyroi. Tani jam i gjallë për të kaluar përjetësinë duke ju dashur me një dashuri ringjalljeje të plotëfuqishme në jetë të jetëve.
Ejani tek Unë, gjithë ju mëkatarë që keni nevojë për një Shpëtimtar. Unë do t’ju fal, do t’ju pranoj dhe do t’ju dua me gjithë zemrën Time përgjithmonë.