7 Dhjetor – Octavius Winslow

7 Dhjetor

“Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm,por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia. Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” Romakëve 7:22-24

Rilindja nuk e transformon mishin në frymë. Ajo nuk popozon që ta zhdukë dhe largojë rrënjën e thellë të natyrës tonë të shthurur; por na jep një natyrë tjetër shtesë – lindja e re mbjell një parim të ri dhe antagonist. Kjo natyrë e re është hyjnore; ky parim i ri është i shenjtë; dhe kështu besimtari bëhet subjekt i dy natyrave, shpirti i tij është fushë beteje në të cilën ndodh një konflikt i përhershëm mes ligjit të gjymtyrëve të tij dhe ligjit të mendjes; shpesh rezultati është robëria e tij e përkohshme ndaj ligjit të mëkatit që banon në gjymtyrët e tij. Kështu çdo mendje frymërore është e vetëdijshme mes dhimbjesh për prirjen tokësore të natyrës së tij të ligë, dhe se nga mishi nuk mund të ketë asnjë pikë dhembshurie apo ndihme, por përkundrazi ka për të pasur gjithçka që e shkurajon, e pengon dhe e frenon shpirtin në dëshirat dhe përpjekjet e tij pas shenjtërisë.

Një ndjesi e vajtueshme e fuqisë joshëse të gjërave tokësore hyn thellë në këtë gjendje të mendjes. Ashtu sikurse mbartim me vete në çdo hap një natyrë tokësore, nuk është e habitshme që edhe tërheqjet dhe dëshirat e saj të jenë tokësore; që objektet tokësore të zotërojnë një ndikim magnetik duke tërhequr përherë pas vetes gjithçka që është e ngjashme me natyrën e saj në shpirtin e njeriut të rilindur. Shtegu ynë drejt shtëpisë kalon përmes një bote tërheqëse dhe skllavëruese. Bota, si një kameleon mund të marrë çdo lloj ngjyre dhe duke qenë si Proteu mund të marrë çdo lloj forme të përshtatshme me qëllimin dhe synimin e saj përfundimtar. Nuk ka asnjë mendje, asnjë ndërgjegje apo asnjë shije me të cilën ajo nuk mund të përshtatet. Për të shthururin bota ka kënaqësi sensuale; për të rafinuarin ka kënaqësi të rafinuara; për mendimtarin ka kënaqësi intelektuale; për nismëtarin ka skema të guximshme dhe madhështore.

Fëmija i Perëndisë e ndjen fuqinë e saj mbërthyese; ai është i vetëdijshëm për ndikimin e saj joshës. Duartrokitjet e botës – kush është krejtësisht i mbrojtur nga fuqia e tyre? Lëvdatat njerëzore – kush mund t’u rezistojë dot magjepsjes së tyre? Fuqia e krijesës – kush është i lirë nga fuqia e saj robëruese? Dashuria e rehatisë, respektit, ndikimit dhe pozitës së botës – dëshira për të lundruar ëmbël mbi valën e ndritur të opinionit të mirë të botës – kush është i veshur me një këmishë mbrojtëse për t’u bërë ballë këtyre sulmeve? A nuk janë rrëzuar edhe më të fortët para tyre? Këto janë vetëm disa prej ndikimeve skllavëruese të cilat pleksen rreth shtegut të udhëtarit qiellor, duke bërë që prej tij të dalë shpesh rrëfimi përulës – “Shpirti im është bërë një me pluhurin.”

Në këtë kategori mund të përfshijmë gjëra të cilat edhe pse në vetvete janë të një natyrshme të ligjshme, ende janë me një prirje tokësore dhe që e dobësojnë jetën e Perëndisë në shpirt. Cila mendje qiellore nuk trishtohet nga vetëdija e kësaj gjëje? Armiku ynë më i madh, dinak dhe që nuk fle kurrë qëndron pranë dhe thotë, “Kjo është e ligjshme dhe mund ta shijosh lirshëm dhe pa asnjë kufizim.” Por një zë tjetër më solemn dëgjohet duke dalë nga orakulli i shenjtë i të vërtetës – “Të gjitha gjërat më lejohen, por jo të gjitha janë të dobishme.” E megjithatë, sa shpesh jemi të detyruar të mësojmë mësimin, se gjërat e ligjshme në shijimin dhe ndikimin e tyre mund të bëhen të paligjshme, përmes dobësisë frymërore që ato ngjallin në shpirt!

Shtegu që na çon në Parajsë është i ngushtë. Por Zoti dhe Mjeshtri ynë e ka bërë të tillë; Ai vetë udhëtoi nëpër të, “duke na lënë një gjurmë që ne të ndjekim shembullin e Tij;” Ai vetë është i mjaftueshëm për atë shteg. Po, e tillë është prirja tërheqëse drejt tokës e natyrës mishore brenda nesh, ne jemi përherë të prirur dhe të gatshëm që me çdo buzëqeshje të ngrirë të botës, dhe në çdo cep të gjelbër dhe me diell të shkretëtirës të rehatohemi në vetëkënaqësinë dhe vetëmjaftueshmërinë tonë, të prehemi në atë vend ku nga vetë natyra e njollosur dhe e pakënaqshme e tij nuk mund të gjejmë dot kurrë prehjen reale. Kështu edhe ndjenjat, ëndjet, kërkimet dhe kënaqësitë e ligjshme të nxjerrin rrëfimin nga buzët e një njeriu që ka qiellin në mendje – “Shpirti im është bërë një me pluhurin.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*