Durim i pakufishëm – John MacDuff
“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”
“Si mund të të braktis, o Efraim, ose të të lë në dorë të të tjerëve, o Izrael? Si mund të të bëj si Admahu, ose të të katandis si Tseboimi? Zemra ime ngashërohet brenda meje, dhemshuria ime ndizet e tëra. Nuk do ta shfryj zemërimin tim të zjarrtë, nuk do të shkatërroj përsëri Efraimin, sepse jam një Perëndi dhe jo një njeri, i Shenjti midis teje dhe nuk do të vij me zemërim.” – Osea 11:8-9
Çfarë shpalosje të butë të zemrës së Perëndisë që gjejmë këtu! Ky është mendimi dëshirues i Atit më të dashur për një komb plëngprishësish të shthurur! Sa e rëndë kishte qenë mosmirënjohja e tyre. Në fillim të kapitullit Ai flet për mendimet e Tij të dashura për Izraelin “kur ishte fëmijë,” dhe për mënyrën sesi Ai i rriti me një mënyrë veçanërisht të butë, “Unë vetë i mësova Efraimit të ecë, duke e mbajtur nga krahët; por ata nuk e kuptuan që unë po i shëroja. Unë i tërhiqja me litarë të dashamirësisë njerëzore, me lidhje dashurie; isha për ta si ai që e ngre zgjedhën nga qafa e tyre, dhe përulesha për t’u dhënë të hanë.” E megjithatë s’i e shpërblyen ata Perëndinë për gjithë këtë butësi të dashur? “Populli im synon të largohet nga unë.”
Sigurisht që gjëja tjetër që gjejmë në regjistrin Hyjnor ka për të qenë vendimi i dënimit të drejtë, “Efraimi është bashkuar me idhujt e tij – lëre mënjanë!” Jo! në vend të kësaj gjejmë një shpërthim të një dashurie atërore; e tillë sa me raste ajo rrallë herë shëmbëllehet mbi tokë, kur shohim një nënë me zemër të thyer dhe sy të turbulluar prej lotëve, duke shtrënguar fort në përqafim djalin e saj plëngprishës i cili e ka lënduar, ia ka hidhëruar jetën dhe i ka përçmuar lotët e saj.
Dëgjojeni këtë apostrofë të butë, “Si mund të të braktis, o Efraim, ose të të lë në dorë të të tjerëve, o Izrael?” (të të braktis do të thotë që të të lë në duart e hakmarrjes së armikut.) Ai e kujton “klithmën” e Sodomës dhe Gomorës në një epokë të shkuar, si dhe “mëkatin e tyre, i cili ishte shumë i lig.” Paudhësia e Izraelit mund të krahasohet në poshtërsi vetëm me paudhësinë e banorëve të fushës mbi të cilët “Zoti hodhi zjarr dhe squfur nga qielli.” Admahu dhe Tseboimi ishin dy qytete fqinjë në Luginën e Sodomës, të cilat u përfshinë në këtë shkatërrim të tmerrshëm. Perëndia thotë, “Si, Si mund të të bëj si Adamhun apo të të katandis si Tseboimin?” Pastaj, ku e përmbledh me deklaratën, “Nuk do të shkatërroj përsëri Efraimin.” Ai na e jep arsyen, “sepse jam një Perëndi dhe jo një njeri.”
Po, me të vërtetë, mendimet e tua o Perëndi nuk janë si mendimet e njeriut; Udhët e tua nuk janë si udhët e njeriut; nëse do kishin qenë të tilla, sa shumë prej nesh do ishim “braktisur” me kohë, dhe do të kishe hedhur mbi ne dënimin e fajtorit – që Perëndia të cilin e kemi trishtuar aq shpesh dhe e kemi provokuar me rebelimin dhe kokëfortësinë tonë, betohet në zemërimin e Tij që “nuk do të hyjmë kurrë në prehjen e Tij.” Por, pavarësisht gjithë kësaj, zemërimi i Tij është larguar prej nesh; dora e Tij e mëshirës është ende e shtrirë! Me të drejtë mund të themi, bashkë me monarkun e goditur të Izraelit, “Le të biem tani në dorën e Zotit – sepse mëshirat e Tij janë të mëdha, por mos rënsha në duart e njeriut.”
Kthehu o ti që ke rrëshqitur pas! Edhe pse mund ta kesh vënë në provë durimin e Perëndisë tënd përmes viteve të shumta të provokimit – megjithatë Ai ende “qëndron në heshtje;” Ai pret të të tregojë hir; Ai nuk dëshiron që ndokush të humbasë. Lejo që mirësia dhe durimi i Tij, butësia dhe pritja e Tij e gjatë të të prijnë në pendim.
Ti i penduar që dridhesh, që je kërrusur nën ndjesinë e mosmirënjohjes tënde të poshtër, prej largimit tënd të zgjatur, me frikën se mos vallë një e shkuar fajtore të ka shkëputur nga shpresa për mëshirën falëse – kthehu! Ndoshta, në qortimin e hidhur të turpit, të braktisjes dhe dëshpërimit je duke thënë, “Ai ka hequr dorë prej meje! Jam lënë në dorën e tiranisë së armiqve të mi frymërorë – Zoti më ka braktisur përgjithmonë! Ai nuk mund të më tregojë më favor!” Jo! Dëgjoji mendimet e Tij të mrekullueshme dhe të çmuara – meditimet e Zemrës së Pafundme të cilën ti e ke lënduar, “Si mund të heq dorë prej teje? Njerëzit e shkatërrojnë armikun e tyre – por unë jam Perëndi, dhe jo njeri. Nuk do të të shkatërroj, do të të shpëtoj!” Ai thotë në një vend tjetër, “Ja, ti ke thëne dhe ke bërë gjithë të ligat që ke pasur mundësi; megjithatë, kthehu tek Unë!” “Kthehuni o bij të përdalë,” thotë Zoti, “kthehuni tek Unë dhe unë do të shëroj zemrat tuaja të përdala!”
“Thoughts of God” by John MacDuff
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!