7 Gusht – Octavius Winslow

“Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.” Gjoni‬ ‭14:27‬

Edhe paqja është fryt i mendjes frymërore. Çfarë paqe ndërgjegjeje që zotëron ai person mendja e të cilit është e fiksuar mbi gjërat frymërore! Kjo është po aq shpërblimi sa edhe efekti i mendjes qiellore që ai ka kultivuar. Megjithatë, ekzistenca e këtij bekimi të çmuar, nënkupton ekspozimin e mendjes frymërore ndaj shumë gjërave që kanë prirjen ta trazojnë dhe prishin qetësinë dhe prehjen e saj. I krishteri është shumë larg të qenit krejtësisht i përjashtuar nga ato trazime dhe acarime të cilat duken pothuaj të pandashme nga jeta njerëzore. Anktheve që krijohen nga shkaqet e jashtme – ndryshimet, tjetërsimet dhe zhgënjimet e jetës; u shtohen ankthet e veçanta të fëmijëve të Perëndisë, gjërat e brendshme që e shpërqendrojnë – rretë e fajit, ngacmimet e dyshimit, gërryerjet e frikës, vajtimi i pendimit, disiplina e dashurisë.

Por përmes gjithë kësaj rrjedh një lumë, degët e të cilit gëzojnë qytetin e Perëndisë. Është paqja e mendjes qiellore, paqja që Jezusi siguroi, të cilën e jep Perëndia dhe e vulos Fryma e Shenjtë. Një mendje qiellore fluturon mbi një botë të mjerë dhe që po vdes, ajo nuk jeton nga dashuria apo buzëqeshja e krijesës – duke hedhur nevojat e saj të përditshme mbi zemrën e një Provanie mirëdashëse – duke mos u shqetësuar për asgjë, por duke ia bërë të njohura Perëndisë kërkesat e veta me anë lutjes dhe përgjërimesh me falënderim – indiferente ndaj trazimit, shqetësimeve, dhe skenave të larmishme të jetës së botës, duke jetuar me besim të thjeshtë dhe kënaqësi të shenjtë në Krishtin. Kështu e shkëputur prej tokës, dhe duke shkuar drejt qiellit e tërhequr nga brigjet e tij të qeta, mendja përjeton një paqe që ia tejkalon çdo zgjuarsie.

Nëse kjo është gjendja e tanishme e mendjes qiellore, cila do të jetë e ardhmja e mendjes në qiell? Qielli është banesa e paqes së përsosur. Atje nuk ka re faji, nuk ka lëkundje brenge, as kërcënime frike, nuk ka brejtje ankthi. Kjo është paqja e pastërtisë së përsosur – është reagimi i një kënaqësie të plotë. Nuk është aq shumë mungesa totale e çdo pikëllimi, sa është prania aktuale e gjithë shenjtërisë ajo që përbën shkëlqimin dhe bukurinë magjepsëse e lavdisë së ardhshme.

Stina e pikëllimit shpesh kthehet në stinën e gëzimit sekret – vetë Krishti e kthen vajtimin tonë në këngë. Por rasti për mëkatin është gjithmonë një moment i hidhur; shpesh tërheqjet tona e mbërthejnë zemrën tonë si akrepa. Edhe pse është shumë e sigurt që nuk do të ketë trishtim në qiell – nëse do të ketë qoftë edhe një hije faji atëherë ka për të hidhëruar gjithçka. Prandaj, ashtu sikurse qielli është banesa e paqes së përsosur, ai që mbi tokë ecën në bashkësi me qiellin përjeton në ndjenjat e tij gjendjen më të afërt qiellore. Oh sikur zemrat tona të ishin më të dorëzuara ndaj tërheqjeve të fuqishme, të shenjta dhe të ëmbla të botës qiellore! Atëherë do të kishim një jetë edhe më qiellore.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*