10 Prill – Octavius Winslow

“Më tepër se fitimtarë.” Romakëve 8:37

Fjala origjinale mund të përkthehej me një term më të fortë se ai që kanë përdorur përkthyesit. E njëjta fjalë në një vend tjeër është përkthyer kështu “një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie.” Prandaj në vargun tonë mund të përkthehet “jashtëzakonisht më tepër se fitimtarë.” Fraza duket se nënkupton që kjo është më tepër se një fitore e thjeshtë të cilën e korr besimtari. Beteja mund të fitohet me shumë humbje nga fitimtari. Një udhëheqës i madh mund të bjerë në krye të trupave të tij. Mund të humbasë rinia dhe të derdhet gjaku për atdheun. Por i krishteri fiton pa humbje të tilla. Asnjë gjë thelbësore për mirëqenien e tij nuk rrezikohet. Duke qenë se shpirti i tij është veshur me armaturë nga Fryma e Shenjtë, ai nuk mund të humbasë. Jeta e tij është e fshehur me Krishtin në Perëndinë, nuk mund të kërcënohet. Udhëheqësi dhe Komandanti i tij, vdiq një herë dhe tani është i gjallë për të mos vdekur më. Ai nuk do të humbasë asgjë të vlefshme dhe të çmuar.

Nuk ka as edhe një hir të vetëm në shpirtin e tij i cili të mos dalë edhe më e pastër dhe më i shkëlqyer pas betejës së tij me mëkatin dhe Satanin. Sa më tepër që t’i kalitë Zoti ynë hiret tona, aq më tepër do të zhvillohen ato, dhe si rrjedhim do të forcohen edhe më tepër. Asnjë grimë hiri nuk do të humbasë gjatë korrjes, asnjë thërrime besimi nuk do të konsumohet gjatë rafinimit. Ai nuk humbet asgjë, dhe fiton gjithçka! Ai kthehet nga beteja i ngarkuar me plaçkën e një fitoreje të lavdishme – “jashtëzakonisht më tepër se fitimtar.” Të gjitha burimet e tij janë shtuar prej rezultatit. Armatimi i tij është më i shkëlqyer, shpata e tij është më e mprehtë, guximi i tij është më sypatrembur, për shkak të konfliktit. Çdo hir i Frymës është pjekur. Besimi është forcuar – dashuria është zgjeruar – përjetimi është thelluar – njohuria është shtuar. Ai del nga sprova më i shenjtë dhe më trim nga sa hyri. Dobësia e tij i ka mësuar se ku gjendet forca e tij. Nevoja e tij e ka bërë të njihet më mirë me plotësinë e Krishtit. Rreziku i tij i ka treguar se kush ia mësoi duart për betejë dhe gishtat e tij për luftë, dhe mburoja e kujt ishte ajo që ia mbuloi kryet në ditën e betejës. Ai është “jashtëzakonisht më tepër se fitimtar” – është është triumfues!


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*