Gjeniu i Gjenevës

Gjon Kalvini
1509–1564

nga John Piper

Në vjeshtë të vitit 1539, Gjon Kalvini i shkroi Sadoletos, një kardinali Italian i cili po orvatej ta rifitonte Gjeneven për Kishën e Romës: “Zelli [yt] për jetën qiellore [është] një zell që e mban njeriun krejtësisht të përkushtuar ndaj vetes dhe as për një pikë të vetme nuk e nxit këtë të fundit drejt shenjtërimit të emrit të Perëndisë”. Kalvini do të shkruante më tej se Sadoleto duhet “të shpalosë para njerëzve si të vetmin motiv për ekzistencën e tyre zellin për të demonstruar lavdinë e Perëndisë” (Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Kalvinit, fq. 89).

Këto fjalë, pra, zelli për të shpalosur lavdinë e Perëndisë, do të ktheheshin në një lajtmotiv të qartë të mbarë jetës dhe veprës së Kalvinit. Domethënia thelbësore e jetës dhe predikimit të Kalvinit është që ai ripërtëriu dhe mishëronte një pasion të pakufishëm për realitetin dhe madhështinë absolute të Perëndisë.

Mposhtur prej Madhështisë

Kalvini lindi më 10 korrik 1509, në Nojon të Francës, në një kohë kur Martin Luteri ishte 25 vjeç dhe sapo kishte filluar të jepte mësim Biblën në  Vitenberg. Mesazhi dhe fryma e Reformimit nuk do të mbërrinin tek Kalvini edhe për plot dy dekada, teksa ai do t’ia kushtonte vitet e rinisë studimit të teologjisë mesjetare, jurisprudencës dhe veprave klasike.

Mirëpo, në vitin 1533, në jetën e tij ndodhi diçka dramatike në sajë të ndikimit të mësimeve tëreformimit. Kalvini kujton sesi po bënte çdo përpjekje të mundshme për ta jetuar me zell besimin katolik, kur “Perëndia, me anë të një kthimi të papritur e nënshtroi mendjen time duke e bërë atë të hapur dhe të gatshme për të mësuar… Kështu, pasi shijova disi njohurinë e perëndishmërisë së vërtetë, u pushtova sakaq nga një dëshirë e fortë për të përparuar më tej [në këtë drejtim]” (Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Kalvinit, fq. 26).

Befas, Kalvini zbuloi dhe shijoi madhështinë e Perëndisë në Shkrimin e Shenjtë. Qysh prej atij çasti, qoftë Perëndiav qoftë fjala e Perëndisë u vërtetuan në një mënyrë kaq të fuqishme në shpirtin e tij sa që u bë një shërbëtor i dashur i Perëndisë dhe i fjalës së Tij për pjesën e mbetur të jetës së vet.

Pastori i Gjenevës

Kalvini e dinte se çfarë lloj shërbese dëshironte të kryente. Ai dëshironte të shijonte kënaqësinë e rehatisë akademike, me qëllim që ta përhapte besimin e reformuar nga katedra e një akademiku. Mirëpo, Perëndia kishte në mendje plane të tjera, jashtëzakonisht radikale për jetën e tij.

Pasi u arratis nga Parisi duke i dhënë lamtumirën edhe atdheut të tij, Francës, Kalvini e kishte ndarë mendjen që të shkonte në Strasburg, ku mendonte të kalonte një jetë të paqtë studimesh akademike. Mirëpo, gjatë udhëtimit të tij ai u ndal për një natë në Gjenevë. Guljelm Fareli, udhëheqësi i zjarrtë i reformimit në atë qytet, me ta zbuluar që Kalvini gjendej në qytet, e kërkoi dhe e gjeti. Takimi mes këtyre të dyve do të ndryshonte vetë rrjedhën e historisë, jo vetëm për Gjenevën, por madje për botën mbarë. Ja se çfarë thotë Kalvini në lidhje me këtë takim në kujtimet e tij:

Fareli, i cili digjej nga një zell i jashtëzakonshëm për përhapjen e ungjillit, mësoi menjëherë që me zemër kisha vendosur t’u kushtohesha studimeve akademike,… duke parë që nuk po ia dilte me përgjërime, më kërcënoi duke më thënë që po qe se do të largohesha nga Gjeneva dhe nuk do t’i ofroja mbështetje atij në një kohë nevoje kaq urgjente, Perëndia do ta mallkonte tërheqjen time nga shërbesa aktive si dhe qetësinë e studimeve që po kërkoja. Një i tillë kërcënim bëri që të më pushtonte tmerri dhe kështu hoqa dorë nga udhëtimi që kisha nisur.

Rrjedha e jetës së tij ndryshoi njëherë e përgjithmonë. Kalvini nuk do t’i shkruante veprat e tij rrethuar prej asaj që e quante “qetësia e studimeve”. Qysh prej atij çasti e tutje, çdo faqe e 48 vëllimeve të librave, traktateve, predikimeve, komentarëve dhe letrave që shkroi do të farkëtohej mbi kudhrën e shërbesës baritore. Gjatë 28 viteve në vazhdim (pa llogaritur 2 vitet e mërgimit), Kalvini iu përkushtua shtjellimit të fjalës, pra, shpalosjes së madhështisë së Perëndisë duke pasur për bazë Shkrimet në të mirë të grigjës së besimtarëve të Gjenevës.

Lavdia e ripërtërirë

Nevoja për reformim në thelb lindte nga fakti që katolicizmi e kishte “shkatërruar lavdinë e Krishtit në shumë mënyra” (Portreti i Kalvinit, fq. 9). Sipas Kalvinit, arsyeja se përse kisha ishte “dhënë pas shumë doktrinave të çuditshme” ishte “se nuk arrinte më dot ta dallonte shkëlqesinë e Krishtit” (Portreti i Kalvinit, fq. 55). Me fjalë të tjera, pasioni për lavdinë dhe shkëlqesinë e Perëndisë në Krishtin është rojtari më i sigurt i doktrinës së shëndoshë biblike përgjatë shekujve.

Për rrjedhojë, konflikti me katolicizmin nuk qëndronte në tezat kryesore të Reformimit, sikurse drejtësimi apo shfajësimi, abuzimet e klerit, transubstancioni, lutjet drejtuar shenjtorëve, autoriteti i papës. Kjo sepse çështja themelore, e cila gjendej poshtë gjithë këtyre tezave dhe që ishte në rrezik, kishte të bënte me faktin nëse lavdia e Perëndisë po shkëlqente në plotësinë e saj apo në një farë mënyre po zbehej. Busulla drejtuese nga fillimi i shërbesës së vet e deri në fund të jetës kishte të bënte me rolin qendror, supremacinë dhe madhështinë e lavdisë së Perëndisë.

Zbërthimi i thesareve të Shkrimit

Sipas mendimit të Gerhardus Vos, ishte pikërisht fokusi në lavdinë e Perëndisë, i cili bëri që tradita e reformuar të kishte më tepër sukses sesa tradita luteriane në “njohjen me themel të përmbajtjes së pasur të Shkrimeve”. Që të dyja këto tradita ishin “zhytur në Shkrimin e Shenjtë”. Mirëpo, ekzistonte një dallim në mes tyre:

Për shkak se teologjia e Reformuar ia doli t’i ngërthente idetë më të thella bazë të Shkrimit u bë e zonja që t’i trajtonte ato në një mënyrë më të plotë falë këtij boshti mendimi, duke ia dalë në këtë mënyrë që çdo përbërës të zinte vendin e vet. Kjo ide bazë, e cila shërbeu si çelësi për zbërthimin e sëndukut të thesareve të pasura të Shkrimit, ishte epërsia e lavdisë së Perëndisë tek shqyrtojmë mbarë krijimin e Tij (Shkrime të shkurtra, fq. 234).

Gjeniu i vërtetë i Gjenevës nuk ishte mendja e Gjon Kalvinit, por pasioni i pashoq për lavdinë e Perëndisë. Lipset që çdo brez t’i zbërthejë thesaret e Shkrimit, me qëllim që të ballafaqohet siç duhet me rreziqet dhe mundësitë e veçanta që ofron e koha e vet. Kjo gjë patjetër që vlen edhe për brezin tonë. Mendoj që do të jemi të zotët që ta bëjmë këtë siç duhet vetëm nëse pushtohemi thellësisht dhe gëzueshëm prej realitetit më të madh që na zbulon Shkrimi, realitet i cili është madhështia e lavdisë së Perëndisë.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*