Kalvinisti i Parë

Teodor Beza
1519–1605

nga Shon Rajt

Teodor Beza lindi në një familje që i përkiste sërës së fisnikërisë së vogël franceze dhe përfitoi një edukim të shkëlqyer në përgatitje për karrierën e tij si jurist. Falë provanisë së hirshme të Perëndisë, në moshën nëntë vjeçare Teodori u dërgua që të studionte pranë Melkior Volmarit, një luterian gjerman, i cili jo vetëm që i mësoi greqisht dhe latinisht, por edhe parimet bazë të besimit të krishterë. Beza thoshte sa i përket periudhës që kaloi nën mësuesin Volmarse shënonte “fillimin e gjithë gjërave të mira që kishte marrë që nga ajo ditë e tutje dhe që do të merrte në jetën tjetër”.

Bashkëpiloti i Kalvinit

Megjithatë, pas përfundimit të studimeve, Beza jetoi një jetë të shthurur në Paris për afërsisht një dekadë dhe u katandis aq keq sa për një farë kohe zuri shtratin se u sëmur për vdekje. Pastaj, në vitin 1548, Perëndia e solli në vete. Beza iu kthye përkushtimit të tij ndaj Jezusit dhe u largua nga Franca për t’iu bashkuar kauzës së reformimit në Zvicër. Ai filloi të jepte mësim në akademinë e pastorëve në Lozanë dhe në vitin 1558 u thirr në Gjenevë për të shërbyer bashkë me Gjon Kalvinin. Beza dhe Kalvini u bënë miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë gjatë viteve të fundit të jetës së këtij të fundit. Kalvini shkroi që ai vetë kujdesej “shumë për Bezën, i cili më do më fort sesa një vëlla dhe më nderon më tepër sesa të atin”.

Përveç disa udhëtimeve jashtë qytetit-shtet zviceran, Beza e kaloi pjesën tjetër të jetës së tij në Gjenevë, shpesh në kushte tepër sprovuese. Ai nuk e dinte nëse katolikët do ta sulmonin qytetin dhe do të vrisnin banorët e tij dhe iu desh të luftonte kundër një vale polemikash në rritje nga luterianët kundër protestantëve të reformuar.

Mbrojtësi i Gjenevës

Beza la gjurmën e vet në procesin e reformimit dhe këtë e bëri në disa mënyra. Së pari, mbi të ra barra e udhëheqjes së Reformimit të Gjenevës pas vdekjes së Kalvinit në vitin 1564. Për plot dyzetë vjet, Beza shërbeu si pastor dhe profesor, udhëtoi në Francë për të ndihmuar protestantët e shtypur atje, si dhe debatoi me katolikët dhe luterianët.

Nuk ka dyshim që Gjon Kalvini ishte babai i Kalvinizmit, por Beza me plot të drejtë mund të konsiderohet Kalvinisti i parë. Ai gjithashtu i dha trajtë asaj që tani e quajmë Kalvinizëm duke i zgjeruar dhe mbrojtur doktrinat që Kalvini i risolli në qendër të vëmendjes. Përmes mësimit dhe shërbesës së tij libërshkruese, Beza mbrojti veshjen me drejtësinë e Krishtit si elementin thelbësor për drejtësimin e mëkatarit, ai shpjegoi se përse ishte e drejtë të besohej në paracaktimin e dyfishtë, si dhe shtjelloi ngushëllimin që besimtari merr prej shlyerjes së përcaktuar të Krishtit.

Përveç udhëheqjes së tij pastorale, Beza i siguroi kishës së re të reformuar frëngjisht-folëse literaturën e nevojshme në ndihmë të rritjes së saj. Gjatë jetës së tij, Beza u bë i njohur më tepër për punën e tij me Dhiatën e Re, punë e cila kulmoi në veprën Shënimet e Dhiatës së Re. Kjo kryevepër gjuhësore përfshinte tekstin e Dhiatës së Re në greqisht, përkthimin e Vulgatës Latine, dhe përkthimin origjinal në latinisht nga Beza. Beza shtoi shënimet e veta shpjeguese dhe ato në fund të faqeve, duke demonstruar që besimi i reformuar ishte qartësisht një gjë që mësohej në Bibël. Shënimet e tij në këtë vepër luajtën një rol ndikues në botimin e Biblës në anglisht në vitin 1560, ose siç njihet ndryshe Bibla e Gjenevës, vepër e cila u bë përkthimi më popullor i Biblës mes Puritanëve. Teksti i Dhiatës së Re në greqisht që botoi Beza ishte ai që u përdor nga përkthyesit e Biblës së Mbretit Jakob në vitin 1611.

Nën Dorën e Pushtetshme të Perëndisë

Beza trashëgoi vizionin biblik të Kalvinit për sovranitetin e ëmbël të Perëndisë mbi të gjitha çështjet e jetës njerëzore. Pas vdekjes së Kalvinit, Beza jetoi përgjatë kohërave të trazuara dhe përjetoi sprova të cilat do ta shtynin të besonte edhe më fort në Zotin e tij. Në vitin 1587, për shembull, kur dukej sikur Gjeneva do të pushtohej nga katolikët, Beza e inkurajoi bashkësinë e tij që të besonte fort në provaninë e mirë të Atit të tyre qiellor:

“Kjo doktrinë është plot ngushëllim të mrekullueshëm. Përmes saj kuptojmë që prej fuqisë së Perëndisë tonë zbutet dhe pushon hungërima e atij luani të lidhur me zinxhirë, kuptojmë gjithashtu që Perëndia nuk do ta lejojë kurrë që ai të bëjë ndonjë gjë kundër fëmijëve të tij, e cila të mos jetë për të mirën dhe dobinë e tyre, sikurse na thotë edhe apostulli (Romakëve 8:28) dhe na e mëson gjithashtu përmes shembullit të tij (2 Korintasve 12:17)”.

Me të vërtetë, u tha ai dëgjuesve të tij, shpresa jonë e vetme është që Perëndia ynë është Sovran, madje aq Sovran saqë mund të na shpëtojë nga mëkatet tona kur jemi krejtësisht të vdekur frymërisht:

“Në natyrën tonë nuk ka asgjë tjetër veçse rebelim kokëfortë dhe të dëshpëruar, gjersa Fryma e Perëndisë shporr tutje fillimisht errësirën e mendjes tonë, e cila në vetvete s’mundet dhe as që ka për të menduar kurrë për gjërat e Perëndisë (2 Korintasve 3:5), dhe së dyti, shëron gatishmërinë e vullnetit tonë, i cili është armik i Perëndisë dhe gjithçkaje që është vërtet e mirë (Romakëve 5:10 dhe 8:7)”.

Mendja dhe zemra e Bezë su ndriçua aq sa të kuptonte që për shkak se Perëndia mbretëron dhe ka gjithë pushtetin, të krishterët mund të shpresojnë në mirësinë e Tij si për shpëtimin e tyre ashtu dhe për mbrojtjen që do t’u ofrohet përkundër rreziqeve me të cilat do të ballafaqohen gjatë shtegtimit të tyre tokësor.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*