Gjiganti Zviceran

Ulrih Zvingli
1484–1531

nga Trevis Majërs

Karriera e Ulrih Zvinglit si reformator ishte relativisht e shkurtër, por falë udhëheqjes së tij energjike dhe shumëpërmasore luajti një rol të pazëvendësueshëm në orët e para të lëvizjes protestante.

Zvingli lindi në një fshat të vogël alpin të quajtur Vildhaus në vitin 1484 në familjen e kryeplakut të fshatit. Ai studioi në universitetet e Vjenës dhe Bazelit para se të shërbente si prift në qytetit zviceran të Glarusit nga viti 1506 deri 1516. Ndërsa po shërbente si prift në qytetin e Ajnsidelnit dy vitet në vazhdim (1517-1518), Zvingli reshti së ndjekuri traditën katolike rreth të predikuarit dhe zuri të predikonte në mënyrë shtjelluese në gjuhën gjermane për të qenë sa më i kuptueshëm nga besimtarët e thjeshtë. Falë këtij predikimi ai u emërua si pastor në qytetin e lirë apo “kantonin” e Zyrihut në vitin 1519.

Në Ajnsideln, Zvingli kishte qenë student i zellshëm i Dhiatës së Re në greqisht që u botua asokohe nga Erazmi në Roterdam. Gjatë qëndrimit në Zyrih, Zvingli kaloi gjashtë vjet duke predikuar drejtpërdrejt nga Dhiata e Re, duke u ulur gju më gju me njerëzit e famullisë së tij, duke shkruar kundër dogmave dhe praktikave katolike që nuk kishin asnjë bazë në Shkrim, si dhe duke u përfshirë në debate publike me autoritetet katolike përpara qeveritarëve të qytetit. Gjatë kësaj kohe, këshilli i qytetit të Zyrihut dhe ai i kantonit fqinjë të Bernës votuan që të përqafonin protestantizmin.

Gjashtëdhjeteshtatë teza

Për debatet e tij publike me autoritetet Katolike në fillim të vitit 1523, Zvingli formuloi “Gjashtëdhjeteshtatë Teza”. Parathënia e shkurtër e këtij dokumenti dhe pasthënia e tij tregojnë respektin e thellë të Zvinglit për autoritetin e Fjalës së Perëndisë si dhe besimin e tij të palëkundur në statusin e pashoq të Biblës si zbulesa e vetme e lajmit të mirë shpëtues të Jezu Krishtit dhe e vullnetit të Perëndisë për të krishterët. Parathënia thotë kështu:

Tezat dhe opinionet e mëposhtme, unë, i nënshkruari Ulrih Zvingli, pohoj se i kam predikuar në qytetin e nderuar të Zyrihut, teza dhe opinione të cilat janë të bazuara në Shkrimin e Shenjtë që konsiderohen të frymëzuara prej Perëndisë… dhe aty ku nuk e kam kuptuar si duhet Shkrimin do të vazhdoj të jem i hapur që të më mësojnë më mirë, por vetëm prej Shkrimit.

Zvingli i shtjelloi këto teza në një traktat të gjatë sa një libër në vitin 1525, të cilin e titulloi “Feja e Vërtetë dhe ajo e Rreme”. Në vitin 1526 ai hartoi “Dhjetë Tezat” për Bernën, të cilat shërbyen si një përmbledhje e ngjeshur e pikëpamjeve së tij të reformuara.

Poshtë salltanetet

Zvingli, gjiganti zviceran i reformimit, i kishte veçanërisht zët salltanetet, hipokrizinë, dhe idhujtarinë e fesë së krijuar prej njeriut. Mundi i tij për reformimin e Zyrihut dhe kantoneve të tjera zvicerane mbase mund të përshkruhet më thjesht si një përpjekje për t’i çliruar njerëzit nga barrët që u ishin ngarkuar prej një sistemi fetar të shpikur prej njerëzve, barrë të cilat nuk e garantojnë dot jetën e përjetshme me gjithë premtimet që japin në mënyrë të rreme. Teza 7 marrë nga “Gjashtëdhjeteshtatë Tezat” shpall që Krishti “është shpëtim i përjetshëm dhe kreu i gjithë besimtarëve, të cilët janë trupi i tij, trup i cili në vetvete është i vdekur dhe s’mund të bëjë dot gjë pa Të”. Pjesëmarrja në meshë, apo në të ashtuquajturat sakramente të Kishës së Romës, apo edhe shugurimi si prift nuk e bënin dikë të gjallë frymërisht dhe për pasojë anëtar të “kishës së vërtetë katolike” (kishës universale). Kjo ndodh vetëm përmes ungjillit dhe Frymës së Shenjtë.

Futja me birrë e me salsiçe, gjej grua

Zvingli ishte një shërbëtor i Perëndisë që jo vetëm synonte të jepte mësim dhe të zbatonte vetëm Biblën, por gjithashtu punoi si me kishën ashtu dhe me autoritetet e qytetit që t’i përshtatnin ligjet dhe politikat e tyre me fjalën e Perëndisë. Gjatë kreshmës së vitit 1522, Zvingli, pa u shprehur drejtpërdrejt, bashkë me të ftuarit e tjerë hëngrën salsiçe në shtëpinë e një besimtari, tipografit Kristof Froshauer, megjithëse këto ndaloheshin të haheshin gjatë kreshmës nga kisha katolike, megjithëse përbënin ushqimin kryesor të asaj zone. Zvingli ndërhyri me sukses tek autoritetet e qytetit të Zyrihut për lirimin e të burgosurve që kishin shkelur agjërimin e kreshmës.

Duke përfituar nga lëshimet e këshillit të qytetit, Zvingli dhe dhjetë priftërinj të tjerë i shkruan Peshkopit të Konstancës dhe i kërkuan t’u jepte priftërinjve të drejtën të martoheshin, duke e konsideruar rregullin për beqarinë priftërore si një rregull idiot dhe të pabazuar në Shkrimin e Shenjtë. Vetë Zvingli tashmë po bashkëjetonte me vejushën Ana Rajnhart, me të cilën u martua menjëherë pasi Zyrihu u bë kanton Protestant dhe u lirua nga autoriteti i peshkopit.

Zvingli ushqente një respekt të thellë për gratë dhe dëshironte që ato të dishepulloheshin siç duhet në besimin e krishterë. Në vitin 1522, ai vizitoi një kuvend murgeshash për të dhënë një seri leksionesh të titulluara “Rreth Qartësisë dhe Sigurisë së Fjalës së Perëndisë,” mësime teologjike rreth doktrinës së zbulesës dhe interpretimit të Biblës.

Dymbëdhjetë vjet Reformë

Më 11 tetor 1531, në moshën 47-vjeçare Zvingli u vra në një fushëbetejë pranë Kapelit, megjithëse ishte i paarmatosur dhe shërbente si kapelan i trupave protestante, duke pasur me vete vetëm një flamur dhe një Bibël.

Tek po ndërronte jetë, Zvingli kishte vetëm dymbëdhjetë vjet që e kishte lënë pas jetën e tij si prift në Ajnsideln – një karrierë e shkurtër kjo kur krahasohet me dekadat e përpjekjeve reformuese të Luterit dhe Kalvinit. Mirëpo, ka një arsye se përse ndodh rëndom që Zvingli është emri i tretë që njerëzit përmendin kur kujtojnë reformimin. Prej hirit të Perëndisë, dymbëdhjetë vitet dinamike të këtij reformatori i kthyen mijëra burra dhe gra zviceranë nga ceremonitë e vdekura të katolicizmit tek Jezu Krishti.

Hajnrih Bullinger e pasoi Zvinglin si pastor i kishës së Gros Mynsterit dhe si drejtues i “Shkollës së Profetëve” në Zyrih, e cila i trajnonte shërbëtorët e ardhshëm në gjuhët biblike, studimin e Biblës dhe predikim. Në vitet 60 të Shek. XVI, Bullingeri u bë autori kryesor i Rrëfimit të Dytë Helvetik, i cili shumë shpejt u përqafua nga kishat e reformuara në Zvicër, Skoci, Hungari, Francë dhe Poloni. Ky rrëfim vazhdon të jetë edhe sot një prej deklaratave më të dashura dhe me më tepër ndikim në disa grupime të reformuara përreth botës.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*