Komentim – Hebrenjve 1

Letra drejtuar Hebrenjve

nga Matthew Henry

Kjo letër na tregon Jezu Krishtin si synimin, themelin, realitetin dhe të vërtetën e simboleve të ligjit, të cilat në vetvete nuk kishin vlerë për shpirtin. E vërteta e madhe e shpalosur në këtë letër është që Jezu Krishti i Nazaretit është Perëndia i vërtetë. Judenjtë jobesimtarë përdorën shumë argumente për t’i larguar vëllezërit e tyre nga besimi i Krishterë. Ata e paraqitën ligjin e Moisiut si superior ndaj epokës së Krishterë dhe folën kundër gjithçkaje që kishte lidhje me Shpëtimtarin. Prandaj apostulli, tregon superioritetin e Jezusit të Nazaretit, si Biri i Perëndisë bashkë me përfitimet që vijnë prej vuajtjeve dhe vdekjes së Tij si sakrificë për mëkatin, për këtë arsye besimi i Krishterë është shumë më i shkëlqyer dhe i përsosur sesa feja e Moisiut. Qëllimi kryesor duket se është që t’i çojë Hebrenjtë e kthyer në besim përpara në njohjen e Ungjillit dhe kështu t’i themelojë ata në besimin e Krishterë, t’i parandalojë nga kthimi pas, gjë kundër së cilës paralajmërohen me shumë zell. Edhe pse kjo letër përmban shumë gjëra të dobishme për Hebrenjtë e viteve të hershme të kishës, ajo gjithashtu përmban shumë të vërteta që nuk kanë për ta humbur kurrë interesin e kishës së Perëndisë; sepse njohja e Jezu Krishtit është vetë palca dhe thelbi i gjithë Shkrimeve. Ligji ceremonial është plot me Krishtin, gjithë Ungjilli është plot me Krishtin; linjat e bekuara të të dyja Besëlidhjeve takohen në Të; sa shumë bien dakord që të dyja dhe në mënyrë të ëmbël bashkohen në Jezu Krishtin, ky është synimi kryesor që duhet të zbulohet tek letra drejtuar Hebrenjve.

Kapitulli 1

Skica e kapitullit

  • Dinjiteti i jashtëzakonshëm i Birit të Perëndisë në personin e Tij Hyjnor si dhe në punën e Tij krijuese dhe ndërmjetësuese (1-3)
  • Dinjiteti i jashtëzakonshëm i Birit të Perëndisë në superioritetin e Tij ndaj gjithë engjëjve të shenjtë (4-14)

Hebrenjve 1:1–3

Perëndia i foli popullit të tij në lashtësi në kohë të ndryshme përgjatë brezave të njëpasnjëshëm, dhe në mënyra të ndryshme ashtu siç iu duk e përshtatshme; nganjëherë përmes drejtimit personal, nganjëherë përmes ëndrrave, nganjëherë përmes vizioneve, nganjëherë përmes ndikimeve Hyjnore në mendjen e profetëve. Zbulesa e Ungjillit është më e shkëlqyer sesa ajo e mëparshme; për shkak se është zbulesa të cilën Perëndia e ka bërë përmes Birit të Tij. Kur shohim fuqinë, urtësinë dhe mirësinë e Zotit Jezu Krisht, jemi duke parë fuqinë, urtësinë dhe mirësinë e Atit (Gjoni 14:7); plotësia e Hyjnisë banon në Të jo në mënyrë tipike apo figurative, por në realitet. Kur njeriu ra në mëkat bota po copëtohej nën zemërimin dhe mallkimin e Perëndisë, Biri i Tij morri përsipër veprën e shpengimit, dhe e mban atë përmes fuqisë dhe mirësisë së Tij të gjithëpushtetshme. Nga lavdia e personit dhe ofiqit të Krishtit kalojmë tek lavdia e hirit të Tij. Lavdia e personit dhe natyrës së Tij i dhanë vuajtjeve të Tij merita të tilla për rimëkëmbjen e plotë të nderit të Perëndisë i cili ishte shkelur me këmbë dhe kishte marrë një turp dhe lëndim të pafundmë prej mëkateve të njerëzve. Ne s’mund të jemi kurrë mjaft mirënjohës që Perëndia na ka folur ne mëkatarëve të rënë rreth shpëtimit në kaq shumë mënyra gjithnjë e më të qarta. Është mrekulli që Ai vetë na pastroi nga mëkatet tona, kjo është një mrekulli dashurie për të cilën nuk kemi mjaft fuqi admirimi, mirënjohjeje dhe lavdërimi.

Hebrenjve 1:4-14

Shumë Judenj kishin një respekt apo idhujtari besëtytnore për engjëjt për shkak se përmes shërbesës së tyre kishin marrë ligjin dhe lajme të tjera në lidhje me vullnetin Hyjnor. Ata i shihnin engjëjt si ndërmjetës mes Perëndisë dhe njeriut dhe disa madje shkuan aq larg sa u ofruan një lloj homazhi apo adhurimi fetar. Për këtë arsye ishte e nevojshme që apostulli të këmbëngulte jo vetëm që Krishti ishte Krijuesi i të gjitha gjërave, përfshirë këtu edhe vetë engjëjt, por që duke qenë Mesia i ringjallur dhe i lartësuar në natyrën njerëzore të cilit i janë nënshtruar engjëjt, autoritetet dhe pushtetet. Për ta vërtetuar këtë gjë citohen disa pjesë nga Besëlidhja e Vjetër. Duke krahasuar atë që thotë Perëndia atje për engjëjt me atë që thotë për Krishtin duket qartë inferioriteti i engjëjve para Krishtit. Ja cila ishte detyra e engjëjve; ata janë shërbëtorë të Perëndisë për të bërë atë që i pëlqen Atij. Shihni çfarë gjërash më të mëdha që janë thënë për Krishtin prej Atit! Prandaj le ta pranojmë dhe nderojmë Atë si Perëndi; pasi po të mos kishte qenë Perëndi nuk do ta kishte realizuar dot kurrë punën e Ndërmjetësit, dhe as do ta kishte marrë kurorën e Ndërmjetësit. Shpallet sesi Krishti u kualifikua për ofiqin e Ndërmjetësit dhe sesi u konfirmua në këtë detyrë; Ai mban emrin Mesia prej faktit që është i vajosur. Ai ka shokë vetëm në kuptimin që është Njeri dhe si i vajosur me Frymën e Shenjtë; por në personin e Tij Ai qëndron mbi profetët, priftërinjtë dhe mbretërit që i shërbyen Perëndisë këtu mbi tokë. Një pjesë tjetër nga Shkrimi që citohet është Psalmi 102:25-27, në të cilën shpallet fuqia e Gjithëpushtetshme e Zotit Jezu Krisht, si në krijimin e botës dhe në ndryshimin e saj. Krishti do ta mbështjellë këtë botë si një mantel për të mos u abuzuar më, për të mos u përdorur më ashtë si është përdorur. Si sovran kur rrobat e tij mbështillen dhe lihen mënjanë ai vazhdon të jetë i tillë, po kështu edhe si Zot kur t’i lërë mënjanë qiejt dhe tokën si një mantel do të vazhdojë të jetë i njëjti. Prandaj le të mos i vendosim gjërat tek ato gjëra që nuk janë ashtu si duken dhe nuk kanë për të qenë më njëlloj. Mëkati ka shkaktuar një ndryshim të madh për keq në botë, dhe Krishti do të sjellë në të një ndryshim të madh për mirë. Shpëtimtari ka bërë shumë për t’i bërë njerëzit miqtë e Tij, megjithatë Ai ka ende armiq. Por ata do të bëhen stoli i këmbëve të Tij ose përmes nënshtrimit të përulur ose përmes shkatërrimit total. Krishti do të vazhdojë të ngadhënjejë. Engjëjt më të lartë janë thjesht frymëra shërbenjës, thjesht shërbëtorë të Krishtit për të ekzekutuar urdhrat e Tij. Tani shenjtorët janë trashëgimtarë që ende nuk e kanë marrë trashëgiminë. Engjëjt u shërbejnë atyre duke kundërshtuar ligësinë dhe pushtetin e frymërave të këqija, duke mbrojtur dhe ruajtur trupat e shenjtorëve, duke udhëzuar dhe ngushëlluar shpirtrat e tyre, nën urdhrat e Krishtit dhe Frymës së Shenjtë. Engjëjt do t’i mbledhin të gjithë shenjtorë atë ditë të fundit, kur të gjithë ata zemrat dhe shpresat e të cilëve janë vendosur tek thesaret që prishen dhe tek lavdia që zbehet do të dëbohen nga prania e Krishtit në mjerim të përjetshëm.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*