Komentim – Hebrenjve 12
nga Methju Henri
Skica e kapitullit
- Nxitje për të qenë këmbëngulës dhe të duruar, Shembulli i Krishtit, dhe qëllimet e hirshme të Perëndisë në të gjitha vuajtjet që durojnë besimtarët. (1–11)
- Rekomandimi i paqes dhe shenjtërisë duke treguar kujdes për të mos i përbuzur bekimet frymërore. (12-17)
- Epoka e Dhjatës së Re tregohet që është shumë më e shkëlqyer se sa ajo e Dhjatës së Vjetër. (18–29)
Hebrenjve 12:1–11
Bindja këmbëngulëse e besimit në Krishtin ishte garra e vendosur para Hebrenjve, në të cilën ose duhej ta fitonin kurorën e lavdisë, apo të binte në pjesë mjerimi i përjetshëm; e njëjta garrë gjendet edhe para nesh. Me mëkatin që na josh kollaj, nënkuptohet ai mëkat ndaj të cilit priremi më lehtë, apo ndaj të cilit jemi më të ekspozuar, për shkak të zakonit, moshës apo rrethanave. Kjo është nxitja më e rëndësishme, sepse nëse mëkati i preferuar i dikujt, çfarëdo qoftë ky mëkat, nuk mposhtet, ka për ta penguar atë person të vrapojë garën e krishterë pasi i heq çdo motiv për të vrapuar dhe ngjall çdo lloj shkurajimi.
Kur besimtarët janë të lodhur dhe të shkurajuar në mendjen e tyre le të kujtojnë që Jezusi i shenjtë vuajti për t’i shpëtuar nga mjerimi i përjetshëm. Duke soditur me ngulm Jezusin mendimet e tyre do t’i përforcojnë ndjenjat e shenjta dhe do të mbajnë nën kontroll dëshirat e tyre mishore. Prandaj le ta konsiderojmë shpesh Jezusin. Çfarë janë sprovat tona të vogla përpara agonive të Tij, apo qoftë dhe shkretëtirat tona? Si mund të krahasohen ato me vuajtjet e shumë të tjerëve? Tek besimtarët ka një prirje për t’u lodhur dhe për t’u dorëzuar para sprovave dhe mundimeve; kjo ndodh për shkak se hiri nuk është përsosur ende dhe prej prishjes që mbetet në ta. Të krishterët nuk duhet të dorëzohen në sprovat e tyre. Edhe pse armiqtë dhe përndjekësit e tyre mund të jenë instrumente për të shkaktuar vuajtje, megjithatë ato janë qortime Hyjnore; Ati i tyre qiellor ka dorën e Tij në gjithçka, dhe gjithçka kontribuon në synimet e Tij të urta. Besimtarët nuk duhet t’i nënvlerësojnë vuajtjet dhe të jenë të pandjeshëm kur kalojnë përmes tyre, sepse ato janë dora dhe thupra e Perëndisë, janë qortimet e Tij për mëkatin. Nuk duhet të dëshpërohemi dhe të na lëshojë zemra në sprova, as të mos grindemi apo ankohemi, por të kalojmë me besim dhe durim.
Perëndia mund t’i lërë të tjerët rehat në mëkatin e tyre por ka për ta korrigjuar mëkatin tek fëmijët e Tij. Kështu Ai vepron siç i ka hije një ati. Prindërit tanë tokësorë mund të na korrigjojnë ndonjëherë, thjeshtë për të shfryrë zemërimin e tyre, në vend që të ndihmojnë në reformimin e sjelljes tonë. Por Ati i shpirtrave tanë nuk na trishton kurrë dhe as i lëndon fëmijët e Tij me dëshirë. Gjithë jeta jonë këtu poshtë është në fazën e fëmijërisë duke qenë të papërsosur kur vjen puna për gjërat frymërore; prandaj duhet t’i nënshtrohemi disiplinës në një fazë të tillë. Kur të arrijmë në gjendjen e përsosur do të pajtohemi plotësisht me të gjitha ndreqjet e Perëndisë ndaj nesh tani. Korrigjimi i Perëndisë nuk është dënim; disiplina mund të pranohet me durim dhe kështu ka për ta nxitur fort shenjtërinë. Prandaj, le të mësojmë t’i konsiderojmë vuajtjet që na shkaktohen nga ligësia e njerëzve si korrigjime të dërguara prej Atit tonë të urtë dhe të hirshëm për të mirën tonë frymërore.
Hebrenjve 12:12–17
Barra e vuajtjeve ka prirjen t’i bëjë krahët e të krishterit të varen dhe gjunjët e tij të dobësohen, t’ia heqë gëzimin dhe ta shkurajojë; por ai duhet të luftojë kundër kësaj gjëje në mënyrë që vrapojë më mirë në garën e tij frymërore. Besimi dhe durimi i aftësojnë të krishterët të ndjekin paqen dhe shenjtërinë, ashtu si dikush që e ndjek thirrjen e vet në mënyrë të vazhdueshme, me zell dhe kënaqësi. Paqe me njerëzit, nga të gjitha shtresat dhe grupet ka për të qenë e dobishme ndaj kërkimit tonë të shenjtërisë. Por paqja dhe shenjtëria shkojnë bashkë; s’mund të ketë paqe të vërtetë pa shenjtëri. Atje ku njerëzit dështojnë të marrin hirin e vërtetë të Perëndisë, ka për të mbizotëruar prishja; prandaj kini kujdes që në zemrën tuaj të mos ketë ndonjë lakmi të cilën të mos e keni vrarë; ajo mund të duket si e vdekur por ngre krye për të shqetësuar dhe trazuar gjithë trupin. Largimi nga Krishti është fryti i preferencës për kënaqësitë e mishit më tepër se bekimet e Perëndisë dhe trashëgimisë qiellore, ashtu si bëri Esau. Por mëkatarët nuk do të kenë gjithmonë mendime kaq të ulëta për bekimet dhe trashëgiminë Hyjnore siç kanë tani. Ka një përputhje mes prirjes së njeriut profan për të dëshiruar bekimin, dhe në të njëjtën kohë të përbuzësh mjetet përmes të cilave përvetësohet bekimi. Por Perëndia nuk ka për ta ndarë kurrë bekimin nga mjetet dhe as ka për të bashkuar bekimin me përmbushjen e lakmive të njeriut. Mëshira dhe bekimi i Perëndisë nuk u kërkuan kurrë me kujdes dhe kështu nuk u trashëguan kurrë.
Hebrenjve 12:18–29
Mali Sinai mbi të cilin u formua bashkësia e Judenjve, ishte një mal që mund të prekej, edhe se ishte e ndaluar që ta bënin këtë gjë, ishte një vend që mund të ndjehej; prandaj epoka e Ligjit të Moisiut fokusohej shumë në gjërat e jashtme dhe tokësore. Epoka e Ungjillit është e mirë dhe denjuese, e përshtatur me natyrën tonë të dobët. Në epokën e Ungjillit të gjithë mund të vijnë me guxim në praninë e Perëndisë. Por edhe më të shenjtët do të binin në dëshpërim nëse do të gjykoheshin prej ligjit të shenjtë të dhënë nga Sinai, dhe duke mos pasur një Shpëtimtar. Kisha e epokës së Ungjillit quhet Mali Sion; aty besimtarët kanë pamje më të qarta të qiellit dhe ndjenja më qiellore në shpirt. Të gjithë fëmijët e Perëndisë janë trashëgimtarë dhe secili prej tyre ka privilegjet e të parëlindurit. Nëse një shpirt dëshiron t’i bashkohet kësaj asambleje të lavdishme dhe kishës qiellore, i cili nuk është njohur ende me Perëndinë, ka ende një mendje mishore, që do këtë botë dhe gjërat e saj, që vazhdimisht i kthen sytë pas drejt saj, që është plot me krenari dhe moskokëçarje, plot me lakmi; një shpirt i tillë duket se ka ngatërruar udhën, vendin dhe shoqërinë e vet. Ka për të qenë në ankth për veten dhe gjithë gjërat përreth. Krishti është ndërmjetësi i kësaj besëlidhjeje të re mes Perëndisë dhe njeriut, për t’i bashkuar në këtë besëlidhje; për t’i mbajtur bashkë; për të ndërmjetësuar tek Perëndia për ne, dhe për të na u përgjëruar ne për Perëndinë; dhe më në fund t’i sjellë bashkë në qiell Perëndinë dhe popullin e Tij. Kjo besëlidhje është bërë e palëkundshme përmes gjakut të Krishtit që është spërkatur mbi ndërgjegjen tonë, ashtu si gjaku i sakrificës që u spërkat mbi altarin dhe mëkatarin. Ky gjak i Krishtit flet për llogari të mëkatarëve; ky gjak nuk përgjërohet për hakmarrje por për mëshirë. Prandaj bëni kujdes që të mos refuzoni thirrjen e Tij të hirshme dhe shpëtimin që të ofron. Bëj kujdes që të mos refuzosh Atë që flet prej qiellit me dashuri dhe butësi të pafundme; sepse si mund të shpëtojnë ata që largohen prej Perëndisë në mosbesim dhe apostazi ndërsa Ai iu përgjërohet me aq shumë hir që të pajtohen dhe të marrin favorin e përjetshëm! Mënyra sesi Perëndia i trajton njerëzit në epokën e ungjillit me hir, na siguron që Ai do t’i trajtojë përbuzësit e ungjillit me gjykim. Nuk mund ta adhurojmë dot Perëndinë në mënyrë të pranueshme nëse nuk e adhurojmë me druajtje dhe frikë të shenjtë. Vetëm hiri i Perëndisë na aftëson ta adhurojmë Atë si duhet. Perëndia është i njëjti Perëndi i drejtë dhe i paanshëm në ungjill siç ishte dhe në ligj. Trashëgimia e besimtarëve është siguruar për ta; të gjitha gjërat që i përkasin shpëtimit u janë dhënë falas si përgjigje ndaj lutjes. Le të kërkojmë hir, në mënyrë që t’i shërbejmë Perëndisë me druajtje dhe frikë të shenjtë.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!