Komentim – Hebrenjve 13

nga Methju Henri

Skica e kapitullit

  • Nxitje për detyra të ndryshme dhe për të qenë të kënaqur me atë çfarë në jep Perëndia. (1-6)
  • Respektimi i udhëzimeve të pastorëve besnikë duke u kujdesur që të mos shkojmë pas doktrinave të huaja. (7-15)
  • Nxitje të mëtejshme për detyrat e krishtera, në lidhje me Perëndinë, të afërmin dhe ata që janë caktuar mbi ne në Zotin. (16:21)
  • Konsiderimi serioz i kësaj letre. (22-25)

Hebrenjve 13:1–6

Qëllimi pse Krishti e dha veten e Tij për ne është që të mund të blinte për veten një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira; feja e vërtetë është lidhja më e fortë e bashkësisë. Këtu gjejmë nxitje të zellshme për disa detyra të krishtera, në mënyrë të veçantë për të qenë të kënaqur. Mëkati që i kundërvihet këtij hiri dhe kësaj detyre është lakmia, një dëshirë e fortë për pasurinë e kësaj bote, duke pasur smirë ata që kanë më tepër se ne. Duke qenë se kemi thesare në qiell ne mund të kënaqemi mbi tokë edhe me gjera modeste. Ata që s’mund të kënaqen me atë që kanë edhe nëse Perëndia i ngre nga gjendja ku janë përsëri nuk do të jenë të kënaqur. Adami ishte në parajsë e megjithatë nuk ishte i kënaqur; por apostulli Pal edhe pse i përunjur dhe duke mos pasur asgjë, kishte mësuar që në çdo gjendje të ishte i kënaqur. Të krishterët kanë arsye për të qenë të kënaqur me atë që u ka rënë në pjesë. Ky premtim përmban thelbin dhe tërësinë e të gjitha premtimeve; “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.” Në versionin origjinal ka pesë fjalë mohuese për ta konfirmuar premtimin: besimtari i vërtetë do të kenë praninë e hirshme të Perëndisë me të, në jetë, në vdekje dhe përgjithmonë. Njerëzit nuk mund të bëjnë dot asgjë kundër Perëndisë, dhe Perëndia mund të bëjë që të gjitha ato që njerëzit i bëjnë popullit të tij të dalin për mirë.

Hebrenjve 13:7–15

Udhëzimet dhe shembulli i udhëheqësve që e përfunduan dëshminë e tyre me nder dhe si u ka hije duhet që të kujtohen në mënyrë të veçantë prej atyre që lanë pas. Edhe pse disa nga udhëheqësit e tyre kishin vdekur dhe disa ishin pranë vdekjes, Kreu i tyre madhështor dhe Krye Prifti i kishës, Bariu i shpirtrave të tyre, jeton përjetë dhe është gjithmonë i njëjti. Krishti është i njëjti në kohën e Dhjatës së Vjetër ashtu si dhe në epokën e ungjillit, i tillë ka për të qenë për popullin e tij përjetë, njëlloj i mëshirshëm, njëlloj i fuqishëm, njëlloj i gjithëmjaftueshëm. Ai ende vazhdon ta kënaqë të uriturin, të inkurajojë të frikësuarin, ta pranojë krahë hapur mëkatarin e penduar; Ai ende i kundërshton krenarët dhe ata që e mbajnë veten për të drejtë, e urren rrëfimin thjesht me buzë dhe të gjithë ata që Ai i shpëton i mëson të duan drejtësinë dhe të urrejnë paudhësinë. Besimtarët duhet të përpiqen që t’i themelojnë zemrat e tyre në varësinë e thjeshtë tek hiri falas, përmes Frymës së Shenjtë, dhe kjo ka për t’i ngushëlluar zemrat e tyre dhe do t’i ruajë prej mashtrimit.

Krishti është Altari ynë dhe Sakrifica jonë; Ai e shenjtëron dhuratën. Darka e Zotit është festa e pashkës së ungjillit. Pasi ka treguar që vazhdimësia në ligjin Levitik sipas rregullave të veta i mban njerëzit larg altarit të krishterë, apostulli shton, “Le të dalim jashtë kampit dhe të shkojmë drejt tij;” le të dalim nga ligji ceremonial, nga mëkati, nga bota dhe nga vetja. Të jetuarit me besim në Krishtin, të veçuar për Perëndinë përmes gjakut të tij, me vullnet le të veçohemi prej kësaj bote. As mëkati, as mëkatarët dhe as vdekja nuk ka për të na mbajtur këtu; prandaj le të dalim tani me besim dhe të kërkojmë në Krishtin prehjen dhe paqen të cilat kjo botë s’mund të na i japë. Le t’i sjellim sakrificat tona tek ky altar, tek ky Krye Prift dhe t’i ofrojmë përmes Tij. Flijimet e lavdërimit për Perëndinë janë flijimet që duhet të ofrojmë gjithmonë. Këtu përfshihet adhurimi, lutja dhe falënderimi.

Hebrenjve 13:16–21

Sipas fuqisë që kemi duhet të japim për nevojat e shpirtrave dhe trupave të njerëzve: Perëndia do t’i pranojë këto flijime me kënaqësi, do t’i pranojë dhe bekojë ata që i ofrojnë përmes Krishtit. Pastaj apostulli shpall se cila është detyra e besimtarëve ndaj udhëheqësve që janë ende gjallë; t’iu binden dhe t’iu nënshtrohen atyre për aq sa kjo gjë përputhet me mendjen dhe vullnetin e Perëndisë gjëra të cilat bëhen të ditura në Fjalën e Tij. Të krishterët nuk duhet ta konsiderojnë veten tepër të urtë, tepër të mirë, apo tepër të mëdhenj për të mësuar. Njerëzit duhet t’i hetojnë Shkrimet, dhe për aq kohë sa udhëheqësit japin mësim sipas atij rregulli ata duhet t’i pranojnë udhëzimet e tyre, në mënyrë që llogaria që udhëheqësit e tyre do të japin për ta të jetë me gëzim dhe jo me trishtim.

Udhëheqësit besnikë do t’i shpëtojnë shpirtrat e tyre, por do t’iu kërkohet llogari për shkatërrimin e njerëzve të pabesë dhe të pafrytshëm. Me sa më tepër zell që të luten njerëzit për udhëheqësit e tyre, aq më tepër dobi mund të presin prej shërbesës së tyre. Një ndërgjegje e mirë i respekton të gjitha urdhërimet e Perëndisë dhe të gjitha detyrat tona. Ata që ka në ndërgjegje të mirë ende kanë nevojë për lutjet e njerëzve të tjerë. Kur njerëzit kanë njerëz që luten për ta, kanë një kënaqësi të madhe në shpirtin e tyre dhe në suksesin e njerëzve. Të gjitha mëshirat tona duhet t’i kërkojmë me lutje. Perëndia është Perëndi i paqes që është pajtuar plotësisht me besimtarët; Ai ka hapur një udhë për paqen dhe pakjtimin mes Vetes së Tij dhe mëkatarëve; Perëndia dëshiron paqe mbi tokë, në mënyrë të veçantë në kishat e Tij. Ai është Autori i paqes frymërore në zemrat dhe ndërgjegjen e popullit të Tij. Sa e palëkundshme është ajo besëlidhje që e ka themelin në gjakun e Birit të Perëndisë! Përsosja e shenjtorëve të Tij në çdo vepër të mirë është gjëja që dëshirohet më tepër prej tyre dhe për ta, në mënrë që të përshtaten plotësisht për ushtrimin e lumturisë në qiell. Nuk ka gjë të mirë që të bëhet në ne përveç punës së Perëndisë. Asnjë e mirë nuk arrihet në ne prej Perëndisë veçse me anë të Krishtit, për hir të Tij dhe përmes Frymës së Tij.

Hebrenjve 13:22–25

Njerëzit janë aq të këqij, madje dhe besimtarët, për shkak të prishjes që ende mbetet në ta, saqë edhe atëherë kur iu përcillet doktrina më e rëndësishme dhe më ngushëlluese për të mirën e tyre, madje përmes provave më bindëse, përsëri është e nevojshme të përdoret nxitje dhe përgjërim i zellshëm që ta pranojnë, të mos e braktisin, të mos e neglizhojnë apo ta mohojnë. Është mirë që në zemrat e të krishteërve është shkruar ligji i mirësisë dhe dashurisë së shenjtë për të krishterët e tjerë. Feja u mëson njerëzve qytetarinë e vërtetë dhe sjelljen e mirë. Nuk është e pasjellshme apo grindavece. Favori i Perëndisë qoftë me ju dhe hiri i Tij punoftë vazhdimisht në ju dhe me ju për të prodhuar frytet e shenjtërisë si frytet e para të lavdisë.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*