Komentim – Hebrenjve 5
Hebrenjve 5
Skica e kapitullit
- Ofiqi dhe detyra e krye priftit realizohen përsosmërisht në Krishtin (1-10)
- Hebrenjtë e krishterë qortohen për përparimin e tyre të pakët në njohurinë e ungjillit (11-14)
Hebrenjve 5:1–10
Kryeprifti duhet të jetë njeri, domethënë pjesëtar i natyrës tonë. Kjo tregon që njeriu kishte mëkatuar. Perëndia nuk e lejon njeriun mëkatar që të vijë vetë tek Ai. Por të gjithë ata që vijnë tek Perëndia përmes këtij Krye Prifti janë të mirëpritur. Ndërsa vlerësojmë faljen dhe pranimin tonë tek Perëndia duhet të mbështetemi me besim tek ky Krye Prift që është Krishti Jezus i cili mund të ndërmjetësojë për ata që kanë dalë nga rruga e së vërtetës, detyrës dhe lumturisë; Ai i udhëheq me butësi duke i larguar nga shtigjet e gabimit, mëkatit dhe mjerimit. Vetëm ata që janë të thirrur prej Perëndisë mund të presin mbështetjen e Perëndisë, pranimin e Tij, praninë dhe bekimin e Tij mbi ta dhe mbi shërbimin e tyre. Kjo gjë u zbatua tek Krishti. Në ditët e tij mbi tokë, Krishti iu nënshtrua vdekjes: Ai pati uri, u tundua dhe vuajti, Jezus vdiq. Krishti na caktoi një shembull, jo vetëm që të lutemi por që të jemi të zjarrtë në lutje. Sa shumë lutje të thata dhe të pa njomura nga lotët i ofrojmë Perëndisë! Ai u forcua për të mbajtur peshën e jashtëzakonshme të vuajtjeve që u vendosën mbi Të. Nuk ka çlirim real prej vdekjes veçse duke kaluar përmes saj. Ai u ngrit dhe u lartësua, Atij iu dha pushteti për t’i shpëtuar plotësisht të gjithë mëkatarët që vijnë tek Perëndia përmes Tij. Krishti na ka lënë një shembull që edhe ne të mësojmë bindjen e përulur ndaj vullnetit të Perëndisë përmes gjithë mundimeve tona. Ne kemi nevojë për mundimet që të na mësojnë nënshtrimin. Bindja e Tij në natyrën tonë na inkurajon në përpjekjet tona për t’u bindur, që të presim mbështetje dhe ngushëllim në çdo tundim dhe vuajtje që mund të përballim. Për shkak se u përsos për këtë vepër madhështore Ai u bë Autori i shpëtimit të përjetshëm për të gjithë ata që i binden Atij. Pyetja është a jemi ne të përfshirë në atë numër?
Hebrenjve 5:11–14
Dëgjuesit e topitur e bëjnë të vështirë predikimin e ungjillit, madje edhe ata që kanë një farë besimi mund të jenë dëgjues të topitur dhe hezitues për të besuar. Atyre që iu jepet shumë u kërkohet shumë. Nëse nuk je i pjekur do të thotë që të mungon përjetimi i gjërave të ungjillit. Përjetimi i krishterë është një shqisë frymërore, apo përjetim i mirësisë, ëmbëlsisë dhe shkëlqesisë së të vërtetave të ungjillit. Nuk ka gjuhë që mund ta shprehë kënaqësinë që përjeton shpirti nga shijimi i mirësisë dhe hirit hyjnor dhe nga dashuria për këtë gjë në Krishtin.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!