Kushtojuni lutjes!

29 Dhjetor 2002 | prej Xhon Pajpër

…të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje….
Romakëve 12:12

Synimi im i thjeshtë dhe i pamundur nga ana njerëzore këtë mëngjes është që të gjithë ju t’i kushoheni lutjes. Ky është synimi im për shkak se kështu na bën thirrje Bibla që të jemi. Teksti është nga Romakët 12:12 i cili është pjesë e një zinxhimi më të gjatë nxitjesh. Aty thuhet që duhet të jemi “të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës (proskarterountes) në lutje.”

Versioni juaj mund të thotë, “vazhdimisht në lutje” apo “besnikë në lutje.” Këto të dyja japin një aspekt të fjalës. “Kushtuar” është përkthim i mirë. Kjo fjalë përdoret tek Marku 3:9 ku thuhet, “Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati (proskartere) një barkë, që populli mos e shtynte.” Një barkë duhej të veçohej – të kushtohej për qëllimin e largimit të Jezusit tutje në rast se turma bëhej kërcënuese. “Kushtuar” – i dedikuar për një detyrë, i caktuar për një gjë.

Tani, barka thjesht ri në vend. Por njerëzit nuk janë kushtuar në këtë mënyrë. Kur kjo fjalë zbatohet për një person do të thotë që ai është i caktuar apo i kushtuar jo vetëm në kuptimin e veçimit por edhe për veprimin në detyrën e caktuar si dhe këmbënguljes në të. Për shembull tek Romakëve 13:6 Pali flet për rolin e qeverisë në këtë mënyrë, “Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.” Kjo do të thotë që ata nuk janë vetëm të caktuar prej Perëndisë për një detyrë por kësaj detyre i kushtojnë veten.

Ajo që e bën këtë fjalë të veçantë është që pesë nga dhjetë herët që përdoret në Dhiatën e Re i referohet lutjes. Degjoni, përveç Romakëve 12:12 janë edhe këto vargje:

Veprat 1:14
Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.

Veprat 2:42
Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje.

Veprat 6:4
Kurse ne do të vazhdojmë t ‘i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës.

Kolosianët 4:2
Ngulmoni në të lutur, duke ndenjur zgjuar në të me falendërim.

Prandaj duhet të themi që nga shkrimet e Dhiatës së Re se jeta normale e krishterë është një jetë e kushtuar lutjes. Prandaj duhet të pyesim veten, “A i jam kushtuar unë lutjes?”
Kjo nuk do të thotë që lutja është gjithçka që bën – ashtu si t’i jesh kushtuar bashkëshortes nuk do të thotë që gjithë sa bashkëshorti bën është të kalojë kohë me gruan e tij. Por përkushimi i tij ndaj saj ndikon gjithçka në jetën e tij dhe bën që ai t’ia japë veten asaj në shumë mënyra të ndryshme. Prandaj të jesh i kushtuar ndaj lutjes nuk do të thotë që gjithë sa bëni është të luteni (edhe pse në vende të tjera Pali thotë “luteni pa pushim” 1 Thesalonikasve 5:17). Por do të thotë që ka për të pasur një zakon lutjeje që duket se është përkushtim ndaj lutjes. Të jesh i kushtuar ndaj lutjes duket ndryshe nga kur nuk je i përkushtuar. Perëndia e di ndryshimin. Ai do të na kërkojë llogari nëse kemi qenë të përkushtuar ndaj lutjes apo jo? A ka një zakon lutjeje në jetën tuaj që me të drejtë mund të quhet “i kushtuar ndaj lutjes”?

Mendoj se shumica prej nesh bien dakord për një lloj jete lutjeje që nuk mund të quhet “e kushtuar ndaj lutjes.” Të lutesh vetëm kur krizat vijnë në jetën tënde nuk është një model përkushtimi ndaj lutjes. Lutja vetëm gjatë vakteve është një lloj modeli por a korespondon kjo me nxitjen e Palit për kishën që të jetë “këmbëngulëse në lutje”? Një lutje e shkurtër “tani po bie të fle” në fund të ditës ka të ngjarë që nuk është lloji i lutjes për të cilin flet Pali. Lutja “më ndihmo o Zot” që bëni në makinë ndërsa kërkoni një vend parkimi nuk është lloji “këmbëngulës në lutje”. Të gjitha këto janë të mira. Por mendoj se biem dakord që Pali pret diçka më tepër dhe të ndryshme prej ndjekësve të Krishtit kur thotë, “jini këmbëngulës në lutje.”

Le të mos harrojmë që ashtu si kemi parë herën e kaluar që kryqi i Krishtit, vdekja e tij në vend të mëkatarëve është themeli i gjithë lutjes. Nuk do kishte një përgjigje të pranueshme për pyetjen PSE dhe SI lutemi nëse Krishti nuk do kishte vdekur në vendin tonë. Prandaj lutemi “në emrin e Jezusit.”

Ndërsa kam konsideruar pengesat ndaj lutjes që mund të trajtoja disa prej tyre hyjnë në kategorinë PSE lutemi? Dhe disa të tjera në kategorinë SI lutemi. Këtë mëngjes dëshiroj të fokusohemi tek kategoria SI. Jo që pyetja PSE nuk është e rëndësishme, por mua më duket që mund t’i kemi të gjitha përgjigjet e duhura teologjike për faktin pse lutemi dhe ende të jemi shumë neglizhues dhe të shkujdesur në jetën tonë të lutjes. Prandaj do t’iu jap një përgjigje të shkurtër për pyetjen PSE dhe pastaj do të fokusohem tek pyetjet praktike SI dhe për këtë lutem që këto do t’iu shtyjnë drejt lartësive të reja të “këmbënguljes në lutje.”

PSE lutemi?

Po filloj me tri përgjigje të shkurtra për faktin PSE duhet t’i kushtohemi lutjes.

1. Bibla na thotë të lutemi dhe ne duhet të bëjmë atë që Perëndia thotë. Ky tekst bashkë me shumë të tjerë thotë, “jini këmbëngulës në lutje.” Nëse nuk e bëjmë nuk po u bindemi shkrimeve. Kjo është marrëzi dhe e rrezikshme. Nëse nuk e keni të lehtë me lutjen, konsiderojeni veten të rënë dhe mëkatar bashkë me ne të tjerët. Atëherë luftoni. Predikojini vetes. Mos i lejoni mëkatet tuaja, dobësinë tuaj dhe prirjet e botës që t’iu sundojnë. Perëndia thotë, “jini këmbëngulës në lutje.” Luftoni për këtë gjë.

2. Nevojat në jetën tënde, në familjen tënde, në këtë kishë në kishat e tjera, në çështjen e misionit dhe në kulturën tonë janë të mëdha dhe kritike. Në shumë raste qielli dhe ferri janë në ekuilibër, besimi dhe mosbesimi, jeta dhe vdekja. Mbani mend brengën dhe vajtimin e Palit për bashkëkombasit e tij që po humbisnin tek Romakët 9:2 dhe gjithashtu kujtoni Romakëve 10:1 ku ai lutet me zell, “Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij.” Kur lutemi bëhet fjalë për shpëtimin. Nuk do ta dish për çfarë është lutja derisa të kuptosh që jeta është luftë. Një nga pengesat e mëdha ndaj lutjes është që jeta për shumë prej nesh është mjaft rutinë e lehtë. Fronti i betejës është larg, por këtu në flluckën time të vogël të paqes dhe rehatisë gjithçka është mirë. Na i haptë Perëndia sytë që të shohim dhe ndiejmë nevojat përreth nesh si dhe potencialin e madh të lutjes.

3. Një arsye e tretë për t’u lutur është që Perëndia vepron kur ne lutemi. Perëndia mund të bëjë më tepër në pesë sekonda nga sa mund të bëjmë ne në pesë vjet. Çfarë gjëje e mahnitshme që të ulësh kokën vazhdimisht dhe t’i përgjërohesh Perëndisë gjatë pregatitjes së predikimit, apo gjatë ndonjë krize këshillimi, gjatë një bisede dëshmie, apo gjatë një takimi planifikimi dhe pastaj të perjetosh mrekulli pas mrekullie të cilat nuk ndodhin derisa të lutemi. Çfarë mësim i rëndësishëm kur ndihem i stresuar dhe gati për t’iu futur punës menjëherë për shkak se kam shumë për të bërë dhe as që e kam idenë si do t’i bëj të gjitha, por që ta detyroj veten time për të qenë biblik dhe i arsyeshëm për të kaluar kohë në gjunjë për t’u lutur para se të punoj, dhe ndërsa jam në gjunjë të shoh që idetë më vijnë në mendjen për mënyrën sesi ta trajtoj një problem, si ta formoj një mesazh, si te trajtoj një krizë apo të zgjidh një problem teologjik – dhe kështu t’i kursej vetes orë të tëra punë dhe zhgënjim pasi i kam rënë kokës pas murit duke u përpjekur të zbuloj atë që më erdhi në pesë sekonda ndiçim! Nuk dua të them që Perëndia na ruan nga punët e vështira. Dua të them që lutja mund ta bëjë punën tuaj 5000 herë më të frytshme nga sa mund ta bëni vetë.

Ka edhe më tepër por këto janë tri përgjigje për pyetjen PSE lutemi:
1. Perëndia na urdhëron të lutemi
2. Nevojat janë të mëdha dhe bëhet fjalë për gjëra të përjetshme.
3. Perëndia vepron kur ne lutemi dhe shpesh bën më tepër në disa sekonda nga sa ne mund të bëjmë në orë, javë apo madje edhe vite.

Ka edhe shumë pyetje të tjera rreth lutjes të cilave duhet t’u përgjigjemi me të cilat nuk mund të merrem këtu. Kjo është arsyeja pse ka kapituj të gjatë mbi lutjen në librat Dëshiro Perëndinë, Kënaqësitë e Perëndisë dhe Le të Ngazëllohen Kombet madje pse ekziston një libër i tërë që titullohet Uri për Perëndinë: Dëshirimi i Perëndisë Përmes Lutjes dhe Agjerimit. Në mënyrë të veçantë nëse jeni duke u përleshur me idenë sesi lutja për shpëtimin e njerëzve përputhet me zgjedhjen e pakushtëzuar lexoni faqet 217-220 tek Kënaqësitë e Perëndisë.

SI të lutemi

Pjesën tjetër të kohës tonë këtë mëngjes dëshiroj të flas për SI të lutemi. Dëshiroj të përpiqem t’iu frymëzoj me mundësi praktike biblike të cilat mund të mos i keni konsideruar apo ndoshta i keni provuar dhe dështuat në të qenurit këmbëngulës – nuk arritët të ishit “këmbëngulës në lutje.”

Kjo është një përpjekeje për të skicuar çfarë do të thotë të jesh i përkushtuar ndaj lutjes pa pasur një mendësi të ngushtë që thotë “ose bëje si e bëj unë ose nuk po e bën fare.” Ne gjendemi në faza të ndryshme të jetës dhe me kërkesa të ndryshme gjatë ditëve tona. Gjendemi në nivele të ndryshme pjekurie frymërore, dhe askush nuk piqet brenda nate. Ajo që mund të jeni duke bërë pas pesë vjetësh në përkushtimin tuaj ndaj lutjes mund t’iu bëjë të shihni pas dhe të pyesni veten sesi i mbijetuat kësaj stine thatësire. Por që të gjithë ne mund të përparojmë. Palit i pëlqen t’u shkruajë kishave dhe t’u thotë, “Jeni duke vepruar mirë, por vazhdoni ta bëni këtë gjë edhe më tepër.” (Filipianëve 1:9, 1 Thesalonikasve 4:1, 10). Nëse ka ndonjë vend ku vlen këshilla “bëni edhe më tepër” ky vend është përkushtimi ndaj lutjes.

Do t’ua jap këto sugjerime praktike në pesë dyshe. Pa i pasur këto pesë dyshe përkushtimi ndaj lutjes zbehet.

E lirë dhe me formë

Këtu kam ndër mend ndryshimin me lutjes së strukturuar dhe asaj të pastrukturuar. Të jesh i përkushtuar ndaj lutjes do të thotë që ajo që thua në kohët e lutjes shpesh do të jetë e lirë dhe e pastrukturuar dhe shpesh herë të tjera me formë dhe e strukturuar. Nëse në lutjet tuaja jeni vetëm të lirë ka të ngjarë që do të bëheni të cekët dhe të rëndomtë. Nëse jeni vetëm të formuar në lutjet tuaja ka të ngjarë që do të bëheni tepër mekanikë dhe bosh. Që të dyja mënyrat e lutjes janë të rëndësishme. Prandaj jo ose-ose por edhe-edhe.

Me fjalën e lirë dua të them që rregullisht do të ndjeni sikur doni t’ia hapni shpirtin tuaj Perëndisë dhe do ta bëni. Nuk do të keni nevojë për ndonjë skenar apo udhëzime, për lista apo libra. Do të keni aq shumë nevoja saqë ato do të dalin lirshëm pa ndonjë formë të paracaktuar. Kjo është gjë e mirë. Pa këtë gjë mund të vihet në dushim nëse kemi një marrëdhënie të vërtetë me Krishtin. A mund të imaginoni një martesë apo një miqësi ku i gjithë komunikimi lexohet prej listave, librave apo thuhen vetëm gjërat që janë mësuar përmendësh? Kjo do ishte ekstremi i të qenurit artificial.

Nga ana tjetër, po iu përgjërohem që të mos mendoni se jeni aq të thellë nga ana frymërore, plot me burime të pashtershme, të pasur apo të disiplinuar saqë mund të bëni edhe pa format. Në këtë moment kam në mendje katër lloj formash të cilat shpresoj që do t’i përdorni të gjithë ju.

Forma #1. Bibla. Lutuni sipas lutjeve Biblike. Kësaj jave po i ndërtojmë lutjet tona përreth lutjes së Palit tek Efesianëve 3:14-19.

Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht, 15 nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë, 16 që t’ ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm, 17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, 18 që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, 19 dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.

Mësojeni përmendësh dhe bëjeni këtë lutje shpesh. Lutuni sipas lutjes së Zotit dhe ndërsa e bëni thuajeni çdo frazë me fjalët tuaja dhe zbatojeni për njerëzit për të cilët ndjeni barrën për t’u lutur. Lutuni sipas urdhërimeve të Biblës: “O Perëndi, më ndihmo – ndihmo bashkëshorten time, ndihmo fëmijët e mi, ndihmo pleqtë e kishë, ndihmo misionarët tanë të të duam me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën tonë.”
Lutuni sipas premtimeve të Biblës: “O Zot merr gjithë autoritetin tënd në qiell dhe mbi tokë dhe bëji misionarët tanë të ndiejnë ëmbëlsinë e premtimit që Ti do të jesh me ta deri në fund të epokës.”
Lutuni sipas paralajmërimeve të Biblës: “O Zot, më jep mundësi të luftoj kundër epshit me atë lloj urgjence që na mësove Ti kur the, nxirre syrin dhe shko në qiell në vend që ta lë dhe të shkoj në ferr.” Hape Biblën para teje, vendose një bryl në një anë dhe tjetrin në anën tjetër dhe lutu paragraf pas paragrafi me pendim, lavdërim, falenderim apo përgjërim.

Forma #2. Listat. Lutuni përgjatë listave. Kam ndërmend lista njerëzish si dhe lista nevojash për t’u lutur. Nëse mund t’i mbani mend të gjitha nevojat dhe njerëzit për të cilët duhet të luteni pa pasur një listë atëherë jeni Perëndia. Unë duhet të kem lista, disa në mendjen time dhe disa në letër. Kam në mendje pothuaj 70 njerëz për të cilët lutem me emër çdo ditë. Por kjo nuk përfshin listën e njerëzve në mision për të cilën Noel dhe unë lutemi çdo natë sipas një liste të shkruar. Nuk përfshin listën e misionarëve tanë. Këta janë vetëm njerëzit pa përmendur nevojat që ndryshojnë në shpirtin tim, në familjen time, në punën dhe në kishën time çdo javë. Prandaj iu inkurajoj të përdorni lista njerëzish dhe nevojash. Mbani një lloj dosje apo bllok lutjeje ose shënojini në kompjuterin tuaj.

Mbani mend që jam duke folur për pjesën e dytë të dyshes: liri dhe formë. Mos harroni vlerën e lirisë. Është edhe-edhe, jo ose-ose.

Forma #3. Librat. Lutuni sipas librave Operaconi Bota – ku çdo ditë ka një vend apo çështje të ndryshme për t’u lutur. Çfarë mënyre e fuqishme për të pasur një zemër dhe vizion global për supremacinë e Perëndisë! Lutuni sipas librit Përkushtim Ekstrem – një pamje prej një faqeje në vuajtjet e kishës së persekutuar për çdo ditë. Merrni librin tim Le të Ngazëllohen Kombet dhe shkoni tek faqet 57-62 dhe lutuni për ato 36 gjëra për të cilat luteshin besimtarët për njëri-tjetrin në kishën e hershme. Përdorni librin Lugina e Vizionit një libër me lutje Puritane dhe lutuni sipas lutjve të shenjtorëve të lashtësisë. Tregohemi tepër të marrë nëse mendojmë që vetë ne me veten tonë do të shohim të gjitha ato që Bibla ka për të na thënë dhe të dimë të gjitha nevojat për të cilat duhet të lutemi pa ndihmën e librave të mirë.

Forma #4. Modelet. Zhvilloni modele lutjeje që iu japin udhëzim për çfarë të bëni në fillim, së dyti dhe së treti gjatë kohës tuaj në gjunjë. Një model ashtu si e kam përmendur tashmë, do të ishte t’i strukturonit lutjet tuaja përreth secilës kërkese të Lutjes së Zotit. Një model të cilin e përdor pothuaj çdo ditë është modeli i rrathëve me një qendër duke filluar me shpirtin tim – aty ku e ndjej më tepër mëkatin dhe nevojat – pastaj kaloj tek familja ime, tek stafi pastoral dhe pleqtë, pastaj për gjithë stafin e kishës, për misionarët tanë, dhe pastaj për nevoja të përgjithshme në trupin e Krishtit, për çështjen e Krishtit në mision dhe kulturë. Pa ndonjë formë apo model të tillë prirem të ngec dhe të mos arrij gjëkundi.

Prandaj dyshja e parë është e lirë dhe me formë. E pastrukturuar me nevojat, falenderimet dhe lavdërimet që dalin lirshëm; dhe e strukturuar me ndihmën e Biblës, listave, librave dhe modeleve. Nëse jeni “të përkushtuar ndaj lutjes” do të ndiqni lirinë dhe formën në jetën tuaj të lutjes.

Vetëm dhe bashkërisht

Të jesh i përkushtuar ndaj lutjes do të thotë që rregullisht do të luteni vetëm dhe në bashësi me të krishterë të tjerë.

Oh sa kritike është që ta takojmë Perëndinë vetëm përmes Jezu Krishtit. Nuk ka Krishterim pa një besim personal tek Perëndia dhe pa bashkësi me Të përmes Jezu Krishtit. Pa këtë gjë të gjitha janë shfaqje, pretendime dhe guacka. Suzanë Uesli me 16 fëmijët e saj e kishte zakon që hidhte përparësen mbi kokë në kuzhinë dhe të gjithë fëmijët e kishin mësuar që kjo do të thoshte se në kuzhinë duhej të kishte qetësi. Fëmijët kanë nevojë të mësojnë që mami dhe babi kalojnë kohë me Jezusin të cilat janë të shenjta dhe nuk duhet të ndërpriten. Gjej vendin, planifiko kohën, mësoju fëmijëve disiplinën.

Por unë mendoj se lutja në bashkësi me besimtarë të tjerë është me e neglizhuar se lutja vetëm. Vetëm dhe bashkë. Dhiata e Re është plot takime të përbashkëta lutjeje. Në fakt pjesa më e madhe e lutjeve në Dhiatën e Re ka të ngjarë që është bërë në takime lutjeje. Veprat 1:14, “Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.” Kjo është tipike. Veprat 12:12 kur Pjetri doli nga burgu, “u nis për në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të mbiquajtur Mark, ku shumë vëllezër ishin mbledhur dhe po luteshin.” Takimet e lutjes ishin normale dhe normative në kishën e hershme.

Të ishe i përkushtuar ndaj lutjes në Dhiatën e Re sigurisht që përfshinte të luturit me popullin e Perëndisë. Si po ia kaloni në këtë pikë? Ky nuk është Krishterim i avancuar. Ky është Krishterimi bazë. Këtë javë kemi planifikuar dymbëdhjetë takime lutjeje 30 minutëshe plus tetë orë lutje gjithë natën të Premte. Këto mundësi kanë për qëllim t’iu ndihmojnë që të përjetoni kalimin në një nivel të ri. Gjatë pjesës tjetër të vitit kemi takime lutjeje 30 minutëshe gjashtë mëngjese në javë si dhe të mërkurë në mbrëmje në orën 5:45. Pastaj kemi grupet e vegjël që takohen për lutje dhe shërbesë. Kemi të dielën në mëngjes që përfshin lutje me këngë dhe mënyra të tjera. Nëse takimet për lutje nuk janë pjesë e përkushtimit tuaj ndaj lutjes bëjeni këtë vit një vit ndryshimi. Mbani mend edhe-edhe; e lirë dhe me formë, vetëm dhe bashkë.

Të dëshpëruar dhe të kënaqur

Të jesh i përkushtuar ndaj lutjes do të thotë që vjen para Perëndisë shpesh i dëshpëruar për ndihmë dhe shpesh i kënaqur. Thjesht dua të them që lutja është një vend për t’u takuar me Perëndinë në dhimbjet dhe frikërat më të thella të zemrës suaj dhe lutja është vendi për t’u takuar me Perëndinë në gëzimet dhe falenderimit tuaja më të mëdha. Jastëku që përdor për brylat e tu çdo ditë kur gjunjëzohesh para Atit ka për të qenë një jastëk me shenja lotësh. E megjithatë, për shkak se Perëndia është një Perëndi që i dëgjon lutjet do të thuash bashkë me apostullin Pal, “si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar” (2 Korintasve 6:10). Shpesh ai gëzim ka për t’i mposhtur barrët e kësaj bote të rrënë – ashtu si dhe duhet të ndodhë – dhe ka për t’iu bërë të kërceni përpjetë nga gëzimi. Ati dëshiron të të takojë edhe në ato raste. Ji i përkushtuar ndaj lutjes në dëshpërim dhe në kënaqësi – në agjerim dhe në kremtim. Jo ose-ose por edhe-edhe.

Shpërthyese dhe të zgjatura

Ajo që dua të them me këtë është lutje të shkurtra dhe lutje të gjata. Do kisha thënë të shkurtra dhe të gjata por shpërthyese është më e gjallë dhe është tamam ajo çfarë mund të jenë lutjet herë pas here. Nëse jeni të përkushtuar ndaj lutjes rregullisht do të shpërtheni me lutje lavdërimi, falenderimi dhe nevoje që nuk kanë për të zgjatur më tepër se disa sekonda. Nëse jeni të përkushtuar ndaj lutjes do të keni kohë kur do të qëndroni për një kohë të gjatë në lutje para Zotit. Nganjëherë i bëj një telefonatë të shpejtë Noelës dhe herë të tjera kalojmë një mbrëmje së bashku. Nëse e doni Krishtin dhe mbështeteni tek Ai për gjithçka, e çmoni atë mbi gjithçka tjetër do ta takoni atë shpesh me lutje shpërthyese dhe me lutje të zgjatura.

Spontane dhe me orar

Cili është ndryshimi mes kësaj dhe “e lirë dhe me formë” apo “shpërthyese dhe të zgjatura”? Me “e lirë dhe me formë” e kisha fjalën për përmbajtjen e lutjeve tona – çfarë bëjmë kur lutemi. Me “shpërthyese dhe të zgjatura” po flisja për gjatësinë e lutjeve tona. Me spontane dhe me orar e kam fjalën për momentin kur lutemi.

Nëse jemi të përkushtuar ndaj lutjes do të lutemi spontanisht përgjatë ditës – pa pushim ashtu si tha edhe Pali – një frymë e vazhdueshme bashkësie me Krishtin, të ecim me anë të Frymës dhe ta njohim atë si një prani të vazhdueshme dhe personale në jetën tonë. Nuk ka plan që mund ta qeverisë momentin kur të flisni me të. Kjo ka për të ndodhur dhjetëra herë gjatë ditës. Kjo është normale dhe e mirë. Kjo do të thotë të jesh i përkushtuar ndaj lutjes.

Por nëse keni vetëm këtë nuk do ta keni për shumë kohë. Fryti i pasur i spontanitetit rritet në kopështin për të cilin kujdeseni mirë përmes disiplinës së orarit. Prandaj iu përgjërohem, caktoni orare lutjeje. Planifikoni për këtë vit. Kur do të takoheni rregullisht me Të? Sa kohë do të veçoni? Iu inkurajoj që çdo ditë ta nisni në këtë mënyrë. A jeni të gatshëm të planifikoni një apo dy gjysma ditësh për të qenë diku vetëm, me një shok apo me bashkëshorten – jo për të lexuar një libër por për t’u lutur për katër apo tetë orë? Si? Thjesht duke lexuar Biblën dhe duke e kthyer atë në lloje të ndryshme lutjeje. Unë dhe Noela kemi kaluar disa prej ditëve tona më dobiprurëse duke marrë një libër të shkurtër nga Bibla, kemi lexuar një kapitull pastaj jemi ndalur dhe jemi lutur sipas atij kapitulli për familjen dhe kishën tonë. Pastaj lexonim kapitullin tjetër dhe vazhdonim duke u lutur. Por kjo gjë nuk ndodh automatikisht. Duhet planifikuar. Nuk është spontane. Është e strukturuar. Përveç këtyre është edhe e lavdishme.

Ja pra kjo ishte. Fjala e Perëndisë për ne sot është “përkushtojuni lutjes”. Jini konstantë në këtë gjë. Jini besnikë. Pse? Perëndia na urdhëron ta bëjmë; nevojat janë të mëdha dhe bëhet fjalë për përjetësinë; Perëndia dëgjon dhe bën më tepër në pesë sekonda nga sa mund të bëjmë ne në pesë vjet.

Si të përkushtohemi ndaj lutjes? Bëni këto gjëra. Pa to lutja zbehet.

Qoftë lutja juaj…

  • E lirë dhe me formë
  • Vetëm dhe bashkërisht
  • Në dëshpërim dhe kënaqësi
  • Shpërthyese dhe e zgjatur
  • Spontane dhe me orar

Iu dhëntë Zoti një frymë hiri dhe përgjërimi gjatë javës dhe vitit në vazhdim.

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*