Lutje ne kete fillim viti – John MacDuf

nga John MacDuff

Perëndi i Gjithëpushtetshëm dhe i Përjetshëm, Ti je Alfa dhe Omega – i Pari dhe i Fundit. Mes gjithë peripecive të një bote në ndryshim, Ti nuk ndryshon. Të gjithë gjërat këtu poshtë do të humbasin me siguri – por Ti mbetesh i njëjti. Me mëshirën Tënde na ke ruajtur që sytë tanë të shohin fillimin e një viti tjetër. Dëshirojmë ta nisim këtë periudhë të re të ekzistencës tonë duke t’i kushtuar orët e saj Ty. Para se të përfshihemi në detyrat e saj të shumta dhe në sprovat e saj të panjohura – të përgjërohemi Ty që të na japësh bekimin Tënd të hirshëm. Bekimet që do të na vijnë këtë vit do të përpiqmi të t’i atribuojmë Ty – si dhe do të pranojmë dorën Tënde në pikëllimet që do të na vijnë. Do të përpiqmi të pranojmë se ky ka për të qenë një vit i bekuar për ne nëse do të jetë një vit i shenjtë – nëse e kalojmë duke të shërbyer Ty dhe duke iu kushtuar lavdërimit Tënd. Ky është një nga shumë vitet e reja që kemi parë por nuk e dimë edhe sa të tjerë do të shohim.

Lutja jonë është që të mund ta jetojmë këtë vit sikur të ishte viti ynë i fundit. Zot, ne dëshirojmë ta nisim vitin atje ku dëshirojmë ta nisim dhe ta mbyllim çdo ditë të tij – pranë Burimit të hapur. Dëshirojmë që motoja jonë dhe mbishkrimi i këtij viti të jetë “Mos e dhëntë Perëndia që të mburremi me ndonjë gjë tjetër veçse me Kryqin e Zotit Jezu Krisht.” Dëshirojmë që fillimin e këtij viti të ri ta lidhim me flijimin e madh shlyes, pa të cilën nuk do të kishim parë asnjë vit të ri. Vetë ngushëllimi ynë i tanishëm, si dhe çdo bekim frymëror rrjedhin te ne krejtësisht nga Jezusi. O Zot, ndiz në zemrat tona flakën e një devotshmërie edhe më të zjarrtë ndaj Tij, për shkak të dashurisë së mahnitshme të të cilit çdo vit kurorëzohet me mirësi dhe i bën të bekuara të gjithë shtigjet e tij.

Zot i hirshëm, ne dëshirojmë që këtë mëngjes të ta kushtojmë sërish veten dhe shtëpinë tonë Ty. Spërkati shtalkat e portës tonë me gjakun e besëlidhjes së përjetshme. Vendos vulën dhe shenjën tënde mbi ballin tonë. Nëse vitet e kaluara të kemi harruar Ty – nëse e kemi abuzuar mirësinë Tënde, nëse i kemi nënçmuar mëshirat e Tua dhe e kemi çnderuar emrin Tënd – aftësoje secilin prej nesh që ta bëjmë këtë vit një vit dorëzimi më të padyzuar ndaj shërbimit Tënd.

Qoftë ky një vit i ri dashurie, zemërbutësie, faljeje dhe i një ecjeje më të ngushtë me Perëndinë. Le ta urrëjmë mëkatin më tepër dhe ta dëshirojmë shenjtërinë më fort. Ardhshin mësimet e përjetësisë në mënyrë më të fuqishme dhe më të kuptueshme te ne. Le të jetojmë si qenie të pavdekshme. Le të jetojmë një jetë vdekatare. Le të mos jetë përshtypja e një përvjetori serioz si e tashmja, por qoftë bindja e ngulitur që “Forma e kësaj bote është duke kaluar.”

O Zot, pranoje këtë si flijimin tonë të përbashkët të vitit të ri. Do t’i ndezim llambat tona që po regëtijnë në altarin Tënd të shenjtë – furnizoji Ti ditë pas dite me vajin e hirit Tënd, që nëse ndonjërit prej nesh i bëhet thirrje gjatë këtij viti që të takohet me Ty të mos na duhet të bëjmë rrëfimin e mjerueshëm, “Llambat tona na janë fikur.”
Zot i mirë, bekoji të gjithë miqtë tanë të dashur; ne i kujtojmë ata në lutje ndërsa besojmë që edhe ata po na kujtojnë ne në këtë ditë para stolit të këmbëve të Tua. Dëgjoji lutjet tona reciproke: zbrittë reja e mëshirës mbi të gjithë ne. Edhe pse nuk jemi pranë njëri-tjetrit mbi tokë, le të na afrojë besimi, duke i ngritur tendat tona pranë portës së qiellit.

Bekoje vendin tonë: qoftë ai përherë qendra e ndikimeve të shenjta, dhe të karakterizohet nga ajo lloj drejtësie që e lartëon një komb. Bekoi sundimtarët tanë, qeveritarët dhe udhëheqësit tanë. Beko shërbyesit e Ungjillit të përjetshëm; qofshin ata të urtë për të fituar shpirtra dhe çdo privilegj fetar që gëzojmë tani le t’i kalohet i pacënuar brezit të ardhshëm.

Perëndia i çdo hiri kujdesu për ne. Kalofshin para nesh kolonat e pranisë Tënde. Drejto, kontrollo, udhëzo përgjatë këtij viti, gjithë sa planifikojmë apo bëjmë – në mënyrë që çdo pikë fuqie e trupit tonë, çdo aftësi e shpirtit tonë të mund të vihen bashkë në veprim për të shfaqur lavdinë dhe lëvdimin Tënd. Gjithë sa kërkojmë është për hir të Jezusit – Birit Tënd të vetëm dhe Shpëtimtarit tonë. Amen.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*