Lëkundja e Parë
Pjetër Valdo (Vdiq në 1218)
nga Jon Bloom
autor, desiringGod.org
Më tepër se treqind vjet para se të lindte Martin Luteri, në Francën jugperëndimore e pikërisht në qytetin e Lionit, u shfaq papritur një reformator. Protesta e tij kundër doktrinave dhe praktikave të Kishës Katolike të Romës qe një lëkundje e fortë që paralajmëroi ardhjen e tërmetit frymëror të njohur ndryshe si Reformim. Lëvizja e nisur prej tij mbijetoi për t’iu bashkuar më pas Reformimit të madh. Në histori ai ka hyrë me emrin Pjetër Valdo.
Ka shumë detaje të jetës së Valdos të cilat nuk i njohim, përfshirë këtu edhe emrin e tij. Nuk e dimë nëse Pjetër ishte emri i tij i vërtetë, përderisa nuk shfaqet në asnjë dokument deri 150 vjet pas vdekjes së tij. Mbiemri i tij me shumë gjasë ishte Valdes apo Vaudes, ndërsa Valdo (Waldo) është përshtatja e këtij të fundit në Italisht. Nuk e njohim as vitin e lindjes së Pjetrit apo vitin e saktë kur vdiq, sepse historianët nuk bien dakord nëse vdiq mes 1205 dhe 1207 apo mes 1215 dhe 1218. Por ama dimë disa të dhëna rreth jetës së tij që tronditën botën.
Një sundimtar pasanik pendohet
Në vitin 1170 Pjetri ishte një tregtar shumë i pasur dhe me emër në qytetin e Lionit. Jetonte bashkë me të shoqen dhe me dy vajza, ndërsa pasuria e tij ishte e pamasë. Por diçka ndodhi – disa thonë që ai përjetoi vdekjen e papritur të një shoku, të tjerë thonë që dëgjoi këngën frymërore të një muzikanti shëtitës – dhe Pjetri u shqetësua së tepërmi për gjendjen frymërore të shpirtit të tij dhe ishte i dëshpëruar për të mësuar sesi mund të shpëtohej.
Gjëja e parë që vendosi të bënte ishte të lexonte Biblën. Mirëpo, meqenëse nuk ekzistonte asnjë përkthim i Biblës përveç Vulgatës Latine dhe meqenëse latinishtja e tij ishte shumë e keqe, punësoi dy studiues që ta përkthenin në gjuhën e folur me qëllim që ai ta lexonte dhe studionte.
Pastaj, kërkoi këshillë frymërore nga një prift, i cili e drejtoi tek historia e të riut pasanik në Ungjill dhe i citoi fjalët e Jezusit: “Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq” (Luka 18:22). Fjalët e Jezusit i sëmbuan në zemër Valdos. Sikurse i riu pasanik, Valdo befas e kuptoi se në realitet i kishte shërbyer Mamonit dhe jo Perëndisë. Por ndryshe nga i riu pasanik i cili u largua nga Jezusi, Valdo u pendua dhe bëri saktësisht atë që tha Jezusi: ai ua dha gjithë sa kishte të varfërve (pasi kishte siguruar mjaftueshëm për gruan dhe vajzat e tij). Që nga ai moment e në vazhdim ai vendosi të jetonte duke qenë plotësisht i varur nga provania/providenca e Perëndisë.
Lind një lëvizje
Valdo filloi menjëherë që të predikonte nga Bibla e tij rrugëve të Lionit, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë të varfërve. Shumë u kthyen në besim dhe rreth vitit 1175 dishepujt e Valdos përbënin një grup të madh në numër. Edhe ata i dhanë pasuritë e tyre dhe po predikonin (si burrat ashtu edhe gratë). Populli filloi t’i quante “Të Varfrit e Lionit.” Më vonë, teksa grupi u shndërrua në një lëvizje dhe u përhap në Francë dhe pjesë të tjera të Evropës u bënë të njohur si “Valdezët.”
Sa më tepër që Valdo e studionte Shkrimin, aq më tepër shqetësohej rreth disa doktrinave, praktikave dhe strukturave të caktuara të Kishës Katolike, pa përmendur këtu pasuritë e shumta të saj. Ai e ngriti zërin me guxim kundër këtyre gjërave. Por, meqë Kisha ua ndalonte zyrtarisht njerëzve të thjeshtë që të predikonin Shkrimin, Valdo dhe grupi i tij modest u përball me kundërshtimin e udhëheqësve të kishës.
Një simbol që duhej kundërshtuar
Kryepeshkopi i Lionit u bezdis tej mase prej kësaj lëvizjeje reformuese të vetëshpallur që përbëhej prej njerëzish të paarsimuar dhe për këtë arsye u përpoq ta shtypte atë. Por në vitin 1179 Valdo iu drejtua drejtpërdrejt Papës Aleksandëri III dhe mori aprovimin e tij. Megjithatë, vetëm pesë vjet më pas, Papa Luçio III mbajti anën e Kryepeshkopit të Lionit duke e shkishëruar Valdon dhe ndjekësit e tij.
Gjatë viteve të saj të hershme lëvizja Valdeze ishte përpjekje për të reformuar Kishën e Romës. Pjetër Valdo nuk kishte kurrë për qëllim që të largohej nga kisha, duke besuar madje në shumë doktrina tradicionale të Kishës. Por pas shkishërimit të tyre dhe pas vdekjes së Valdos, bindjet gati-protestante të Valdezëve vazhduan të shtoheshin dhe të përforcoheshin.
Më në fund, Valdezët hodhën poshtë të gjitha pretendimet për autoritet përveç atij të Shkrimit, të gjithë ndërmjetësit mes Perëndisë dhe njeriut përveç Jezusit, të gjitha sakramentet përveç atyre që dëshmohen në Bibël (d.m.th. Pagëzimi dhe Darka e Zotit), si dhe shumë doktrina të tjera Katolike.
- Hodhën poshtë të gjitha pretendimet për autoritet përveç Shkrimit
- Mohuan të gjithë ndërmjetësit mes Perëndisë dhe njeriut përveç njeriut Krishti Jezus (edhe pse Maria vazhdoi të përnderohej për një farë kohe).
- Hodhën poshtë doktrinën që vetëm prifti mund të dëgjonte rrëfimin dhe arsyetuan që të gjithë besimtarët ishin të kualifikuar për këtë gjë.
- Hodhën poshtë doktrinën e purgatorit, duke hedhur poshtë kështu indulgjencat dhe lutjet për të vdekurit.
- Besonin që të vetmet sakramente të urdhëruara nga Shkrimi ishin Pagëzimi dhe Darka e Zotit.
- Hodhën poshtë ritet e Kishës në lidhje me agjërimin, ditët e festave dhe kufizimet e ngrënies së ushqimeve.
- Hodhën poshtë sistemin e shtresave priftërore dhe murgjërore.
- Hodhën poshtë përnderimin e relikeve, pelegrinazhet dhe përdorimin e ujit të shenjtë.
- Hodhën poshtë pretendimin e papës për autoritet mbi sundimtarët tokësorë.
- Më në fund, ata mohuan vazhdimësinë apostolike të papës.
Para-Reformimi bashkohet me Reformimin
Pavarësisht shkishërimit dhe vdekjes së Valdos, Lëvizja Valdeze vazhdoi të rritej për një kohë të gjatë. Ajo u përhap në Itali, në disa zona të Spanjës, Austri, Gjermani, Hungari dhe Poloni.
Mirëpo edhe përndjekja katolike po ashtu vazhdoi dhe u bë gjithnjë e më e ashpër, deri në shekullin e pesëmbëdhjetë kur radhët e Valdezëve u rralluan në disa komunitete të vogla dhe të parëndësishme në luginat alpine të Francës dhe Italisë. Por kur Reformimi Protestant u shfaq në skenë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, shumica e Valdezëve u bënë Protestantë.
Pjetër Valdo ishte proto-Protestant, edhe pse nuk ishte i vetëdijshëm për këtë. Ai ishte një tregtar i thjeshtë që u bë profet, i cili thjesht e besoi fjalën e Perëndisë me gjithë zemër, gjë të cilën e demonstroi gjatë tërë jetës së vet. Duke i zënë besë fjalës së Perëndisë, Valdo e ktheu botën e tij kokë-poshtë.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!