Pastori Administrator

Johan Bugenhagen
1485–1558

nga Betsi Hauard

Tabloja “Der Weinberg des Herrn (Vreshti i Zotit)” (1569) e Lukas Kranak i Riu, e cila gjendet në Kishën e Shën Marisë në Vitenberg të Gjermanisë paraqet reformatorët e Vitenbergut duke punuar krah për krah si bujq në një kodrinë, duke u kujdesur për hardhitë e reja dhe duke mbledhur të korrat. Edhe pse mundi i tyre është i madh, puna e këtyre reformatorëve bashkëpunëtorë ishte jashtëzakonisht e frytshme.

Përkrah të famshmit Martin Luter dhe dijetarit Filip Melankton dhe shumë të tjerëve është edhe Johan Bugenhagen, pastori i Kishës së Shën Marisë, e cili ka veshur një rrobë me ngjyrë të çelur teksa prashit tokën. Edhe pse jo aq i famshëm apo i frytshëm sa Luteri dhe Melanktoni, Bugenhageni punoi me zell përkrah tyre, si në Kishën e Shën Marisë ashtu dhe më vonë në Universitetin e Vitenbergut.

Reformatori i katërfishtë

Edhe pse më së pari ishte pastor, Johan Buhenhagen, i cili njihet ndryshe edhe si Johan Pomerani, i shërbeu reformimit siç e thotë më së miri edhe Karl Hendeli në katër role të veçanta, si teolog, ekzegjet, pastor, reformator shoqëror dhe si organizator kishe (Johan Bugenhageni, xi).

Bugenhageni ishte një teolog i vetëarsimuar; ai kishte fare pak trajnim teologjik, por kishte lexuar gjerësisht nga Shkrimet dhe etërit e kishës. Duke qenë një njohës i jashtëzakonshëm i latinishtes, Bugenhageni ia doli të fitonte një doktoraturë në teologji nga Universiteti i Vitenbergut dhe po aty dha leksione teologjie. Si interpretues i Shkrimit, Bugenhageni ndoshta kujtohet më tepër për komentarin e tij mbi Psalmet botuar në vitin 1524, edhe pse botoi edhe komentarë rreth Jeremisë dhe Mateut dhe një përkthim të Biblës në gjermanishten popullore.

Duke qenë se thirrja parësore e Bugenhagenit ishte ajo e pastorit të bashkësisë së Kishës së Shën Marisë në Vitengerg për tri dekada me radhë, pjesa më e madhe e punës së tij të përditshme kishte natyrë baritore. Megjithatë, nga gjithë rolet e tij, Bugenhagen dukej që ishte jashtëzakonisht i zoti për strukturimin e kishave të reja të reformimit si dhe për jetën urbane që i rrethonte ato.

Administrimi i një lëvizjeje

Zotësia e Bugenhagenit për ndërtimin e strukturave të reja kishtare për famullitë, qytetet dhe rajonet që iu bashkuan Reformimit u shfaq qartë gjatë këtij procesi; Uolltër Rukiusi e përshkruan punën administrative të Bugenhagenit si një prej dy dhuntive të tij të veçanta. Përveç “besnikërisë sypatrembur ndaj asaj që ai e konsideronte të vërtetë”, shkruan Rukiusi, Bugenhageni kishte edhe “dhuntinë e organizimit” (Johan Bugenhagen Pomerani, fq. 3). Bugehageni e përdori “dhuntinë e tij të organizimit” për të krijuar struktura të jashtëzakonshme qeverisëse dhe shoqërore për komunitetet e reja të Reformimit.

Në mënyrë të veçantë libri i tij Kirchenordnungen, apo “Organizimi i Kishës”, shtjellon ndërvarësinë mes autoriteteve politike dhe kishave lokale, si dhe organizimin brenda kishave individuale. Aftësia për t’i ndarë dhe modifikuar në mënyrë efikase këto struktura shoqërore dhe kishtare ishte çelësi i përhapjes së shpejtë të Reformimit më së pari në Gjermani dhe pastaj në Skandinavi.

Si një njeri i dhënë pas teologjisë dhe me aftësi të jashtëzakonshme organizative, Bugenhageni i shërbeu reformimit në mënyrën më domethënëse përmes strukturave shumë praktike që ai shpiku dhe solli në jetë. Edhe pse rregullat e Kirchenordungen mund të duken shumë të çuditshme për konceptin tonë bashkëkohor të marrëdhënieve mes kishës dhe shtetit, vepra e Bugenhagenit dëshmon për vlerën e dhuntive administrative në përhapjen e ungjillit.

Miqësia me Luterin

Pavarësisht shkrimeve të shumta, udhëtimeve të shpeshta dhe veprës së vazhdueshme organizuese dhe projektuese, Bugehageni ruajti një marrëdhënie të ngushtë me reformatorët e Vitenbergut si miku dhe pastori i tyre. Ai ishte veçanërisht i afërt me Luterin. Bugenhageni martoi Luterin me Katerina fon Borën, pagëzoi fëmijët e tyre dhe shërbeu si rrëfyesi i Luterit.

Prandaj, kur Bugenhageni mbajti predikimin në shërbesën funebre të Luterit më 22 shkurt 1546, druhej se nuk do të ishte i zoti “që të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme për shkak të lotëve”. Pasi falënderoi Perëndinë për guximin e Luterit për t’u ngritur kundër korruptimit të Kishën Katolike të Romës, madje edhe përkundër “përndjekjes dhe shpifjeve”, Bugenhageni u lut: “Mbroje krishterimin tënd të gjorë… bëj që në kishën tënde të ketë përherë predikues të mirë dhe besnikë” (“Një Predikim i Krishterë”).

Polemikat e Vreshtit

Ashtu sikurse Bugehageni u lut për besnikëri dhe qëndrueshmëri në punën e predikimit edhe tabloja “Der Weinberg des Herrn” e Kranakut i paraqet reformatorët e Vitenbergut si një grup ungjilltarësh dhe predikuesish që punojnë së bashku për t’u kujdesur dhe për ta rritur kishën drejt pjekurisë për hir të Krishtit.

Megjithatë, si retorika e Bugenhagenit ashtu dhe paraqitja e kishës nga Kranaku nuk i shmangen debatit dhe polemikave. Në anën tjetër të kodrës që paraqitet në tablonë “Der Weinberg,” Kranaku paraqet përfaqësuesit e katolicizmit tek shkatërrojnë pa reshtur vreshtin, tek djegin të korrat dhe tek mbushin puset me gurë. Përshkrimet e Bugenhagenit për katolicizmin janë të barasvlershme me pamjet e tablosë së Kranakut. Kështu, në predikimin e mbajtur në funeralin e Luterit, Bugenhageni u ankua kundër “blasfemive të mëdha, të pafytyra dhe mizore të kundërshtarëve dhe të priftërinjve dhe murgjve zemërgurë” si dhe të “papës zemërak”, duke përdorur gjuhë apokaliptike për ta krahasuar Kishën e Romës me Babiloninë.

Por sulmi kundër veprës së Kranakut dhe retorikës së Bugenhagenit vënë në pah atë që rrezikohej gjatë Reformimit dhe urgjencën apokaliptike që ndjenë Reformatorët: kisha është si një vresht që i përket Jezusit. Sikur Krishti të kthehej papritur për të sjellë kështu fundin e kohërave, një ngjarje për të cilën ai ishte i bindur që do të ndodhte së shpejti, Bugenhageni e kishte ndarë mendjen që kur kjo të ndodhte Zoti i vet ta gjente “në vreshtin e Zotit” duke punuar përkrah shokëve të tij të Vitenbergut.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*