Lotët e mëshirës sovrane të Shpëtimtarit

nga John Piper

”Hosana! Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit! E bekuar është mbretëria e Davidit, atit tonë, që vjen në emër të Zotit. Hosana në vendet shumë të larta!” (Marku 11:9–10)

E diela e palmave është dita në kalendarin e kishës kur tradicionalisht kujtojmë hyrjen e Jezusit në Jerusalem javën e fundit të jetës së tij.

Ndërsa hyri në qytet i hipur mbi një gomar, Jezusi nuk ishte i shkujdesur për atë që do t’i ndodhte. Armiqtë e tij do ta shtinin në dorë, dhe ai do mohohej dhe kryqëzohej. Brenda një brezi qyteti do shkatërrohej. Ja sesi e thotë Jezusi tek Luka 19:43-44:

“Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët. Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s’do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar.”

Perëndia po i vizitonte në Jezusin, Birin e tij – “ai erdhi tek të vetët, por të vetët nuk e pranuan” (Gjoni 1:11). Por ata nuk e njohën kohën kur u vizituan. Prandaj u penguan tek guri i pengesës. Ndërtuesit e mohuan gurin dhe e hodhën tej. Jezusi e dinte që kjo do të ndodhte.

Mbreti qan

Si reagoi ai? “Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të, duke thënë: ”Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu.” (Luka 19:41-42). Jezusi vajtoi për verbërinë dhe mjerimin që po i afrohej Jerusalemit.

Si do t’i përshkruanit ju këta lot? Unë do t’i quaja lotët e mëshirës sovrane. Efekti që këta lot duhet të kenë tek ne është që të na bëjnë të admirojmë Krishtin dhe ta çmojmë atë mbi gjithë të tjerët dhe ta adhurojmë si Sovranin tonë të mëshirshëm. Kur ta kemi parë bukurinë dhe mëshirën e tij, do të bëhemi të mëshirshëm bashkë me të, si ai dhe për lavdinë e tij.

Prandaj, le ta admirojmë Krishtin së bashku këtë të Dielë të Palmave.

Admirimi i Sovranitetit të Tij zemërbutë

Çfarë e bën Krishtin kaq të admirueshëm dhe kaq të ndryshëm nga gjithë personat e tjerë është që në Të bashkohen shumë cilësi të cilat në njerëzit e tjerë shkojnë kundër njëra-tjetrës. Ne mund të imagjinojmë sovranitetin suprem, dhe mund të imagjinojmë gjithashtu mëshirën zemërbutë. Por tek kush mund t’i shohim të kombinuar në raport të përsosur, sovranitet i mëshirshëm dhe mëshirë sovrane? I shohim në Jezusin. Asnjë rival tjetër fetar apo politik nuk i afrohet atij.

Shihni tre tregues të sovranitetit të tij në tregimin e të Dielës së Palmave.

Së pari, turmat lëvduan Perëndinë për veprat e pushtetshme të Jezusit (Luka 19:37). Ai kishte shëruar lebrën me një të prekur; ai i kishte bërë të verbrit të shihnin, të shurdhët të dëgjonin dhe sakatët të ecnin; ai i kishte urdhëruar frymërat e papastra dhe ata i ishin bindur; ai kishte qetësuar stuhitë dhe kishte ecur mbi ujë dhe me dy bukë e pesë peshq kishte ushqyer mijëra vetë. Prandaj ndërsa hyri në Jerusalem, e dinin që asgjë nuk mund ta ndalonte. Si thjesht mund të thoshte një fjalë dhe Pilatit t’i vinte fundi dhe Romakët të shpërndaheshin. Ai ishte sovran.

Pastaj shihni, së dyti, në vargun 38. Turma klithi, “Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit!” Jezusi ishte Mbret, dhe jo thjesht mbret, por Mbreti i dërguar dhe i caktuar nga Zoti Perëndi. Ata e dinin sesi e kishte përshkruar Isaia atë – si një sovranin mbi një mbretëri të pamposhtur dhe të pafundme:

Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mençurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive. (Isaia 9:7).

Një mbreti universale që nuk do të ketë kurrë fund e mbështetur nga zelli i Zotit. Këtu kemi Mbretin e universit, që sot sundon mbi kombet dhe galaksitë dhe për të cilin Amerika dhe ISIS dhe çdo shtet tjetër politik janë thjesht një thërrime rëre apo avull.

Së treti, vargu 40. Kur Farisenjtë i thonë që t’u thotë njerëzve të pushojnë dhe të mos e bekojnë si mbret, ai u përgjigjet, “Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin” (Luka 19:40). Pse? Sepse Jezusi do të lavdërohet! I gjithë projektimi i universit është bërë që Krishti të lavdërohet. Prandaj, nëse njerëzit nuk e bëjnë, ai do të sigurohet që ta bëjnë gurët. Me fjalë të tjera, Ai është sovran. Ai do të marrë atë që ka për qëllim të marrë. Nëse refuzojmë ta lavdërojmë gurët do të gëzohen duke e lavdëruar.

Përmbushje, jo Dështim

Prandaj, është e jashtëzakonshme që lotët e Jezusit në vargun 41 shpesh përdoren për të mohuar sovranitetin e tij. Dikush do të thotë, “Shiko, ai po qan për Jerusalemi për shkak se plani i tij për ta nuk op realizohet. Ai do kënaqej në shpëtimin e tyre. Por ata po i rezistojnë. Ata do ta mohojnë. Ata do ta dorëzojnë për t’u kryqëzuar. Prandaj qëllimi i tij për ta ka dështuar.” Por ka diçka që nuk është si duhet rreth këtij kundërshtimi të sovranitetit të Jezusit. Ai mund të bëjë që lavdërimi të dëgjohet prej gurëve. Prandaj ai mund të bëjë të njëjtën gjë edhe me zemrat e ngurta të Jerusalemit. Për më tepër, gjithë ky mohim, përndjekje dhe vrasje e Jezusit nuk janë dështimi i planit të tij, por përmbushja e tij. Dëgjoni se çfarë tha Jezusi pak në parë tek Luka 18:31:33:

Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: ”Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen. Ai, pra, do t’u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë. Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë.”

Tradhëtimi, tallja, turpi, pështymat, fshikullimi, vrasja – dhe shumë më tepër se kaq – ishin planifikuar. Me fjalë të tjera, rezistenca, mohimi, mosbesimi dhe armiqësia nuk ishin surprizë për Jezusin. Në fakt ato ishin pjesë e planit. Ai e thotë këtë.

Kjo ka të ngjarë të jetë arsyeja pse në vargun 42 thuhet, “Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu.” Mbani mend çfarë tha Jezusi rreth shëmbëlltyrave të tij tek Luka 8:10, “Juve [dishepujve] ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë.” Perëndia po i dorëzonte në ngurtësinë e tyre. Ky ishte gjykim.

I Mëshirshëm dhe i Pushtetshëm

Mëshira e Perëndisë është një mëshirë sovrane. “Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri” (Romakëve 9:15). Por ja se çfarë shohin në Ditën e Palmave: Krishti Sovran qan për njerëzit zemër-ngurtë që po humbasin në Jerusalem ndërsa ata përmbushin planin e tij. Nuk është biblike madje është e gabuar t’i bëjmë lotët e mëshirës kontradiktues me qetësinë e sovranitetit. Jezusi ishte i qetë në trishtim, dhe i trishtuar në sovranitet. Lotët e Jezusit janë lotët e mëshirës sovrane.

Prandaj pushteti i tij sovran është edhe më i admirueshëm dhe më i bukur. Është harmonia e gjërave që duken se janë në tension ajo çfarë e bën Jezusin të lavdishëm – “i mëshirshëm dhe i pushtetshëm,” siç këndojmë. Ne e admirojmë pushtetin më tepër kur është pushtet i mëshirshëm. E admirojmë mëshirën më tepër kur është mëshirë e pushtetshme.

Oh sikur ta soditim dhe shijojmë bukurinë e Krishtit – lotët e së Dielës së Palmave, lotët e gëzimit sovran, të dashurisë vetë-sakrifikuese dhe të bindjes të cilët e shoqëruan në çdo hap gjatë Javës së Shenjtë. Dhe ndërsa e admirojmë dhe adhurojmë atë gjatë kësaj jave u ndryshofshim prej asaj që shohim dhe u bëfshim njerëz më zemërbutë, që mohojmë veten dhe plotësojmë nevojat e të tjerëve.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*