Mendime Shtjelluese Mateu 13

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 13

nga J. C. Ryle

Mateu 13:1-23
Kapitulli që fillon me këto vargje është i jashtëzakonshëm për faktin e shëmbëlltyrave që përmban. Në këtë kapitull na paraqiten shtatë ilustrime të goditura për të vërtetën frymërore nga Kreu i madh i Kishës të cilat Ai i merr nga libri i krijimit. Duke e bërë këtë gjë Ai na tregon që mësimi fetar mund të mbështetet nga çdo gjë në krijim. Ata që dëshirojnë “të zbulojnë fjalë të pranueshme” nuk duhet ta harrojnë këtë gjë (Predikuesi 12:10).

Shëmbëlltyra e mbjellësit, e cila fillon këtë kapitull, është një prej atyre shëmbëlltyrave që pranon një zbatim shumë të gjerë. Ajo po vërtetohet në mënyrë të vazhdueshme edhe para syve tanë. Kudo që predikohet apo shtjellohet fjala e Perëndisë, atje ku njerëzit mblidhen për ta dëgjuar, vërtetohen thëniet e Zotit tonë nga kjo shëmbëlltyrë. Ajo përshkruan se çfarë ndodh si rregull i përgjithshëm në të gjitha bashkësitë.

Së pari, le të mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë që puna e predikuesit i ngjan asaj të mbjellësit. Sikurse mbjellësi, predikuesi duhet të MBJELLË FARË TË MIRË, nëse dëshiron të shohë fryt. Ai duhet të mbjellë fjalën e pastër të Perëndisë, dhe jo traditat e kishës, apo doktrinat e njerëzve. Pa këtë gjë mundi i tij ka për të qenë i kotë. Ai mund të shkojë lart e poshtë, të duket se po thotë shumë gjëra, dhe të punojë shumë përgjatë detyrave të tij të përjavshme të shërbesës. Por nuk ka për të patur të korra shpirtrasht për qiellin, nuk do të ketë asnjë rezultat të gjallë dhe asnjë konvertim.

Sikurse mbjellësi, predikuesi duhet të jetë i ZELLSHËM. Ai nuk duhet të kursejë asnjë përpjekje. Ai duhet të përdorë çdo mjet të mundshëm për ta bërë të suksesshme punën e tij. Me durim ai duhet të “mbjellë pranë ujërave” dhe të “mbjellë me shpresë.” Ai duhet të jetë “gati në kohë dhe pa kohë.” Nuk duhet të frenohet nga vështirësitë apo shkurajimet. “Ai që vështron erën nuk ka për të mbjellë.” Nuk është habi që suksesi i tij nuk varet krejtësisht nga mundi dhe zelli i tij. Por pa mund dhe zell rrallë herë ka për t’u arritur suksesi. (Isaia 32:20, 2 Timoteu 4:2, Predikuesi 11:4.)

Sikurse mbjellësi, predikuesi NUK MUND TË JAPË JETË. Ai mund të shpërndajë farën që i është besuar, por nuk mund ta bëjë dot që të rritet. Ai mund t’u ofrojë fjalën e të vërtetës njerëzve, por nuk mund t’i bëjë dot që ta pranojnë atë dhe të japin fryt. Dhënia e jetës është e drejta sovrane e Perëndisë. “Është Fryma që jep jetë.” Vetëm Perëndia mund “të japë rritjen.” (Gjoni 6:63, 1 Korintasve 3:7).

Le të zënë këto gjëra vend thellë në zemrat tona. Nuk është gjë e parëndësishme të jesh një shërbenjës i vërtetë i Fjalës së Perëndisë. Të jesh një punëtor përtac dhe formal në Kishë është gjë e lehtë. Por të jesh një mbjellës besnik është shumë e vështirë. Predikuesit duhet t’i kujtojmë në mënyrë të veçantë në lutjet tona.

Së dyti, le të mësojmë nga kjo pjesë që ka mënyra të ndryshme sesi fjala e Perëndisë mund të dëgjohet pa dobi. Mund të dëgjojmë një predikim duke pasur një zemër si “udha” e ngurtë, e shkujdesur, pa mendje, dhe e pa interesuar. Krishti i kryqëzuar mund të paraqitet me dashuri para nesh, dhe mund të dëgjojmë për vuajtjet e Tij me një indiferencë totale, si një temë për të cilën nuk kemi fare interes. Sapo fjalët bien në veshin tonë djalli mund t’i rrëmbejë dhe ne mund të kthehemi në shtëpi sikur të mos kishim dëgjuar fare një predikim. Mjerisht ka shumë dëgjues të tillë! Kjo është po aq e vërtetë për ata sa dhe për idhujt e lashtë, “kanë sy por nuk shohin; kanë veshë por nuk dëgjojnë.” (Psalmi 135:16-17). E vërteta duket sikur nuk ka më tepër efekt në zemrat e tyre nga sa ka uji mbi gurin.

Ne mund ta dëgjojmë një predikim me kënaqësi, ndërsa përshtypja që po krijohet në ne është thjesht e përkohshme dhe jetëshkurtër. Zemrat tona, sikurse “gurishtja,” mund të japin një të korrë të bollshme ndjenjash miqësore dhe zotimesh të mira. Por gjatë gjithë kësaj kohe mund të mos ketë një punë të thellë në shpirtrat tanë, dhe sapo vjen shpërthimi i parë i acartë i kundërshtimit apo tundimit mund ta bëjë dukjen e fesë tonë që të thahet. Mjerisht ka shumë dëgjues të tillë! Thjesht dashuria për predikime nuk është shenjë e hirit. Mijëra njerëz të pagëzuar janë si Judenjtë në kohën e Ezekielit, “Ja, ti je për ta si një këngë dashurie e dikujt që ka një zë të bukur dhe di t’i bjerë mirë një vegle; ata dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i vënë në praktikë.” (Ezekieli 33:32).

Mund ta dëgjojmë një predikim dhe të aprovojmë çdo fjalë të tij, e megjithatë të mos kemi përfitim prej tij, për shkak të ndikimit përmbytës të botës. Zemrat tona, sikurse “ferrishtja,” mund të jenë të ngërthyera nga bimët e liga të shqetësimeve, kënaqësive dhe planeve të botës. Mjerisht ka shumë dëgjues të tillë! Ata e dinë mirë të vërtetën. Ata shpresojnë që një ditë të bëhen të krishterë të vendosur. Por ata nuk vijnë kurrë tek pika e të dorëzuarit gjithçka për hir të Krishtit. Ata nuk e ndajnë kurrë mendjen për “të kërkuar më së pari mbretërinë e Perëndisë,” – dhe kështu vdesin në mëkatet e tyre.

Këto janë pika të cilat duhet t’i peshojmë mirë. Nuk duhet të harrojmë kurrë që ka më tepër mënyra sesa një për ta dëgjuar fjalën pa patur dobi prej saj. Nuk mjafton thjesht që vijmë për të dëgjuar. Ne mund të vijmë, dhe të jemi të shkujdesur. Nuk mjafton thjesht që të mos jemi dëgjues të shkujdesur. Përshtypjet tona mund të jenë thjesht të përkohshme, dhe gati për të humbur. Nuk mjafton që përshtypjet tona të mos jenë thjesht të përkohshme. Por mund të mos jenë duke dhënë rezultat në vazhdimësi, për shkak të kapjes tonë kokëfortë pas botës. Me të vërtetë, “zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme, kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9).

Së fundi, le të mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë që ka vetëm një provë për dëgjimin si duhet të fjalës. Kjo provë është që të JAPËSH FRYT. Fryti për të cilin flitet këtu është fryti i Frymës. Pendimi ndaj Perëndisë, besimi ndaj Zotit Jezu Krisht, shenjtëria e jetës dhe karakterit, fryma e lutjes, përulësia, dashuria, mendësia frymërore, këto janë provat e vetme të kënaqshme që fara e fjalës së Perëndisë është duke bërë punën e saj të duhur në shpirtin tonë. Pa prova të tilla, feja jonë është e kotë, pavarësisht se sa i lartë mund të jetë rrëfimi ynë. Ai nuk vlen më tepër se bronzi që kumbon apo cimbalja që tingëllon. Krishti ka thënë, “unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt.” (Gjoni 15:16).

Nuk ka pjesë tjetër të kësaj shëmbëlltyre që të jetë më e rëndësishme se kjo. Nuk duhet të kënaqemi kurrë me një ortodoksi shterpër dhe me një ruajtje të ftohtë të pikëpamjeve të duhura teologjike. Nuk duhet të kënaqemi thjesht me njohurinë e qartë, ndjenjat e ngrohta, dhe rrëfimin e duhur. Duhet të sigurohemi që Ungjilli që rrëfejmë se e duam, të prodhojë “fryt” pozitiv në zemrat dhe jetët tona. Ky është krishterimi i vërtetë. Fjalët e Jakobit duhet të tingëllojnë shpesh në veshët tanë, “Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten.” (Jakobi 1:22).

Le të mos largohemi nga këto vargje pa i bërë vetes pyetjen e rëndësishme, “Si dëgjojmë NE?” Ne që jetojmë në një vend të krishterë. Ne që shkojmë në një vend adhurimi të dielë pas të diele dhe dëgjojmë predikime. Në çfarë fryme i dëgjojmë ato? Çfarë efekti kanë ato mbi karakterin tonë? A mund të tregojmë ndonjë gjë që meriton të quhet “fryt”?

Mund të jemi të sigurt që për të arritur qiellin më në fund, na duhet diçka më tepër se thjesht të shkuarit rregullisht në kishë të dielave dhe të dëgjuarit e predikuesve. Fjala e Perëndisë duhet pranuar në zemrat tona, dhe të bëhet burimi i gjithë sjelljes tonë. Ajo duhet të prodhojë përshtypje praktike në njeriun tonë të brendshëm të cilat do të reflektohen në sjellen tonë të jashtme. Nëse nuk e bën këtë gjë, thjesht ka për të shtuar dënimin tonë në ditën e gjyqit.

Mateu 13:24-43
Shëmbëlltyra e grurit dhe egjrës, e cila përfshin pjesën më të madhe të këtyre vargjeve është një shëmbëlltyrë veçanërisht e rëndësishme për kohën tonë. (Konsiderimi i shëmbëlltyrës së farës së sinapit dhe asaj të majasë është shtyrë qëllimisht për një pjesë të ardhshme të Shtjellimit). Kjo ka qëllim parësor që të korrigjojë pritjet ekstravagante në të cilat bien shumë të krishterë, për sa i përket efektit të misioneve rreth botës, dhe për predikimin e Ungjillit në vendin tonë. I dhënshim asaj vëmendjen që meriton!

Së pari, kjo shëmbëlltyrë na mëson, që e mira dhe e liga do të gjenden gjithmonë bashkë në kishën rrëfyese, deri në fund të botës. Kisha e dukshme na paraqitet si një trup i përzierë. Ajo është një “fushë” e gjerë në të cilën “gruri dhe egjra” rriten krah për krah. Duhet të presim të gjejmë besimtarë dhe jobesimtarë, të konvertuar dhe të pa konvertuar, “bijtë e mbretërisë dhe bijtë e të ligut,” të gjithë të përzjerë së bashku në çdo bashkësi njerëzish të pagëzuar.

Edhe predikimi më i pastër i Ungjillit nuk ka për ta parandaluar këtë gjë. Në çdo epokë të kishës, ka ekzistuar e njëjta gjë. Ky ishte përjetimi i etërve të hershëm. Ky ishte përjetim i Reformatorëve. Ky është përjetimi i predikuesve më të mirë edhe në kohën tonë. Nuk ka pasur kurrë një kishë të dukshme apo një asamble fetare në të cilën të gjithë anëtarët të kenë qenë “grurë.” Djalli, armiku i madh i shpirtrave, është kujdesur gjithmonë që të mbjellë “egjër.”

Këtë gjë nuk mund ta parandalojë dot as disiplina më strikte dhe e matur. Episkopalët, Presbiterianët dhe të Pavarurit, që të gjithë e kanë zbuluar që kështu është. Të bëjmë çfarë të duam për ta pastruar kishën, nuk do t’ia dalim dot kurrë që të arrijmë një bashkësi përsosmërisht të pastër. Mes grurit do të gjendet egjër. Hipokritët dhe mashtruesit do të hyjnë vjedhurazi. Dhe më e keqja, nëse tregohemi të ekzagjeruar në përpjekjet tona për të arritur pastërtinë do të shkaktojmë më tepër dëm sesa do të bëjmë mirë. Rrezikojmë që të inkurajojmë shumë Juda Iskariotë dhe të shkërmoqim shumë kallama të thyer. Në zellin tonë për të “mbledhur egjrën,” rrezikojmë të “shkulim grurin bashkë me të.” Një zell i tillë nuk është sipas njohurisë dhe shpesh ka shkaktuar shumë dëm. Ata që nuk interesohen se çfarë ndodh me grurin, për aq kohë sa e shkulin egjrën, e reflektojnë shumë dobët mendjen e Krishtit. Në fund të fundit, ka një të vërtetë të thellë në thënien e dashur të Augustinit, “Ata që sot janë egjër, nesër mund të jenë grurë.”

A jemi të prirur që të kërkojmë konvertimin e gjithë botës përmes punës së misionarëve dhe predikuesve? Le ta mbajmë këtë shëmbëlltyrë përpara syve, dhe të kemi kujdes nga një ide e tillë. Nuk do t’i shohim kurrë të gjithë banorët e tokës si grurë i Perëndisë në këtë gjendje që janë gjërat sot. Egjra dhe gruri do të “rriten së bashku deri në kohën e korrjes.” Mbretëritë e kësaj bote nuk do të bëhen kurrë mbretëri e Krishtit derisa të fillojë mijëvjeçari dhe derisa të kthehet Mbreti Vetë.

A lodhemi ndonjëherë nga argumenti përçmues i jobesimtarëve, që krishterimi nuk mund të jetë fe e vërtetë meqë ka kaq shumë të krishterë të rremë? Le të mbajmë mend këtë shëmbëlltyrë, dhe të qëndrojmë të palëkundur. Le t’u themi jobesimtarëve që gjendja e gjërave me të cilën ata tallen nuk na habit aspak. Zotëria ynë na përgatiti për këtë gjë përpara 2000 vjetësh. Ai e parashikoi dhe e paratha, që Kisha e Tij do jetë si një fushë që përmban jo vetëm grurë por edhe egjër.

A tundohemi ndonjëherë që të largohemi nga një kishë për të shkuar tek një tjetër, për shkak se shohim që shumë nga anëtarët e saj janë të pa konvertuar? Le ta kujtojmë këtë shëmbëlltyrë dhe të hapim sytë se çfarë bëjmë. Nuk do të gjejmë dot kurrë një kishë të përsosur. Mund ta kalojmë jetën tonë kaluar nga një bashkësi tek tjetra, dhe t’i shtymë ditët në zhgënjim të përhershëm. Kudo që të shkojmë, dhe kudo që të adhurojmë gjithmonë do të gjejmë egjër.

Së dyti, shëmbëlltyra na mëson që në fund të epokës do të vijë një ditë ndarjeje mes antarëve të perëndishëm dhe të pa perëndishëm të kishës së dukshme.

Gjendja e tanishme e përzjerë e gjërave nuk do të vazhdojë përgjithmonë. Gruri dhe egjra më në fund do të ndahen. Zoti Jezus do të “dërgojë engjëjt e tij” ditën e ardhjes së Tij të dytë, dhe do të mbledhë të gjithë ata që rrëfejnë se janë të krishterë në dy grupe të mëdha. Ata korrës të pushtetshëm nuk do të bëjnë gabim. Ata do të dallojnë me një gjykim të saktë mes të drejtëve dhe të ligjve, dhe secilin do ta vendosin në vendin e vet. Shenjtorët dhe shërbëtorët besnikë të Krishtit do të marrin lavdi, nder dhe jetë të përjetshme. Njerëzit e botës, të pa perëndishmit, të shkujdesurit dhe të pa konvertuarit do të “hidhen në furrën e zjarrit,” dhe do të përjetojnë turp dhe përbuzje të përjetshme.

Ka diçka shumë solemne në këtë pjesë të shëmbëlltyrës. Nuk mund të gabojmë dot rreth kuptimit të saj. Vetë Zoti ynë e shpjegon me fjalë jashtëzakonisht të qartë, sikur të donte që ta nguliste thellë në mendjen tonë. Prandaj në konkluzion Ai thotë, “Kush ka veshë për të dëgjuar le të dëgjojë.”

Le të dridhet njeriu i pa perëndishëm kur ta lexojë këtë shëmbëlltyrë. Le të shohë në gjuhën e saj të frikshme fatin e tij të sigurt, nëse nuk pendohet dhe të kthehet. Le ta dijë që është duke mbjellë mjerim për veten, nëse vazhdon të këmbëngulë në neglizhimin e tij ndaj Perëndisë. Le të reflektojë që fundi i tij ka për të qenë për t’u mbledhur mes “duajve” të egjrës, për t’u djegur. Sigurisht që një mundësi e tillë duhet ta bëjë njeriun të mendojë. Sikurse tha edhe Baksteri me vërtetësi, “Nuk duhet ta keq interpretojmë durimin e Perëndisë ndaj të pabesëve.”

Le të ngushëllohet besimtari në Krishtin kur e lexon këtë shëmbëlltyrë. Le të shohë që ka një lumturi dhe siguri të përgatitur për të në ditën e madhe dhe të tmerrshme të Zotit. Zëri i kryeengjëllit dhe boria e Perëndisë nuk do të lajmërojnë terror për të. Ato do t’i bëjnë thirrje që të bashkohet asaj që ka dëshiruar kaq gjatë ta shohë, kishës së përsosur dhe bashkësisë së pësosur të shenjtorëve. Sa i bukur që do të shfaqet i gjithë trupi i besimtarëve kur më në fund do të veçohen nga të ligjtë! Sa i pastër që do të duket gruri në hambarin e Perëndisë kur më në fund do të hiqet tej ergjra! Sa fort që do të shkëlqejë hiri kur nuk do të zbehet më gjatë nga kontakti i vazhdueshëm me njerëzit e pa konvertuar dhe me frymën e botës!

Të drejtët nuk njihen shumë në ditën e sotme. Bota nuk sheh bukuri tek ata, ashtu sikurse nuk dalloi bukuri as tek Zotëria i tyre. “Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë.” (1 Gjoni 3:1). Por të drejtët një ditë do të “shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre.” Nëse përdorim fjalët e Methju Henrit, “shenjtërimi i tyre do të përsoset dhe drejtësimi i tyre do të shpaloset qartë.” “Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të.” (Kolosianëve 3:4).

Mateu 13:44-50
Shëmbëlltyra e “THESARIT të fshehur në fushë,” dhe e “tregtarit që kërkon PERLA të çmuara,” duket që kanë për qëllim të përcjellin të njëjtin mësim. Nuk ka dyshim që ato ndryshojnë në një detaj të veçantë. “Thesari” u gjend nga dikush që dukej se nuk po e kërkonte. “Perla” u gjend nga dikush që në fakt po kërkonte perla. Por reagimi i atyre që gjejnë në të dyja rastet është saktësisht i njëjtë. Që të dy “shesin gjithçka” për ta bërë të tyre gjënë që kanë gjetur. Dhe saktësisht në këtë pikë përputhet edhe udhëzimi i të dyja shëmbëlltyrave.

Këto dy shëmbëlltyra kanë për qëllim të na mësojnë që njerëzit që vërtet janë bindur për rëndësinë e shpëtimit, do heqin dorë nga gjithçka për të fituar Krishtin dhe jetën e përjetshme.

Cila ishte sjellja e dy personave që përshkroi Zoti ynë? I pari ishte i bindur që kishte një “thesar të fshehur në fushë,” i cili do ta shërblente bollshëm, nëse e blinte arën, pavarësisht se sa i madh mund të ishte çmimi që mund të duhej të paguante. Tjetri ishte i bindur që “perla” që kishte gjetur kishte një vlerë aq të lartë, sa do ta kompensonte pavarësisht çmimit të lartë me të cilin mund ta blinte. Që të dy ishin të bindur që kishin gjetur një gjë me vlerë shumë të lartë. Që të dy ishin të kënaqur që ia vlente të bënin një sakrificë të madhe në të ashmen për ta bërë këtë gjë të tyren. Të tjerët mund të habiteshin me ta. Të tjerët mund të mendojnë që janë të marrë për të paguar një shumë kaq të madhe parash për fushën dhe perlën. Por ata e dinin mirë se çfarë po bënin. Ata ishin të sigurt që po bënin një pazar të leverdishëm.

Shikoni në këtë tablo të vetme, shpjegimin e sjelljes së të krishterit të vërtetë! Ai është ai që është, dhe bën atë që bën në fenë e tij, për shkak se ai është plotësisht i bindur që ia vlen. Ai del nga bota. E zhvesh njeriun e vjetër. I harron shokët e kotë të jetës së tij të shkuar. Sikurse Mateu, ai heq dorë nga gjithçka, dhe sikurse Pali, ai “i konsideron të gjitha humbje” për hir të Krishtit. Pse e bën këtë? Për shkak se është i bindur që Krishti do ta dëmshpërblejë për gjithçka nga e cila heq dorë. Ai sheh në Krishtin një “thesar” të pafundmë. Ai sheh në Krishtin një “perlë” të çmuar. Ai do të bëjë çdo sakrificë për të fituar Krishtin. Ky është besimi i vërtetë. Kjo është vula e një pune të vërtetë të Frymës së Shenjtë.

Vëzhgoni në këto dy shëmbëlltyra treguesin e vërtetë të sjelljes së shumë njerëzve të pa konvertuar! Ata janë ata që janë në fe, për shkak se nuk janë plotësisht të bindur që ia vlen të jesh ndryshe. Ata hezitojnë të marrin vendimin. Ata i rrinë larg mbartjes së kryqit. Ata ngecin mes dy opinioneve. Ata nuk e përkushtojnë veten. Ata nuk dalin me guxim në anën e Zotit. Pse e bëjnë këtë? Për shkak se nuk janë të bindur që kanë për t’u dëmshpërblyer. Ata nuk janë të sigurt që “thesari” gjendet para tyre. Nuk janë të bindur që “perla” ka një vlerë kaq të lartë. Ata ende nuk mund ta ndajnë mendjen për të “shitur gjithçka,” në mënyrë që të fitojnë Krishtin. Prandaj, tepër shpesh ata humbasin përjetësisht! Kur dikush nuk rrezikon asgjë për hir të Krishtit, duhet të nxjerrim konkluzionin e trishtueshëm që ai person nuk e ka hirin e Perëndisë.

Shëmbëlltyra e RRJETËS që hidhet në det, ka disa pika të përbashkëta me atë të grurit dhe të egjrës. Ajo ka për qëllim të na udhëzojë rreth një temë shumë të rëndësishme, natyrës së vërtetë të kishës së dukshme të Krishtit.

Predikimi i Ungjillit ishte si hedhja e rrjetës në mes të detit të kësaj bote. Kisha rrëfyese që do të mblidhej bashkë do të ishte një grup i përzierë. Brenda rrjetës do të kishte peshq të çdo lloji, si të mirë ashtu dhe të këqij. Brenda vathës së kishës do të ketë të krishterë të llojeve të ndryshme, të pa konvertuar ashtu si dhe të konvertuar, të rremë sikurse edhe të vërtetë. Ndarja e të mirëve dhe të këqijve është e sigurt që do të vijë në fund, por jo para fundit të botës. Ky ishte përshkrimi që Mjeshtri i madh u dha dishepujve të tij për kishat që ata do të themelonin.

Është e një rëndësie të jashtëzakonshme që mësimet e kësaj shëmbëlltyre t’i ngulitim thellë në mendjen tonë. Zor se ka ndonjë pikë tjetër në krishterim rreth të cilës të ekzistojnë gabime më të mëdha sesa natyra e kishës së dukshme. Ndoshta nuk ka asnjë tjetër temë në të cilën gabimet të jenë më të rrezikshme për shpirtin sesa kjo.

Le të MËSOJMË nga kjo shëmbëlltyrë që të gjitha bashkësitë e të krishterëve rrëfyes duhet të konsiderohen si grupe të përzierë. Ato janë të gjitha asamble që përmbajnë “peshq të mirë dhe të këqij,” të konvertuar dhe të pa konvertuar, bij të Perëndisë dhe bij të botës, prandaj kështu duhet të përshkruhen dhe kështu duhet të flasim për to. T’u thuash të gjithë njerëzve të pagëzuar që ata janë lindur sërish, që kanë Frymën, që janë pjesëtarë të Krishtit, që janë të shenjtë, para një shëmbëlltyre të tillë është diçka krejtësisht e pajustifikueshme. Një mënyrë e tillë trajtimi mund t’i kënaqë dhe t’u bëjë qejfin njerëzve. Por nuk ka gjasa që të ketë dobi apo të shpëtojë. Kjo është e sigurt që ka për të nxitur vetë-drejtësi, dhe ka për t’i vënë mëkatarët në gjumë. Kjo e hedh poshtë mësimin e qartë të Krishtit, dhe është shkatërrimtare për shpirtin. A dëgjojmë ndonjëherë doktrinë të tillë? Nëse po, le të kujtojmë “rrjetën.”

Së fundi, le të jetë parim i qartë për ne që kurrë të mos kënaqemi thjesht me antarësinë e jashtme të kishës. Ne mund jemi brenda rrjetës e megjithatë të mos jemi në Krishtin. Ujërat e pagëzimit derdhen mbi mijëra të cilët nuk janë larë kurrë në ujin e jetës. Buka dhe vera haen dhe pihen nga mijëra në tryezën e Zotit, të cilët nuk janë ushqyer kurrë me Krishtin përmes besimit. A jemi konvertuar? A jemi mes “peshqve të mirë?” Kjo është pyetja e madhe. Kjo është një pyetje të cilës duhet t’i përgjigjemi. Së shpejti rrjeta do të “nxirret në breg.” Karakteri i vërtetë i fesë së çdo njeriu do të shfaqet hapur. Do të ketë një ndarje të jashtme mes peshqve të mirë dhe të këqij. Do të ketë një “furrë zjarri” për të ligjtë. Sigurish, ashtu si thotë edhe Baksteri, “këto fjalë të thjeshta kanë nevojë më tepër për t’u besuar sesa për t’u shtjelluar.”

Mateu 13:51-58
Gjëja e parë që duhet të vëmë re në këto vargje është pyetja goditëse me të cilën Zoti ynë i përmbyll të shtatë shëmëblltyrat e këtij kapitulli. Ai tha, “A i kuptuat të gjitha këto?

Zbatimi personal është quajtur “shpirti” i predikimit. Një predikim pa një zbatim është si një letër e postuar pa adresë. Ajo mund të jetë shkruar mirë, të ketë datën e saktë, dhe të jetë firmosur. Por sërish është e padobishme, për shkak se nuk e arrin kurrë destinacionin e vet. Pyetja e Zotit tonë është një shembull i admirueshëm i zbatimit që vërtet zhbiron zemrën, “A keni kuptuar?”

Thjesht forma e dëgjimit të një predikimi nuk i sjell dobi askujt, nëse nuk e kap kuptimin e tij. Ai mund të dëgjojë të rënët e një trumpete, apo goditjet e një daulleje. Ai mund të ndjekë një shëbesë Katolike Romake në Latinisht. Intelekti i tij duhet të vihet në lëvizje dhe zemra e tij duhet të ndikohet. Idetë duhet të pranohen në mendjen e tij. Ai duhet të marrë farat e mendimeve të rreja. Pa këtë gjë ai dëgjon më kot.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta shohim qartë këtë pikë. Ekziston një masë e madhe paditurie rreth kësaj gjëje. Ka me mijëra njerëz që shkojnë rregullisht në vendet e adhurimit, dhe mendojnë që kanë bërë detyrën e tyre fetare, por që nuk marrin kurrë me vete ndonjë ide apo përshtypje. Pyetini, kur kthehen në shtëpi të Dielë në mbrëmje, se çfarë kanë mësuar, dhe ata nuk mund t’ju thonë qoftë dhe një fjalë. Shqyrtojini në fund të vitit, për sa i përket njohurisë fetare që kanë arritur dhe do të zbuloni që janë po aq të paditur sa edhe paganët.

Le të kemi kujdes për shpirtin tonë në këtë çështje. Le të marrim me vete në kishë jo vetëm trupin por edhe mendjen, arsyen, zemrën dhe ndërgjegjen tonë. Le ta pyesim shpesh veten, “Çfarë kam marrë nga ky predikim? Çfarë kam mësuar? Çfarë të vërtetash janë theksuar në mendjen time? Nuk ka dyshim që intelekti nuk është gjithçka në fe. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka fare vlerë. Nuk ka dyshim që zemra është pika kryesore. Por nuk duhet të harrojmë kurrë që në përgjithësi Fryma e Shenjtë e arrin zemrën përmes mendjes. Dëgjuesit e përgjumur, të plogësht dhe të pavëmendshëm nuk ka gjasa që të konvertohen ndonjëherë.

Gjëja e dytë që duhet të dallojmë në këto vargje është trajtimi i çuditshëm që përjetoi Zoti ynë në vendin e Tij.

Ai erdhi në qytetin e Nazaretit, ku ishte rritur, dhe “dha mësim në sinagogën e tyre.” Nuk ka dyshim që mësimi i tij ishte i njëjtë si gjithmonë. “Askush nuk ka folur ndonjëherë si ky njeri.” Por kjo nuk kishte efekt tek njerëzit e Nazaretit. Ata ishin “të mahnitur,” por zemrat e tyre ishin të paprekura. Ata thanë, “A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari?” Ata e përbuzën për shkak se ishin tepër familjarë me Të. “Ata u ofenduan nga Ai.” Prandaj morën deklaratën solemne nga Zoti ynë, “Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet dhe në shtëpinë e vet.”

Le të shohim në këtë histori sesi shpaloset një faqe melankolike e natyrës njerëzore. Ne të gjithë jemi të prirur t’i përbuzim mëshirat, nëse jemi mësuar me to, dhe nuk u japim vlerë. Biblat dhe librat fetarë të cilët janë kaq të bollshëm në Angli, mjetet e hirit nga të cilat kemi një furnizim kaq të bollshëm, predikimi i Ungjilli të cilin e dëgjojmë çdo javë – të gjitha këto mund të nënvlerësohen. Është mjerisht e vërtetë që në fe më tepër se në çdo gjë tjetër, “familjariteti pjell përbuzjen.” Njerëzit harrojnë që e vërteta është e vërtetë, pavarësisht se sa e vjetër dhe e rëndomtë që mund të tingëllojë, dhe kështu e përbuzin për shkak se është e vjetër. Mjerisht duke e bërë këtë gjë ata provokojnë Perëndinë që ta largojë prej tyre.

A e vrasim mendjen pse të afërmit, shërbëtorët apo fqinjët e njerëzve të perëndishëm nuk konvertohen gjithmonë? A e vrasim mendjen që antarët e bashkësive të predikuesve të shquar të Ungjillit shpesh janë dëgjuesit e tyre më të ngurtësuar dhe më të pa penduar? Le të mos habitemi më. Le të shohim përjetimin e Zotit tonë në Nazaret dhe të mësojmë urtësinë.

A imagjinojmë ndonjëherë që sikur ta kishim parë apo dëgjuar Jezu Krishtit do kishim qenë dishepujt e Tij besnikë? A mendojmë që po të kishim jetuar afër Tij dhe të kishim qenë dëshmitarë okularë të udhëve të Tij nuk do kishim qenë të pavendosur, të lëkundur dhe me gjysmë zemrë për sa i përket fesë? Nëse e bëjmë le të mos vazhdojmë të mendojmë kështu. Le të vëzhgojmë njerëzit e Nazaretit dhe të mësojmë urtësinë.

Gjëja e fundit që duhet të vëmë re në këto vargje është natyra shkatërrimtare e mosbesimit. Kapitulli mbyllet me fjalët e frikshme, “Dhe, për shkak të mosbesimit të tyre, ai nuk bëri aty shumë vepra të pushtetshme.”

Dalloni në këtë fjalë të vetme sekretin e shkatërrimit të përjetshëm të turmave të shpirtrave! Ata humbasin përgjithmonë, për shkak se nuk besojnë. Nuk ka asgjë tjetër në tokë apo qiell që e pengon shpëtimin e tyre. Pavarësisht sa të shumtë mund të jenë mëkatet e tyre, të gjitha mund të falen. Dashuria e Atit është gati t’i pranojë. Gjaku i Krishtit është gati t’i pastrojë. Fuqia e Frymës është gati t’i ripërtërijë. Por ekziston një pengesë e madhe, ata nuk besojnë. Jezusi thotë, “Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.” Qofshim të gjithë vigjilentë ndaj këtij mëkati të mallkuar. Kjo është rrënja e vjetër e mëkatit, i cili shkaktoi rënien e njeriut. Edhe pse në fëmijët e vërtetë të Perëndisë ky mëkat është rrëzuar nga fuqia e Frymës, ai është përherë gati të lëshojë syth e llastar dhe për t’u rritur sërish. Ka tre armiq të mëdhenj kundër të cilëve fëmijët e Perëndisë duhet të luten çdo ditë, krenaria, fryma e botës dhe mosbesimi. Nga këta të tre asnjëri nuk është më i madh se mosbesimi.


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*