Mendime Shtjelluese Mateu 15
nga J. C. Ryle
Mateu 15:1-9
Në këto vargje kemi një bisedë mes Zotit Jezu Krisht dhe disa Skribëve dhe Farisenjve. Në pamje të parë tema e bisedës mund të duket se nuk ka shumë lidhje me kohët moderne. Por nuk është kështu në realitet. Parimet e Farisenjve janë parime që nuk vdesin kurrë. Në këtë kapitull gjenden të vërteta të një rëndësie shumë të madhe.
Gjëja e parë që mësojmë është që në përgjithësi hipokritët u japin një rëndësi të madhe gjërave thjesht të jashtme në fe.
Ankesa e Skribëve dhe Farisenjve në këtë vend është një pikë shumë e fortë. Ata ngritën një akuzë kundër Zotit tonë dhe dishepujve të Tij. Por cila ishte natyra e asaj akuze? Nuk ishte që ata ishin lakmitarë apo e mbanin veten për të drejtë. Nuk ishte që nuk po shfaqnin dashuri apo nuk po thoshin të vërtetën. Nuk ishte që kishin shkelur ndonjë pjesë të ligjit të Perëndisë. Por ata “nuk kishin zbatuar traditën e pleqve. Nuk kishin larë duart para se të hanin ushqim.” Ata nuk kishin zbatuar një rregull thjesht të autoritetit njerëzor, të cilin e kishin shpikur disa Judenj të moçëm! Ky ishte thelbi i shkeljes së tyre!
A nuk shohim asnjë shenjë të frymës së Farisenjve në ditët e sotme? Fatkeqësisht shohim edhe më shumë. Ka me mijëra njerëz që rrëfejnë se janë të krishterë të cilët duket sikur nuk interesohen aspak për fenë e fqinjëve të tyre, për aq kohë sa ajo përputhet në çështjet e jashtme me fenë e tyre. A adhurojnë fqinjët e tyre sipas formës së tyre të caktuar? A mund të përdorin të njëjtin fjalor dhe të flasin pak për doktrinat e tyre të preferuara? Nëse mundet, ata janë të kënaqur edhe pse nuk ka ndonjë provë që ai është i konvertuar. Nëse nuk mundet, ata gjithmonë gjejnë gabime, dhe nuk mund të flasin në mënyrë paqësore me të, edhe pse ai mund t’i shërbejë Krishtit më mirë se ata vetë. Le të ruhemi nga kjo lloj fryme. Ky është vetë thelbi i hipokrizisë. Qoftë parimi ynë – “sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë.” (Romakëve 14:17).
Gjëja tjetër që mësojmë nga këto vargje është rreziku i madh i përpjekjes për t’i shtuar ndonjë gjë fjalës së Perëndisë. Kurdoherë që dikush vendos t’u shtojë diçka Shkrimeve ka të ngjarë që do të përfundojë duke vlerësuar më tepër shtesat e tij sesa vetë Shkrimin.
Këtë pikë e shohim të theksuar në mënyrë më të goditur në përgjigjen e Zotit tonë ndaj akuzës që Farisenjtë ngritën kundër dishepujve të Tij. Ai thotë, “Pse e shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak traditave tuaja?” Ai e godet guximshëm gjithë sistemin e shtuarjes së çfarëdo gjëje, si të nevojshme për shpëtim, mbi fjalën e përsosur të Perëndisë. Ai e demaskon prirjen shkatërrimtare e këtij sistemi përmes një shembulli. Ai tregon sesi traditat e lartësuara të Farisenjve në fakt po shkatërronin autoritetin e urdhërimit të pestë. Me pak fjalë, Ai themeloi të vërtetën e madhe, e cila nuk duhet të harrohet kurrë, që në të gjitha traditat ka një prirje të qenësishme për ta “shfuqizuar urdhërimin e Perëndisë.” Autorët e këtyre traditave ndoshta nuk kishin këtë qëllim. Qëllimet e tyre mund të kenë qenë të pastra. Por fakti që në të gjitha institucionet fetare të autoritetit njerëzor ekziston një prirje për të uzurpuar autoritetin e fjalës së Perëndisë është në mënyrë të qartë doktrina që Krishti po na mëson këtu. Një nga këshillat solemne të Bucerit është që “rrallë herë mund të gjesh një njeri i cili i kushton një vëmendje të jashtëzakonshme shpikjeve njerëzore në fe i cili të mos besojë më tepër tek ato sesa në hirin e Perëndisë.”
A nuk kemi parë prova të trishtueshme për këtë gjë në historinë e Kishës së Krishtit? Fatkeqësisht kemi parë shumë të tilla. Sikurse thotë edhe Bakster, “njerëzit mendojnë që ligjet e Perëndisë janë të shumta dhe strikte, e megjithatë shpikin më shumë ligje vetë të cilat i zbatojnë me përpikmëri.” A nuk kemi nexuar ndonjëherë se sa shumë i kanë lartësuar disa njerëz kanunet, rubrikat, ligjet kishtare mbi fjalën e Perëndisë, dhe e kanë dënuar mosbindjen ndaj tyre me një ashpërsi shumë herë më të madhe sesa mëkatet flagrante, si dehja apo mallkimi? A nuk kemi dëgjuar kurrë për rëndësinë ekstravagante që Kisha e Romës u jep betimeve monastike, betimeve të beqarisë dhe respektimit të festave dhe agjërimeve; deri në atë pikë sa duket që i kanë vendosur ato shumë më lart se detyrat familjare, dhe se dhjetë urdhërimet? A nuk kemi dëgjuar kurrë për njerëz që grinden më tepër rreth ngrënies së mishit gjatë Kreshmës sesa për papastërtitë flagrante në jetë apo për vrasjen? A nuk kemi parë kurrë në vendin tonë se sa shumë njerëz duket se e bëjnë pranimin e Episkopacisë çështjen më të rëndësishme në Krishterim, dhe e konsiderojnë “kishtarinë,” sikurse e quajnë ata, si shumë më të rëndësishme se pendimin, besimin, shenjtërinë dhe hiret e Frymës?
Këto janë pyetje të cilave mund t’u jepet vetëm një përgjigje e trishtueshme. Fryma e Farisenjve jeton edhe sot pas njëmijë e tetëqind vjetësh. Prirja për ta “shfuqizuar urdhërimin e Perëndisë përmes traditave,” gjendet edhe mes të krishterëve, ashtu sikurse edhe mes Judenjve. Prirja praktike që të lartësosh shpikjet e njerëzve mbi fjalën e Perëndisë, është ende mbizotëruese në mënyrë të frikshme. Qofshim vigjilentë kundër kësaj, dhe qëndrofshim syçelë! Kujtofshim që asnjë traditë apo institucion fetar i krijuar nga njeriu nuk mund të na justifikojë nga neglizhimi i detyrave të qarta, apo nga mosbindja ndaj çdo urdhërimi të qartë të fjalës së Perëndisë.
Së fundi, nga këto vargje mësojmë që adhurimi fetar që Perëndia dëshiron është adhurimi i zemrës. Ne mësojmë që Zoti ynë e theksoi këtë gjë përmes një citimi nga Isaia, “Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje.”
Zemra është gjëja thelbësore në marrëdhënien mes burrit dhe gruas, mes miqve, mes prindërve dhe fëmijëve. Zemra duhet të jetë pika qëndrore të cilës i kushtojmë vëmendje në të gjitha marrëdhëniet mes Perëndisë dhe shpirtit tonë. Cila është gjëja e parë që kemi nevojë ëpr të qenë të krishterë? Një zemër e re. Cili është flijimi që Perëndia na kërkon t’i sjellim Atij? Një zemër të thyer dhe të penduar. Cila është rrethpreja e vërtetë? Rrethprerja e zemrës. Cila është bindja e vërtetë? Bindja prej zemrës. Çfarë është besimi shpëtues? Të besosh me zemër. Ku duhet të banojë Krishti? Ai duhet të banojë në zemrat tona me anë të besimit. Cila është kërkesa kryesore që Urtësia ia bën gjithsecilit? “Biri im, më jep zemrën tënde.”
Le të largohemi nga kjo pjesë me një vetë-shqyrtim të sinqertë në lidhje me gjendjen e zemrave tona. Le ta kemi të qartë në mendjen tonë, që i gjithë adhurimi formal i Perëndisë, qoftë në publik apo në privatësi, është krejtësisht i kotë, për aq kohë sa “zemrat tona janë larg Tij.” Gjunjët e përkulur, koka e ulur, amen-i i fortë, kapitulli që lexojmë çdo ditë, pjesëmarrja e rregullt në darkën e Zotit, të gjitha këto janë të kota dhe pa dobi, për aq kohë sa dëshirat tona janë të kapura pas mëkatit, pas kënaqësive, pas parasë apo pas botës. Duhet t’i përgjigjemi si duhet pyetjes së Zotit tonë përpara se mund të shpëtohemi. Ai i thotë kujtdo, “A më do ti mua?” (Gjoni 21:17).
Mateu 15:10-20
Në këtë pjesë gjenden dy thënie të forta të Zotit Jezus. Njëra ka të bëjë me doktrinën e rreme. Tjetra ka të bëjë me zemrën njerëzore. Që të dyja meritojnë t’u kushtojmë vëmendje nga afër.
Për sa i përket DOKTRINËS SË RREME, Zoti ynë deklaron, që detyra jonë është ta kundërshtojmë, që shkatërrimi i saj final është i sigurt dhe që mësuesit e saj duhen braktisur. Ai thotë, “Çdo bimë që Ati im qiellor nuk e ka mbjellë, do të shkulet me rrënjë. Hiqni dorë prej tyre.”
Është e qartë nga shqyrtimi i kësaj pjese që dishepujt u habitën me gjuhën e fortë të Zotit tonë ndaj Farisenjve dhe traditave të tyre. Ndoshta ata ishin mësuar që në vegjëli që t’i konsideronin ata si njerëzit më të mirë dhe më të mençur. Ata u habitën kur dëgjuan Mësuesin e tyre t’i denonconte si hipokritë, dhe t’i akuzonte me shkeljen e urdhërimit të Perëndisë. Ata i thanë, “A e di se farisenjtë, kur i dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?” I jemi borxhlinj kësaj pyetjeje për deklaratën shpjeguese të Zotit tonë – një deklaratë kjo që ndoshta nuk ka marrë kurrë vëmendjen që meriton.
Kuptimi i qartë i fjalëve të Zotit tonë është që doktrina e rreme si ajo e Farisenjve ishte si një bimë ndaj të cilës nuk duhej të tregohej aspak mëshirë. Ajo ishte një “bimë të cilën nuk e kishte mbjellë Atij i Tij qiellor,” dhe një bimë të cilën e kishte për detyrë ta shkulte, pavarësisht se çfarë ofendimi mund të shkaktonte. Nuk tregohej dashuri duke e kursyer, për shkak se ajo ishte e dëmshme për shpirtrat e njerëzve. Nuk kishte fare rëndësi që ata të cilët e kishin mbjellë kishin poste të larta apo ishin të shkolluar. Nëse binte ndesh me fjalën e Perëndisë, duhej të kundërshtohej, të hidhej poshtë dhe të mohoej. Prandaj, dishepujt e Tij duhet të kuptonin që ishte e drejtë ta kundërshtoje çdo mësim pa bazë në shkrim, dhe “të hiqje dorë” dhe t’i braktisje të gjithë mësuesit që këmbëngulin në to. Herët a vonë do të zbulojnë që të gjitha doktrinat e rreme do të hidhen poshtë krejtësisht, do të demaskohen dhe nuk do të mbetet asgjë përveç asaj që është ndërtuar mbi fjalën e Perëndisë.
Ka mësime me një urtësi të thellë në këtë thenie të Zotit tonë, të cilat shërbejnë për të hedhur dritë mbi detyrën e shumë njerëzve që rrëfejnë se janë të krishterë. Le t’u hedhim një vështrim të gjithave dhe të dallojmë se cilat janë. Bindja praktike ndaj kësaj thënieje ishte ajo që prodhoi Reformimin e bekuar Protestant. Mësimet e saj meritojnë një vëmendjen nga afër.
A nuk shohim këtu detyrën e guximshme për të kundërshtuar mësimin e rremë? Nuk ka pikë dyshimi që e shohim. Asnëj frikë ofendimi, asnjë drojë nga gjykimi kishtar, nuk duhet të na bëjë që të rrimë në heshtje, kur rrezikohet e vërteta e Perëndisë. Nëse jemi ndjekës të vërtetë të Zotit tonë, duhet ta ngremë zërin dhe të jemi dëshmitarë sypatrembur kundër gabimit. Maskuli thotë, “E vërteta nuk duhet të shtypet për shkak se njerëzit janë të ligj dhe të verbër.”
A nuk shohim gjithashtu detyrën për t’u larguar nga mësuesit e rremë nëse ata nuk heqin dorë nga lajithtjet e tyre? Nuk ka pikë dyshimi që e shohim. Asnjë zgjuarsi e rreme, asnjë përulësi e shtirur nuk duhet të na bëjë të hezitojmë që të largohemi nga shërbesa e çdo predikuesi që bie ndesh me fjalën e Perëndisë. Ne rrezikohemi vetë nëse i nënshtrohemi mësimit të pabazuar në shkrim. Gjaku ynë do të jetë mbi duart tona. Nëse përdorim fjalët e Uitbit, “Nuk mund të jetë kurrë gjë e drejtë që ta ndjekësh të verbrin në gropë.”
Së fundi, a nuk e dallojmë detyrën e durimit kur shohim që po shtohet mësimi i rremë? Nuk ka pikë dyshimi që e shohim. Mund të ngushëllohemi nga mendimi që nuk ka për të qëndruar gjatë. Vetë Perëndia do ta mbrojë kauzën e të vërtetës së Tij. Herët a vonë çdo herezi “do të shkulet me rrënjë.” Nuk duhet të luftojmë me armët e mishit, por duhet të presim, të predikojmë, të protestojmë dhe të lutemi. Herët a vonë sikurse tha dhe Uiklif, “e vërteta do të ngadhënjejë.”
Për sa i përket ZEMRËS SË NJERIUT, Zoti ynë deklaron në këto vargje që ajo është burimi i vërtetë i gjithë mëkatit dhe ndotjes. Farisenjtë mësonin që shenjtëria varej nga ushqimet dhe pijet, nga larjet dhe pastrimet trupore. Ata besonin që të gjithë ata që i zbatonin traditat e tyre rreth këtyre gjërave ishin të pastër dhe të dëlirë në sytë e Perëndisë, dhe të gjithë ata që i neglizhonin ato tradita ishin të ndotur dhe të papastër. Zoti ynë e hodhi poshtë këtë doktrinë të ligë duke ju treguar dishepujve të Tij që burimi i vërtetë i gjithë ndotjes nuk ishte jashtë njeriut, por brenda tij. Ai tha, “Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë. Këto janë gjërat që e ndotin njeriun.” Ai që i shërben Perëndisë si duhet ka nevojë për diçka shumë më të rëndësishme sesa larja e trupit. Ai duhet të kërkojë që të ketë “një zemër të pastër.”
Çfarë tabloje të frikshme që kemi këtu për natyrën njerëzore, e cila është pikturuar prej Atij që e dinte se çfarë gjendej brenda njeriut. Çfarë katalogu i frikshëm që është ky për sa i përket përmbajtjes së zemrës tonë! Sa listë e trishtueshme farash ligëse që ka ekspozuar Zoti ynë, fara të cilat gjenden brenda secilit prej nesh, të cilat janë gati në çdo moment që të mbijnë dhe rriten! Çfarë mund të thonë krenarët dhe ata që e mbajnë veten për të drejtë, kur lexojnë një pjesë si kjo? Kjo nuk është skica e zemrës së një kusari apo vrasësi. Ky është përshkrimi i vërtetë dhe besnik i zemrës së gjithë njerëzimit. Dhëntë Perëndia që të mendojmë mirë dhe të mësojmë urtësinë!
Qoftë një vendim i prerë brenda nesh që në gjithë fenë tonë gjendja e zemrave tona ka për të qenë gjëja kryesore. Le të mos kënaqemi duke shkuar në kishë dhe duke ndjekur format e fesë. Le të shohim më thellë se kaq dhe të dëshirojmë një “zemër të drejtë përpara Perëndisë.” (Veprat 8:21). Zemra e drejtë është një zemër e spërkatur me gjakun e Krishtit, e ripërtërirë nga Fryma e Shenjtë dhe e pastruar me anë të besimit. Le të mos prehemi kurrë derisa të gjejmë brenda nesh dëshminë e Frymës që Perëndia ka krijuar në ne një zemër të pastër dhe i ka bërë të gjitha gjërat të reja. (Psalmi 51:10, 2 Korintasve 5:17).
Së fundi, le të jetë parim i themeluar mirë tek ne që “ta ruajmë zemrën tonë me shumë kujdes,” gjatë gjithë ditëve të jetës tonë. (Fjalët e Urta 4:23). Edhe pas ripërtëritjes zemrat tona janë të dobëta. Edhe pasi kemi veshur njeriun e ri ato janë të ndotura. Le të mos harrojmë kurrë që rreziku ynë më i madh gjendet brenda nesh. Bota dhe djalli së bashku nuk mund të na lëndojnë dot aq shumë sa zemra jonë nëse nuk rrimë zgjuar dhe të lutemi. Lum ai që kujton çdo ditë fjalët e Solomonit, “Kush i beson zemrës së tij është budalla.” (Fjalët e Urta 28:26).
Mateu 15:21-28
Në këto vargje është regjistruar një mrekulli tjetër e Zotit tonë. Rrethanat në të cilat ndodhi ajo janë veçanërisht interesante.
Së pari, ne shohim që besimi i vërtetë nganjëherë mund të gjendet atje ku mund nuk e pret fare ta gjesh.
Një grua Kananease i thirri Zotit për ndihmë në lidhje me bijën e saj. Ajo tha, “Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit!” Një lutje e tillë do tregonte një besim të madh, nëse do të kishte jetuar në Betani apo Jerusalem. Por kur zbulojmë që ajo vinte nga “bregu i Tiros dhe Sidonit,” një lutje e tillë mund të na surprizojë së tepërmi. Kjo gjë duhet të na mësojë që është hiri dhe jo vendi ai i cili i bën njerëzit besimtarë. Ne mund të jetojmë në shtëpinë e një profeti sikurse Gehazi, shërbëtori i Eliseut, e megjithatë të vazhdojmë të jemi të papenduar, pa besim dhe të dashuruar me botën. Ne mund të banojmë në mes të bestytënive dhe idhujtarisë së errët, sikurse shërbëtorja e vogël në shtëpinë e Namanit, e megjithatë të jemi dëshmitarë besnikë për Perëndinë dhe Krishtin e Tij. Le të mos dëshpërohemi për shpirtin e ndokujt, thjesht sepse fati u ka rënë në vende të pafavorshme. Është e mundur që të banosh në bregun e Tiros dhe Sidonit e megjithatë të ulesh në tryezën e mbretërisë së Perëndisë.
Së dyti, ne shohim që nganjëherë mundimi del që është bekim për shpirtin e një personi.
Nuk ka dyshim që kjo nënë Kananease ishte sprovuar ashpër. Ajo e kishte parë bijën e saj të dashur që ishte munduar nga një demon, dhe nuk kishte qenë në gjëndje që të gjente shpëtim për të. Por megjithatë ky problem e solli tek Krishti, dhe i mësoi të lutej. Pa këtë mundim ajo mund të kishte jetuar dhe të kishte vdekur në një padije të shkujdesur, dhe të mos e kishte parë kurrë Jezusin. Sigurisht që ishte gjë e mirë që ajo u mundua. (Psalmi 119:71).
Le ta shohim mirë këtë gjë. Nuk ka asnjë gjë që e tregon aq shumë paditurinë tonë sa padurimi ynë kur gjendemi nën mundime. Ne harrojmë që çdo kryq është një mesazh nga Perëndia, dhe ka për qëllim që në fund të na bëjë mirë. Sprovat kanë për qëllim të na bëjnë të mendojmë, të na zvjerdhin nga bota, të na çojnë tek Bibla, të na shtyjnë që të biem në gjunjë. Shëndeti është gjë e mirë; por sëmundja është shumë më e mirë, nëse na çon tek Perëndia. Begatia është mëshirë e madhe, por vështirësia është edhe më e madhe nëse na sjell tek Krishti. Gjithçka, çfarëdo gjëje është më e mirë sesa të jetuarit në shkujdesje dhe të vdekurit në mëkat. Më mirë të mundohesh një mijë herë, sikurse kjo nënë Kananease, dhe ashtu si ajo të turremi tek Krishti, sesa të jetojmë në rehati, si pasaniku “i marrë,” dhe në fund të vdesim pa Krishtin dhe pa shpresë. (Lluka 12:20).
Së treti, ne shohim që njerëzit e Krishtit shpesh janë më pak të hirshëm dhe të dhembshur se vetë Krishti.
Kjo grua për të cilën jemi duke lexuar, nuk u trajtua shumë mirë nga dishepujt e Zotit tonë. Ndoshta ata e konsideronin një banore të Tiros dhe Sidonit si të padenjë për ndihmën e Mësuesit të tyre. Gjithësesi ata i thanë, “Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh.”
Mes shumë prej atyre që rrëfejnë dhe e quajnë veten besimtarë ka shumë nga kjo frymë. Ata janë të prirur t’i shkurajojnë ata që kërkojnë Krishtin, në vend që t’i ndihmojnë të afrohen. Ata janë tepër të gatshëm të dyshojnë realitetin e hirit në hapat e parë, për shkak se është i vogël dhe ta trajtojnë sikurse u trajtua Sauli kur erdhi për herë të parë në Jerusalem pas konvertimit të tij. “Nuk mund të besonin se ai ishte dishepull.” (Veprat 9:26). Le të kemi kujdes që të mos i lëmë vend kësaj fryme. Le të përpiqemi të kemi më tepër nga mendja që ishte në Krishtin. Sikurse Ai le të jemi zemërbutë, mirëdashës dhe inkurajues në të gjitha marrëdhëniet tona me ata që po kërkojnë të shpëtohen. Mbi gjthçka le t’u themi njerëzve vazhdimisht që nuk duhet ta gjykojnë Krishtin përmes të të krishterëve. Le t’i sigurojmë ata që tek Ai Mjeshtër i hirshëm ka shumë më tepër zemërbutësi dhe dashamirësi nga sa ka edhe në shërbëtorët e Tij më të mirë. Pjetri, Jakobi dhe Gjoni mund t’i thonë shpirtit të munduar, “Largoje.” Por një fjalë e tillë nuk doli kurrë nga buzët e Krishtit. Ai nganjëherë mund të na bëjë të presim gjatë, sikurse bëri edhe me këtë grua. Por nuk do të na nisë kurrë duarbosh.
Së fundi, shohim se çfarë inkurajimi është këmbëngulja në lutje, si për veten tonë ashtu dhe për të tjerët.
Është e vështirë të mendojmë për një shëmbull tjetër më të goditur për këtë të vërtetë se ai që kemi në këtë pjesë. Lutja e nënës së munduar në fillim duket sikur nuk dallohet fare – Jezusi “nuk iu përgjigj fare.” Megjithatë, ajo vazhdoi të lutej. Përgjigja që më në fund doli prej buzëve të Zotit tingëlloi shkurajuese – “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.” Megjithatë ajo vazhdoi të lutej, “O Zot ndihmomë.” Përgjigja e dytë e Zotit tonë ishte edhe më tepër shkurajuese sesa e para – “Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.” E megjithatë, “pritja e zgjatur” nuk “ia ligështoi zemrën.” (Fjalët e Urta 13:12). Edhe tani ajo nuk heshti. Edhe tani ajo gjeti një përgjërim që t’i jepeshin disa “thërrime” mëshire. Më në fund këmëngulja e saj mori një shpërblim të hirshëm. “O grua, i madh është besimi yt! T’u bëftë ashtu si dëshiron.” Premtimi nuk ra kurrë poshtë, “Kërkoni dhe do të gjeni.” (Mateu 7:7).
Le ta kujtojmë këtë histori, kur lutemi për veten. Nganjëherë tundohemi të mendojmë që nuk marrim asnjë të mirë nga lutjet tona, dhe që mund të heqim dorë plotësisht prej tyre. Le t’i rezistojmë këtij tundimi. Ky tundim vjen nga djalli. Le të besojmë dhe të vazhdojmë të lutemi. Kundër mëkateve që na bezdisin vazhdimisht, kundër frymës së botës, kundër sulmeve të djallit, le të vazhdojmë të lutemi dhe të mos dorëzohemi. Le të lutemi për forcë që të bëjmë detyrën, për hir që të durojmë sprovat tona, dhe për ngushëllim në çdo shqetësim. Le të jemi të sigurt që asnjë kohë nuk shpenëzohet më mirë çdo ditë se koha që kalohet në gjunjë. Jezusi na dëgjon dhe në kohën e tij të mirë do të na japë një përgjigje.
Le ta kujtojmë këtë histori kur ndërmjetësojmë për të tjerët. A kemi fëmijë për të cilët dëshirojmë që të konvertohen? A kemi të afërm dhe miq për shpëtimin e të cilëve jemi në ankth? Le të ndjekim shembullin e kësaj gruaje Kananease dhe ta paraqesim gjëndjen e shpirtit të tyre përpara Krishtit. Le t’i shqiptojmë emrat e tyre përpara Tij ditë e natë dhe të mos dorëzohemi kurrë derisa të marrim një përgjigje. Mund të na duhet të presim shumë vite. Mund të duket se po lutemi më kot dhe po ndërmjetësojmë pa dobi. Por le të mos dorëzohemi. Le të besojmë që Jezusi nuk ka ndryshuar, dhe se Ai që e dëgjoi nënën Kananease dhe ia plotësoi kërkesën e saj ka për të na dëgjuar edhe ne dhe një ditë do të na japë një përgjigje paqeje.
Mateu 15:29-39
Fillimi i kësaj pjese përmban tre pika që meritojnë vëmendjen tonë të veçantë. Tani për tani le të fokusohemi ekskluzivisht vetëm tek ato.
Në radhë të parë, le të themi se sa shumë mundime që kalojnë njerëzit për t’u shëruar nga sëmundjet e tyre trupore sesa për shpirtin e tyre. Ne lexojmë që “iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë.” Nuk ka dyshim që shumë prej tyre kishin udhëtuar për kilometra me radhë dhe ishin lodhur shumë. Asgjë nuk është aq e vështirë dhe e rëndë sa transportimi i të sëmurëve. Por shpresa e shërimit dukej në horizont. Një shpresë e tillë është gjithçka për një të sëmurë.
Nuk e njohim mirë natyrën njerëzore nëse e vrasim mendjen për sjelljen e këtyre njerëzve. Nuk ka pse të habitemi fare. Ata ndiheshin që shëndeti ishte bekimi më i madh mbi tokë. Ata ndiheshin që dhimbja ishte sprova më e vështirë për t’u dururar. Nuk ka asnjë argument kundër ndjesisë. Njeriu ndjen që forca e tij po e lë. E sheh trupin e tij që po dobësohet dhe fytyrën që i zbehet. Është i ndjeshëm që oreksi po e braktis. Me pak fjalë e di që është i sëmurë dhe që ka nevojë për një doktor. Tregoji një doktor aty afër për të cilin thuhet që nuk ka dështuar asnjëherë në kurat e tij dhe ai do të shkojë tek ai pa u vonuar.
Megjithatë, le të mos harrojmë që shpirti ynë është shumë herë më i sëmurë se trupi, dhe le të nxjerrim një mësim nga sjellja e këtyre njerëzve. Shpirti ynë është i sëmyrë me një sëmundje shumë më të thellë, shumë më të ndërlikuar dhe shumë herë më të vështirë për t’u kuruar sesa çdo lëngatë që mund të prekë trupin. Ato në fakt janë plagë të shkaktuara nga mëkati. Ato duhet të shërohen, madje të shërohen në mënyrë të efektshme ose ndryshe do të humbasim përjetësisht. A e dimë me të vërtetë këtë gjë? A e ndiejmë? A jemi të vetëdijshëm ndaj sëmundjes tonë frymërore? Mjerisht, ka vetëm një përgjigje për këto pyetje. Shumica e njerëzimit nuk e ndiejnë fare. Sytë e tyre janë të verbuar. Ata janë krejtësisht të pandjeshëm ndaj këtij rreziku. Për të patur shëndet fizik ata bëhen turmë nëpër doktora. Për shëndet fizik bëjnë udhëtime të gjata për të thithur ajër më të pastër. Por për shëndetin e shpirtit të tyre as që mendojnë fare. I lumtur është vërtetë ai burrë apo ajo grua që ka zbuluar sëmundjen e shpirtit të vet! Një person i tillë nuk ka për t’u prehur kurrë derisa të ketë gjetur Jezusi. Vështirësitë nuk do t’i duken asgjë. Bëhet fjalë për jetën, jetën, jetën e përjetshme. Ai person do t’i konsiderojë të gjithë gjërat humbje në mënyrë që të fitojë Krishtin dhe të shërohet.
Së dyti, le të dallojmë lehtësinë dhe fuqinë e mrekullueshme me të cilën Zoti ynë i shëroi të gjithë ata që i sollën tek Ai. Ne lexojmë që “Turmat mrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbërit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.”
Vështroni në këto fjalë portretin e gjallë të pushtetit të Zotit tonë Jezu Krisht për të shëruar shpirtrat e sëmurë nga mëkati! Nuk ka asnjë lëngatë të zemrës të cilën Ai të mos e shërojë. Nuk ka asnjë formë sëmundjeje frymërore të cilën Ai të mos e mposhtë. Ethet e epshit, paraliza e dashurisë së botës, brejtja e ngadaltë e plotështisë dhe përtacisë, sëmundja e mosbesimit të zemrës, të gjithë këto largohen kur Ai dërgon Frymën e Tij mbi cilindo nga bijtë e njeriut. Ai mund të vendosë një këngë të re në gojën e mëkatarit dhe ta bëjë të flasë me dashuri për atë Ungjill të cilin ai dikur e tallte dhe blasfemonte. Ai mund t’i hapë sytë e të kuptuarit të njeriut dhe ta bëjë të shohë mbretërinë e Perëndisë. Ai mund t’i hapë veshët e njeriut dhe ta bëjë të gatshëm të dëgjojë zërin e Tij dhe ta ndjekë Atë kudo që Ai të shkojë. Ai mund t’i japë fuqi njeriut që dikur ecte në udhën e gjerë që të çonte në shkatërrim, që tani të ecë në shtegun e jetës. Ai mund t’i bëjë duart që dikur ishin instrumente të mëkatit, që tani t’i shërbejnë Atij dhe të bëjën vullnetin e Tij. Koha e mrekullive nuk ka kaluar ende. Çdo konvertim është mrekulli. A kemi parë ndonjëherë një rast real të konvertimit? Le ta dimë që e kemi parë në dorën e Krishtit. Nuk do kishim parë asnjë gjë tjetër vërtet të madhe nëse do të kishim parë Zotin tonë që t’i bënte memecët të flisnin dhe të çalët të ecnin kur Ai ishte mbi tokë.
A dëshirojmë të dimë se çfarë të bëjmë nëse duam të shpëtohemi? A ndihemi të sëmurë në shpirt dhe a dëshirojmë një kurë? Duhet që thjesht të shkojmë tek Krishti me besim dhe t’i lutemi Atij për shërim. Ai nuk ka ndryshuar. Njëmijë e tetëqind vjet nuk kanë shkaktuar asnjë ndryshim tek Ai. I lartësuar në të djathtën e Perëndisë Ai është ende Doktori i madh. Ai ende “i pranon mëkatarët.” Ai është ende i pushtetshëm për të shëruar.
Së treti, le të shohim dhembshurinë e bollshme të Zotit tonë Jezu Krisht. Këtu lexojmë që Jezusi i mblodhi dishepujt e Tij dhe u tha, “Unë kam mëshirë për turmën.” Një turmë e madhe burrash dhe grash është gjithmonë një pamje solemne. Duhet të na preket zemra duke ndjerë që secili prej tyre është një mëkatar që po vdes, dhe secili prej tyre ka një shpirt që duhet shpëtuar. Askush nuk duket që të ketë ndjerë kaq shumë sa ndjeu Krishti kur pa turmën.
Është një fakt interesant dhe goditës që nga të gjitha ndjenjat që Zoti ynë përjetoi kur ishte mbi tokë, nuk ka asnjë tjetër që të përmendet aq shumë sa “mëshira apo dhembshuria.” Gëzimi i Tij, trishtimi i Tij, mirënjohja e Tij, zemërimi i Tij, mahnitja e Tij, zelli i Tij, që të gjitha regjistrohen me raste. Por asnjëra prej këtyre ndjenjave nuk përmendet aq shpesh sa “dhembshuria.” Duket sikur Fryma e Shenjtë po na vë në dukje që ky ishte tipari dallues i karakterit të Tij dhe ndjenja mbizotëruese e mendjes së Tij kur ishte mes njerëzve. Nëntë herë – për të mos thënë asngjë për shprehjet në shëmbëlltyra nëntë herë Fryma ka bërë që fjala “dhembshuri” të shkruhet në Ungjij.
Ka diçka shumë prekëse dhe udhëzuese në këtë rast. Asgjë nuk është shkruar rastësisht në fjalën e Perëndisë. Ka një arsye të veçantë për çdo shprehje të caktuar. Nuk ka dyshim që ajo fjalë “dhembushui,” u zgjodh në mënyrë të veçantë për dobinë tonë.
Duhet të na inkurajojë të gjithë ata që hezitojnë të fillojnë të ecin në udhët e Perëndisë. Le të kujtojnë që Shpëtimtari i tyre është plot “dhembshuri.” Ai do t’i pranojë plot hir. Ai do t’i falë me hujari. Ai nuk do t’i kujtojë më paudhësitë e tyre të shkuara. Ai do të sigurojë me bollëk për të gjitha nevojat e tyre. Le të mos kenë frikë. Mëshira e Krishtit është një pus i thellë të cilit askush nuk ia ka gjetur dot kurrë fundin.
Kjo duhet t’i ngushëllojë shenjtorët dhe shërbëtorët e Zotit kur ndihen të lodhur. Le të kujtojnë që Jezusi është plot “dhembshuri.” Ai e di se në çfarë bote jetojnë. Ai e di që trupi i njeriut është plot me dobësi. Ai i njeh hilet e armikut të tyre, djallit. Zoti ka mëshirë për popullin e Tij. Le të mos i lëshojë zemra. Ata mund të ndiejnë që dobësia, dështimi dhe papërsosmëria karakterizojnë gjithçka që bëjnë. Por le të mos harrojnë atë fjalë që thotë, “dhembshuritë e Tij nuk janë mbaruar plotësisht.” (Vajtimet 3:22).
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!