Mendime Shtjelluese Mateu 20
nga J. C. Ryle
Mateu 20:1-16
Në shembëlltyrën që gjejmë në këto vargje nuk ka dyshim që gjejmë vështirësi të cilat nuk mund të mohoen. Çelësin për shpjegimin e duhur të tyre duhet ta kërkojmë në pjesën që përmbylli kapitullin e fundit. Atje zbulojmë që Pjetri i bëri një pyetje të jashtëzakonshme Zotit tonë – “Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm; çfarë do të fitojmë, pra?” Atje shohim që Jezusi jep një përgjigje të jashtëzakonshme. Ai i bëri një premtim të veçantë Pjetrit dhe bashkë dishepujve të tij – “një ditë ata do të ulen mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.” Ai jep një premtim të përgjithshëm ndaj të gjithë atyre që përjetojnë humbje për hir të Tij – “ata do të marrin njëqind fish tani dhe do të trashëgojnë jetën e përjetshme.”
Tani duhet të mbajmë mend që Pjeti ishte Jude. Sikurse shumica e Judenjve ai ka të ngjarë që ishte rritur me shumë padituri për sa i përkiste qëllimeve të Perëndisë në lidhje me shpëtimin e Johebrenjve. Në fakt, nga libri i Veprave ne e dimë që u desh një vizion prej qiellit për ta hequr tej atë padituri. (Veprat 10:28). Për më tepër duhet të mbajmë mend që Pjetri dhe bashkë dishepujt e tij ishin të dobët në besim dhe njohuri. Ka të ngjarë që ata ishin të prirur t’i jepnin një rëndësi të madhe sakrificës së tyre për hir të Krishtit dhe ishin të prirur të ndiheshin të vetë-drejtë dhe ta mbanin veten me të madh. Zoti ynë i njihte mirë të dyja këto pika. Prandaj, Ai thotë këtë shëmbëlltyrë për dobinë e veçantë të Pjetrit dhe shokëve të tij. Ai jua lexon zemrat. Ai e dinte se cili ishte ilaçi frymëror për të cilin kishin nevojë ato zemra dhe jua siguroi pa asnjë vonesë. Me pak fjalë, Ai e mbajti nën kontroll krenarinë e tyre që po rritej dhe ju mësoi përulësinë.
Në shtjellimin e kësaj shembëlltyre, nuk ka pse të hetojmë nga afër për kuptimin e “denarit,” “sheshi i tregut,” “administratori,” apo “orët. Hulumtime të tilla shpesh e errësojnë gjykimin me fjalë pa njohuri. Me të drejtë thotë Kolaviusi, “teologjia e shëmbëlltyrave nuk është debatuese.” Vlen të përmendet edhe mendimi i Gojartit. Ai thotë, “Nuk është e drejtë të kërkojmë me kuriozitet dhe fjalë për fjalë, të gjitha gjërat në shembëlltyrë por kur kemi mësuar qëllimin për të cilin u formulua, këtë gjë duhet ta marrim, dhe të mos merremi me ndonjë gjë më tepër se kaq.” Në pamje të parë nga kjo shëmbëlltyrë duket se dalin dy mësime kryesore për të përqafuar kuptimin e plotë të saj. Le të kënaqemi me këto dy mësime.
Në radhë të parë ne mësojmë që në thirrjen e KOMBEVE në rrëfimin e njohjes së Tij, Perëndia ushtron një hir të lirë, sovra dhe të pakushtëzuar. Ai i thërret familjet e dheut në kishën e dukshme në kohën e Tij dhe në mënyrën e Tij.
Këtë të vërtetë e shohim të shpalosur në mënyrë të mrekullueshme në historinë e marrëdhënies së Perëndisë me këtë botë. Ne shohim që bijtë e Izraelit u thirrën dhe u zgjodhën të ishin populli i Perëndisë në fillim të “ditës.” Shohim që disa nga johebrenjtë janë thirrur në një periudhë më të mëvonshme përmes predikimit të apostujve. Shohim që të tjerë po thirren në epokën e tanishme përmes punës së misionarëve. Shohim të tjerë si puna e Kinezëve apo Hinduve që “po rrinë kot për shkak se askush nuk i ka marrë në punë.” Pse ndodh e gjithë kjo? Nuk mund ta dimë. Ne vetëm dimë që Perëndisë i pëlqen ta mbajë krenarinë larg nga kishat dhe të heqë çdo mundësi mburrjeje. Ai nuk do të lejojë kurrë që degët e lashta të kishës së Tij t’i shohin me përzbuzje degët më të reja. Ungjilli i Tij u ofron paganëve në kohën tonë falje dhe paqe me Perëndinë përmes Krishtit po aq sa bëri edhe në kohën e Palit. Banorët e konvertuar të Zelandës së Re do të pranohen po aq plotësisht në qielli sa dhe patriarku më i shenjtë që vdiq para 3500 vjetësh. Muri i lashtë mes Judenjve dhe Johebrenjve është hequr. Nuk ka asnjë gjë që mund ta pengojë paganin që beson të jetë “bashkë trashëgimtar dhe pjesëtar i të njëjtës shprese” sikurse edhe Izraelitët që besojnë. Johebrenjtë e konvertuar në “orën e njëmbëdhjetë” të botës, do të jenë po aq trashëgimtarë të vërtetë të lavdisë sa dhe Judenjtë. Ata do të ulen me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin në mbretërinë e qiellit ndërsa shumë nga bijtë e mbretërisë do të hidhen jashtë përgjithmonë. “Të fundit me të vërtetë do të jenë të parët.”
Së dyti, ne mësojmë që në shpëtimin e INDIVIDËVE, sikurse dhe në thirrjen e kombeve, Perëndia vepron si sovran dhe nuk jep shpjegim për punët e Tij. Ai ka mëshirë për atë që do të ketë mëshirë, dhe këtë e bën në kohën e Tij. (Romakëve 9:15). Kjo është një e vërtetë të cilën e shohim të ilustruar në çdo anë në kishën e Krishtit si pjesë të përjetimit. Ne shohim që një burrë thirret në pendim dhe besim në fillim të ditëve të tij, sikurse Timoteu, që punon në vreshtin e Zotit për dyzetë apo pesëdhjetë vjet. Shohim një njeri tjetër që thirret në “orën e njëmbëdhjetë,” sikurse hajduti në kryq dhe që rrëmbehet si një dru nga zjarri – një ditë është mëkatar i ngurtësuar dhe i pa penduar, dhe ditën tjetër gjendet në parajsë. E megjithatë, gjithë theksi i Ungjillit na çon drejt besimit që të dy këta burra janë njëlloj të falur përpara Perëndisë. Që të dy janë njëlloj të larë në gjakun e Krishtit dhe të veshur me drejtësinë e Tij. Që të dy janë njëlloj të drejtësuar, të dy janë të pranuar, dhe që të dy do të jenë në të djathtë të Krishtit ditën e fundit.
Nuk mund të ketë pikë dyshimi që kjo doktrinë tingëllon e çuditshme për të krishterin e paditur dhe pa eksperiencë. Kjo shembëlltyrë e huton krenarinë e natyrës njerëzore. Nuk i lë vend atyre që e mbajnë veten për të drejtë që të mburren. Kjo është një doktrinë niveluese dhe përulëse e cila u jep njerëzve mundësi të murmuritin. Por është e pamundur që ta hedhim poshtë pa hedhur poshtë vetë Biblën. Besimi i vërtetë në Krishtin, edhe pse mund të jetë një ditë, e drejtëson dikë para Perëndisë po aq plotësisht sa dhe besimi i atij që e ka ndjekur Krishtin për pesëdhjetë vjet. Drejtësia në të cilën do të qëndrojë Timoteu ditën e gjykimit është e njëjta sikurse edhe ajo e kusarit të penduar. Që të dy do të shpëtohen vetëm prej hirit. Që të dy do t’i detyrohen për gjithçka Krishtit. Kjo mund të mos na pëlqejë. Por ama është doktrina e kësaj shembëlltyre dhe jo vetëm e saj por edhe e gjithë Dhiatës së Re. Lum ai që mund ta pranojë këtë doktrinë me përulësi! Peshkopi Holl tha mirë, “Nëse disa kanë arsye për ta madhëruar bujarinë e Perëndisë, asnjë nuk ka arsye për t’u ankuar.”
Para se të largohemi nga kjo shembëlltyrë, le t’i armatosim mendjet tona me paralajmërimet e nevojshme. Kjo është një pjesë e Shkrimit e cila shtrembërohet dhe keq zbatohet shpesh. Shpesh njerëzit kanë nxjerrë prej saj jo qumësht por helm.
Le të kemi kujdes që të mos supozojmë nga asnjë gjë në këtë shembëlltyrë që shpëtimi është arrihet prej veprave edhe në shkallën më të vogël. Të supozosh këtë gjë do të thotë të hedhësh poshtë gjithë mësimin e Biblës. Çfarëdo që do të marrë një besimtar në botën e ardhshme, është çështje hiri dhe jo borxhi. Perëndia nuk është kurrë borxhli ndaj nesh në çfarëdo lloj kuptimi. Kur të kemi bërë gjithçkas ne mbetemi shërbëtorë të padobishëm. (Lluka 17:10).
Le të kemi kujdes që të mos supozojmë nga kjo pjesë që dallimi me Judenjve dhe Johebrenjve është hequr krejtësisht tije prej Ungjillit. Të supozosh një gjë të tillë do të thotë të kundërshtosh shumë profeci të qarta, si në Dhiatën e Vjetër ashtu dhe në atë të Re. Në çështjen e drejtësimit, nuk ka dallim mes besimtarëve Judenj apo Grekë. Megjithatë, Izraeli është ende popull i veçantë, dhe që “nuk numërohet mes kombeve.” Perëndia ka shumë qëllime për sa u përket Judenjve, të cilat duhet të përmbushen.
Le të kemi kujdes që të mos supozojmë nga kjo shembëlltyrë që të gjithë shpirtrat e shpëtuar do të kenë të njëjtën masë lavdie. Të supozosh një gjë të tillë do të thotë të biesh ndesh me shumë tekste të qarta të Shkrimit. Trashëgimia e të gjithë besimtarëve nuk ka dyshim që është e njëjta – drejtësia e Krishtit. Por jo të gjithë do të kenë të njëjtin vend në qiell. “Secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të tij.” (1 Korintasve 3:8).
Së fundi, le të kemi kujdes që të mos supozojmë nga kjo shembëlltyrë që është gjë e sigurt për cilindo që ta shtyjë pendimin për në fund të ditëve të tij. Të supozosh një gjë të tillë është një mashtrim shumë e rrezikshëm. Sa më gjatë të refuzojë njeriu t’i bindet zërit të Krishtit aq më pak gjasa ka që të shpëtohet. “Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit..” (2 Korintasve 6:2). Të paktë janë ata që janë shpëtuar në shtratin e tyre të vdekjes. Njëri nga kusarët në kryq u shpëtua, në mënyrë që askush të mos dëshpërohet; por vetëm njëri, në mënyrë që askush të mos hamendësojë. Një siguri e rreme tek kët fjalë, “ora e njëmbëdhjetë” ka shkatërruar shumë shpirtra.
Mateu 20:17-23
Gjëja e parë që duhet të vëmë re në këto vargje është lajmërimi i qartë që Zoti Jezus bëri për vdekjen e Tij e cila po afrohej. Për herë të tretë shohim që Ai jua thotë këtë të vërtetë tronditëse dishepujve të Tij që Ai, Mësuesi i tyre mrekulli bërës shumë shpejt do të vuajë dhe do të vdesë.
Zoti Jezus e DINTE që nga fillimi gjithë sa e priste. Tradhtia e Judës, përndjekja e ashpër e skribëve dhe krye priftërinjve, dorëzimi tek Pont Pilati, talljet, fshikullimet, kurora me gjemba, kryqi, varja mes dy keqbërësve, gozhdët, shiza, të gjitha këto ishin shpalosur si një tablo para mendjes së Tij.
Sa shumë vuajtje që shkakton paranjohja, dhe këtë e dinë mirë ata që kanë jetuar në pritje të një ndërhyrjeje të frikshme kirurgjikale. Megjithatë, asnjë prej këtyre gjërave nuk e tronditi Zotin tonë. Ai thotë, “unë nuk kam qenë rebel, as jam tërhequr prapa. I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën; nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave.” (Isaia 50:5-6). Ai e pa Kalvarin në horizont gjatë gjithë jetës së Tij, e megjithatë ju ngjit me qetësi, pa u kthyer as majtas dhe as djathtas. Sigurisht që nuk ka pasur kurrë një brengë si brenga e Tij, apo dashuri si e Tija.
Zoti Jezus ishte një vuajtës i VULLNETSHËM. Kur Ai vdiq në kryq nuk ishte për shkak se nuk kishte pushtet që ta parandalonte këtë gjë. Ai vuajti qëllimisht dhe me vullnetin e Tij të lirë. (Gjoni 10:28). Ai e dinte që pa derdhjen e gjakut të Tij nuk mund të kishte falje të mëkatit të njeriut. Ai e dinte që ishte Qengji i Perëndisë i cili duhej të vdiste për të hequr mëkatin e botës. Ai e dinte që vdekja e Tij ishte flijimi i caktuar i cili duhej të ofrohej për të bërë pajtimin për shkak të paudhësisë. Duke e ditur gjithë këtë gjë Ai shkoi vullnetarisht në kryq. Zemra e Tij ishte e vendosur për të përmbushur veprën e madhërishme për të cilën erdhi në botë që ta kryente. Ai ishte shumë i vetëdijshëm që gjithçka varej nga vdekja e Tij dhe që pa atë vdekje mrekullitë dhe predikimi i Tij nuk do kishin arritur ndonjë gjë të madhe për botën. Nuk është habi që Ai jua theksoi tri herë dishepujve të Tij që Ai “duhej” të vdiste. Të bekuar dhe të lumtur janë ata që e njohin kuptimin dhe rëndësinë reale të vuajtjeve të Krishtit!
Gjëja tjetër që duhet të vëmë re në këto vargje është përzierja e paditurisë dhe besimit e cila mund të gjendet edhe tek të krishterët me zemër të vërtetë. Ne shohim nënën e Jakobit dhe Gjonit që vjen tek Zoti ynë me dy bijtë e saj dhe i propozon Atij nëj kërkesë të çuditshme për llogari të tyre. Ajo kërkon që ata “të mund të ulen njëri në të djathtë dhe tjetri në të majtë të Tij në mbretërinë e Tij.” Ajo duket se ka harruar gjithçka që Ai sapo ju kishte thënë rreth vuajtjeve të Tij. Mendja e saj e gatshme mund të mendonte për gjithçka tjetër por jo për lavdinë e Tij. Paralajmërimet e Tij të qarta rreth kryqëzimit duket se janë hedhur tej nga bijtë e saj. Mendimet e tyre ishin mbushur plot me fronin e Tij dhe ditën e pushtetit të Tij. Në kërkesën e tyre kishte shumë besim, por kishte edhe më tepër dobësi. Kishte diçka që duhej lavdëruar në faktin që ata mund të shihnin në Jezusin e Nazaretit mbretin që po vinte. Por gjithashtu kishte edhe shumë gjëra për t’u fajësuar në faktin që ata nuk kujtuan që Ai do të kryqëzohej para se të mund të mbretëronte. Është e vërtetë që mishi ka dëshira kundër frymës tek të gjithë fëmijëve të Perëndisë prandaj Luteri komenton, “mishi gjithmonë kërkon të përlëvdohet përpara se të kryqëzohet.”
Ka shumë të krishterë që i ngjajnë shumë kësaj gruaje dhe bijve të saj. Ata shohin pjesërisht dhe i njohin pjesërisht gjërat e Perëndisë. Ata kanë mjaft besim për ta ndjekur Krishtin. Ata kanë mjaft njohuri për ta urryer mëkatin dhe për të dalë nga bota. Megjithatë ka shumë të vërteta të Krishterimit për të cilat ata fatkeqësisht janë të paditur. Ata flasim pa dije, veprojë pa dije dhe bëjnë shumë gabime. Njohja e tyre me Biblën është shumë e dobët. Njohja që kanë për zemrat e tyre është shumë e pakët. Por nga këto vargje duhet të mësojmë që t’i trajtojmë me butësi njerëz të tillë, për shkak se Zoti i ka pranuar. Nuk duhet t’i trajtojmë si njerëz pa hir dhe të pa perëndishëm për shkak të paditurisë së tyre. Duhet të mbajmë mend që besimi i vërtetë mund të qëndrojë në thellësi të zemrave të tyre, edhe pse në sipërfaqe ka shumë plehra. Duhet të reflektojmë që bijtë e Zebedeut njohuria e të cilëve në një moment ishte shumë e pa përsosur më vonë u bënë shtylla të kishës së Krishtit. Po kështu edhe një besimtar mund ta fillojë ecjen e tij në errësirë të madhe e megjithatë më në fund të jetë burrë i pushtetshëm në Shkrime dhe ndjekës i denjë e Jakobit dhe Gjonit.
Gjëja e fundit që duhet të vëmë re në këto vargje është qortimi solemn që Zoti ynë i bëri kërkesës së paditur të nënës së bijve të Zebedeut dhe djemve të saj. Ai u thotë, “Ju nuk e dini se çfarë po kërkoni.” Ata kishin kërkuar të bëheshin pjesë e shpërblimit të Zotit, por nuk e konsideruan që më së pari duhej të bëheshin pjestarë të vuajtjeve të Zotit të tyre. (1 Pjeri 4:13). Ata kishin harruar që ata që do të qëndronin me Krishtin në lavdi duhet të pijnë kupën e Tij të vuajtjeve dhe të pagëzoheshin me pagëzimin e Tij. Ata nuk e dalluan se ata që mbartin kryqin dhe vetëm ata, do të marrin kurorën. Mirë tha Zoti ynë, “Ju nuk e dini se çfarë po kërkoni.”
A nuk e bëjmë edhe ne të njëjtin gabim që bënë edhe bijtë e Zebedeut? A nuk biem edhe ne në të njëjtin gabim duke bërë kërkesa të pamenduara dhe pa kujdes? A nuk themi edhe ne shpesh gjëra në lutje pa “llogaritur koston,” dhe kërkojmë që të na jepen gjëra pa reflektuar se çfarë gjërash përfshihen në përgjërimet tona? Këto janë pyetje që hetojnë zemrën. Me të drejtë mund të druajmë që shumë nga ne nuk mund të japin dot një përgjigje të kënaqshme.
Ne kërkojmë që shpirtrat tanë të mund të shpëtohen dhe të shkojnë në qiell kur të vdesim. Por a jemi të gatshëm ta marrim kryqin dhe ta ndjekim Krishtin? A jemi të gatshëm të heqim dorë nga bota për hir të Tij? A jemi gati ta zhveshim njeriun e vjetër dhe të veshim njeriun e ri, a jemi gati të luftojmë, të mundohemi dhe të vrapojmë për ta marrë çmimin? A jemi gati t’i bëjmë ballë një bote tallëse dhe të durojmë vështirësi për hir të Krishtit? Çfarë të themi? Nëse nuk jemi aq të gatshëm Zoti ynë mund të na thotë edhe neve, “Ju nuk e dini se çfarë kërkoni.”
Ne kërkojmë që Perëndia të na bëjë të shenjtë. Kjo është vërtet kërkesë e mirë. Por a jemi të përgatitur të shenjtërohemi me çdo proces në të cilin Perëndia në urtësinë e Tij mund të na bëjë thirrje të kalojmë? A jemi gati të pastrohemi përmes mundimit, të zvirdhemi prej botës përmes vajtimeve, të tërhiqemi më pranë Perëndisë përmes humbjeve, sëmundjeve dhe brengës? Këto vërtet që janë pyetje të vështira. Por nëse nuk jemi gati Zoti ynë mund të na thotë edhe ne, “Ju nuk e dini se çfarë kërkoni.”
Le t’i lëmë këto vargje me një vendosmëri solemne për të konsideruar mirë se çfarë jemi duke bërë kur i afrohemi pranë Perëndisë në lutje. Le të kemi kujdes nga kërkesat e nxituara, pa mend dhe të shkujdesura. Me të drejtë tha Solomoni, “Mos u nxito me gojën tënde, dhe zemra jote të mos shpejtohet të thotë asnjë fjalë përpara Perëndisë.” (Predikuesi 5:2).
Mateu 20:24-28
Këto vargje janë të pakta në numër por përmbajnë mësime të një rëndësie të madhe për të gjithë ata që rrëfejnë se janë të krishterë. Le të shohim se çfarë janë ato.
Së pari, ne mësojmë që mund të ketë krenari, xhelozi dhe dashuri për të qenë të parët edhe mes dishepujve të vërtetë të Krishtit. Çfarë thotë Shkrimi? “Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.”
Krenaria është një prej mëkateve më të lashta dhe më shkatërrimtarë. Përmes këtij mëkati u rrëzuan engjëjt, sepse “nuk e ruajtën banesën e tyre të parë.” (Juda 6). Përmes krenarisë Adami dhe Eva u joshën që të hanin frutin e ndaluar. Ata nuk ishin të kënaqur me pjesën e tyre dhe menduan “që do të ishin si Perëndi.” Nga krenaria shenjtorët e Perëndisë marrin lëndimet e tyre më të mëdha pasi janë konvertuar. Mirë tha Hukeri, “Krenaria është një ves i cili kapet aq fort pas zemrës së njeriut saqë po të hiqni çdo gabim nga vetja jonë një edhe nga një nuk ka dyshim që do të zbulojmë se krenaria është e fundit dhe më e vështira për t’u hequr.” Është thënie e njohur dhe e vërtetë e Peshkop Hollit që “krenaria është këmisha më e brendshme të cilën e heqim të fundit dhe të cilën e veshim të parën.”
Së dyti, mësojmë që një jetë mirësie vetë mohuese ndaj të tjerëve është sekreti i vërtetë i madhështisë në mbretërinë e Krishtit. Çfarë thotë Shkrimi? “Secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj; dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.”
Standardi i botës dhe standardi i Zotit Jezus janë me të vërtetë shumë të ndryshëm. Ata janë shumë më tepër se thjesht të ndryshëm. Ata janë plotësisht të kundër nga njëri-tjetri. Mes bijve të kësaj bote njeriu më i madh konsiderohet ai që ka më tepër toka, para, shërbëtorë, rang dhe pushtet tokësor. Mes bijve të Perëndisë njeriu më i madh konsiderohet ai që bën më tepër për të nxitur lumturinë frymërore dhe atë të përkohshme të bashkë krijesave të tij. Madhështia e vërtetë konsiston jo në marrje por në dhënie – jo në mbledhjen egoiste të gjërave të mira, por në dhënien e të mirës të tjerëve – jo që të të shërbejnë por që të shërbesh – jo në të qëndruarit në vend që të të shërbejnë por në të shkuarit për t’iu shërbyer të tjerëvë.
Engjëjt e Perëndisë shohim shumë më tepër bukuri në punën e misionarit sesa në punën e gërmuesit Australian për ar. Ata interesohen shumë më tepër për punët e njerëzve si Hauard dhe Xhadson sesa në fitoret e gjeneralëve, në fjalimet politike të burrave të shtetit, apo në dhomat e këshillave të mbretërve. Le t’i kujtojmë këto gjëra. Le të kemi kujdes që të mos kërkojmë një madhështi të rreme. Le të synojmë vetëm atë që është madhështi e vërtetë. Mund të jemi të sigurt që ka një urtësi të thellë në thënien e Zotit tonë, “Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!” (Veprat 20:35).
Së treti, mësojmë që Zoti Jezu Krisht duhet të jetë shembulli gjithë të krishterëve të vërtetë. Çfarë na thtoë Shkrimi? Duhet t’i shërbejmë njëri-tjetrit, “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer.”
Zoti Perëndi i ka siguruar në mënyrë të mëshirshme popullit të Tij gjithçka të nevojshme për shenjtërimin e tyre. Ai u ka dhënë atyre që ndjekin shenjtërinë porositë më të qartë, motivet më të mira, dhe premtimet më inkurajuese. Por kjo nuk është e gjitha. Për më tepër Ai u ka siguruar modelin dhe shembullin më të përsosur, madje vetë jetën e Birit të Tij. Ai na bën thirrje ta modelojmë jetën tonë sipas asaj jete. Ai na bën thirrje të ecin në hapat e asaj jete. (1 Pjetri 2:21). Ky është modeli sipas të cilit duhet të përpiqemi t’i japim formë temperamentit tonë, fjalëve dhe veprave tona në këtë botë të ligë. “A do të kishte folur kështu Mësuesi im? A do të ishte sjellur në këtë mënyrë Mësuesi im?” Këto janë pyetjet përmes të cilave duhet ta provojmë veten çdo ditë.
Sa përulëse që është kjo e vërtetë! Çfarë hetimesh zemre që duhet të shkaktohen përbrenda nesh! Çfarë thirrje e fortë është kjo “për të lënë mënjanë çdo barrë dhe mëkatin që na rrethon kaq lehtë!” Çfarë lloj njerëzish duhet të jenë ata që rrëfejnë se imitojnë Krishtin! Sa fe e varfër dhe e padobishme është ajo që i bën njerëzit të kënaqen thjesht duke folur dhe me një rrëfim bosh, ndërsa jeta e tyre është e papastër dhe e pa shenjtë! Mjerisht ata që nuk e njohin fare Krishtin në fund fare do të zbulojnë që edhe Ai nuk i njeh fare si popullin e Tij të shpëtuar. “Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.” (1 Gjoni 2:6).
Së fundi, le të mësojmë nga këto vargje që vdekja e Krishtit ishte shlyerje për mëkatin. Çfarë na thotë Shkrimi? “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.”
Kjo është e vërteta më e pushtetshme në Bibël. Le të kujdesemi që ta kapim atë fort dhe të mos e lëshojmë kurrë. Zoti ynë Jezu Krisht nuk vdiq thjesht si martir, apo si një shembull i shkëlqyer i vetë-mohimit dhe vetë-flijimit. Ata që nuk mund të dallojnë asgjë më tepër se kaq në vdekjen e Tij janë pafundësisht shumë larg nga e vërteta. Ata humbasin vetë gurin e themelit të Krishterimit, dhe ju shpëton gjithë ngushëllimi i Ungjillit. Krishti vdiq si flijim për mëkatin e njeriut. Ai vdiq për të na shenguar nga mallkimi të cilin e meritonim të gjithë ne dhe për të përmbushur drejtësinë e Perëndisë e cila ndryshe do të na kishte dënuar. Le të mos e harrojmë kurrë këtë gjë!
Ne të gjithë jemi borxhlinj prej natyre. Ne i detyrohemi Krijuesit tonë të shenjtë dhjetëmijë talente dhe nuk kemi mundësi t’ia paguajmë. Nuk mund të bëjmë dot shlyerjen për shkeljet tona, sepse jemi të dobët dhe të thyer, dhe vetëm sa i shtojmë edhe më tepër borxhit tonë çdo ditë. Por bekuar qoftë Perëndia, atë që ne nuk mund ta bënim dot, Krishti erdhi në botë që ta bënte për ne. Atë që s’mund ta paguanim dot Ai vendosi që ta paguante për ne. Për ta paguar Ai vdiq në kryq për ne. “Ai ia ofroi veten Perëndisë.” (Hebrenjve 9:14). “Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia.” (1 Pjetri 3:18). Sërish, le të mos e harrojmë kurrë këtë gjë!
Le të mos largohemi prej këtyre vargjeve pa e pyetur veten, ku është përulësia jonë? Cila është ideja jonë për madhështinë e vërtetë? Cili është shembulli ynë? Cila është shpresa jonë? Jeta, jeta e përjetshme, varet nga përgjigja që u japim këtyre pyetjeve. Lum ai njeri që është vërtet i përulur, që përpiqet të bëjë të mirën çdo ditë, që ecën në hapat e Jezusit dhe e mbështet gjithë shpresën e tij në çmimin e paguar për të prej gjakut të Krishtit. Një njeri i tillë është i krishterë i vërtetë!
Mateu 20:29-34
Në këto vargje kemi një tablo prekëse të një ndodhie në historinë e Zotit tonë. Ai shëron dy të verbër të ulur gjatë rrugës afër Jerikos. Rrethanat e kësaj ndodhie përmbajnë disa mësime shumë interesante, të cilat do bënin mirë t’i mbanin mend të gjithë ata që rrëfejnë se janë të krishterë.
Së pari, le të vëmë re çfarë besim i fortë që mund të gjendet ndonjëherë atje ku nuk e presim fare. Edhe pse këta dy burra ishin të verbër, ata besuan që Jezusi ishte në gjendje t’i ndihmonte. Ata nuk i panë kurrë ndonjë prej mrekullive të Zotit tonë. Ata e njohën Atë vetëm nga ato që kishin dëgjar, dhe jo ballë për ballë. Megjithatë, menjëherë sapo dëgjuan që Ai po kalonte atyre pranë, ata klithën me zë të lartë, “Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!”
Një besim i tillë mund të na bëjë të turpërohemi. Me gjithë librat tanë plor prova, me jetët e shenjtorëve, dhe libraritë e teologjisë, sa të paktë janë ata që e njohin besimin e thjeshtë si prej fëmije në mëshirën dhe fuqinë e Krishtit. Edhe mes atyre që janë besimtarë, masa e besimit shpesh është shumë e vogël në raport me privilegjet që gëzojmë. Shumë njerëz të pa arsimuar që me vështirësi mund ta lexojnë Dhiatën e Re zotërojnë frymën e besimit të gatshëm në ndërmjetësimin e Krishtit, ndërsa teologët e arsimuar shumë janë të pushtuar nga pyetjet dhe dyshimet. Nëse flasim përulësisht, ata që duhej të ishin të parët shpesh janë të fundit dhe të fundit janë të parët.
Gjëja tjetër është që duhet të dallojmë se çfarë urtësia gjendet në përdorimin e çdo mundësie për t’iu bërë mirë shpirtrave tanë. Këta të verbër ishin ulur “në anë të rrugës.” Nëse nuk do ta kishin bërë këtë gjë mund të mos ishin shëruar kurrë. Jezusi nuk u kthye kurrë në Jeriko dhe mund të mos e kishin takuar dot më kurrë.
Le të shohim këtu një fakt të thjeshtë, rëndësinë e zellit në përdorimin e mjeteve të hirit. Le të mos e neglizhojmë kurrë shtëpinë e Perëndisë, le të mos e braktisim kurrë mbledhjen tonë së bashku me popullin e Perëndisë, le të mos e lëmë kurrë pas dore leximin e Biblës, le të mos heqim dorë nga praktika e lutjes private. Nuk ka dyshim që këto gjëra nuk kanë për të na shpëtuar pa hirin e Frymës së Shenjtë. Me mijëra janë ata që i përdorin dhe mbeten të vdekur në shkelje dhe mëkate. Por vetëm në përdorimin e këtyre gjërave shpirtrat konvertohen dhe shpëtohen. Ata janë udhët në të cilat ecën Jezusi. Prandaj ata që “ulen buzë rrugës” janë ata që kanë më tepër gjasa që të shërohen. A i njohim sëmundjet e shpirtit tonë? A ndiejmë ndonjë dëshirë për t’u takuar me Doktorin e madh? Nëse po nuk duhet të presim kot duke thënë, “Nëse do të shpëtohem do të shpëtohem.” Duhet të çohemi dhe të shkojmë në udhën ku ecën Jezusi. Nga ta dimë nëse Ai shumë shpejt do të kalojë aty për herë të fundit? Le të ulemi çdo ditë në buzë të rrugës.
Gjëja tjetër që duhet të dallojmë është vlera e dhimbjeve dhe këmbënguljes në kërkimin e Krishtit. Këta të verbër u “qortuan” nga turma që po shoqëronte Zotin tonë. Njerëzit u thanë të “pushonin.” Por ata nuk do të pushonin në këtë mënyrë. Ata ndjenë nevojën e tyre për ndihmë. Ata nuk u shqetësuan aspak për qortimin që ju bënë. “Por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: ‘Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!’”
Në këtë pjesë të sjelljes së tyre gjejmë një shembull shumë të rëndësishëm. Nuk duhet që të pengohemi nga kundërshtimi, apo të shkurajohemi nga vështirësitë kur fillojmë të kërkojmë shpëtimin e shpirtit tonë. Ne duhet “të lutemi vazhdimisht pa u lodhur.” (Lluka 18:1). Duhet të mbajmë mend shëmbëlltyrën e vejushës këmbëngulëse dhe të mikut që kërkoi bukë në mesnatë. Sikurse ata edhe ne duhet të këmbëngulim me kërkesat tona para fronit të hirit dhe të themi, “Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!” (Zanafilla 32:26). Miq, të afërm, fqinjë mund të thonë gjëra jo të këndshme dhe të na qortojnë për zellin tonë. Mund të përballemi me ftohtësi dhe mungesë simpatie atje ku mund të kishim kërkuar ndihmë. Por le të mos lejojmë që asnjëra prej këtyre të na lëkundë.
Nëse e ndiejmë sëmundjen tonë dhe dëshirojmë të gjejmë Jezusin, Doktorin e madh, nëse i njohim mëkatet tona dhe dëshirojmë që ato të na falen, le të vazhdojmë të ecim përpara. “Të dhunshmit e marrin mbretërinë me forcë.” (Mateu 11:12).
Së fundi, le të dallojmë sa i hirshëm që është Zoti Jezus ndaj atyre që e kërkojnë Atë. “Jezusi ndaloi dhe i thirri” të vërbërit. Me mirësi i pyeti se çfarë dëshironin. Ai e dëgjoi kërkesën e tyre dhe bëri atë që i kërkuan. Ai “Pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve.”
Këtu dallojmë një shembull të asaj të vërtete të lashtë të cilën nuk mund ta njohim dot kurrë tepër mirë, mëshira e zemrës së Krishtit ndaj bijve të njerëzve. Zoti Jezus nuk është vetëm një Shpëtimtar i pushtetshëm, por edhe i mëshirshëm, i mirë dhe i hirshëm në një shkallë që mendjet tona nuk mund ta konceptojnë dot. Mirë tha apostulli Pal, që “dashuria e Krishtit ia tejkalon çdo njohuri.” (Efesianëve 3:19). Si ai le të lutemi edhe ne që të mund ta “njohim” më tepër atë dashuri. Për këtë dashuri kemi nevojë në fillim kur e nisim shtegun tonë të krishterë, si të penduar të varfër dhe me dridhje, dhe si foshnja në hir. Kemi nevojë për të edhe më pas ndërsa udhëtojmë përgjatë shtegut të ngushtë, shpesh duke gabuar, shpesh duke u penguar, dhe shpesh të rrëzuar. Do të kemi nevojë për këtë dashuri në fund të ditëve tona kur të zbresim përgjatë luginës së hijes së vdekjes. Prandaj, le ta kapim fort dashurinë e Krishtit, dhe ta mbajmë çdo ditë përpara syve tanë. Nuk do ta dimë kurrë plotësisht sa shumë i detyrohemi kësaj dashurie deri sa të zgjohemi në botën tjetër.
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!