Mendime Shtjelluese Mateu 9

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 9

nga J. C. Ryle

Mateu 9:1-13
Le të vëmë re në pjesën e parë të këtij pasazhi njohurinë e Zotit tonë të mendimeve të njerëzve. Aty ishin disa skribë të cilëve nuk u pëlqyen fjalët që Jezusi i tha burrit të paralizuar. Ata thanë me vete, “ky njeri po blasfemon.” Ata ka të ngjarë që po mendonin që askush nuk e dinte se çfarë po mendonin. Atyre u duhej të mësonin që Biri i Perëndisë mund të lexojë zemrat dhe të dallojë frymërat. Mendimet e tyre dashakeqëse u zbuluan publikisht. Ata u turpëruan hapur.

Këtu gjejmë një mësim të rëndësishëm për ne. “Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari” (Hebrenjve 4:13). Asnjë gjë nuk mund t’i fshihet Krishtit. Çfarë mendojmë ne në privatësinë tonë kur nuk na shikon askush? Çfarë mendojmë në kishë kur dukemi shumë seriozë dhe të zymtë? Çfarë po mendojmë në këtë moment ndërsa i kemi këto fjalë përpara syve tanë? Jezusi e di. Jezusi e sheh. Jezusi e regjistron. Një ditë Ai do na thërrasë të japim llogari. Është shkruar që “ditën në të cilën Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve me anë të Jezu Krishtit.” (Romakëve 2:16). Sigurisht që duhet të jemi shumë të përulur kur i konsiderojmë këto gjëra. Duhet ta falënderojmë Perëndinë çdo ditë që gjaku i Krishtit mund të na pastrojë nga çdo mëkat. Duhet që shpesh të lutemi, “U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime” (Psalmi 19:14).

Së dyti le të dallojmë thirrjen e mrekullueshme të apostullit Mate për të qenë dishepull i Krishtit.

Burrin që më pas u bë shkrimtari i parë i Ungjillit e gjejmë të ulur në tryezën e tagrambledhësit. E shohim të zhytur në thirrjen e tij të botës dhe ndoshta nuk po mendonte për ndonjë gjë tjetër përveç parasë dhe fitimit. Por papritur Zoti Jezus e thirri dhe i kërkoi që ta ndiqte, e thirri të bëhej dishepull i Tij. Mateu u bind menjëherë. Ai “u ngrit me të shpejtë dhe nuk hezitoi” për t’iu bindur urdhrit të Krishtit (Psalmi 119:60). Ai u çua dhe e ndoqi.

Le të jetë ky një parim i qartë në fenë tonë që me Krishtin asnjë gjë nuk është e pamundur. Ai mund të marrë një tagrambledhës dhe ta bëjë apostull. Ai mund të ndryshojë çdo zemër dhe t’i bëjë të gjitha gjërat të reja. Le të mos dëshpërohemi kurrë për shpëtimin e dikujt. Le të vazhdojmë të lutemi dhe të punojmë për t’u bërë mirë shpirtrave madje edhe shpirtrave të më të ligjve. “Zëri i Zotit është i fuqishëm.” (Psalmi 29:4). Kur Ai thotë përmes fuqisë së Frymës, “më ndiq,” Ai mund ta bëjë edhe më të ngurtësuarin dhe më mëkatarin që t’i bindet.

Le të vëzhgojmë vendimin e Mateut. Ai nuk priti për asnjë gjë. Ai nuk priti për “një kohë më të përshtatshme.” (Veprat 24:25). Si rrjedhim ai korri një shpërblim të madh. Ai shkroi një libër i cili njihet në mbarë botën. Ai u bë bekim për të tjerët sikurse u bekua edhe në shpirtin e tij. Ai la pas një emër, i cili njihet më mirë se emrat e princave dhe mbretërve. Njeriu më i pasur i botës harrohet shpejt kur vdes. Por për sa të jetë bota me miliona njerëz do ta mësojnë emrin e Mateut tagrambledhësit.

Së fundi, le të dallojmë deklaratën e çmuar të Zotit tonë rreth misionit të Tij. Farisenjtë e qortuan për shkak se Ai i lejonte tagrambledhësit dhe mëkatarët të rrinin me të. Në verbërinë e tyre krenare ata mendonin që një mësues i dërguar nga qielli nuk duhet të përzjehet me njerëz të tillë. Ata ishin plotësisht të paditur në lidhje me qëllimin e madh për të cilin Mesia do të vinte në botë – për të qenë Shpëtimtar, Doktor, shërues i shpirtrave të sëmurë prej mëkatit. Ata morrën një qortim nga buzët e Zotit tonë i cili u shoqërua nga fjalët e bekuara, “Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët.”

Le të sigurohemi që të kuptojmë plotësisht doktrinën që përmbajnë këto fjalë. Gjëja e parë e nevojshme në mënyrë që të kemi një interesim për Krishtin është që të ndiejmë thellë prishjen tonë dhe të jemi të gatshëm të vijmë tek Ai për çlirim. Nuk duhet të qëndrojmë larg Krishtit, sikurse bëjnë shumë njerëz në padije, për shkak se ndihemi keq, të ligj dhe të padenjë. Duhet të kujtojmë që mëkatarët janë ata për të cilët Ai erdhi në botë që t’i shpëtonte, dhe nëse ndihemi të tillë, kjo është gjë e mirë. Lum ai që vërtet e kupton që një kusht bazë për të ardhur tek Krishti është të kesh një ndjesi të thellë për mëkatin!

Së fundi, nëse përmes hirit të Perëndisë kuptojmë vërtet të vërtetën e lavdishme që mëkatarët janë ata të cilët Krishti erdhi t’i thërrasë, le të kemi kujdes që të mos e harrojmë kurrë. Le të mos ëndërrojmë që të krishterët e vërtetë mund ta arrijnë ndonjëherë një gjendje të tillë përsosmërie në këtë botë, sa të mos keni nevojë për ndërmjetësimin e Jezusit. Mëkatarë ishim në ditën e parë që erdhëm tek Krishti. Mëkatarë të mjerë dhe nevojtarë vazhdojmë të jemi për sa kohë jetojmë, duke marrë gjithë hirin që kemi nevojë në çdo moment prej plotësisë së Krishtit. Mëkatarë do të jemi edhe në momentin e vdekjes, dhe do të vdesim po aq borxhlinj ndaj gjakut të Krishtit sa dhe ditën e parë kur besuam në Të.

Mateu 9:14-26
Le të dallojmë në këtë pjesë emrin e hirshëm me të cilin Zoti Jezus e quan Veten. Ai e quan Veten “dhëndri.”

Ashtu si dhëndri është për nusen, kështu është Zoti Jezus për shpirtrat e të gjithë atyre që i besojnë Atij. Ai i do me një dashuri të thellë të përjetshme. Ai i sjell në bashkësi me Veten. Ata janë “një me Krishtin dhe Krishti është në ta.” Ai i paguan të gjitha borxhet e tyre tek Perëndia. Ai i plotëson të gjitha nevojat e tyre të përditshme. Ai simpatizohet me ta në të gjitha vështirësitë e tyre. Ai i duron të gjitha dobësitë e tyre, dhe nuk i mohon për shkak të tyre. Ai i konsideron si gjymtyrë të Vetes. Ata që i përndjekin dhe i lëndojnë ata janë duke përndjekur Atë. Lavdinë që Ai e ka marrë prej Atit një ditë do ta ndajë me ta, dhe atje ku është Ai do të jenë edhe ata. Këto janë privilegjet e të gjithë të krishterëve të vërtetë. Ata janë nusja e Qengjit (Zbulesa 19:7). Kjo është pjesa që na jepet përmes besimit. Përmes besimit Perëndia i bashkon shpirtrat tanë të mjerë dhe mëkatarë me një Bashkëshort të çmuar; dhe ata të cilët Perëndia i ka bashkuar nuk do të ndahen kurrë. Vërtet të bekuar janë ata që besojnë!

Së dyti le të vëmë re çfarë parimi të mençur që parashtron Zoti Jezus për trajtimin e dishepujve të rinj. Ka disa që i qortuan ndjekësit të Zotit tonë, për shkak se nuk agjëruan sikurse dishepujt e Gjon Pagëzorit. Zoti ynë i mbrojti dishepujt e Tij me një argument plot urtësi të thellë. Ai tregon që agjërimi i tyre nuk do ishte me vend për aq kohë sa Ai, Dhëndri i tyre ishte ende me ta. Por Ai nuk ndaloi aty. Ai vazhdoi t’u tregonte me dy shëmbëlltyra që fillestarët në shkollën e Krishterimit duhet të trajtohen me butësi. Ata duhet të mësohen me aq sa kanë mundësi të mbajnë. Nuk duhet të presim që ata të pranojnë gjithçka menjëherë. Nëse e neglizhojmë këtë rregull do ishte po aq pa mend sa “të hidhnim verë të re në kacekë të vjetër,” apo të “vendosnim një copë stofi të ri mbi një petk të vjetër.”

Në këtë parim ka një minierë të tërë urtësie të cilën të gjithë ne do bënim mirë ta mbanim mend gjatë mësimit frymëror të atyre që janë të rinj në përjetim. Duhet të kemi kujdes që të mos u japim një rëndësi ekstreme gjërave më të vogla të fesë. Nuk duhet të nxitohemi të kërkojmë një përputhje të përpiktë me një rregull strikt në ‘gjërat e parëndësishme,’ para se të kemi mësuar si duhet parimet e para të pendimit dhe besimit. Për të na drejtuar në këtë çështje kemi një nevojë të madhe që të lutemi për hir dhe për gjykim të shëndoshë të krishterë. Takti në trajtimin e dishepujve të rinj është dhuratë e rrallë por shumë e dobishme. Të dish se për çfarë të këmbëngulësh është absolutisht e nevojshme që nga fillimi, dhe çfarë ta rezervosh si mësim që duhet mësuar kur nxënësi të ketë arritur një njohuri më të përsosur – kjo është një nga arritjet më të larta të një mësuesi të shpirtrave.

Së treti le të vëmë re se çfarë inkurajimi i jep Zoti ynë besimit më të përulur. Në këtë pjesë lexojmë që një grua që ishte shumë e sëmurë erdhi nga pas Zotit në mes të turmës, dhe “i preku cepin” e rrobave të Tij, me shpresën që duke e bërë këtë do të shërohej. Ajo nuk tha qoftë edhe një fjalë për të marrë ndihmë. Ajo nuk bëri asnjë rrëfim publik të besimit. Por ajo kishte siguri që nëse vetëm mund “të prekte cepin e rrobave të Tij,” do të shërohej. Kështu ndodhi. Në veprimin e saj ishte fshehur fara e besimit të çmuar, i cili morri lavdërimin e Zotit tonë. Ajo u shërua në moment, dhe u kthye në shtëpi në paqe. Nëse përdorim fjalët e një shkrimtari të lashtë të dhe mirë, “Ajo erdhi duke u dridhur dhe u largua triumfuese.”

Le ta ruajmë këtë histori në mendjen tonë. Ndoshta do të na ndihmojë fuqishëm në ndonjë moment nevoje. Besimi ynë mund të jetë i dobët. Guximi ynë mund të jetë i dobët. Kuptimi që kemi për Ungjillin dhe premtimet e tij mund të jetë i dobët dhe i lëkundur. Por, në fund të fundit, pyetja më e madhe është, a besojmë vërtet vetëm në Krishtin? A po shohim drejt Jezusit dhe vetëm tek Ai për falje dhe paqe? Nëse është kështu është mirë. Nëse nuk mund të prekim dot cepin e rrobave të Tij mund të prekim zemrën e Tij. Një besim i tillë e shpëton shpirtin. Besimi i dobët është më pak ngushëllues se besimi i fortë. Besimi i dobët do të na çojë në qiell me shumë më pak gëzim se siguria e plotë. Por besimi i dobët na jep një interesim për Krishtin me po aq siguri sa dhe besimi i fortë. Ai që thjesht prek cepin e mantelit të Krishtit nuk do të humbasë kurrë.

Së fundi, le të vëmë re në këtë pjesë pushtetin e plotfuqishëm të Zotit tonë. Ai kthen në jetë dikë që kishte vdekur. Sa e mrekullueshme që mund të ketë qenë kjo skenë! Kush është ai njeri që ka parë ndonjëherë një të vdekur dhe mund ta harrojë heshtjen, qetësinë dhe ftohtësinë kur fryma është larguar nga trupi? Kush mund ta harrojë ndjenjën e frikshme që një ndryshim shumë i madh ka ndodhur, që mes nesh dhe personit që ka vdekur është vendosur një humnerë e madhe? Por shihni, Zoti ynë shkoi në dhomën ku ishte vajza e vdekur, dhe e thërret shpirtin të kthehet sërish në tabernakullin e tij tokësor. Pulsi nisi sërish të rrihte. Sytë shohin sërish. Mushkëritë sërish thithin dhe nxjerrin ajër. Vajza e kryetarit të sinagogës është sërish e gjallë, dhe ju kthye babait dhe nënës së saj. Kjo ishte vërtet gjithëfuqi! Askush nuk mund ta kishte bërë dot këtë përveç Atij që e krijoi në fillim njeriun dhe që ka çdo pushtet në qiell dhe mbi dhe.

Kjo është ajo lloj e vërtete të cilën nuk mund ta njohim kurrë tepër mirë. Sa më qartë ta shohim pushtetin e Krishtit, aq më tepër gjasa ka që të përjetojmë paqen e Ungjillit. Pozita jonë mund të jetë sprovuese. Zemrat tona mund të jenë të dobëta. Bota mund të jetë e vështirë për të kaluar përgjatë saj. Besimi ynë mund të duket tepër i vogël për të na çuar në shtëpi. Por le të marrim guxim, kur mendojmë për Jezusin dhe të mos dekurajohemi. Më i madh është Ai që është për ne se të gjithë ata që janë kundër nesh. Shpëtimtari ynë mund të ringjallë të vdekurit. Shpëtimtari ynë është i gjithëpushtetshëm.

Mateu 9:27-38
Në këtë pjesë ka katër mësime të cilat meritojnë një vëmendje të veçantë. Le t’i shohim të katër njëri pas tjetrit.

Së pari, le të vëmë re që besimi i fortë në Krishtin nganjëherë mund të gjendet atje ku e presim më pak. Kush do ta mendonte që dy të verbër do ta thërrisnin Zotin tonë “Biri i Davidit?” Sigurisht që ata nuk mund t’i kishin parë mrekullitë që Ai bëri. Ata mund të dinin për Të vetëm nga gjërat që u ishin thënë. Por sytë e mendjes së tyre ishin ndriçuar edhe nëse sytë e tyre truporë ishin të errësuar. Ata e panë të vërtetën të cilën Skribët dhe Farisenjtë nuk mund ta shihnin. Ata e panë që Jezusi i Nazaretit ishte Mesia. Ata besuan që Ai ishte në gjendje t’i shëronte.

Një shembull i tillë na tregon që nuk duhet të dëshpërohemi kurrë për shpëtimin e dikujt, thjesht për shkak se jetojnë në një gjendje të pafavorshme për shpirtin e tyre. Hiri është më i fortë se rrethanat. Jeta e besimit nuk varet thjesht tek avantazhet e jashtme. Fryma e Shenjtë mund të japë besim, dhe ta mbajë atë ushtrim aktiv pa mësuar ndonjë gjë nga librat, pa para, dhe me disa mjete të hirit. Pa Frymën e Shenjtë dikush mund t’i dijë të gjitha misteret dhe të jetojë nën shkëlqimin e fortë të Ungjillit e megjithatë të humbasë. Ditën e fundit do të shohim shumë pamje të habitshme. Njerëzit e varfër të kasolleve do të dalin që kanë besuar në Birin e Davidit kurse ata të pasurit që janë edukuar në universitet do të vërtetojnë që kanë jetuar dhe vdekur si Farisenjtë në një besim të ngurtësuar. Shumë nga ata që janë të fundit do të jenë të parët, dhe të parët do jenë të fundit (Mateu 20:16).

Së dyti, le të vëmë re që Zoti ynë Jezu Krisht ka pasur përjetime të mëdha me sëmundjet. Ai “shkoi nëpër qytete dhe fshatra” duke bërë mirë.

Ai ishte dëshmitar okular i të gjitha mundimeve që trashëgon mishi. Ai pa lëngata të çdo lloji dhe përshkrimi. Ai erdhi në kontakt me çdo formë vuajtjeje trupore. Askush nuk ishte tepër i përbuzshëm që Ai të mos i shërbente. Askush nuk ishte aq i frikshëm që Ai të mos e kuronte. Ai ishte shëruesi i çdo “sëmundjeje dhe lëngate.”

Nga ky fakt mund të nxjerrim shumë ngushëllim. Secili prej nesh banon në një trup të dobët. Nuk e dimë asnjëherë sasinë e vuajtjes që mund të dëshmojmë ndërsa do jemi pranë shtratit të sëmundjes së miqve apo të afërmve. Nuk e dimë se çfarë vuajtjesh mund të na duhet të përjetojmë para se të zëmë shtratin dhe të vdesim. Por le të armatosemi që tani me mendimin e çmuar që Jezusi është në mënyrë të veçantë i përshtatshëm për të qenë miku i të sëmurit. Kryeprifti i madh tek i cili duhet të shkojmë për falje dhe paqe me Perëndinë është jashtëzakonisht i kualifikuar të simpatizohet me një trup që përjeton dhimbje si dhe për të shëruar një ndërgjegje që vuan. Sytë e Atij që është Mbreti i mbretërve shpesh i panë me dhembshuri të sëmurët. Bota nuk shqetësohet shumë për të sëmurët dhe shpesh qëndron larg tyre. Por Zoti Jezus kujdeset në mënyrë të veçantë për të sëmurët. Ai është i pari që shkon t’i vizitojë dhe ju thotë, “Unë qëndroj tek dera dhe trokas.” Lum ata që e dëgjojnë zërin e Tij dhe e lënë të hyjë brenda!

Së treti, le të vëmë re interesimin e Zotit tonë për shpirtrat e neglizhuar. “Ai i pa turmat” e njerëzve kur ishte mbi këtë tokë të shpërndara “si dele pa bari,” dhe u mbush me dhembshuri. Ai i pa që ishin neglizhuar prej atyre që në atë kohë duhej të kishin qenë mësues. I pa të paditur, të pa shpresë, pa ndihmë dhe të papërgatitur për vdekjen. Kjo pamje e mbushi me dhembshuri të thellë. Ajo zemër e dashur nuk mund të mos i shihte dot gjëra të tilla dhe të mos prekej.

Cilat janë ndjenjat tona kur shohim një pamje të tillë? Kjo është një pyetje që duhet të shtrohet në mendjet tona. Ka shumë të tillë në çdo anë. Ka miliona idhujtarë dhe paganë mbi tokë – miliona Muslimanë të mashtruar – miliona Katolikë Romakë besëtytnor. Ka me mijëra Protestantë të pa shpëtuar pranë nesh. A ndiejmë dhembshuri për shpirtrat e tyre? A ndiejmë një keqardhje të thellë për shkretinë e tyre frymërore? A dëshirojmë të shohim që ajo shkreti të hiqet tej? Këto janë pyetje serioze të cilave duhet t’u japim përgjigje. Është e lehtë të qeshim me misionet tek paganët dhe me ata që punojnë për ta. Por ai që nuk ndjen dhembshuri për shpirtrat e njerëzve të pa konvertuar sigurisht që nuk mund të ketë “mendjen e Krishtit” (1 Korintasve 2:16).

Së katërti, le të vëmë re që ka një detyrë solemne për të gjithë të krishterët që duan t’i bëjnë mirë pjesë së pa konvertuar të botës. Ata duhet të luten që më shumë njerëz të ngrihen për veprën e konvertimit të shpirtrave. Kjo duket sikur kjo duhet të jetë pjesë e përditshme e lutjeve tona. “Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.”

Nëse e kemi disi idenë rreth lutjes, le ta mbajmë përherë në mendje që të mos harrojmë kurrë këtë thirrje solemne të Zotit tonë. Le ta ngulitim në mendjen tonë që kjo është një prej mënyrave më të mira për të bërë mirë dhe për të penguar ligësinë. Puna personale për shpirtrat është gjë e mirë. Dhënia e parave është gjë e mirë. Por lutja për shpirtrat është më e mira. Me lutje arrimë tek Ai pa të cilin puna dhe paraja janë njëlloj të kota. Me lutje marrim ndihmën e Frymës së Shenjtë. Paraja mund të punësojë punëtorë. Universitetet mund të japin mësim. Bashkësitë mund të zgjedhin. Peshkopët mund të shugurojnë. Por vetëm Fryma e Shenjtë mund të krijojë shërbëtorë të Ungjillit, dhe të ngrejë punëtorë në të korrat frymërore të cilët nuk kanë pse të turpërohen. Mos e harrofshim kurrë që nëse dëshirojmë t’i bëjmë mirë botës detyra jonë e parë është të lutemi!


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*