Ngushëllim i mrekullueshëm – John MacDuff
“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”
“Unë, unë vetë, jam ai që ju ngushëllon!” – Isaia 51:12
Sa qetësues që është ky mendim për kryet e lodhura, që në mes të sprovave më të hidhura, kemi një Perëndi të madh në qiell që na ngushëllon! “Fshiji lotët!”
Ai duket sikur thotë: “Unë jam përkrah teje o mjeran i pikëlluar! Ngushëllimet e tjera mund të të lënë në baltë – ngushëlluesit e tjerë mund të dalin krejt të pafuqishëm për t’i matur thellësitë e brengës tënde dhe për të të shëruar plagët e dhimbjes – por Unë, si Perëndi, i pafundmë në Urtësi, Gjithëdije dhe Dashuri – i njoh të gjitha veçantitë e rastit tënd! Unë do të jem për ty më i mirë edhe se miku më i ngushtë dhe më i dashur njerëzor. Kënaqësia ime është që ‘të ngre ata që janë rrëzuar, të ngre lart ata që kanë rënë poshtë.’ Unë kam ‘mendime të çmuara’ të rezervuara për ditën e fatkeqësisë – mendime që u pëshpëriten në vesh të pikëlluarve. Unë, Unë vetë, e njëjta dorë që ka plagosur – do të të fashojë, e njëjta dorë e fortë për të goditur – do të jetë e fortë për të shpëtuar. Do të të jap një ngushëllim të cilin as që e ke ëndërruar edhe në ditën e begatisë; do të të jap këngë në mesnatë, dhe puse rifreskuese në luginën e vajtimit!”
“A është sëmundja ajo që t’i ka zbardhur faqet; dhe të ka lidhur në një shtrat dhimbjeje dhe lëngimi për javë dhe muaj me radhë – apo ndoshta edhe vite? Nuk do të të lë pa ngushëllim, do të vij tek ti!”
“A janë taktikat e tua sipas botës ato që të kanë pllakosur – ndryshku dhe tenja mos po i prishin thesaret tokësore? Unë do të të jap pasuri kompensuese, përtej asaj që ka prekur vrugu dhe ka shkatërruar fati kapriçioz!”
“A ta ka rrudhur ballin humbja, duke i lënë karriget bosh rreth tryezës dhe thellësinë e zemrës tënde të shkretë? Rri në heshtje. Do ta zë Unë vendin e atij për të cilin po vajton. Do të vij dhe do t’i mbush ato boshllëqe të dhimbshme, ato humnera sëmbuese – me vetë praninë Time të dashur. Rrëkeja e cekët është tharë – por në vend të saj do të kesh një Burim të Pashtershëm!”
“A po të bën mëkati vazhdimisht të trishtuar – mendimi i hidhur i largimit nga Unë dhe nga favori im i cili është jeta vetë? I lodhur me dështimet e njëpasnjëshme të të gjitha burimeve tokësore të kënaqësisë dhe lumturisë, a po kthehesh drejt Meje, ‘Perëndisë së gjallë’ me dëshirë, soditje dëshiruese si ajo lulja e lodhur që kthen fytyrën nga dielli duke vrarë mendjen nëse mund të ketë paqe dhe falje për një si puna jote? Unë, vetë Unë, jam Ai që i fshij shkeljet e tua! Unë do të shëroj paudhësinë tënde. Do të të dua lirshëm; sepse zemërimi im është larguar nga ju!”
“Unë, vetë Unë!” Mos e vir në dyshim aftësinë apo gatishmërinë e Tij për të ngushëlluar; shih sa bukur flitet për Perëndinë si “Perëndia i gjithë ngushëllimit,” “ngushëlluesi i atyre që janë të brengosur.” Sado e madhe që është familja e tij e përvuajtur – Ai ka ngushëllime të përshtatshme për çdo lloj përjetimi. Ai ka një mendim ngushëllimi – për çdo mendim trishtimi.
“Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin,” thotë Psalmisti, ” përdëllimet e tua më jepnin zemër.” Mesazhi i Tij për kishën e lashtë pasi kishte përjetuar barrë pas barre nga mjerimet e shqiptuara, ishte “Ngushëlloni, ngushëlloni popullin Tim!” Përsëritja e fjalëve është një metodë e zakonshme Hebraike për të intensifikuar diçka – sikur të donte të thoshte çfarë kënaqësi kaloi nga shqiptimet e zymta profetike të gjykimit tek premtimet e gëzueshme të mëshirës dhe dashurisë!
“Sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin,” [ose ‘Ai nuk lëndon nga zemra e tij’] “dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.” Sikur mundimi në vetvete të ishte diçka e huaj për zemrën dhe mendimet e Perëndisë!
Qoftë edhe më i çmuar për mua mendimi i Perëndisë Ngushëllues, duke qenë se ai Perëndi është Emanueli – Vëllai ynë i ulur mbi fronin e Qiellit! Ai vetë dikur ishte Princi i të Përvuajturve – Ai është jashtëzakonisht i kualifikuar përmes ndjeshmërive të shquara të natyrës së tij njerëzore – që të hyjë në çdo sëmbim që e copëton zemrën! Unë, vetë Unë – Perëndia-Njeri i cili derdhi lot për vajtuesit në Betani! Unë, vetë Unë, që e mirëprita pendimin vajtues tek këmbët e Mia! Unë, vetë Unë, që vetë u përlesha me tundimin, u ngërtheva me vajtimin mbinjerëzor, jetova një jetë trishtimi, dhe përjetova një vdekje turpi! Unë, vetë Unë, unë Jezusi vetë, “jam Ai që të ngushëllon.” “Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës.”
“Thoughts of God” by John MacDuff
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!