Njerëzit e vegjël të Perëndisë!
4 Dhjetor
Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë. Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë. Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet. Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit, për t’u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë. – Luka 2:1-5
A e keni menduar ndonjëherë çfarë gjëje e mahnitshme është që Perëndia e caktoi qysh më parë që Mesia do të lindte në Betlehem (ashtu si na tregon profecia e Mikeas 5); Ai i caktoi gjërat në atë mënyrë që kur të vinte momenti, nëna e Mesias dhe babi i tij ligjor të ishin duke jetuar në Nazaret; dhe në mënyrë që të përmbushte fjalën e Tij dhe t’i sillte këta dy njerëz të thjeshtë në Betlehem atë Krishtlindje të parë, Perëndia vendosi në zemrën e Cezar Augustit që e gjithë Perandoria romake të regjistrohej, secili në qytetin e tij?
A jeni ndjerë ndonjëherë si unë, të vegjël dhe të parëndësishëm në një botë me shtatë miliardë njerëz, ku lajmi është vetëm ndryshimet e mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore, lajmi janë njerëzit e jashtëzakonshëm me shumë pushtet dhe prestigj?
Nëse jeni ndjerë kështu, mos e lejoni këtë gjë t’ju shkurajojë apo t’ju mërzisë. Në Shkrime nënkuptohet e vërteta që të gjitha forcat gjigande politike dhe gjithë komplekset e mëdha industriale, madje pa e ditur ato vetë, po drejtohen prej Perëndisë, jo për hir të tyre por për hir të njerëzve të thjeshtë të Perëndisë – Maria dhe Jozefi, dy njerëz të thjeshtë duhet të shkojnë nga Nazareti në Betlehem. Perëndia përdor një perandori të tërë për të bekuar fëmijët e tij.
Mos mendoni që për shkak se përjetoni armiqësi dora e Zotit është shkurtuar. Nuk është begatia jonë por shenjtëria ajo të cilën Ai e kërkon me gjithë zemrën e tij. Dhe ky është synimi për të cilin ai sundon gjithë botën. Ashtu si na thuhet tek Fjalët e Urta 21:1, “Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.”
Ai është një Perëndi i madh për njerëz të vegjël dhe ne kemi një arsye të madhe për t’u ngazëlluar me të vërtetën që të gjithë mbretërit, presidentët, kancelarët dhe kryeministrat e botës ndjekin dekretin sovran të Atit tonë qiellor, që ne, fëmijët e tij të mund të përshtatemi me shembëlltyrën e Birit të tij, Jezu Krishtit.
© Desiring God
Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim ndaj lejes së mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.
By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org