17 Dhjetor – Octavius Winslow
17 Dhjetor
“Por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij.” Romakëve 3:24-25
Duke ndryshuar vendin me kishën, Krishti bëhet “Zoti drejtësia jonë,” dhe ne “bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të.” Këtu kemi transferimin e mëkatit tek i pafajshmi, dhe gjithashtu transferimin e drejtësisë te fajtori. Në këtë metodë të drejtësimit nuk shkelet asapak qeverisja morale e Perëndisë. Nuk ka as edhe një hije e cila ta errësojë lavdinë, atë lavdi që rrezaton me një mbushulli e cila ndryshe do të kishte mbetur përgjithmonë e mbuluar, nëse Krishti nuk do ta kishte kryer shpengimin e njeriut.
Perëndia nuk shfaqet kurrë më tepër si Vetvetja sa kur ulet dhe e gjykon personin e mëkatarit, dhe vendos qëndrimin e tij para Vetes së Tij mbi bazën e përmbushjes së ligjit të Tij e cila u ofrua nga Biri i Perëndisë në vend të fajtorit. Atëherë Ai shfaqet si pafundësisht i shenjtë, e megjithatë pafundësisht i hirshëm; pafundësisht i drejtë, e megjithatë pafundësisht i mëshirshëm. Dashuria, e cila duket sikur ka pritur një kohë të gjatë për një mënyrë shprehjeje, tani kërcen përpara dhe e përqafon mëkatarin; kurse drejtësia, shenjtëria dhe e vërteta soditin skenën e mrekullueshme me një kënaqësi dhe ëndje të pafundme.
A të mos ndalojmë dhe të mendohemi me admirim dhe mirënjohje për Atë i cili u shtrëngua të zinte vendin tonë të degradimit dhe mjerimit, në mënyrë që ne të qëndrojmë në vendin e Tij të drejtësisë dhe lavdisë? Çfarë dashurie e mrekullueshme! Çfarë hiri i mrekullueshëm që Ai të ishte i gatshëm për të marrë mbi Vete mëkatin tonë, mallkimin tonë dhe mjerimin tonë! Sa poshtërues që duhet të ketë qenë ky shkëmbim për Të!
Ai mund të na ngrinte lart vetëm duke përulur Veten. Ai mund të na çlironte vetëm duke u lidhur me zinxhirin tonë. Ai mund të na shpëtonte nga vdekja vetëm duke vdekur Vetë. Ai mund të na jepte mantelin e panjollë të drejtësisë së Tij vetëm duke u mbështjellë Vetë me mantelin e lebrosur të mëkatit dhe mallkimit tonë. Oh sa i çmuar që duhet të jetë Ai për çdo zemër besimtari! Çfarë dashurie, çfarë shërbimi, çfarë flijimi, çfarë përkushtimi, që meriton Ai nga ne! Zot përkule zemrën time që të të dorëzohet Ty në mënyrë supreme!
Në çfarë mënyre bëhet i yni ky bekim i drejtësimit? Me fjalë të tjera, cili është instrumenti përmes të cilit mëkatari drejtësohet? Përgjigja është afër në tekst, “nëpërmjet besimit në gjakun e tij.” Besimi dhe vetëm besimi e bën tonën këtë drejtësi të Perëndisë. “Me anë të tij, ai që beson është shfajësuar.” Pse është kjo gjë vetëm dhe në mënyrë ekskluzive përmes besimit? Përgjigja është sërish afër, “Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit.”
Nëse drejtësimi do të ishte përmes ndonjë mjeti tjetër dhe jo përmes besimit, atëherë nuk mund të sigurohej liria e përsosur e bekimit. Shprehjet janë, “Janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij;” domethënë, falas – absolutisht pa paguar gjë. Jo vetëm që Perëndia nuk ishte i detyruar në asnjë kuptim që ta drejtësonte mëkatarin, por sovraniteti i vullnetit të Tij si dhe sovraniteti i dashurisë së Tij kërkuan që duke i dhënë mëkatarit mirësinë më të madhe të qeverisjes së Tij, të mos e bënte këtë gjë bazuar mbi ndonjë parim tjetër përveç atij të një veprimi të përsosur të hirit nga ana e Dhuruesit, dhe si diçka përsosmërisht falas nga ana e marrësit – duke “mos pasur asgjë për të paguar.”
Prandaj, çfarëdo gjëje që shoqërohet me besimin në çështjen e drejtësimit të mëkatarit – qoftë ky pagëzimi, ndonjë rit tjetër, ndonjë vepër apo ndonjë kusht i plotësuar nga krijesa – e bën këtë veprim që të mos ketë kurrfarë efekti. Drejtësimi i mëkatarit që beson është aq falas sa mund ta bëjë Perëndia e dashurisë dhe hirit.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!