Pse Biri i Njeriut?
9 Dhjetor
prej John Piper
Pse Biri i Njeriut?
Pastaj i tha: Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut ”.
Gjoni 1:51
Pse në vargun 51 dhe në vende të tjera në Ungjill Jezusi quhet Biri i Njeriut? Kjo ka të bëjë shumë me Adventin. Nuk është thjesht për shkak të faktit që ai është njeri. Është për shkak se figura e një “biri njeri” tek Danieli 7:13 është si njerëzore ashtu dhe më tepër se njerëzore. Ky ishte titulli i preferuar që Jezusi përdori për veten e tij – Bir i Njeriut. Ky titull përdoret mbi tetëdhjetë herë në Ungjij dhe vetëm Jezusi e përdor për t’iu referuar vetes.
Këtë titull “Biri i Njeriut” e gjejmë tek Danieli 7:13-14;
Unë shikoja disa vegime nate,
dhe ja mbi retë e qiellit
po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu;
ai arriti deri te i Lashti i ditëve
dhe iu afrua atij.
Atij iu dha sundimi,
lavdia dhe mbretëria,
me qëllim që gjithë popujt,
kombet dhe gjuhët t’i shërbenin;
sundimi i tij është një sundim i përjetshëm
që nuk do të kalojë,
dhe mbretëria e tij është një
mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë”.
Kjo është gjuha e mbretërisë, lavdisë dhe sovranitetit (Gjoni 3:13, 5:27, 6:62). Por ka një theks tjetër nga titujt Bir i Perëndisë dhe Mbret i Izraelit. Titulli Biri i Njeriut tingëllon si më i zakonshëm dhe më i përulur. Prandaj kur Jezusi e përdori këtë titull pretendimet e tij për mbretërinë, lavdinë dhe sovranitetin nuk tingëllonin aq hapur. Vetëm ata që kishin veshë për të dëgjuar e kapën kuptimin e lartësuar të termit Bir i Njeriut kur Jezusi e përdori këtë titull.
Prandaj kësaj here nuk ishin udhëheqësit Judenj ata që e përdorën titullin për ta çuar në kryq. Vetë Jezusi e përdori në këtë mënyrë. Vargjet kyç janë Gjoni 3:14-15, “Dhe ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut, 15 që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”
Prandaj mund të themi që lavdia më e madhe që mund të shihte Natanaeli apo ju dhe unë është lavdia e Birit të Njeriut, Zotit të qiellit, sundimi i të cilit është një sundim i përjetshëm, lavdia e atij që u ngrit lart në kryq për të vdekur për mëkatarët.
Prandaj kur e shihni atë gjatë këtij Adventi si Birin e Perëndisë, si Mbretin e Izraelit dhe Birin e Njeriut, sigurohuni që ta shihni atë që vdiq për t’iu dhënë jetën e përjetshme dhe si rrjedhim shiheni si të lavdishëm.