Reformatori Radikal
Konrad Grebel
1498–1526
nga Abigejl Dods
Duke qenë më radikali mes radikalëve, vizioni i Konrad Grebelit rreth kishës është i mirënjohur për shumë ungjillorë të sotëm. Mirëpo, në kohën kur jetoi, për shkak të këtij radikalizmi Kondradi u detyrua të mërgonte për t’i shpëtuar jo vetëm katolikëve por madje edhe reformatorëve.
Grebeli lindi në vitin 1498 në një familje të mirë të Zyrihut. Në vitin 1524, karriera universitare e Grebelit në Bazel pati një fillim që dukej shumë premtues. Mirëpo, gjërat morën të tatëpjetën për shkak të përplasjeve të shpeshta të Grebelit me profesorin e tij, sherreve në të cilat përfshihej dhe jetës së shthurur të këtij të fundit. Të gjitha këto gjëra e shtynë të atin që ta hiqte nga universiteti. Pas ndëshkimit, Konradi u kthye në shtëpi në Zyrih ku iu bashkua një grupi të vogël humanistësh për të studiuar Biblën në greqisht, hebraisht dhe latinisht nën drejtimin e Ulrih Zvinglit.
Pikërisht gjatë vitit kur në kontakt me Zvinglin, jeta e Grebelit ndryshoi. Ai u martua me një grua nga një shtresë e ulët, gjë e cila shkaktoi një shkëputje edhe më të thellë me familjen e tij, si dhe u kthye në besim sikurse dëshmon edhe ndryshimi dramatik i stilit të jetesës që pasoi. Nuk kaloi shumë kohë dhe Grebeli u bë një prej mbështetësve më entuziastë të Zvinglit duke u bërë i famshëm si një dëshmitar i talentuar i Ungjillit.
Mosmarrëveshje dhe Diskreditim
Më pak se një vit më vonë, ose më saktë në Tetor 1523, zuri të shfaqej një përçarje mes këtyre dy burrave. Shkaktari? Mesha. Në një debat publik, që të dy u shprehën në favor të heqjes së Meshës, por kur Zvingli e pa që këshilltarët e qytetit nuk ishin gati ta merrnin një vendim të tillë, u tërhoq. Kjo ishte e paimagjinueshme për Grebelin, i cili mendonte se fjalës së qartë të Perëndisë duhet t’i bindemi pa asnjë pikë ngurrimi. Që të dyja palët u ndjenë të tradhtuara: Grebeli u pezmatua për faktin që Zvingli ra dakord që të vazhdonte të bënte një gjë që e kishte dënuar si të neveritshme (domethënë, të vazhdonte kryerjen e Meshës), ndërsa Zvinglit i doli nga qejfi Grebeli sepse e kuptoi se ishte një person i ngulët dhe mosmirënjohës.
Falë këtij debati doli në dritë një prej ndryshimeve më të thella mes Grebelit me reformatorët kryesorë, ndryshim ky i lidhur me pyetjen: Kujt i jep llogari kisha? Grebeli ishte i bindur që këshilltarët e qytetit nuk duhej të kishin asnjë pikë autoriteti mbi kishën dhe shërbesat e saj, për më tepër, autoriteti i tyre nuk duhet të dilte mbi vetë fjalën e Perëndisë. Nga ana tjetër, gjithashtu mendonte që kisha nuk duhet të kishte autoritet mbi punët e shtetit dhe për pasojë kundërshtoi të dhjetën e detyrueshme dhe gjëra të ngjashme me të. Farat e ndarjes mes kishës dhe shtetit po mbinin ndërkohë. Për njerëzit e kohës sonë, kjo ndarje është aq normale sa edhe ajri që thithim, ndërsa për njerëzit e asaj kohe ishte një risi revolucionare.
Një banjë me ujë papist
Gjëja që e shënoi fundin e përbashkësisë së Grebelit me reformatorët kryesorë ishte pagëzimi i foshnjave. Grebeli shpresonte që Zvingli do t’ia vinte veshin një ditë bindjes së tij që vetëm të rriturit që besojnë duhet të pagëzohen, por nuk ndodhi kështu.
Më 17 janar 1525, Zvingli bëri thirrje për një debat publik për ta trajtuar këtë çështje. Grebelit iu bashkua Feliks Manzi dhe Jorg Blauroku nga radhët e atyre që mbronin pagëzimin e besimtarëve. Në fund, këshilli ra dakord me Zvinglin dhe urdhëroi që grupi i Grebelit të mos vazhdonte të takohej për studimin e Biblës. Ata urdhëruan gjithashtu që të gjitha foshnjat e papagëzuara të silleshin për t’u pagëzuar ose përndryshe prindërit e tyre të përziheshin nga qyteti. Vajza e Grebelit në atë kohë ishte dyjavëshe dhe siç thoshte vetë ai, “nuk ishte pagëzuar dhe nuk ishte larë ende në ujërat e banjës papiste”. Ajo nuk do ta përjetonte këtë ritual për aq kohë sa Grebeli mbetej gjallë, dhe i tillë ai nuk do të mbetej edhe për shumë kohë.
Disa ditë pas debatit, Grebeli u takua në shtëpinë e Feliks Manzit me radikalë të tjerë të mërguar dhe kreu pagëzimin e parë të një të besimtari të rritur; ai që u pagëzua i pari ishte Blauroku, një ish prift i cili po ashtu ishte martuar. Gjatë muajve në vijim, Grebeli predikoi mesazhin e ungjillit “pendohu dhe pagëzohu” në kishën e Shën Gallit dhe rreth pesëqind vetë iu përgjigjën atij mesazhi duke u pagëzuar.
Grebeli u arrestua dhe u burgos në vitin 1525. Pasi u arratis nga burgu vitin pasues, vijoi që ta predikonte ungjillin derisa vdiq nga një sëmundje disa muaj më vonë.
Prediko dhe Bindu
Forca shtytëse pas veprimeve dhe reformave doktrinore të Grebelit mund të përmblidhet në këtë mënyrë: prediko dhe bindu fjalës pa asnjë kompromis. Siç thoshte vetë ai:
Përpiqu me zell të predikosh vetëm Fjalën e Perëndisë pa t’u dridhur syri, të themelosh dhe mbrosh vetëm praktikat hyjnore, të vlerësosh si të mirë dhe të drejtë vetëm gjërat që paraqiten prerazi dhe qartazi në Shkrim, si dhe të mohosh, urresh dhe mallkosh gjithë skemat, fjalët, praktikat dhe opinionet e njerëzve, madje edhe të tuat nëse bien në kundërshtim me fjalën.
Edhe këto gjëra do t’i bësh edhe nëse pasoja që vuan për to është mërgimi apo ndonjë gjë më e keqe sesa kaq.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!