Si i respektojmë të tjerët ndërsa hedhim poshtë besimet e tyre të rreme?
nga Pastor John Piper
Si i nderojmë njerëzit përreth nesh të cilët kanë ide të rreme rreth Perëndisë? Kjo është një pyetje specifike por që hap një diskutim të gjerë. Pyetja na vjen nga një dëgjues në Sri Lanka.
“I dashur Pastor John, ne të krishterët jemi pakicë në një vend me shumicë Budiste. Përkulja para një prifti Budist me të dyja duart e palosura është mënyra sesi përshëndetet kleri Budist në vendin tonë. Disa prej nesh që jemi të krishterë nuk ndihemi rehat me një gjë të tillë. Nuk kemi gjetur ende ndonjë udhëzim të qartë nga Shkrimi. A mund të na ndihmosh ta nderojmë Zotin dhe emrin e tij në vendin tonë?”
E vërteta globale
Më pëlqen shumë kur më vijnë pyetje nga situata, marrëdhënie dhe vende të ndryshme nga të miat. Kjo më ndihmon të kuptoj sesa krahinor që jam në disa nga gjërat me të cilat merrem dhe në të njëjtën kohë sa universalë dhe të përshtatshëm janë Krishti dhe fjala e tij kudo në botë.
Për mua është rrëqethëse të mendoj që dikush në Sri Lanka e shkon nëpër mend që një pastor i ulur në dhomën e tij në Miniapolis, Minesota – gjashtëmbëdhjetë mijë kilometra larg – mund të ketë diçka nga fjala e Perëndisë për t’ia thënë e cila do të jetë e dobishme në atë kulturë. Kjo gjë është shumë tronditëse.
Shpresoj që është e dobishme. Më duket vetja paksa mendjemadh për t’u përpjekur që t’i përgjigjem. Por nëse mund të qëndroj pranë fjalës së Perëndisë ndoshta Perëndia ka për të bërë të dobishme.
Mënyra sesi unë ia bëj këtë pyetje vetes është “Si mund të nderoj – po mendoj për veten time dhe për këtë të krishterë në të njëjtën kohë – si mund t’i nderojmë dy lloje mësimesh në Dhiatën e Re të cilat së bashku, pavarësisht sesa tension që mund të ndiejmë mes tyre, duhet t’i japin formë marrëdhënies tonë me njerëzit e feve të tjera, qoftë në Amerikë apo në Sri Lanka, duke përfshirë këtu edhe udhëheqësit e atyre feve?” Në këtë rast, jemi duke menduar për një prift Budist. Ja cilat janë dy llojet e mësimeve që kam ndër mend.
Nderojini të gjithë
Nga njëra anë Pjetri na thotë, “Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin.” (1 Pjetri 2:17).
Në këtë varg, shohim katër lloje të ndryshme dashurie. Së pari, ekziston një lloj nderimi që të krishterët ia tregojnë kujtdo thjesht për faktin se ata janë njerëz, të krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë, dhe për shkak se janë vëllezër dhe motra të mundshme. Do na pëlqente shumë nëse ata do të ishin vëllezërit dhe motrat tona përgjithmonë. Do jemi shumë të kënaqur, dhe duhet të përpiqemi t’i ndihmojmë ata të ndihen që ne do ishim shumë të kënaqur, nëse do të na bashkohen në gëzimin dhe nënshtrimin e përjetshëm ndaj Jezu Krishtit.
Së dyti, ekziston një lloj i veçantë dashurie, afeksioni dhe lidhjeje që ekziston mes vëllezërve dhe motrave të krishtera.
Së treti, ekziston një lloj absolutisht unik respekti, droje dhe nënshtrimi të cilin ia kemi borxh Perëndisë, Krijuesit, Mbështetësit dhe Shpenguesit.
Së katërti, ekziston një lloj i veçantë nderimi – e njëjta fjalë përdoret këtu në fund të vargut – për mbretin. Ekziston një lloj i veçantë nderimi që ia tregojmë atyre të cilët Perëndia i ka vendosur në autoritet civil mbi ne ndërsa jemi të huaj dhe shtegtarë në këtë botë.
Tani, priftërinjtë Budistë në Sri Lanka nuk janë vëllezër të krishterë. Ata nuk janë në atë kategori. Mendoj që gjithashtu nuk janë as autoritete civile. Nuk e njohim mirë historinë kulturore por po hamendësoj që ata nuk janë në rolin e qeveritarëve, mbretërve dhe princave. Megjithatë, ata janë njerëz.
Prandaj, ekziston një lloj nderi dhe respekti të cilin të krishterët duhet t’ua tregojnë atyre. Pas pak do t’i kthehem dhe ta shpjegoj këtë gjë pak më tepër. Ky është lloji i parë i mësimit që gjejmë në Dhiatën e Re: nderojini të gjithë njerëzit.
Qëndroni të dallueshëm
Ja dhe lloji i dytë i mësimit. Ky mësim na bën thirrje të kemi kujdes nga tri gjëra.
Së pari, Dhiata e Re thotë që nuk duhet të bëjmë apo themi asnjë gjë që do t’i bëjë të krishterët e papjekur apo të paqëndrueshëm të përballen me dyshim, mosbesim apo mosbindje. Tani jam duke menduar për atë që thuhet tek 1 Korintasve:
“Pra, për sa i përket të ngrënit të flive që u bëhen idhujve, ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka Perëndi tjetër, veç një….Por njohuria nuk është në të gjithë; madje disa, të ndërgjegjshëm për idhullin [apo për priftërinjtë dhe tempujt Budistë], hanë gjëra posi të flijuara idhujve [përkulen sikur ta nderonin vërtet atë që përfaqësojnë ata priftërinj]; dhe ndërgjegja e tyre, duke qenë e dobët, përlyhet.” (1 Korintasve 8:4-7)
Në atë tekst, mua më duket që për hir të besimtarëve më të rinj apo më pak të pjekur, ne që mund të kemi lirinë që t’i tregojmë një farë respekti një prifti Budist dhe të mos kemi asnjë synim fetar përmes tij ndoshta duhet t’i evitojmë simbole të tilla publike të nderimit fetar për hir të vëllezërve më të dobët. Ky është një paralajmërim.
Ja paralajmërimi i dytë. Dhiata e Re thotë që nuk duhet të bëjmë apo themi gjëra, apo të lidhemi me njerëzit në një mënyrë që do t’i zbehë dallimet mes Krishtit dhe rrugës së tij të shpëtimit nga njëra anë dhe mësimeve të feve të tjera nga ana tjetër.
Këtu jam duke menduar për atë që thuhet tek 2 Korintasve 6:14-18:
“Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin? Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin? [apo me Budën] Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin? Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt?… Prandaj ”dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm’.”
Qëllimi i atyre pyetjeve retorike duket se është që ne të mos lëmë përshtypjen se kemi më tepër të përbashkëta me një fe tjetër nga sa kemi në realitet. Kemi nevojë të gjejmë mënyra për ta bërë veten të dallueshëm nga feja prej të cilës kemi dalë në mënyrë që dallimet të jenë sa më të qarta në vend që të jenë të turbullta apo të padukshme.
Ja paralajmërimi i tretë që na jep Dhiata e Re. Dhiata e Re thotë pozitivisht që të bëjmë dhe themi gjëra që do ta bëjnë edhe më të qartë ungjillin unik dhe të domosdoshëm të hirit të Perëndisë.
Mendoj për shembull për Veprat 20:24, ku Pali thotë, “Por unë nuk dua t’ia di fare për jetën time që nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë.”
Ky është synimi madhor – të japim dhe të flasim. Domethënë, të japim dëshmi, të japim prova të qarta dhe të flasim në mënyrë që ta bëjmë dëshminë tonë të ungjillit të hirit të Perëndisë plotësisht të qartë, edhe nëse kjo gjë na kushton jetën tonë.
Këto janë dy llojet e mësimit në Dhiatën e Re të cilat kemi nevojë t’i ndjekim. Njëri mësim thekson nderimin për të gjithë njerëzit, përfshirë këtu dhe priftërinjtë Budistë, dhe tjetri thekson faktin që kemi nevojë të ruajmë veçimin dhe dallimin tonë nga feja jonë e kaluar.
Shtigjet e dashurisë
Më lejoni ta mbyll duke u kthyer tek mënyra sesi mund të duket nderimi i një prifti Budist. Mua më duket që ka të ngjarë që në çdo kulturë të ketë mënyra për të treguar respekt për njerëzit si njerëz por jo për atë që ata përfaqësojnë. Kjo është sfidë e vërtetë, por ekziston mundësia që ata t’i respektojnë si njerëz dhe jo për atë që përfaqësojnë. Kjo është sfida kulturore. Jo vetëm në Sri Lanka por kudo që jemi.
Unë nuk jetoj në Sri Lanka, dhe nuk jam saktësisht i sigurt sesi do të duket kjo gjë atje. Por të paktën do të duket si diçka e tillë: Nuk sillemi me një qëndrim mosrespektues. Përpiqemi të evitojmë krenarinë dhe lartësimin e vetes. Nuk veprojmë në një mënyrë që eviton një marrëdhënie personale, sikur ta përbuznim dikë. Përpiqemi të jemi të hapur në dëshminë tonë të hirit të Perëndisë
Ne jemi të gatshëm të japim jetën tonë për të mirën e të tjerëve, përfshirë edhe ata nga fetë e tjera. Jemi gati të shërbejmë. Pali flet për konsiderimin e të tjerëve si më të rëndësishëm se veten tonë. Dhe mendoj që ai do të thotë se jemi të gatshëm t’u shërbejmë, të përulemi dhe t’u bëjmë gjëra të mira në shtigjet e dashurisë.
Nuk dërgojmë sinjale – kulturore apo personale – që dallimi mes nesh është i vogël apo ajo që përfaqëson prifti në fenë e tij është gjë e admirueshme, e vërtetë apo e dobishme kur në fakt nuk është e tillë. Në fakt, ajo është përjetësisht shkatërrimtare.
Këtu qëndron sfida: gjeni një mënyrë që personalisht ta nderoni atë prift që është krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë – të paktën në ato mënyra – dhe gjeni një mënyrë për të komunikuar që nuk i kemi këto bindje fetare të përbashkëta me ju.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!